Mars
E martë, 1 mars
Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë.—Luka 6:22.
Ne nuk kemi qejf që të tjerët të na urrejnë. As nuk duam të bëhemi martirë. Atëherë, pse mund të jemi të lumtur kur na urrejnë? Ja tri arsye: së pari, kur nuk dorëzohemi përballë urrejtjes, fitojmë miratimin e Perëndisë. (1 Pjet. 4:13, 14) Së dyti, besimi ynë sprovohet, pasurohet dhe bëhet më i fortë. (1 Pjet. 1:7) E së treti, do të marrim një shpërblim që s’ka të çmuar—jetën e përhershme. (Rom. 2:6, 7) Pak pas ringjalljes së Jezuit, apostujt provuan atë lumturi për të cilën u kishte folur ai. Pasi i rrahën dhe i urdhëruan të mos predikonin më, ata u larguan të gëzuar. Pse? «Sepse ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin [e Jezuit].» (Vep 5:40-42) Dashuria për Zotërinë e tyre ishte më e fortë se frika nga armiqtë që shfrenin urrejtje. Dhe e treguan atë dashuri duke predikuar «pareshtur» lajmin e mirë. Sot shumë nga vëllezërit tanë vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait mes vështirësive. Ata janë të sigurt se Jehovai nuk do t’i harrojë veprat e tyre dhe dashurinë që tregojnë për emrin e tij. w21.03 25 ¶18-19
E mërkurë, 2 mars
Ka vënë edhe përjetësinë në zemrat e njerëzve.—Ekl. 3:11.
Të krishterët e mirosur nuk lindin me shpresën qiellore. Atë shpresë ua vë në zemër Perëndia. Ata mendojnë për shpresën e tyre, luten për të dhe mezi presin të marrin shpërblimin në qiell. Nuk e imagjinojnë dot si do të jetë trupi i tyre qiellor. (Filip. 3:20, 21; 1 Gjon. 3:2) Gjithsesi, dëshirojnë me zjarr të jenë në Mbretërinë qiellore. Delet e tjera kanë një shpresë që është e natyrshme për njerëzit—të jetojnë përjetë në tokë. Ata mezi e presin ditën kur do të ndihmojnë për ta kthyer mbarë planetin në parajsë. U digjet zemra për atë ditë kur mund të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të mbjellin kopshte dhe t’i rritin fëmijët me shëndet të përsosur. (Isa. 65:21-23) Vlojnë nga dëshira që të eksplorojnë tokën—malet, pyjet dhe detet e saj—e të studiojnë krijimin e pasur të Jehovait. Mbi të gjitha, u gëzon zemra kur mendojnë se miqësia e tyre me Jehovain do të forcohet e do të thellohet gjatë gjithë përjetësisë. w21.01 18-19 ¶17-18
E enjte, 3 mars
Ai dogji shtëpinë e Perëndisë së vërtetë . . . dhe shkatërroi gjithçka me vlerë.—2 Kron. 36:19.
Ata që e shihnin vendin pas pushtimit babilonas, thoshin: «Është një vend i shkretë pa njeri dhe pa kafshë. Ai ka rënë në duart e kaldeasve.» (Jer. 32:43) Afro 200 vjet pas profecisë së Joelit, Jehovai paratha nëpërmjet Jeremisë diçka tjetër për atë sulm. Ai tha se do të bëhej një kërkim i kujdesshëm për të gjetur izraelitët që bënin ligësi, dhe askush s’do të shpëtonte pa u kapur. «‘Ja, unë do të thërras shumë peshkatarë,—thotë Jehovai. Ata do t’i peshkojnë. Pastaj do të dërgoj shumë gjuetarë, që do t’i kërkojnë në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkrepave. . . . Unë do të kërkoj një shpagim të plotë për fajin dhe mëkatet e tyre.’» As oqeanet e as pyjet nuk do t’i fshihnin dot izraelitët e papenduar nga pushtuesit babilonas.—Jer. 16:16, 18. w20.04 5 ¶12-13
E premte, 4 mars
[Loti] po ngurronte.—Zan. 19:16.
Në një pikë kritike të jetës së tij, Loti ngurroi dhe nuk iu bind menjëherë udhëzimeve të Jehovait. Mund ta gjykojmë Lotin si njeri indiferent, madje të pabindur. Megjithatë, Jehovai nuk hoqi dorë nga Loti. Ai «ndiente shumë dhembshuri për të», prandaj engjëjt e kapën fort për dore bashkë me familjen e tij dhe i nxorën jashtë qytetit. (Zan. 19:15, 16) Mund të ketë pasur disa arsye pse Jehovai ndjeu dhembshuri për Lotin. Ndoshta Loti hezitonte të ikte nga shtëpia, ngaqë u trembej njerëzve jashtë qytetit. Kishte edhe rreziqe të tjera. Loti duhej të kishte dëgjuar për dy mbretërit që kishin rënë në gropat e bitumit, ose të ziftit, në një luginë aty pranë. (Zan. 14:8-12) Si bashkëshort dhe baba, Loti duhet të ketë qenë në merak për familjen e tij. Veç kësaj, ai ishte i pasur, prandaj shtëpia e tij në Sodomë mund të ketë qenë luksoze. (Zan. 13:5, 6) Pa dyshim, asnjë nga këta faktorë nuk e justifikonte Lotin që të mos i bindej menjëherë Jehovait. Gjithsesi, Jehovai pa përtej gabimit të Lotit dhe e konsideroi si ‘njeri të drejtë’.—2 Pjet. 2:7, 8. w20.04 18 ¶13-14
E shtunë, 5 mars
Armata e të rinjve të tu do të jetë si bulëza të panumërta vese.—Psal. 110:3.
Vëlla i ri, atyre që të kanë njohur që fëmijë, mund t’u duhet kohë që të të shohin si të rritur. Por të jesh i sigurt se Jehovai sheh përtej asaj që duket. Ai sheh cilësitë dhe potencialin tënd. (1 Sam. 16:7) Forco miqësinë me Perëndinë. Davidi e bënte këtë duke soditur me kujdes veprat e krijimit të Jehovait. Ai bluante në mendje se çfarë i mësonin ato vepra për Krijuesin. (Psal. 8:3, 4; 139:14; Rom. 1:20) Një gjë tjetër është të mbështetesh për forcë te Jehovai. Për shembull, a tallen me ty disa shokë të shkollës ngaqë je Dëshmitar i Jehovait? Nëse po, lutju Jehovait të të ndihmojë ta përballosh këtë sprovë. Gjithashtu zbato këshillat praktike që gjenden në Fjalën e tij dhe në botimet e videot tona. Sa herë që sheh dorën e Jehovait ndërsa përballon një problem, të forcohet besimi se ai do të të bëhet krah edhe në të ardhmen. Veç kësaj, kur të tjerët shohin se mbështetesh te Jehovai, do të fitosh besimin e tyre. w21.03 4 ¶7
E diel, 6 mars
Lutja e të drejtëve është e pëlqyeshme në sytë e [Jehovait].—Prov. 15:8.
Miqve të ngushtë u pëlqen të flasin me njëri-tjetrin për mendimet e ndjenjat e tyre. A ndodh kështu edhe me miqësinë tonë me Jehovain? Patjetër. Jehovai na flet me anë të Fjalës së tij, ku na zbulon mendimet e ndjenjat e veta. Ne komunikojmë me të nëpërmjet lutjes dhe i hapemi për mendimet dhe ndjenjat më të thella. Si një Mik i dashur, Jehovai jo vetëm i dëgjon lutjet tona, por edhe u përgjigjet. Ndonjëherë përgjigjja vjen shpejt. Herë të tjera mund të na duhet të vazhdojmë të lutemi për diçka. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se përgjigjja do të vijë në kohën e duhur dhe në mënyrën më të mirë. Patjetër, përgjigjja e Perëndisë mund të mos jetë ajo që presim. Për shembull, në vend se të na e heqë një sprovë, ai mund të na japë mençurinë dhe fuqinë ‘që t’i bëjmë ballë’. (1 Kor. 10:13) Si mund ta tregojmë se jemi mirënjohës për dhuratën e lutjes që s’ka të çmuar? Një mënyrë është duke i vënë veshin këshillës së Jehovait që ‘të lutemi pa pushim’.—1 Sel. 5:17. w20.05 27-28 ¶7-8
E hënë, 7 mars
Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mat. 24:13.
Vrapuesit në një garë të gjatë i mbajnë sytë te rruga përpara, që të mos pengohen. Nëse bien, ata ngrihen prapë dhe vazhdojnë vrapin. I fiksojnë sytë te vija e finishit dhe te çmimi që shpresojnë të fitojnë, jo tek ajo që i pengoi. Në garën tonë, mund të pengohemi shumë herë, pra mund të gabojmë në atë që themi a që bëjmë. Ose ata që vrapojnë krah nesh, mund të gabojnë dhe të na lëndojnë. S’duhet të çuditemi nëse ndodh kjo. Të gjithë jemi të papërsosur dhe po vrapojmë në të njëjtën rrugë të ngushtë drejt jetës, prandaj nganjëherë do të ndodhë «ta shtyjmë» pa dashje njëri-tjetrin dhe do të kemi «arsye për t’u ankuar» kundër njëri-tjetrit. (Kolos. 3:13) Gjithsesi, le t’i fiksojmë sytë te çmimi që kemi para, jo tek ajo që na pengoi, dhe të vazhdojmë vrapin. Po të mbushemi me inat e mllef dhe të mos duam të ngrihemi, nuk do ta kalojmë vijën e finishit dhe nuk do ta marrim çmimin. Veç kësaj, ka shumë gjasa të bëhemi pengesë për të tjerët që po përpiqen të vrapojnë në rrugën e ngushtë drejt jetës. w20.04 26 ¶1; 28 ¶8-9
E martë, 8 mars
Kjo mbretëri . . . do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive.—Dan. 2:44.
Profeti Daniel flet për një sërë qeverish njerëzore që kanë ushtruar ndikim te populli i Perëndisë. Ato përshkruhen si pjesët e një shëmbëlltyre gjigante prej metali. Këmbët e shëmbëlltyrës nga kyçet e poshtë janë prej hekuri të përzier me argjilë. Ato paraqesin qeverinë e fundit njerëzore, fuqinë botërore anglo-amerikane. Kjo profeci tregon se ajo do të jetë duke qeverisur ende kur Mbretëria e Perëndisë të godasë dhe t’i shfarosë qeveritë njerëzore. Edhe apostulli Gjon flet për një sërë fuqish botërore që kanë ushtruar ndikim te populli i Jehovait. Gjoni i përshkruan ato qeveri si një bishë me shtatë koka. Koka e shtatë e bishës paraqet fuqinë botërore anglo-amerikane. Kjo është domethënëse, sepse Shkrimet nuk tregojnë që bishës i del ndonjë kokë tjetër më pas. Koka e shtatë e bishës do të jetë ende në fuqi kur Krishti dhe ushtria e tij qiellore ta shfarosin me gjithë pjesën tjetër të bishës.—Zbul. 13:1, 2; 17:13, 14. w20.05 14 ¶11-12
E mërkurë, 9 mars
Perëndia është dashuri.—1 Gjon. 4:8.
Ky pohim i thjeshtë na kujton një të vërtetë themelore: Perëndia, Burimi i jetës, është edhe Burimi i dashurisë. Jehovai na do! Falë dashurisë së tij ndihemi të sigurt, të përkëdhelur e të lumtur. Për shërbëtorët e Perëndisë, nuk është një zgjedhje të tregojnë dashuri. Është një urdhërim. (Mat. 22:37-40) Pasi e njohim mirë Jehovain, mund ta kemi të lehtë t’i bindemi urdhërimit të parë. Fundja Jehovai është i përsosur dhe na trajton me dhembshuri e mirësi. Por, mund ta kemi ca të vështirë t’i bindemi urdhërimin e dytë. Pse? Sepse vëllezërit e motrat—që janë ndër të afërmit tanë më të ngushtë—janë të papërsosur. Ndonjëherë fjalët dhe veprimet e tyre mund të jenë mospërfillëse dhe lënduese. Jehovai e dinte se do ta hasnim këtë sfidë, prandaj i frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës të hidhnin me shkrim këshilla specifike se përse dhe si duhet të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Një nga ata shkrimtarë ishte Gjoni.—1 Gjon. 3:11, 12. w21.01 8 ¶1-2
E enjte, 10 mars
Të mos na zërë në lak Satanai.—2 Kor. 2:11.
Pavarësisht nëse i shërbejmë Jehovait nga pak kohë ose nga vite të tëra, duhet t’i bëjmë vetes këtë pyetje: «A po u rezistoj përpjekjeve të Satanait që ta përçajë zemrën time?» Për shembull, si reagon nëse sheh në televizor a në Internet një pamje që mund të ngjallë dëshira imorale? Mbase është kollaj t’i mbushësh mendjen vetes se pamja ose filmi që po sheh, nuk mund të quhet vërtet pornografi. Por, a mos është një përpjekje e Satanait që të përçajë zemrën tënde? Ajo pamje mund të jetë si një sëpatë e vogël që përdor dikush për të çarë një trung të madh. Goditja e parë me tehun e mprehtë të sëpatës nuk e çan drurin. Por, ndërsa sëpata godet gjithnjë e më shumë, druri më në fund çahet. A mund të jenë pamjet sensuale në media si një goditje me tehun e sëpatës? Diçka që në fillim mund të duket si gjë e vogël dhe pa zarar, mund të çojë me shpejtësi drejt mëkateve që e përçajnë zemrën dhe thyejnë integritetin. Prandaj mos lejo të futet në zemrën tënde asgjë e papërshtatshme! Mbaje zemrën të bashkuar që të nderojë thellësisht emrin e Jehovait! w20.06 11-12 ¶14-15
E premte, 11 mars
Të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë.—Rom. 15:1.
Joaktivët kanë nevojë t’i ndihmojmë e t’i inkurajojmë vazhdimisht. Ashtu si djali i humbur në ilustrimin e Jezuit, mund të kenë plagë të thella emocionale. (Luka 15:17-24) Gjithashtu ka shumë të ngjarë t’u jetë dobësuar marrëdhënia me Jehovain, ngaqë kanë qenë në botën e Satanait. Duhet t’i ndihmojmë që të forcojnë besimin te Jehovai. Në ilustrimin për delen e humbur, Jezui tregon se bariu e vë mbi supe delen dhe e kthen te kopeja. Bariu tashmë ka harxhuar kohë dhe energji për ta gjetur delen e humbur. Por ai e kupton se është e nevojshme edhe ta mbajë mbi supe për ta kthyer te vatha, ngaqë ajo nuk ka fuqi të kthehet vetë. (Luka 15:4, 5) Mund të jetë e nevojshme të shpenzojmë shumë kohë dhe energji për të ndihmuar disa joaktivë të mposhtin dobësitë e tyre. Por me anë të frymës së Jehovait, Fjalës së tij dhe botimeve që siguron organizata, mund t’i ndihmojmë të forcojnë marrëdhënien me Jehovain. Në rast se pleqtë të kërkojnë të studiosh me një joaktiv, pranoje me kënaqësi këtë caktim nëse ke mundësi. w20.06 28 ¶14-15
E shtunë, 12 mars
Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.
Secili nga ne duhet të tregojë dashuri—ajo është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë. Por kemi nevojë edhe për ‘njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese’. (Filip. 1:9) Po të mos i kemi këto, mund të ndikohemi «nga çdo erë mësimi, nga dredhitë e njerëzve», ndër të cilët edhe apostatët. (Efes. 4:14) Në një rast kur shumë dishepuj nuk e ndoqën më Jezuin, apostulli Pjetër shprehu besimin e patundur se Jezui kishte «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme». (Gjoni 6:67, 68) Ndonëse në atë kohë nuk i kuptonte të gjitha hollësitë e fjalëve të Jezuit, Pjetri qëndroi besnik sepse kishte kuptuar të vërtetën për Krishtin. Edhe ti mund ta forcosh bindjen se ajo që mëson Bibla është e vërteta. Atëherë besimi yt do të mbetet i pathyeshëm në çfarëdo sprove, e do të ndihmosh edhe të tjerët të kenë besim të fortë.—2 Gjon. 1, 2. w20.07 8 ¶2; 13 ¶18
E diel, 13 mars
Fëmijët e mi të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gojë të ëmbël, por me vepra e me të vërtetë.—1 Gjon. 3:18.
Që t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat të qëndrojnë në të vërtetën, duhet të tregojmë dhembshuri. (1 Gjon. 3:10, 11, 16, 17) Duhet ta duam njëri-tjetrin jo vetëm kur gjërat shkojnë vaj, por edhe kur lindin probleme. Për shembull, a njeh dikë që i ka vdekur një njeri i dashur dhe ka nevojë për ngushëllim ose për ndonjë ndihmë praktike? Ose a ke marrë vesh që disa vëllezër kanë pësuar dëme nga një katastrofë dhe kanë nevojë për ndihmë që të rindërtojnë Sallën e Mbretërisë a shtëpinë? Tregojmë sa e thellë është dashuria dhe dhembshuria jonë për vëllezërit e motrat jo vetëm me atë që themi, por, mbi të gjitha, me atë që bëjmë. Kur tregojmë dashuri për njëri-tjetrin, imitojmë Atin tonë të dashur. (1 Gjon. 4:7, 8) Një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë dashurinë është duke falur njëri-tjetrin. Për shembull, nëse dikush na lëndon, duhet të tregojmë dashuri duke e falur dhe duke e hedhur pas krahëve gabimin e tij.—Kolos. 3:13. w20.07 24 ¶14-15
E hënë, 14 mars
Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.—Vep. 24:15.
A do të studiojë secili prej të ringjallurve me një instruktor, ashtu siç bëhen sot studimet e Biblës? A do të caktohen këta të rinj në të vërtetën në kongregacione dhe a do të stërviten si të mësojnë të tjerët që do të ringjallen pas tyre? Koha do ta tregojë. Gjithsesi, e dimë se në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, ‘njohuria për Jehovain do të ketë vërshuar në tokën mbarë’. (Isa. 11:9) Çfarë Mijëvjeçari plot punë dhe plot gëzime do të jetë! Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, të gjithë fëmijëve të Jehovait në tokë do t’u duhet të bëjnë ndryshime për të kënaqur Atin e tyre. Prandaj, ata do të kenë empati ndërsa i ndihmojnë të ringjallurit të luftojnë prirjet mëkatare dhe të jetojnë sipas standardeve të Jehovait. (1 Pjet. 3:8) E pa dyshim, të ringjallurit do të duan të bashkohen me adhuruesit e përulur të Jehovait, të cilët do të vazhdojnë ‘të punojnë [edhe vetë] për shpëtimin e tyre’.—Filip. 2:12. w20.08 16 ¶6-7
E martë, 15 mars
Secili të shqyrtojë veprimet e tij, . . . e jo të krahasohet me një tjetër.—Gal. 6:4.
Nëse ndjekim këshillën e frymëzuar të Apostullit Pavël dhe shqyrtojmë veprimet tona, mund të dallojmë se kemi dhunti dhe aftësi unike. Për shembull, një plak mund të mos jetë mësues i talentuar në podium, por mund të jetë goxha i zoti në veprën e bërjes së dishepujve. A mbase nuk është edhe aq i organizuar sa pleqtë e tjerë në kongregacion, por lajmëtarët mund ta shohin si një bari të dashur dhe ndihen rehat t’i kërkojnë këshilla nga Shkrimet. Ose ndoshta është i njohur si mikpritës. (Hebr. 13:2, 16) Kur i dallojmë qartë pikat e forta dhe dhuntitë që kemi, do të jemi të kënaqur për ndihmën që mund të japim në kongregacion. Gjithashtu do të ketë më pak të ngjarë të na brejë zilia për vëllezërit që kanë dhunti të ndryshme nga tonat. Pavarësisht nga vendi që kemi në kongregacion, secili nga ne duhet të ketë dëshirë të përmirësohet në shërbim dhe t’i zhvillojë më tej aftësitë e veta. w20.08 24 ¶16-18
E mërkurë, 16 mars
Pashë një shumicë të madhe . . . të cilën askush s’mund ta numëronte.—Zbul. 7:9.
Fjalimi i paharruar me titull «Shumica e madhe», u mbajt më 1935 nga Xhozef Radhërfordi në një kongres në Uashington D.C., SHBA. Në fjalimin e tij, vëlla Radhërfordi qartësoi kush është ‘shumica e madhe’ e përmendur te Zbulesa 7:9. Deri atëherë, mendohej se ky grup ishte një klasë qiellore dytësore më pak besnike. Vëlla Radhërfordi përdori Shkrimet për të shpjeguar se pjesëtarët e shumicës së madhe nuk janë zgjedhur që të jetojnë në qiell. Ata janë dele të tjera të Krishtit që do t’i mbijetojnë ‘shtrëngimit të madh’ dhe do të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Zbul. 7:14) Jezui premtoi: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe atyre do t’u prij, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Gjoni 10:16) ‘Delet e tjera’ janë Dëshmitarë besnikë të Jehovait që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore.—Mat. 25:31-33, 46. w21.01 14 ¶1-2
E enjte, 17 mars
Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mat. 10:22.
Na nevojitet vetëdisiplinë për të treguar qëndrueshmëri e për ta çuar deri në fund veprën e predikimit. (Mat. 28:19, 20) Ne nuk lindim me vetëdisiplinë. Përkundrazi, prirja jonë zakonisht është të ndjekim rrugën më të lehtë. Na duhet vetëkontroll për të disiplinuar veten. Prandaj kemi nevojë për ndihmë që të stërvitemi të bëjmë ato gjëra që na duken të vështira. Jehovai na e jep këtë ndihmë me anë të frymës së tij të shenjtë. (Gal. 5:22, 23) Apostulli Pavël kishte vetëdisiplinë. Megjithatë, ai pranoi se duhej ‘ta rrihte me grushte’ trupin e vet për të bërë atë që ishte e drejtë. (1 Kor. 9:25-27) Ai i nxiti të tjerët ta disiplinonin veten e të bënin çdo gjë «në mënyrë dinjitoze dhe me rregull». (1 Kor. 14:40) Na duhet vetëdisiplinë që të mbajmë një program të mirë në adhurimin e Jehovait ku përfshihet edhe pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit.—Vep. 2:46. w20.09 6-7 ¶15-17
E premte, 18 mars
Duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.—Mar. 13:10.
Sot, në shumë vende mund të predikojmë pa probleme. A jeton në një vend ku je i lirë të adhurosh Perëndinë? Nëse po, pyet veten: «Si po e përdor këtë liri?» Këto ditë të fundit janë emocionuese, sepse organizata e Jehovait po zhvillon fushatën më të madhe të predikimit dhe të mësimdhënies që ka parë bota. Për shërbëtorët e Jehovait janë hapur shumë dyer në këtë vepër. Si mund ta shfrytëzosh një periudhë paqeje? (2 Tim. 4:2) Pse të mos shqyrtosh rrethanat e tua për të parë nëse mund të përfshihesh më shumë në veprën e predikimit, a madje edhe të shërbesh si pionier—qoftë ti vetë, qoftë një pjesëtar i familjes? Sot nuk është koha të rendim pas të mirave materiale—gjatë shtrëngimit të madh, ato s’do të na hyjnë në punë. (Prov. 11:4; Mat. 6:31-33; 1 Gjon. 2:15-17) Shumë lajmëtarë kanë mësuar një gjuhë tjetër që të ndihmojnë sa më shumë njerëz të mësojnë për Jehovain. Organizata e Perëndisë i mbështet duke nxjerrë botime të bazuara në Bibël në mbi 1.000 gjuhë! w20.09 16 ¶9-11
E shtunë, 19 mars
Vazhdosh të bësh luftën e shkëlqyer.—1 Tim. 1:18.
Një ushtar i mirë është besnik. Ai lufton me mish e me shpirt për të mbrojtur dikë që e do ose diçka që e ka të shtrenjtë. Pavli e inkurajoi Timoteun të zhvillonte përkushtimin ndaj Perëndisë—pra, nderim të thellë dhe dashuri besnike për Të. (1 Tim. 4:7) Sa më e fortë të jetë dashuria dhe përkushtimi ndaj Perëndisë, aq më e madhe do të jetë dëshira që ta ruajmë të vërtetën si dritën e syve. (1 Tim. 4:8-10; 6:6) Një ushtari i duhet edhe vetëdisiplinë për t’u stërvitur që të jetë gjithnjë gati për luftë. Timoteu ishte gjithnjë gati të luftonte kundër ndikimit të Satanait, sepse ndoqi këshillën e Pavlit që të ikte nga dëshirat e gabuara, të kërkonte me ngulm cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë dhe të shoqërohej me bashkëbesimtarët. (2 Tim. 2:22) Kjo kërkonte vetëdisiplinë. Edhe neve na duhet vetëdisiplinë për ta fituar luftën kundër dëshirave të gabuara. (Rom. 7:21-25) Veç kësaj, na duhet vetëdisiplinë që të vazhdojmë të punojmë për të zhveshur personalitetin e vjetër e për të veshur të riun. (Efes. 4:22, 24) E kur jemi të lodhur nga një ditë e gjatë, mund të na duhet ta detyrojmë veten që të ndjekim një mbledhje.—Hebr. 10:24, 25. w20.09 28 ¶9-11
E diel, 20 mars
Me gjithë zemër kam vendosur që rregullave të tua t’u bindem përherë, derisa të kem frymë.—Psal. 119:112.
Na duhet durim ndërsa e ndihmojmë studentin të përparojë drejt kushtimit dhe pagëzimit. Ama, në njëfarë pike, duhet të kuptojmë nëse ka dëshirë t’i shërbejë Perëndisë Jehova. A vëren shenja se studenti po përpiqet t’u bindet urdhrave të Jezuit? Apo thjesht ka qejf të mësojë ca gjëra interesante nga Bibla? Analizoji rregullisht përparimin e studentit. Për shembull: A e shpreh si ndihet për Jehovain? A i lutet Jehovait? (Psal. 116:1, 2) A e shijon leximin e Biblës? (Psal. 119:97) A i ndjek rregullisht mbledhjet? (Psal. 22:22) A ka bërë ndonjë ndryshim në harmoni me atë që po mëson? A ka nisur të flasë me familjarët a miqtë për të vërtetën? (Psal. 9:1) Ç’është më e rëndësishmja, a dëshiron të bëhet Dëshmitar i Jehovait? (Psal. 40:8) Nëse nuk po bën përparim në ndonjë nga këto pika, përpiqu të kuptosh me lezet e maturi arsyen pse; pastaj diskutoje këtë me studentin me dashamirësi, por hapur. w20.10 18 ¶14-15
E hënë, 21 mars
Ai që më dërgoi, është me mua dhe nuk më ka braktisur, sepse bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.—Gjoni 8:29.
Ati qiellor i Jezuit bën gjithmonë zgjedhje të mençura; dhe prindërit e tij në tokë morën vendime të mira. Gjithsesi, ndërsa rritej, Jezuit i duhej të bënte zgjedhjet e veta. (Gal. 6:5) Si të gjithë ne, ai kishte dhuratën e vullnetit të lirë. Mund të kishte zgjedhur të ndiqte interesat e veta. Por në vend të kësaj, zgjodhi të mbante një marrëdhënie të fortë me Jehovain. Ndërsa mësonte rreth rolit të tij në qëllimin e Perëndisë, Jezui zgjodhi të vepronte sipas vullnetit të Jehovait. (Gjoni 6:38) Ai e dinte se do të urrehej nga shumica dhe duhet ta ketë bluar mirë në mendje këtë. Prapëseprapë, zgjodhi t’i nënshtrohej Jehovait. Që kur u pagëzua në vitin 29 të e.s., gjëja kryesore në jetën e Jezuit ishte të bënte atë që donte Jehovai. (Hebr. 10:5-7) Madje edhe kur po vdiste në shtyllën e torturës, Jezui nuk u lëkund aspak, por vazhdoi të bënte vullnetin e Atit të tij.—Gjoni 19:30. w20.10 29 ¶12; 30 ¶15
E martë, 22 mars
Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.—Hebr. 13:5.
A ka në kongregacionin tënd vëllezër a motra që vuajnë nga një sëmundje, nga vdekja e një njeriu të dashur ose nga rrethana të tjera sprovuese? Në rast se marrim vesh që dikush po kalon një situatë të vështirë, mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë që t’i themi një fjalë të ngrohtë a të bëjmë diçka të mirë për të. Fjalët dhe veprimet tona mund të jenë fiks inkurajimi që i nevojitet vëllait ose motrës. (1 Pjet. 4:10) Marrim zemër se e dimë që Jehovai është me ne. Ai na ndihmon nëpërmjet Jezuit dhe engjëve. Veç kësaj, Jehovai mund të përdorë njerëzit me autoritet për të na ndihmuar kur kjo përputhet me qëllimin e tij. Gjithashtu, siç mund ta ketë provuar secili nga ne, Jehovai përdor frymën e shenjtë për t’u ngjallur në zemër shërbëtorëve të tij dëshirën që t’i bëhen krah njëri-tjetrit. Prandaj, njësoj si Pavli, kemi arsye të forta që të themi plot besim: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»—Hebr. 13:6. w20.11 17 ¶19-20
E mërkurë, 23 mars
Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.—Isa. 30:15.
Apostujt kishin prova të qarta se Jehovai ishte me ta. Ai u kishte dhënë fuqi të bënin mrekulli. (Vep. 5:12-16; 6:8) Sot Jehovai nuk na jep një fuqi të tillë. Megjithatë, nëpërmjet Fjalës së tij, na siguron me dashuri se kur vuajmë për hir të drejtësisë, kemi buzëqeshjen e tij miratuese dhe frymën e tij të shenjtë. (1 Pjet. 3:14; 4:14) Prandaj, s’ka pse të shqetësohemi se si do të reagojmë nëse na përndjekin egërsisht në të ardhmen. Përkundrazi, të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë tani për të forcuar besimin tek aftësia e Jehovait që të na mbështetë e të na shpëtojë. Ashtu si ata dishepuj të hershëm, duhet të kemi besim te premtimi i Jezuit: «Unë do t’ju jap mençuri dhe fjalët e duhura, që gjithë kundërshtarët tuaj së bashku të mos jenë në gjendje t’ju kundërvihen ose t’ju kundërpërgjigjen.» Ai na dha garancinë: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.» (Luka 21:12-19) Të mos harrojmë kurrë se Jehovai ruan në kujtesë edhe hollësinë më të vogël për shërbëtorët e tij që vdesin besnikë. Ai i njeh thellë dhe do t’i ringjallë. w21.01 4 ¶12
E enjte, 24 mars
Kam shpresë te Perëndia, . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.—Vep. 24:15.
Apostulli Pavël nuk ishte i pari që e përmendi shpresën e ringjalljes. Edhe patriarku Job foli për këtë. Ai ishte i sigurt se Perëndia do ta kujtonte dhe do ta kthente në jetë. (Jobi 14:7-10, 12-15) ‘Ringjallja e të vdekurve’ është një ‘doktrinë fillestare’, është pjesë e ‘themelit’ të të gjitha mësimeve të krishtere. (Hebr. 6:1, 2) Diskutimi i Pavlit për ringjalljen është dokumentuar te kapitulli 15 i 1 Korintasve. Ajo që shkroi, duhet t’u ketë dhënë zemër të krishterëve në shekullin e parë. Ky kapitull mund të na inkurajojë edhe ne e mund të na e bëjë më të fortë shpresën e ringjalljes, që ndoshta e mbajmë në zemër prej vitesh. Ringjallja e Jezu Krishtit është boshti i shpresës sonë për njerëzit e dashur që na kanë vdekur. Ajo ishte pjesë e ‘lajmit të mirë’ që u shpalli Pavli korintasve. (1 Kor. 15:1, 2) Madje, siç tha ai, nëse një i krishterë nuk besonte te ringjallja, besimi i tij ishte i kotë.—1 Kor. 15:17. w20.12 2 ¶2-4
E premte, 25 mars
Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit . . . Ai doli përjashta dhe qau me dënesë.—Mat. 26:75.
Çfarë ia përtëriu forcat apostullit Pjetër? Jezui ishte lutur që besimi i Pjetrit të mos mpakej. Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje nga zemra. Më vonë, Jezui vetë iu shfaq Pjetrit, pa dyshim për ta inkurajuar. (Luka 22:32; 24:33, 34; 1 Kor. 15:5) Jezui iu shfaq edhe të gjithë apostujve ndërsa ktheheshin duarbosh pas një nate peshkimi. Në atë rast, i dha mundësi Pjetrit t’i përsëriste sa e donte. Jezui e kishte falur mikun e tij të dashur dhe i besoi detyra të tjera të rëndësishme. (Gjoni 21:15-17) Të bie në sy me sa mëshirë e trajtoi Jezui Pjetrin. E Jezui pasqyron në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij. Prandaj, kur gabojmë, të mos e gjykojmë veten si të pandreqshëm a të pafalshëm. Të mos harrojmë se tamam kështu dëshiron Satanai të mendojmë. Në vend të kësaj, të përpiqemi me të gjitha forcat ta shohim veten—dhe ata që gabojnë ndaj nesh—me sytë e dhembshur e të dashur të Atit tonë qiellor.—Psal. 103:13, 14. w20.12 20-21 ¶17-19
E shtunë, 26 mars
Do të ndihesha i sigurt falë teje.—Psal. 27:3.
Mund të mësojmë edhe nga ata që e humbën qetësinë dhe besimin te Jehovai. Studimi i këtyre shembujve të këqij do të na ndihmojë të mos biem në të njëjtat gabime. Për shembull, në fillimet e mbretërimit të tij, Asa, mbreti i Judës, i mbante sytë te Jehovai kur haste vështirësi. Por më vonë nuk u mbështet për ndihmë te Perëndia dhe preferoi t’i zgjidhte vetë problemet. (2 Kron. 16:1-3, 12) Në pamje të parë, plani i Asës që t’u kërkonte ndihmë sirianëve në luftën kundër Izraelit, mbase dukej mjaft praktik. Por suksesi i tij ishte jetëshkurtër. Nëpërmjet një profeti, Jehovai i tha: «Meqë u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete te Jehovai, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të iku nga duart.» (2 Kron. 16:7) Duhet të bëjmë kujdes nga siguria e tepruar se mund t’i zgjidhim problemet vetë pa kërkuar drejtimin e Jehovait në Fjalën e tij. Edhe kur hasim ndonjë situatë urgjente, me qetësi duhet të mbështetemi te Jehovai, dhe ai do të na ndihmojë të marrim vendimin e duhur. w21.01 6 ¶13-15
E diel, 27 mars
Nuk do të kenë më . . . uri.—Zbul. 7:16.
Sot, disa shërbëtorë të Jehovait vuajnë nga uria si pasojë e kushteve të rënda ekonomike ose e dëmeve që sjellin trazirat civile dhe luftërat. Të tjerë janë burgosur për shkak të besimit. Megjithatë, pjesëtarët e shumicës së madhe janë të lumtur se e dinë që, pasi të shpëtojnë nga shkatërrimi i këtij sistemi të lig, do të kenë përherë me bollëk ushqime të shijshme dhe arsimim nga Jehovai. Kur të shpërthejë stuhia shkatërrimtare kundër sistemit të Satanait, shumica e madhe do të jetë e mbrojtur nga «të nxehtët përvëlues», nga zemërimi që do të derdhë Jehovai mbi kombet. Pasi të mbarojë shtrëngimi i madh, Jezui do t’i drejtojë banorët e tokës për tek ‘ujërat e jetës’ së përhershme. (Zbul. 7:17) Përfytyro çfarë perspektive drithëruese ka shumica e madhe: ndër miliarda njerëz që kanë jetuar mbi dhé, ata nuk do të vdesin kurrë! (Gjoni 11:26) Delet e tjera kanë një shpresë të mrekullueshme, për të cilën i janë mirënjohës Jehovait dhe Jezuit. w21.01 16-17 ¶11-12
E hënë, 28 mars
Zotëria është besnik dhe do t’ju forcojë e do t’ju mbrojë nga i Ligu.—2 Sel. 3:3.
Natën e fundit të jetës në tokë, Jezui po mendonte për vështirësitë që do të hasnin dishepujt. I shtyrë nga dashuria për miqtë e tij, Jezui i kërkoi Atit ‘t’i mbronte nga i Ligu’. (Gjoni 17:14, 15) Jezui e dinte se pasi të kthehej në qiell, Satana Djalli do të vazhdonte të luftonte këdo që donte t’i shërbente Jehovait. Prandaj, shërbëtorët e Jehovait do të kishin nevojë për mbrojtje. Sot kemi nevojë për mbrojtjen e Jehovait si kurrë më parë. Satanai është flakur nga qielli dhe ka «zemërim të madh». (Zbul. 12:12) Ai ka arritur t’ua mbushë mendjen disave që na përndjekin se po i bëjnë «shërbim të shenjtë Perëndisë». (Gjoni 16:2) Të tjerë, që nuk besojnë te Perëndia, na përndjekin ngaqë nuk modelohemi sipas kallëpit të botës. Cilido qoftë shkaku, ne e kemi zemrën të qetë dhe nuk frikësohemi. Pse? Përgjigjen e gjejmë te shkrimi i sotëm. w21.03 26 ¶1, 3
E martë, 29 mars
[Asgjë] nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.—Rom. 8:39.
Çdo gjë që bën Jehovai, motivohet nga dashuria. Ai kujdeset për të gjitha nevojat tona. I shtyrë nga dashuria, Jehovai siguroi për ne shpërblesën. Edhe Jezui na do aq shumë sa dha jetën për ne. (Gjoni 3:16; 15:13) Asgjë nuk e shuan dot dashurinë e Jehovait dhe të Jezuit për ata që janë besnikë ndaj tyre. (Gjoni 13:1; Rom. 8:35) Po njësoj, çdo gjë që bën një kryefamiljar, duhet të motivohet nga dashuria. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Apostulli Gjon përgjigjet: ‘Ai që nuk do vëllanë [ose familjen] e vet, që e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.’ (1 Gjon. 4:11, 20) Një burrë që e do familjen e vet dhe që dëshiron të imitojë Jehovain dhe Jezuin, e ndihmon familjen të mbajë miqësi të fortë me Jehovain, kujdeset për nevojat e tyre emocionale dhe u siguron gjërat e nevojshme materiale. (1 Tim. 5:8) Ai i stërvit dhe i disiplinon fëmijët e tij. Gjithashtu vazhdon të mësojë si të marrë vendime që nderojnë Jehovain dhe që i sjellin dobi familjes. w21.02 5 ¶12-13
E mërkurë, 30 mars
Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai do të të mbështetë.—Psal. 55:22.
Ati ynë i dashur e di si ndikojnë te ne përjetimet e së kaluarës dhe pikëpamja negative për veten. Por ai sheh te ne edhe anët e mira—cilësi që ndoshta ne vetë nuk arrijmë t’i shohim. (1 Gjon. 3:19, 20) Dikush që lufton kundër një vesi të ngulitur thellë, mund të bjerë prapë në të njëjtin gabim e mund të zhgënjehet me veten. Është normale të ndihemi në faj kur gabojmë. (2 Kor. 7:10) Gjithsesi, nuk duhet ta ekzagjerojmë dhe të dënojmë veten, duke menduar: «Jam kot fare. Jehovai nuk mund të më falë kurrë.» Kjo nuk është aspak e vërtetë, dhe mendime të tilla negative mund të na shtyjnë të mos i shërbejmë më Jehovait. Në vend të kësaj, le «t’i ndreqim gjërat» me Jehovain duke folur me të në lutje dhe duke i kërkuar të na falë. (Isa. 1:18) Kur të shohë pendimin tonë të sinqertë, ai do të na falë me mëshirë. Veç kësaj, të flasim me pleqtë. Ata do të na ndihmojnë me durim të rimëkëmbim marrëdhënien me Jehovain.—Jak. 5:14, 15. w20.12 23 ¶5-6
E enjte, 31 mars
[Trajtoji] më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra.—1 Tim. 5:2.
Jezui i nderonte dhe i respektonte gratë. Ai nuk ndiqte zakonin e farisenjve që i përçmonin gratë, e madje nuk u flitnin në publik, e jo më të diskutonin me to për Shkrimet. Krejt ndryshe, Jezui diskutonte të vërteta të thella me gratë, ashtu siç bënte me dishepujt e tjerë. (Luka 10:38, 39, 42) Gjithashtu u dha mundësi disa grave të udhëtonin me të në fushatat e predikimit. (Luka 8:1-3) E Jezui u dha grave edhe privilegjin të njoftonin apostujt se ishte kthyer në jetë. (Gjoni 20:16-18) Apostulli Pavël e nxiti Timoteun t’i nderonte gratë. Ai e pranoi se të parat që i kishin mësuar Timoteut «shkrimet e shenjta», ishin nëna dhe gjyshja e tij. (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Veç kësaj, në letrën që u shkroi romakëve, Pavli përshëndeti me emër disa motra. Ai jo vetëm e vërente punën që bënin motrat, por edhe e shprehte çmueshmërinë për to si shërbëtore të lajmit të mirë.—Rom. 16:1-4, 6, 12; Filip. 4:3. w21.02 15 ¶5-6