Prill
E premte, 1 prill
Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë.—Rom. 15:4.
A po vuan për shkak të një sprove të rëndë? Ndoshta të ka lënduar dikush në kongregacion. (Jak. 3:2) A mbase shokët e punës ose të shkollës të tallin ngaqë i shërben Jehovait. (1 Pjet. 4:3, 4) Ose ndoshta familjarët përpiqen të të pengojnë që të mos shkosh në mbledhje ose të mos u flasësh të tjerëve për besimin tënd. (Mat. 10:35, 36) Nëse një sprovë është tepër e dhimbshme, mbase të vjen të dorëzohesh fare. Por të jesh i sigurt se në çfarëdo sprove, Jehovai do të të japë mençurinë që ta përballosh dhe forcën që të tregosh qëndrueshmëri. Në Fjalën e tij, Jehovai ka ruajtur shembuj që tregojnë si kanë përballuar situata të vështira mjaft njerëz të papërsosur. Pse? Që të mësojmë prej tyre. Prandaj Jehovai e nxiti apostullin Pavël të shkruante. Këto tregime mund të jenë burim ngushëllimi dhe shprese. Megjithatë, që të nxjerrim dobi, nuk mjafton thjesht ta lexojmë Biblën. Duhet të lejojmë që Shkrimet të na modelojnë mënyrën si mendojmë dhe të depërtojnë në zemër. w21.03 14 ¶1-2
E shtunë, 2 prill
Shihni arat. Ato janë gati për korrje.—Gjoni 4:35.
A i sheh njerëzit që u predikon lajmin e mirë si drithë gati për t’u korrur? Nëse po, do të provosh tri gjëra: së pari, do të predikosh me më shumë urgjencë. Periudha e korrjes është e kufizuar, prandaj s’ka kohë për të humbur. Së dyti, do të ndiesh gëzim teksa sheh ata që e pranojnë lajmin e mirë. Bibla thotë: ‘Njerëzit gëzojnë në kohën e korrjes.’ (Isa. 9:3) E së treti, do ta shohësh çdo njeri si dishepull të mundshëm, ndaj do ta përshtatësh prezantimin sipas gjërave që i interesojnë. Jezui nuk u hoqi vizën samaritanëve si të pashpresë, siç mund të kishin bërë disa dishepuj të tij. Përkundrazi, i pa si dishepuj të mundshëm. Edhe ne duhet t’i shohim njerëzit në territorin tonë si dishepuj të mundshëm të Krishtit. Apostulli Pavël na la një shembull të shkëlqyer. Ai kuptonte çfarë besonin njerëzit që u predikonte, dallonte çfarë u interesonte dhe i shihte si dishepuj të mundshëm të Jezuit. w20.04 8-9 ¶3-4
E diel, 3 prill
Varri dhe vendi i kalbjes janë para syve të Jehovait, e aq më tepër zemrat e njerëzve!—Prov. 15:11.
Në vend që t’i shohësh me sy kritik veprimet e dikujt, bëj çmos të kuptosh si ndihet. I vetmi që na kupton plotësisht, është Jehovai. Prandaj lutju të të ndihmojë t’i shohësh të tjerët siç i sheh ai dhe të kuptosh si t’u tregosh dhembshuri. Nuk duhet të mendojmë se disa vëllezër e motra e meritojnë t’u tregojmë dhembshuri nga zemra, kurse disa të tjerë jo. Të gjithë luftojnë me probleme të ngjashme me ato që hasnin Jonai, Elija, Agara dhe Loti. Ka raste që problemet i kanë shkaktuar vetë. Por të themi të drejtën, të gjithë e kemi bërë këtë ndonjëherë. Ja pse është logjike që Jehovai na kërkon të tregojmë empati për njëri-tjetrin. (1 Pjet. 3:8) Kur i bindemi Jehovait, forcojmë unitetin e familjes sonë mbarëbotërore kaq të larmishme e të pashoqe. Prandaj, le të jemi të vendosur të dëgjojmë, të kuptojmë e të tregojmë dhembshuri për njëri-tjetrin. w20.04 18-19 ¶15-17
E hënë, 4 prill
Krishti vuajti për ju e ju la një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.—1 Pjet. 2:21.
Jezui iu bind përsosmërisht Jehovait duke na lënë një shembull. Prandaj, një mënyrë e rëndësishme si t’i bindemi Jehovait është të ndjekim sa më me kujdes gjurmët e Jezuit. (Gjoni 8:29) Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, duhet të jemi të bindur se Jehovai është Perëndi i së vërtetës dhe se çdo gjë që na thotë në Fjalën e tij, Biblën, është e vërtetë. Gjithashtu duhet të jemi të bindur se Jezui është Mesia i premtuar. Sot shumë veta nuk besojnë se Jezui është mirosur si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Siç paralajmëroi Gjoni, ka «shumë mashtrues», të cilët mund t’i çojnë në rrugë të shtrembër ata që nuk janë të përgatitur të mbrojnë të vërtetën për Jehovain dhe Jezuin. (2 Gjon. 7-11) Gjoni shkroi: «Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti?» (1 Gjon. 2:22) E vetmja mënyrë që të mos mashtrohemi është të studiojmë Fjalën e Perëndisë. Vetëm atëherë do t’i njohim më thellë Jehovain dhe Jezuin. (Gjoni 17:3) Dhe vetëm atëherë do të jemi të bindur se kemi të vërtetën. w20.07 21 ¶4-5
E martë, 5 prill
Jini të vendosur të mos bëni asgjë që do ta pengonte . . . vëllanë.—Rom. 14:13.
Një mënyrë tjetër si ‘të mos i pengojmë’ ata që vrapojnë krah nesh, është t’u hapim rrugë preferencave të tyre kur është e mundur e të mos ngulim këmbë te të drejtat tona. (Rom. 14:19-21; 1 Kor. 8:9, 13) Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ndryshojmë nga një vrapues në një garë të mirëfilltë, i cili përpiqet ta rrëmbejë çmimin për vete dhe mendon në radhë të parë për interesin personal. Prandaj mund të përpiqet të çajë me çdo mënyrë për të dalë në krye. Kurse ne nuk konkurrojmë me njëri-tjetrin. (Gal. 5:26; 6:4) Synimi ynë është të ndihmojmë sa më shumë veta që ta kalojnë vijën e finishit bashkë me ne dhe të fitojnë çmimin e jetës. Prandaj përpiqemi të zbatojmë këshillën e frymëzuar të Pavlit që ‘të mos kërkojmë vetëm interesat tona, por edhe të të tjerëve’. (Filip. 2:4). Në garën ku po vrapojmë, Jehovai na ofron me dashuri një shpërblim të garantuar nëse e çojmë garën deri në fund—jetën e përhershme në qiell ose në tokën parajsore. w20.04 28 ¶10; 29 ¶12
E mërkurë, 6 prill
Janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh.—Zbul. 7:14.
Miliona shërbëtorë të Perëndisë do të dalin «nga shtrëngimi i madh» dhe do të gëzojnë jetën në botën e re. Ata do të shohin me sytë e tyre një fitore tjetër mbi vdekjen—ringjalljen në tokë të miliarda njerëzve që kanë vdekur në të kaluarën. Arrin ta imagjinosh çfarë gëzimi do të ndiejmë nga ajo fitore e mahnitshme?! (Vep. 24:15) Veç kësaj, të gjithë ata që i qëndrojnë plotësisht besnikë Jehovait, do të triumfojnë edhe mbi vdekjen e trashëguar nga Adami. Ata do të kenë mundësi të jetojnë pafundësisht. Çdo shërbëtor i Perëndisë sot duhet të jetë mirënjohës për fjalët zemërdhënëse që u shkroi Pavli korintasve në lidhje me ringjalljen. Kemi arsye të forta të ndjekim këshillën e Pavlit që të japim pa u kursyer tani «në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Nëse marrim pjesë me besnikëri e zell në këtë vepër, kemi shpresën të shijojmë një të ardhme fantastike plot gëzime. E ardhmja jonë do të jetë aq e mrekullueshme, sa as e imagjinojmë dot! E atëherë s’do të kemi pikë dyshimi se mundi jonë në veprën e Zotërisë nuk ka qenë i kotë. w20.12 13 ¶16-17
E enjte, 7 prill
Ushtritë e tyre të mbledhura së bashku për të luftuar kundër atij që kalëronte mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij.—Zbul. 19:19.
Duket se profecitë tek Ezekieli 38:10-23; Danieli 2:43-45; 11:44–12:1 dhe Zbulesa 16:13-16, 21 flasin për të njëjtën periudhë dhe të njëjtat ngjarje. Nëse është kështu, mund të presim të ndodhin ngjarjet e mëposhtme. Njëfarë kohe pasi të fillojë shtrëngimi i madh, «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të formojnë një koalicion kombesh. (Zbul. 16:13, 14) Këtë koalicion Shkrimet e quajnë «Gogu i vendit të Magogut». (Ezek. 38:2) Koalicioni i kombeve do të bëjë një sulm final me të gjitha forcat kundër popullit të Perëndisë. Duke folur për atë periudhë, apostulli Gjon pa një stuhi breshri me kokrra jashtëzakonisht të mëdha, që ranë mbi armiqtë e Perëndisë. Kjo stuhi breshri simbolike ka të ngjarë të jetë një mesazh fshikullues gjykimi që mund të predikojë populli i Jehovait i cili provokon Gogun e Magogut të sulmojë popullin e Perëndisë me synimin që ta fshijë nga faqja e dheut.—Zbul. 16:21. w20.05 15 ¶13-14
E premte, 8 prill
Nëse ju, edhe pse mëkatarë, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati që është në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.—Luka 11:13.
Forca vepruese e Perëndisë është një dhuratë që duhet ta çmojmë si thesar. Mund ta thellojmë çmueshmërinë për frymën e shenjtë duke medituar se çfarë është arritur sot falë saj. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Me mbështetjen e frymës së shenjtë, janë mbledhur rreth tetë milionë e gjysmë adhurues të Jehovait nga çdo cep i botës. Gjithashtu jemi të bashkuar në një parajsë ku vërshon paqja, sepse fryma e Perëndisë na ndihmon të zhvillojmë cilësi të bukura, si dashuria, gëzimi, paqja, durimi, zemërmirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli. Këto cilësi përbëjnë ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Çfarë dhurate e çmuar është fryma e shenjtë! w20.05 28 ¶10; 29 ¶13
E shtunë, 9 prill
Sikurse vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve vjen nëpërmjet një njeriu.—1 Kor. 15:21.
Ka disa arsye pse mund të besojmë se ata që do të mirëpresin të ringjallurit, do t’i njohin njerëzit e tyre të dashur. Për shembull, kur mendojmë si i ka bërë ringjalljet Jehovai në të kaluarën, mund të presim që ai do t’i rikrijojë njerëzit në mënyrë që pamja e tyre dhe mënyra si flasin e si mendojnë, të jenë njësoj siç ishin pak para se të vdisnin. Të kujtojmë se Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin, dhe ringjalljen me zgjimin nga gjumi. (Mat. 9:18, 24; Gjoni 11:11-13) Kur dikush zgjohet nga gjumi, ka po atë pamje dhe zë që kishte para se të flinte, si edhe të njëjtat kujtime. Për shembull, Lazari kishte vdekur prej katër ditësh, prandaj trupi kishte filluar t’i kalbej. Gjithsesi, kur Jezui e ringjalli, motrat e tij e njohën menjëherë, dhe Lazari pa dyshim i mbante mend.—Gjoni 11:38-44; 12:1, 2. w20.08 14 ¶3; 16 ¶8
E diel, 10 prill
Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, që rri ulur në fron, dhe Qengjit.—Zbul. 7:10.
Ndryshimi mes të mirosurve dhe deleve të tjera nuk qëndron te vlera që kanë në sytë e Perëndisë. Jehovai i do njësoj të dyja grupet. Në fund të fundit, ai pagoi të njëjtin çmim—jetën e Birit të tij të shtrenjtë—si për të mirosurit, edhe për delet e tjera. Ndryshimi mes dy grupeve qëndron te shpresa që kanë. Të dyja grupet duhet t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë dhe Krishtit. (Psal. 31:23) Dhe të mos harrojmë se fryma e Perëndisë mund të veprojë me të njëjtën forcë te të gjithë ne. Kjo do të thotë se Jehovai i jep çdo njeriu frymë të shenjtë sipas nevojës. Jehovai i ka dhënë secilit prej shërbëtorëve të tij të kushtuar një shpresë të ndritur për të ardhmen. (Jer. 29:11) Përkujtimi i vdekjes së Krishtit na jep gjithsecilit mundësinë e shkëlqyer ta lëvdojmë Perëndinë dhe Krishtin për shpërblesën, falë së cilës mund të gëzojmë jetën pa fund. Përkujtimi është pa diskutim mbledhja më e rëndësishme e vitit për të krishterët e vërtetë. w21.01 18 ¶16; 19 ¶19
E hënë, 11 prill
Vazhdoni ta bëni këtë.—1 Kor. 11:25.
Pjesa dërrmuese e atyre që ndjekin Përkujtimin, kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Atëherë, pse e shkojnë në Darkën e Zotërisë? Për të njëjtën arsye pse shkojmë në dasmën e një miku: për të treguar se e duam dhe e mbështetim çiftin që po martohet. Kështu, delet e tjera shkojnë në Përkujtim për të treguar se i duan dhe i mbështetin Krishtin dhe të mirosurit. Gjithashtu marrin pjesë për të treguar mirënjohjen për flijimin që përkujtohet, falë të cilit kanë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Një arsye tjetër pse e ndjekin Përkujtimin delet e tjera, është që t’i binden urdhrit të Jezuit. Kur themeloi Përkujtimin me apostujt besnikë në një darkë speciale, Jezui i urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (1 Kor. 11:23-26) Ja pse delet e tjera vazhdojnë ta mbajnë Darkën e Zotërisë për sa kohë ka akoma të mirosur në tokë. Gjithashtu ftojnë çdo njeri të ndjekë Përkujtimin bashkë me ta. w21.01 17-18 ¶13-14
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 9 nisan) Gjoni 12:12-19; Marku 11:1-11
E martë, 12 prill
Perëndia e tregoi dashurinë ndaj nesh duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.—1 Gjon. 4:9.
Kush i do vërtet të tjerët, e tregon këtë me vepra. (Krahaso Jakovin 2:17, 26.) Për shembull, e dimë se Jehovai na do. (1 Gjon. 4:19) Ai na e shpreh dashurinë nëpërmjet fjalëve të ngrohta që ka shkruar në Bibël. (Psal. 25:10; Rom. 8:38, 39) Megjithatë, jemi të bindur se Perëndia na do jo vetëm nga ajo që thotë, por edhe nga ajo që bën. Jehovai lejoi që Biri i tij i shtrenjtë të vuante dhe të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) A mund të kemi ndonjë fije dyshimi se Jehovai na do vërtet?! E tregojmë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin duke iu bindur. (Gjoni 14:15; 1 Gjon. 5:3) E një urdhër specifik që dha Jezui, është të duam njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Dashurinë për vëllezërit e motrat duhet ta shprehim jo vetëm me fjalë, por edhe me atë që bëjmë.—1 Gjon. 3:18. w21.01 9 ¶6; 10 ¶8
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 10 nisan) Gjoni 12:20-50
E mërkurë, 13 prill
Ju kam quajtur miq.—Gjoni 15:15.
Ata që janë të mirosur me frymë të shenjtë, kanë shpresën të jenë me Jezuin përjetë dhe të qeverisin me të në Mbretërinë e Perëndisë. Ata do të jenë me Krishtin në kuptimin e mirëfilltë, sepse do ta shohin, do të flasin e do të kalojnë kohë me të. (Gjoni 14:2, 3) Edhe ata që kanë shpresën të jetojnë në tokë, do të provojnë dashurinë dhe kujdesin e Jezuit. Ndonëse nuk do ta shohin Jezuin, do ta forcojnë gjithnjë e më shumë miqësinë me të teksa shijojnë jetën e bukur që u kanë dhuruar Jehovai e Jezui. (Isa. 9:6, 7) Kur pranojmë ftesën e Jezuit për të qenë miq me të, gëzojmë shumë bekime. Për shembull, që tani provojmë dashurinë e tij dhe shohim si na mbështet. Na është dhënë mundësia të jetojmë përgjithmonë. E mbi të gjitha, falë miqësisë me Jezuin fitojmë thesarin më të çmuar—një miqësi të ngushtë me Atin e Jezuit, Jehovain. Çfarë privilegji është të quhemi miq të Jezuit! w20.04 25 ¶15-16
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 11 nisan) Luka 21:1-36
E enjte, 14 prill
Falë Krishtit të gjithë do të marrin jetë.—1 Kor. 15:22.
Letra e Pavlit u drejtohej të mirosurve në Korint që do të ringjalleshin për të jetuar në qiell. Ata të krishterë ‘ishin shenjtëruar në unitet me Krishtin Jezu dhe ishin thirrur për të qenë të shenjtë’. Gjithashtu, Pavli përmendi «ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes në unitet me Krishtin». (1 Kor. 1:2; 15:18; 2 Kor. 5:17) Në një letër tjetër të frymëzuar, Pavli shkroi se ata që ‘janë bashkuar me Jezuin në një vdekje si e tija, do të bashkohen me të edhe në një ringjallje si e tija’. (Rom. 6:3-5) Jezui u ringjall si krijesë qiellore dhe shkoi në qiell. Prandaj, njësoj do të ndodhë me të gjithë ata që janë «në unitet me Krishtin», domethënë me të gjithë të mirosurit. Pavli shkroi se Krishti u ringjall si «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». (1 Kor. 15:20) Jezui ishte i pari që u ringjall si krijesë qiellore dhe që mori jetën e përhershme. w20.12 5-6 ¶15-16
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 12 nisan) Mateu 26:1-5, 14-16; Luka 22:1-6
DATA E PËRKUJTIMIT
Pas perëndimit të diellit
E premte, 15 prill
Do të jemi përherë me Zotërinë.—1 Sel. 4:17.
Të mirosurit që përfundojnë sot jetën e tyre në tokë, ringjallen menjëherë për të jetuar në qiell. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e Pavlit te 1 Korintasve 15:51, 52. Kur ringjallen, gëzimi i vëllezërve të Krishtit bëhet i plotë. Bibla tregon se çfarë detyre i pret në qiell të mirosurit e ringjallur. Ja çfarë u thotë Jezui: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të mbretërojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë si enë argjile.»—Zbul. 2:26, 27. w20.12 12 ¶14-15
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 13 nisan) Mateu 26:17-19; Marku 14:12-16; Luka 22:7-13 (Ngjarjet pas perëndimit: 14 nisan) Gjoni 13:1-5; 14:1-3
E shtunë, 16 prill
Krishti është ngritur nga të vdekurit.—1 Kor. 15:20.
Duke e quajtur Jezuin «fryti i parë», Pavli po thoshte se do të ringjalleshin edhe të tjerë pas tij për të jetuar në qiell. Apostujt dhe të tjerët «në unitet me Krishtin» do të ringjalleshin në mënyrë të ngjashme me Jezuin. (1 Kor. 15:18) Në kohën kur Pavli u shkroi korintasve, nuk kishte filluar akoma ringjallja qiellore e atyre që janë «në unitet me Krishtin». Pavli shpjegoi se ajo do të ndodhte në të ardhmen, kur shkroi: «Secili sipas radhës: Krishti, fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së Krishtit, ata që i përkasin atij.» (1 Kor. 15:23; 1 Sel. 4:15, 16) Sot jetojmë gjatë «pranisë» së parathënë të Krishtit. Pra, kaluan shekuj të tërë derisa erdhi ajo periudhë, dhe apostujt e të mirosur të tjerë që vdiqën, morën shpërblimin qiellor e ‘u bashkuan me Jezuin në një ringjallje si e tija’.—Rom. 6:5. w20.12 5 ¶12; 6 ¶16-17
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 14 nisan) Gjoni 19:1-42
E diel, 17 prill
Mbillet trup i shkatërrueshëm dhe ringjallet si trup i pashkatërrueshëm.—1 Kor. 15:42.
Pavli e kishte fjalën për ata që ringjallen me «trup qiellor». (1 Kor. 15:43, 44) Kur ishte në tokë, Jezui kishte trup prej mishi e gjaku. Por kur u ringjall, «u bë një krijesë qiellore jetëdhënëse» dhe u kthye në qiell. Edhe të krishterët e mirosur do të ringjalleshin si krijesa qiellore. Pavli shpjegoi: «Siç u bëmë sipas imazhit të atij që u bë nga pluhuri, ashtu do të bëhemi sipas imazhit të atij që erdhi nga qielli.» (1 Kor. 15:45-49) Është e rëndësishme të kujtojmë se Jezui nuk u ringjall me trup njerëzor. Pavli tha qartë: «Mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot Mbretërinë e Perëndisë» në qiell. (1 Kor. 15:50) Apostujt dhe të mirosurit e tjerë nuk do të ringjalleshin në qiell me trupa prej mishi e gjaku që mund të shkatërrohen. w20.12 10-11 ¶10-12
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 15 nisan) Mateu 27:62-66 (Ngjarjet pas perëndimit: 16 nisan) Gjoni 20:1
E hënë, 18 prill
Ku është fitorja jote, o Vdekje? Ku është thumbi yt, o Vdekje?—1 Kor. 15:55.
Perëndia i frymëzoi disa dishepuj të Jezuit në shekullin e parë të shkruanin për shpresën qiellore. Ja çfarë shkroi apostulli Gjon: «Tani ne jemi fëmijë të Perëndisë, por ende nuk është treguar qartë ç’do të jemi në të ardhmen. Dimë vetëm se, kur ai të shfaqet, ne do të jemi si ai.» (1 Gjon. 3:2) Pra, të mirosurit nuk e dinë ç’do të jenë kur të ringjallen në qiell me trupa qiellorë. Megjithatë, kur të marrin shpërblimin e tyre, ata do të shohin Jehovain. Bibla jep disa informacione për këtë. Të mirosurit do të jenë me Krishtin kur ai ‘të asgjësojë çdo qeveri, autoritet dhe fuqi’, si edhe ‘armikun e fundit, vdekjen’. Në fund, kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar Jezuit, ai—bashkë me ata që mbretërojnë me të—do t’i nënshtrohet Jehovait. (1 Kor. 15:24-28) Çfarë përfundimi drithërues do të jetë! w20.12 8 ¶2
Leximi i Biblës për Përkujtimin: (Ngjarjet e ditës: 16 nisan) Gjoni 20:2-18
E martë, 19 prill
Kam shpresë . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.—Vep. 24:15.
Shërbëtorët besnikë që nuk kanë shpresën qiellore, kanë shpresën të ringjallen në tokë. Bibla thotë se Pavli dhe të tjerët që shkojnë në qiell, «kthehen në jetë në ringjalljen e parë». (Filip. 3:11) A nuk tregon kjo se pas saj do të ndodhë një ringjallje tjetër? Kjo është në harmoni me atë që tha Jobi për të ardhmen e tij. (Jobi 14:15) Kur Jezui të asgjësojë çdo qeveri, autoritet dhe fuqi, «ata që i përkasin» do të jenë në qiell me të. Edhe «armiku i fundit . . . vdekja» do të asgjësohet. Vdekja e trashëguar nuk do të ketë më pushtet mbi ata që ringjallen në qiell. (1 Kor. 15:23-26) Ata që nuk kanë shpresën qiellore, shpresojnë të ndodhë ajo që shkroi Pavli në shkrimin e sotëm. Dihet që asnjë i padrejtë nuk mund të hyjë në qiell, prandaj këto fjalë tregojnë se në të ardhmen do të ndodhë një ringjallje në tokë. w20.12 6-7 ¶18-19
E mërkurë, 20 prill
[Krishti] më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.—Gal. 2:20.
Ndoshta pyet veten: «Si të jem i sigurt se Jehovai nuk ka hequr dorë nga unë?» Nëse e bën këtë pyetje, atëherë po jep edhe përgjigjen. Dekada më parë, Kulla e Rojës thoshte: «Mund të ndodhë të pengohesh e të biesh shumë herë në një ves të keq që ishte ngulur më thellë nga ç’mendoje në jetën tënde. . . . Mos nxirr përfundimin se ke bërë mëkat të pafalshëm. Tamam kështu dëshiron Satanai të arsyetosh. Vetë fakti që vuan dhe je i mërzitur me veten është provë se nuk ke shkuar tepër larg. Kurrë mos hiq dorë nga lutjet e përulura e të zjarrta, por vazhdo t’i kërkosh Perëndisë të të falë, të të ndihmojë të kesh prapë një ndërgjegje të pastër e të mos biesh më në atë gabim.» Para se të bëhej i krishterë, apostulli Pavël kreu disa mëkate të rënda. Ai e kujtonte çfarë kishte bërë. (1 Tim. 1:12-15) Ai e shihte shpërblesën si një dhuratë personale nga Perëndia. Kështu Pavli nuk ra në kurthin e ndjenjave të tepruara të fajit. Tani, meraku i tij kryesor ishte si t’i jepte më të mirën Jehovait. w20.11 27 ¶14; 29 ¶17
E enjte, 21 prill
Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë, e do t’i jepet, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i kritikuar.—Jak. 1:5.
Satanai na vë para gjithfarë tundimesh që të bëjmë diçka të gabuar. Si reagojmë? Është e lehtë të nxjerrim justifikime. Për shembull, mund të mendojmë: «Fundja për këtë gjë nuk do të përjashtohesha, pra s’duhet të jetë edhe aq serioze.» Një arsyetim i tillë është tepër i gabuar. Është më mirë t’i bëjmë vetes pyetje të tilla, si: «A po mundohet Satanai ta përdorë këtë tundim që të më përçajë zemrën? Nëse dorëzohem para dëshirave të gabuara, a do t’i sjell sharje emrit të Jehovait? A do të më afronte më shumë me Perëndinë tim ky veprim, apo do të ma ftohte miqësinë me të?» Medito për pyetje të tilla. Lutu për mençuri dhe përgjigju sinqerisht, pa mashtruar veten. Kjo mund të jetë një mbrojtje e madhe. Mund të të ndihmojë t’u kthesh shpinën me vendosmëri tundimeve ashtu si Jezui kur tha: «Ik tutje, Satana!» (Mat. 4:10) Mos harro, një zemër e ndarë është e rrezikshme. w20.06 12-13 ¶16-17
E premte, 22 prill
I them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet, por të ketë mendje të shëndoshë.—Rom. 12:3.
Ne u nënshtrohemi me përulësi standardeve të Jehovait, pasi e kuptojmë që Ai e di gjithmonë ç’është më e mira për ne. (Efes. 4:22-24) Përulësia na nxit ta vëmë atë që do Jehovai para asaj që duam ne dhe t’i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten. Si rezultat, gëzojmë miqësinë e Jehovait dhe marrëdhënie të mira me vëllezërit e motrat. (Filip. 2:3) Gjithsesi, po të mos bëjmë kujdes, mund të ndikohemi nga njerëzit krenarë dhe egoistë në sistemin e Satanait. Me sa duket, disa në shekullin e parë të e.s. gjendeshin para këtij rreziku, sepse apostulli Pavël u shkroi romakëve: «I them gjithsecilit prej jush të mos mendojë për veten më shumë se ç’duhet, por të ketë mendje të shëndoshë.» Pavli e pranoi se duhet të kemi njëfarë vlerësimi për veten. Sidoqoftë, përulësia do të na ndihmojë të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten dhe të mos e shohim veten si tepër të rëndësishëm. w20.07 2 ¶1-2
E shtunë, 23 prill
Vendi nuk kishte trazira. Gjatë këtyre viteve nuk pati asnjë luftë kundër tij.—2 Kron. 14:6.
Në kohën e mbretit Asa, periudha e paqes mori fund një ditë. Një ushtri e stërmadhe me një milion ushtarë erdhi nga Etiopia. Komandanti i saj, Zerahu, ishte i sigurt se ai dhe ushtria e tij mund të fitonin kundër Judës. Ama Asa kishte besim te Perëndia i tij, Jehovai, jo te numri i ushtarëve. Asa u lut: «Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme!» (2 Kron. 14:11) Edhe pse ushtria etiopase kishte gati dyfishin e ushtarëve, Asa kishte besim te fuqia dhe aftësia e Jehovait për ta ndihmuar popullin e Tij. E Jehovai nuk e la në baltë; ushtria etiopase pësoi një disfatë poshtëruese. (2 Kron. 14:8-13) Ndonëse nuk e dimë me saktësi çfarë do të sjellë e ardhmja për secilin prej nesh, një gjë e dimë mirë: nëse sot gëzojmë një periudhë paqeje, ajo është e përkohshme. Mos harro, Jezui paratha se në ditët e fundit, dishepujt e tij ‘do t’i urrenin të gjitha kombet’.—Mat. 24:9. w20.09 17-18 ¶14-16
E diel, 24 prill
Gëzohem . . . kur më fyejnë.—2 Kor. 12:10.
Askujt prej nesh nuk i pëlqen ta fyejnë. Gjithsesi, nëse kundërshtarët na fyejnë dhe shqetësohemi tepër nga fjalët e tyre, mund të shkurajohemi. (Prov. 24:10) Si duhet t’i shohim, atëherë, këto ofendime? Njësoj si Apostulli Pavël, ne mund të ‘gëzohemi kur na fyejnë’. Pse? Sepse fyerjet dhe kundërshtimi janë tregues se jemi dishepuj të vërtetë të Jezuit. (1 Pjet. 4:14) Jezui tha se dishepujt e tij do të përndiqeshin. (Gjoni 15:18-20) Kështu ndodhi në shekullin e parë. Në atë kohë, ata që ishin ndikuar nga kultura greke, i shihnin të krishterët si njerëz injorantë e të dobët. Gjithashtu, judenjtë i konsideronin të krishterët si «të pashkolluar e të thjeshtë», ashtu siç thanë për apostujt Pjetër dhe Gjon. (Vep. 4:13) Të krishterët dukeshin të dobët; nuk kishin influencë në politikë e në ushtri, dhe njerëzit i shihnin si të përjashtuar nga shoqëria. A u stepën të krishterët në shekullin e parë nga pikëpamjet negative të kundërshtarëve? Jo. w20.07 14-15 ¶3-4
E hënë, 25 prill
Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria buron nga Perëndia, e kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.—1 Gjon. 4:7.
Apostulli Gjon i donte me gjithë zemër vëllezërit dhe kishte merak që ta mbanin të fortë besimin. Dashuria dhe meraku i tij pasqyrohen te këshillat që dha në tri letrat që shkroi. Sa inkurajuese është kur mendojmë se burrat e gratë që do të mbretërojnë me Jezuin në qiell, kanë po atë dashuri dhe merak si Gjoni! (1 Gjon. 2:27) Pranoji me gjithë zemër këshillat e tij. Ji i vendosur të ecësh në të vërtetën duke iu bindur Jehovait në gjithçka që bën. Studio Fjalën e tij dhe ki besim tek ajo. Forco besimin te Jezui. Flaki tej filozofitë njerëzore dhe mësimet e apostatëve. Rezistoji presionit për të bërë një jetë të dyfishtë dhe tundimeve për të mëkatuar. Jeto sipas normave të larta morale të Jehovait. Të gjithë ne, le t’i ndihmojmë vëllezërit të qëndrojnë të fortë duke falur ata që na lëndojnë e duke ndihmuar ata që janë në vështirësi. Kështu, pavarësisht nga sfidat që hasim, do të vazhdojmë të ecim në të vërtetën. w20.07 24-25 ¶15-17
E martë, 26 prill
Perëndia e ka vendosur secilën gjymtyrë në trup ashtu siç i pëlqeu.—1 Kor. 12:18.
Jehovai me dashuri i ka dhënë çdo shërbëtori besnik një vend në kongregacionin e tij. Edhe pse kemi role të ndryshme, të gjithë jemi të çmuar dhe të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Apostulli Pavël theksoi se asnjë nga ne nuk mund të thotë për një shërbëtor tjetër të Jehovait «s’kam nevojë për ty». (1 Kor. 12:21) Nëse duam që të ketë paqe në kongregacion, duhet ta çmojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë. (Efes. 4:16) Kur shërbejmë në unitet, secili ndien se të tjerët e duan, dhe kongregacioni bëhet më i fortë. Të gjithë pleqtë në kongregacion janë emëruar nga fryma e shenjtë e Jehovait. Ama secili ka dhunti dhe aftësi të ndryshme. (1 Kor. 12:17) Disa mund të jenë emëruar nga pak kohë dhe nuk kanë shumë përvojë. Të tjerë mund të kenë kufizime për shkak të moshës dhe shëndetit. Megjithatë, asnjë plak nuk duhet të mendojë për një plak tjetër «s’kam nevojë për ty». Përkundrazi, çdo plak duhet të ndjekë këshillën që jep Pavli te Romakëve 12:10. w20.08 26 ¶1-2; 27 ¶4
E mërkurë, 27 prill
Skena e kësaj bote po ndryshon.—1 Kor. 7:31.
Jehovai na prin në rrugën e jetës nëpërmjet pjesës tokësore të organizatës së tij. Kur organizata e Jehovait jep një shpjegim të ri për një mësim të Biblës ose një drejtim të bazuar në Shkrime për standardet morale, e pranojmë dhe e ndjekim me gatishmëri. Por, si reagojmë kur organizata e Perëndisë bën një ndryshim që ndikon në aspekte të tjera të jetës sonë; për shembull, kur shitet Salla e Mbretësë ku ndjekim mbledhjet? Do ta ruajmë gëzimin nëse mbajmë në mendje se gjithë puna që bëjmë, është për Jehovain dhe se ai po i prin organizatës së tij. (Kolos. 3:23, 24) Mbreti David na la një shembull të bukur kur dhuroi fonde për tempullin. Ai tha: «Kush jam unë e kush është populli im që të bëjmë blatime vullnetare si këto?! Çdo gjë vjen prej teje dhe ne të kemi dhënë atë që kemi marrë nga vetë dora jote.» (1 Kron. 29:14) Kur bëjmë dhurata vullnetare, edhe ne i japim Jehovait atë që kemi marrë nga dora e tij. Gjithsesi, Jehovai i çmon kohën, energjitë e të ardhurat që dhurojmë për të mbështetur veprën e tij.—2 Kor. 9:7. w20.11 22-23 ¶14-16
E enjte, 28 prill
Kush shikon retë, nuk do të korrë.—Ekl. 11:4.
Si dëshmitarë të Jehovait, ne nuk e matim suksesin tonë nga numri i njerëzve që ndihmojmë të hynë në organizatën e Jehovait. (Luka 8:11-15) Për sa kohë të predikojmë e të mësojmë lajmin e mirë pa u dorëzuar, në sytë e Jehovait jemi të suksesshëm. Pse? Sepse po i bindemi atij dhe Birit të tij. (Mar. 13:10; Vep. 5:28, 29) Sot kemi një arsye më shumë për të predikuar: fundi i këtij sistemi po afrohet me shpejtësi! Ka mbetur fare pak kohë për të marrë pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Prandaj mos vono e mos prit kushtet e përsosura që të marrësh pjesë edhe ti në këtë vepër jetësore. Vepro tani që të forcosh motivet për të predikuar, të thellosh njohurinë për Biblën, të marrësh më shumë guxim dhe të kultivosh vetëdisiplinë. Bashkohu me më shumë se tetë milionë peshkatarë njerëzish e do të provosh edhe ti gëzimin që jep Jehovai. (Neh. 8:10; Luka 5:10) Ji i vendosur të predikosh me gjithë shpirt dhe të ngulmosh derisa Jehovai të thotë se vepra ka mbaruar. w20.09 7 ¶18-20
E premte, 29 prill
Ruaje atë që të është besuar.—1 Tim. 6:20.
Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga dëshira për më shumë gjëra materiale. «Fuqia mashtruese e pasurisë» mund ta mbytë dashurinë për Jehovain, çmueshmërinë për Fjalën e tij dhe dëshirën që t’u flasim të tjerëve për të vërtetën. (Mat. 13:22) Për të ruajtur thesaret që na ka besuar Jehovai, duhet të veprojmë pa vonesë kur pikasim një rrezik. Mund të planifikojmë që më parë çfarë do të bëjmë nëse na shfaqen para syve në Internet a në televizor skena imorale a me dhunë të egër ose materiale apostate. Po të përgatitemi për atë që mund të ndodhë, mund të veprojmë pa vonesë që të mbrojmë miqësinë me Jehovain dhe të mbetemi të pastër në sytë e tij. (Psal. 101:3; 1 Tim. 4:12) Duhet t’i ruajmë si sytë e ballit thesaret që na ka besuar Jehovai—të vërtetat e çmuara të Biblës dhe privilegjin për të mësuar të tjerët. Nëse i mbrojmë, do të kemi ndërgjegje të pastër, një jetë me kuptim dhe gëzimin që t’i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain. w20.09 30 ¶16-19
E shtunë, 30 prill
Ti do ta shohësh me sytë e tu Mësuesin tënd të Madh.—Isa. 30:20.
A je pagëzuar? Nëse po, ke treguar para të gjithëve se ke besim te Jehovai dhe dëshiron t’i shërbesh bashkë me organizatën e tij. Sot, Jehovai i prin organizatës së tij në një mënyrë që pasqyron personalitetin, qëllimin dhe standardet e tij. Vër re tri cilësi të Jehovait që pasqyron organizata e tij. Së pari, «Perëndia nuk është i anshëm». (Vep. 10:34) Dashuria e shtyu Jehovain të jepte Birin e vet si ‘shpërblesë për të gjithë’. (1 Tim. 2:6; Gjoni 3:16) Jehovai i përdor adhuruesit e tij për t’u dhënë lajmin e mirë të gjithë atyre që duan ta dëgjojnë, duke ndihmuar kështu sa më shumë njerëz të nxjerrin dobi nga shpërblesa. Së dyti, Jehovai është Perëndi i organizimit dhe i paqes. (1 Kor. 14:33, 40) Prandaj duhet të presim që adhuruesit e tij të jenë një grup që bashkëpunon në mënyrë të organizuar e në paqe. Së treti, Jehovai është ‘Mësuesi i Madh’. (Isa. 30:21) Ja pse organizata e tij punon pa u kursyer për t’u mësuar të tjerëve Fjalën e frymëzuar të Jehovait, si në kongregacion, edhe në shërbim. w20.10 20 ¶1-3