Dhjetor
E enjte, 1 dhjetor
Ai që dyshon, është si dallgët e detit që era i shtyn dhe i hedh andej-këtej.—Jak. 1:6.
Hera-herës mund ta kemi të vështirë të kuptojmë diçka që thotë Fjala e Perëndisë. Ose ndoshta Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona në atë mënyrë që shpresonim. Kjo mund të na ngjallë dyshime. Nëse i shpërfillim, këto dyshime do të na e dobësojnë besimin dhe do të na dëmtojnë marrëdhënien me Jehovain. (Jak. 1:7, 8) Madje si pasojë e tyre mund të humbim shpresën për të ardhmen. Apostulli Pavël e krahasoi shpresën tonë me një spirancë. (Hebr. 6:19) Spiranca e stabilizon anijen gjatë një stuhie dhe nuk e lë të përplaset pas shkëmbinjve. Por spiranca ka vlerë vetëm nëse nuk këputet zinxhiri që e lidh me anijen. Ashtu si ndryshku që e gërryen zinxhirin e spirancës, dyshimet na gërryejnë besimin. Përballë kundërshtimeve, dikush që ka dyshime, mund ta humbë besimin se Jehovai do t’i bëjë realitet premtimet e tij. Nëse humbim besimin, humbim shpresën. Një njeri i tillë ka të ngjarë të mos ndihet kurrë i gëzuar. w21.02 30 ¶14-15
E premte, 2 dhjetor
Abrahami tregoi besim te Jehovai.—Jak. 2:23.
Kur Abrahami iku nga Uri me gjithë familjen, ka të ngjarë të ishte mbi 70 vjeç. (Zan. 11:31–12:4) Pastaj, për afro 100 vjet, jetoi në tenda dhe udhëtoi anekënd Kananit. Abrahami jetoi 175 vjet. (Zan. 25:7) Megjithatë, nuk e pa plotësimin e premtimit të Jehovait se do t’u jepte pasardhësve të tij Kananin, vendin nëpër të cilin u end. Nuk arriti të shihte as sesi filloi të qeveriste Mbretëria, qyteti i Perëndisë. Gjithsesi, për Abrahamin thuhet se vdiq «i moshuar e i kënaqur». (Zan. 25:8) Me gjithë sfidat që hasi, Abrahami e mbajti besimin të fortë dhe priti me kënaqësi Jehovain. Çfarë e ndihmoi të qëndronte? Fakti që Jehovai e mbrojti dhe e trajtoi si mik gjatë gjithë jetës. (Zan. 15:1; Isa. 41:8; Jak. 2:22) Ashtu si Abrahami, edhe ne presim qytetin që ka themele të vërteta. (Hebr. 11:10) Ama sot nuk presim më që ai qytet të ndërtohet. Mbretëria e Perëndisë filloi të qeveriste në vitin 1914 dhe tani ka pushtet të plotë në qiell. (Zbul. 12:7-10) Por ne presim që ajo të ketë pushtet të plotë edhe në tokë. w20.08 4-5 ¶11-12
E shtunë, 3 dhjetor
Mendimet e zemrës së njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.—Prov. 20:5.
Që t’i dëgjojmë me vëmendje të tjerët, kemi nevojë të jemi të përulur dhe të duruar. Ka të paktën tri arsye pse ia vlen të përpiqemi për këtë. Së pari, do të ketë më pak të ngjarë të nxjerrim shpejt përfundime të gabuara për të tjerët. Së dyti, mund të dallojmë ndjenjat dhe motivet e vëllezërve tanë, e kjo do të na ndihmojë të jemi më të dhembshur. E së treti, mund t’i ndihmojmë të tjerët ta kuptojnë më mirë veten. Ndonjëherë nuk i kuptojmë tamam ndjenjat tona derisa i shprehim me fjalë. Disa vëllezër e motra e kanë të vështirë të flasin për ndjenjat e tyre për shkak të së kaluarës, të kulturës ose të personalitetit. Mund të duhet kohë që të ndihen rehat të na hapen, por vetëm atëherë do të arrijmë të kuptojmë si ndihen vërtet. Nëse imitojmë Jehovain duke qenë të duruar, mund të fitojmë besimin e tyre. Pastaj, kur të jenë gati të na flasin për ndjenjat e tyre, duhet t’i dëgjojmë me vëmendje. w20.04 15-16 ¶6-7
E diel, 4 dhjetor
Do të zësh njerëz e jo peshq.—Luka 5:10.
Zakonisht peshqit rrinë në ujëra me kushte të përshtatshme për ta dhe ku gjejnë ushqim me bollëk. A ka rëndësi koha kur del për peshk një peshkatar? Një misionar në një ishull të Paqësorit mësoi se ka një kohë që është më e përshtatshme për të zënë peshq. Kur një Dëshmitar vendas e ftoi të dilnin për peshk, misionari i tha: «Epo mirë, shihemi nesër në mëngjes nga ora nëntë.» Vëllai ia ktheu: «Po peshkimi nuk bëhet ashtu. Ne dalim kur është koha më e mirë për të gjetur peshq, jo kur është koha më e mirë për ne.» Edhe peshkatarët e njerëzve në shekullin e parë shkonin në ato vende ku kishte ‘peshq’ dhe në një kohë kur kishte shumë gjasa t’i gjenin atje. Për shembull, dishepujt e Jezuit predikonin në tempull e në sinagoga, shtëpi më shtëpi dhe në sheshe pazari. (Vep. 5:42; 17:17; 18:4) Edhe ne duhet t’i njohim mirë zakonet e njerëzve në territorin tonë. Duhet të jemi elastikë e të predikojmë në ato vende e në atë kohë kur ka më shumë gjasa të gjejmë njerëz.—1 Kor. 9:19-23. w20.09 4 ¶8-9
E hënë, 5 dhjetor
Duke thënë të vërtetën, le të rritemi me dashuri në çdo gjë, që t’i ngjajmë kreut, Krishtit.—Efes. 4:15.
Një mënyrë si bëhemi miq me Jezuin është duke mbështetur masat e organizatës së Jehovait. Kur bashkëpunojmë me vëllezërit që janë caktuar të kujdesen për ne, forcojmë miqësinë me Jezuin si kreu i kongregacionit. (Efes. 4:16) Për shembull, tani po përpiqemi që të gjitha Sallat e Mbretërisë të shfrytëzohen sa më mirë. Për këtë arsye, disa kongregacione janë bashkuar me kongregacione të tjera. Falë kësaj mase, janë kursyer shumë pará të dhuruara për organizatën e Jehovait. Megjithatë, për shkak të kësaj, disa lajmëtarëve u është dashur të përshtaten me rrethana të reja. Këta lajmëtarë besnikë mund të kenë shërbyer për shumë vjet në një kongregacion dhe mund të jenë lidhur ngushtë me vëllezërit e motrat atje. Por tani janë caktuar në një kongregacion tjetër. Sa i kënaqur duhet të jetë Jezui kur sheh që këta shërbëtorë besnikë e mbështetin këtë vendim! w20.04 24 ¶14
E martë, 6 dhjetor
Mbreti i jugut dhe mbreti i veriut do të kacafyten me njëri-tjetrin.—Dan. 11:40, shën.
Mbreti i veriut dhe mbreti i jugut vazhdojnë të konkurrojnë se kush do të ketë më shumë pushtet në botë. Për shembull, pas Luftës II Botërore, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij fituan pushtet mbi një pjesë të madhe të Evropës. Kjo e shtyu mbretin e jugut të formonte një aleancë ushtarake ndërkombëtare, të njohur si NATO-ja. Mbreti i veriut vazhdon të konkurrojë me mbretin e jugut në një garë armatimesh ku derdhet një lumë pará. Gjithashtu, dy mbretërit luftuan duke përkrahur armiqtë e njëri-tjetrit në luftërat dhe kryengritjet në Afrikë, Azi e Amerikën Latine. Vitet e fundit, Rusia dhe aleatët e saj e kanë shtrirë influencën e tyre anekënd globit. Ato kacafyten me mbretin e jugut edhe në një luftë kibernetike. Mbretërit e kanë akuzuar njëri-tjetrin se përdorin programe kompjuterike shkatërrimtare për të dëmtuar ekonominë dhe sistemin e tyre politik. Veç kësaj, siç paratha Danieli, mbreti i veriut vazhdon të sulmojë popullin e Perëndisë.—Dan. 11:41. w20.05 13 ¶5-6
E mërkurë, 7 dhjetor
Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.—Ezek. 34:11.
«A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit?» Këtë pyetje Jehovai e bëri në ditët e profetit Isaia. «Edhe sikur ato [gra] të harrojnë, unë nuk do të të harroj kurrë»,—i tha Perëndia popullit të tij. (Isa. 49:15) Jehovai rrallëherë e krahason veten me një nënë. Por në atë rast e bëri këtë krahasim dhe përdori lidhjen mes nënës dhe fëmijës për të treguar sa e thellë është dashuria për shërbëtorët e tij. Shumica e nënave ndihen njësoj si një motër që quhet Jasmina. Ajo thotë: «Kur mban në gji fëmijën tënd, krijohet një lidhje shumë e veçantë që zgjat për tërë jetën.» Jehovai e vëren kur qoftë edhe një nga fëmijët e tij nuk shoqërohet më me kongregacionin dhe nuk merr pjesë më në veprën e predikimit. Shumë nga këta vëllezër e motra të shtrenjtë që bëhen joaktivë, kthehen përsëri në kongregacion, ku i presim krahëhapur! Jehovai dëshiron që të gjithë ata që janë bërë joaktivë të kthehen, e të njëjtën gjë duam edhe ne.—1 Pjet. 2:25. w20.06 18 ¶1-3
E enjte, 8 dhjetor
I kemi sytë . . . tek [gjërat] që nuk shihen, sepse gjërat që shihen, janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen, janë të përhershme.—2 Kor. 4:18.
Jo çdo thesar mund të shihet me sy. Në fakt, thesaret më të çmuara janë të padukshme. Gjatë Predikimit në Mal, Jezui përmendi thesare qiellore që kanë vlerë ku e ku më të madhe se të mirat materiale. Pastaj tha këtë të vërtetë: «Ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.» (Mat. 6:19-21) Zemra do të na shtyjë të rendim pas atyre gjërave që i çmojmë si thesar. Kur fitojmë një emër të mirë në sytë e Perëndisë, ose miratimin e tij, grumbullojmë «thesare në qiell». Jezui tha qartë se asnjeri nuk i shkatërron e nuk i vjedh dot kurrë thesare të tilla. Apostulli Pavël na nxit ‘t’i kemi sytë te gjërat që nuk shihen’. (2 Kor. 4:17, 18) Këto gjëra ose thesare që nuk shihen, përfshijnë bekimet që do të gëzojmë në botën e re të Perëndisë. A i tregojmë mirënjohje Jehovait për këto thesare të padukshme? w20.05 26 ¶1-2
E premte, 9 dhjetor
Mësimi im do të bjerë si shiu.—Ligj. 32:2.
Ajo që u mësoi izrealitëve Moisiu ishte jetëdhënëse e përtëritëse, siç janë shirat e buta për bimët. Si mund të sigurohemi që edhe mënyra si mësojmë ne të jetë si «shirat e buta»? Gjatë predikimit shtëpi më shtëpi ose në shërbimin publik, mund të përdorim Biblën për t’u treguar njerëzve emrin e Perëndisë, Jehova. Mund t’u ofrojmë botime të bukura, t’u tregojmë video fantastike dhe materiale nga siti ynë që i japin lavdi Jehovait. Në punë, në shkollë ose kur udhëtojmë, mund të gjejmë raste të flasim për Perëndinë tonë të shtrenjtë e për cilësitë e tij. Ndërsa u tregojmë të tjerëve çfarë qëllimi të bukur ka Jehovai për njerëzit dhe tokën, para syve të tyre mund të shpaloset për herë të parë personaliteti i tij i dashur. Kur u tregojmë njerëzve të vërtetën për Atin tonë të shtrenjtë, ndihmojmë të shenjtërohet emri i tij. E pastrojmë emrin e Jehovait nga disa sharje dhe shpifje që mund të kenë mësuar njerëzit për të. Gjithashtu, u japim mësimet më jetëdhënëse dhe më përtëritëse që ekzistojnë.—Isa. 65:13, 14. w20.06 10 ¶8-9
E shtunë, 10 dhjetor
Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju.—Mal. 3:7.
Cilat cilësi na nevojiten për të ndihmuar ata që duan të kthehen te Jehovai? Të shohim disa mësime që mund të nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për djalin e humbur që iku nga shtëpia. (Luka 15:17-24) Si përfundim, djalit i erdhën mendtë dhe vendosi të kthehej në shtëpi. Babai vrapoi ta takonte djalin dhe e përqafoi me ngrohtësi për ta siguruar se e donte. Djalin e trazonte ndërgjegjja dhe ndihej i padenjë të quhej biri i tij. Babai ndjeu empati për të birin që i zbrazi zemrën. Pastaj bëri hapa praktikë që ta siguronte të birin se ishte i mirëpritur në shtëpi si pjesëtar i shtrenjtë i familjes. Si provë të kësaj, babai organizoi një festë dhe i dha rrobat më të mira djalit të penduar. Jehovai është si babai në atë ilustrim. Ai i do motrat dhe vëllezërit tanë joaktivë dhe dëshiron të kthehen tek ai. E ne mund t’i ndihmojmë të kthehen, nëse imitojmë Jehovain. Kjo kërkon të tregojmë durim, empati dhe dashuri. w20.06 25-26 ¶8-9
E diel, 11 dhjetor
Nëse i zbatoni gjithmonë fjalët e mia, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.—Gjoni 8:31, 32.
Jezui tha se disa do ta pranonin të vërtetën «me gëzim», por kur të hasnin sprova, besimi i tyre do të venitej. (Mat. 13:3-6, 20, 21) Mbase nuk e kishin kuptuar se të jesh dishepull i Jezuit përfshin sfida dhe vështirësi. (Mat. 16:24) Ose ndoshta mendonin se të jesh i krishterë do të thotë ta kesh jetën fushë me lule—një jetë pa probleme, vetëm me bekime. Por në këtë botë të papërsosur, vështirësitë janë të pashmangshme. Rrethanat mund të ndryshojnë dhe mund të na e zbehin për ca kohë gëzimin. (Psal. 6:6; Ekl. 9:11) Shumica e vëllezërve dhe motrave sot po tregojnë se janë të bindur që kanë të vërtetën. Në ç’mënyrë? Bindja e tyre nuk luhatet as kur një bashkëbesimtar i lëndon ose jeton në një mënyrë që bie ndesh me parimet e Biblës. (Psal. 119:165) Në çdo sprovë, besimi i tyre bëhet më i fortë, jo më i dobët. (Jak. 1:2-4) Duhet të zhvillojmë edhe ne një besim kaq të fortë. w20.07 8 ¶1; 9 ¶4-5
E hënë, 12 dhjetor
Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë.—Jak. 1:5.
Para se të lexosh Biblën, lutju Jehovait për ndihmë që të kuptosh si të nxjerrësh dobi nga ajo që lexon. Për shembull, nëse të nevojiten këshilla si ta përballosh një problem, kërkoji Jehovait të të ndihmojë të gjesh në Bibël parime që mund të të drejtojnë. (Filip. 4:6, 7) Jehovai na ka dhënë aftësinë e mrekullueshme të imagjinatës. Që ta kesh të gjallë në mendje një ngjarje nga Bibla, përpiqu ta imagjinosh situatën dhe të përfytyrosh sikur je ti personazhi kryesor. Përpiqu të shohësh gjërat që pa ai personazh dhe të përjetosh të njëjtat emocione që mund të ketë ndier. Më pas medito. Të meditosh do të thotë ta bluash mirë në mendje atë që po lexon dhe si ta zbatosh në jetë. Kjo të ndihmon të shohësh tablonë e plotë dhe ta kuptosh më thellë një argument. Leximi i Biblës pa meditim është si të rrish duke parë pjesët e një mozaiku e të mos i bashkosh. Meditimi na ndihmon të shohim figurën e plotë. w21.03 15 ¶3-5
E martë, 13 dhjetor
I jam mirënjohës Perëndisë . . . ndërsa të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë.—2 Tim. 1:3.
Pavli mund të përqendrohej tek e kaluara e të mendonte se po të kishte bërë zgjedhje të tjera në jetë, ndoshta nuk do të kishte përfunduar në burg. Ai mund të ishte mbushur me mllef ndaj të krishterëve në krahinën e Azisë që e kishin braktisur dhe mund t’i shihte me dyshim edhe miqtë e tjerë. Por nuk bëri asnjërën nga këto. Edhe pse e dinte se po i kanosej vdekja, Pavli nuk harroi cila ishte gjëja më e rëndësishme—t’i jepte lavdi Jehovait. Gjithashtu vazhdonte të mendonte si t’u jepte zemër të tjerëve. Mbështetej te Jehovai duke iu lutur pareshtur. Pavli nuk e mbajti mendjen tek ata që e kishin braktisur. Përkundrazi, shprehu mirënjohje nga zemra për miqtë që e mbështetën me dashuri dhe e ndihmuan me besnikëri në mënyra praktike. Veç kësaj, Pavli nuk e la pas dore studimin e Fjalës së Perëndisë. (2 Tim. 3:16, 17; 4:13) E mbi të gjitha, ishte plotësisht i sigurt se Jehovai dhe Jezui e donin. w21.03 18 ¶17-18
E mërkurë, 14 dhjetor
Ashtu si mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të ndodhë në përfundim të sistemit.—Mat. 13:40.
Gjatë shekullit të dytë të e.s., në kongregacionin e të krishterëve të vërtetë nisën të depërtonin gjithnjë e më shumë të krishterë të rremë. Ata kishin përvetësuar mësime pagane dhe i fshihnin të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Që nga ajo kohë deri nga fundi i shekullit të 19-të, në tokë nuk kishte asnjë grup të organizuar të shërbëtorëve të Perëndisë. Egjrat, të krishterët e rremë, lulëzuan dhe u bë shumë e vështirë të dalloheshin të krishterët e vërtetë. (Mat. 13:36-43) Pse është domethënës ky fakt? Sepse tregon se ajo që lexojmë në kapitullin 11 të Danielit për mbretin e veriut dhe mbretin e jugut nuk mund të zbatohej për qeveritarët ose mbretëritë që kishin pushtet nga shekulli i 2-të deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Nuk ekzistonte asnjë grup i organizuar i shërbëtorëve të Perëndisë që këta mbretër ta sulmonin. Megjithatë është logjike që mbreti i veriut dhe mbreti i jugut të rishfaqeshin nga fundi i shekullit të 19-të. w20.05 3 ¶5
E enjte, 15 dhjetor
Një komb . . . u sul kundër vendit tim.—Joe. 1:6.
Joeli parathotë se një re karkalecash do të shkretojë ‘vendin’ e Izraelit duke gllabëruar gjithçka që u del para! (Joe. 1:4) Për shumë vjet, kemi shpjeguar se kjo profeci zbatohet për mënyrën si e kryen aktivitetin e predikimit populli i Jehovait, si një tufë karkalecash që s’e ndal dot gjë. Mendonim se ky aktivitet ka pasoja dërrmuese te «vendi», pra te njerëzit që janë nën pushtetin e udhëheqësve fetarë. Megjithatë, kur e shqyrtojmë profecinë në kontekst, bëhet e qartë se duhet kuptuar ndryshe. Vër re çfarë premtoi Jehovai për vërshimin e karkalecave: ‘Do ta dëboj shumë larg jush atë që vjen nga veriu [karkalecat].’ (Joe. 2:20) Nëse karkalecat paraqesin Dëshmitarët e Jehovait që i binden urdhrit të Jezuit për të predikuar e për të bërë dishepuj, pse Jehovai do të premtonte se do t’i dëbonte? (Ezek. 33:7-9; Mat. 28:19, 20) Është e qartë se Jehovai nuk dëbon shërbëtorët e tij besnikë, por dikë ose diçka që tregon armiqësi ndaj popullit të tij. w20.04 3 ¶3-5
E premte, 16 dhjetor
Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë.—Jak. 1:5.
Ç’duhet të bëjmë nëse na duket se Jehovai nuk po u përgjigjet menjëherë lutjeve tona? Jakovi thotë se duhet ‘t’i kërkojmë pareshtur’ mençuri Perëndisë. Jehovai nuk bezdiset kur vazhdojmë t’i lutemi për mençuri e as na kritikon i zemëruar. Ati ynë qiellor ‘do të na japë bujarisht’ mençuri që të përballojmë sprovat. (Psal. 25:12, 13) Ai i sheh problemet që kalojmë, ndien dhimbje kur vuajmë dhe mezi pret të na ndihmojë. Patjetër që kjo është një arsye për të gëzuar! Por si na jep mençuri Jehovai? Nëpërmjet Fjalës së tij. (Prov. 2:6) Që ta fitojmë këtë mençuri, duhet të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe botimet e bazuara tek ajo. Por nuk mjafton thjesht të grumbullojmë njohuri. Kemi nevojë ta përdorim në jetën tonë mençurinë e Perëndisë duke vepruar sipas këshillave të tij. Jakovi shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.» (Jak. 1:22) Kur i zbatojmë këshillat e Perëndisë, bëhemi më paqësorë, më të arsyeshëm e më të mëshirshëm. (Jak. 3:17) Këto cilësi na ndihmojnë ta përballojmë çdo sprovë pa humbur gëzimin. w21.02 29 ¶10-11
E shtunë, 17 dhjetor
Kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet.—Efes. 4:16.
Një student i Biblës ka më shumë të ngjarë të përparojë drejt pagëzimit kur e ndihmojnë të gjithë në kongregacion. Çdo lajmëtar mund të japë një dorë në rritjen e kongregacionit. Një pioniere thotë: «Një proverb thotë se duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë. Mendoj se kjo është e vërtetë edhe kur bëjmë dishepuj; zakonisht duhet një kongregacion i tërë që dikush të përqafojë të vërtetën.» Familjarët, miqtë dhe mësuesit luajnë të gjithë rolin e tyre që fëmija të bëhet një i rritur i pjekur. Këtë e bëjnë duke e inkurajuar e duke i dhënë mësime të rëndësishme. Po njësoj, lajmëtarët mund t’u japin këshilla, t’i inkurajojnë dhe t’u lënë një shembull të mirë studentëve, duke i ndihmuar kështu të përparojnë drejt pagëzimit. (Prov. 15:22) Pse ai që drejton studimin duhet ta mirëpresë ndihmën që mund t’i japin studentit lajmëtarët e tjerë? Sepse vëllezërit dhe motrat mund ta ndihmojnë të bëjë përparim. w21.03 8 ¶1-3
E diel, 18 dhjetor
Nëse themi: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten.—1 Gjon. 1:8.
Të gjithë shërbëtorët e Jehovait, të rinj a të moshuar qofshin, duhet t’i rezistojnë presionit për të bërë një jetë të dyfishtë. Apostulli Gjon theksoi se nuk mund të ecim në të vërtetën dhe, në të njëjtën kohë, të bëjmë një jetë imorale. (1 Gjon. 1:6) Nëse duam të kemi miratimin e Perëndisë tani dhe në të ardhmen, duhet të kujtojmë se çdo gjë që bëjmë, ndodh si mes një skene të ndriçuar. Pra, në realitet asgjë nuk është mëkat i fshehtë, sepse Jehovai sheh gjithçka që bëjmë. (Hebr. 4:13) Duhet të flakim tej pikëpamjen e botës për mëkatin. Në kohën e Gjonit, apostatët pohonin se dikush mund të ndiqte me dashje rrugën e mëkatit dhe prapë të ishte mik i Perëndisë. Sot, jemi të rrethuar nga njerëz që kanë një pikëpamje të ngjashme. Shumë pohojnë se besojnë te Perëndia, por nuk janë dakord me pikëpamjen e Jehovait për mëkatin, sidomos kur bëhet fjalë për seksin. Atë që Jehovai e sheh si sjellje mëkatare, ata e quajnë preferencë personale ose stil alternativ jete. w20.07 22 ¶7-8
E hënë, 19 dhjetor
Duam . . . me vepra e me të vërtetë.—1 Gjon. 3:18.
A u del në mbrojtje motrave të tua kur kanë nevojë? Mendo për këtë situatë. Disa lajmëtarë shohin se një motër që nuk e ka burrin Dëshmitar shpesh arrin me vonesë në mbledhje dhe ikën menjëherë pas mbledhjes. Gjithashtu vërejnë se rrallë i merr fëmijët me vete. Prandaj e kritikojnë që nuk mban një qëndrim më të vendosur ndaj të shoqit. Ama realiteti është se ajo po bën më të mirën. Motra nuk e ka plotësisht nën kontroll programin e vet, as nuk ka fjalën e fundit në vendimet që kanë të bëjnë me fëmijët e saj. Nëse e lavdëron motrën dhe përmend gjërat e mira që po bën, mund t’u vësh fre fjalëve negative. Pleqtë e dinë se për Jehovain ka rëndësi mënyra si i trajtojmë ato. (Jak. 1:27) Prandaj imitojnë Jezuin dhe janë të arsyeshëm. Pleqtë tregohen mirëkuptues sa herë që kjo është e përshtatshme, pa nxjerrë rregulla. (Mat. 15:22-28) Kur pleqtë u shkojnë në ndihmë, motrat ndiejnë se Jehovai dhe organizata e tij i kanë për zemër. w20.09 24-25 ¶17-19
E martë, 20 dhjetor
[Perëndia] ia ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor çfarë do të ndodhë.—Dan. 2:28.
Profeti Daniel gjithnjë mbështetej përulësisht te Jehovai për drejtim. Për shembull, kur Jehovai e përdori të interpretonte ëndrrën e Nabukodonosorit, Danieli nuk e mori meritën për atë interpretim. Përkundrazi, me modesti ia dha gjithë meritën dhe lavdinë Jehovait. (Dan. 2:26-28) Çfarë mësimi nxjerrim? Nëse vëllezërit i dëgjojnë me qejf fjalimet tona ose kemi rezultate të mira në shërbim, të mos harrojmë t’ia japim gjithë lavdinë Jehovait. Me modesti duhet të pranojmë se, pa ndihmën e Jehovait, nuk mund t’i bëjmë dot këto gjëra. (Filip. 4:13) Kur kemi këtë qëndrim, imitojmë edhe shembullin e shkëlqyer të Jezuit. Jezui mbështetej plotësisht te Jehovai. (Gjoni 5:19, 30) Ai kurrë nuk u përpoq t’ia rrëmbente autoritetin Atit të tij qiellor. Filipianëve 2:6 thotë se Jezui «as që e çoi nëpër mend të merrte diçka që nuk i takonte, domethënë të ishte i barabartë me Perëndinë». Si një Bir i nënshtruar, Jezui i kuptonte kufizimet e veta dhe respektonte autoritetin e të Atit. w20.08 11 ¶12-13
E mërkurë, 21 dhjetor
Vraponi në atë mënyrë që ta fitoni çmimin.—1 Kor. 9:24.
Disa që po vrapojnë në garën e jetës përballojnë probleme që të tjerët mund të mos i shohin e të mos i kuptojnë. Nëse ke probleme shëndetësore që të pengojnë të bësh aq sa do në shërbim dhe mendon se të tjerët nuk të kuptojnë, mund të marrësh zemër nga shembulli i Mefiboshetit. (2 Sam. 4:4) Ai kishte kufizime fizike, e veç kësaj mbreti David e gjykoi dhe e trajtoi padrejtësisht. Megjithatë, nuk ia lejoi vetes t’i shihte gjërat me sy negativ; ai i çmonte të mirat që kishte në jetë. I ishte mirënjohës Davidit për dashurinë që i kishte treguar në të kaluarën. (2 Sam. 9:6-10) Prandaj, kur Davidi e trajtoi padrejtësisht, Mefibosheti pa tablonë e plotë. Ai nuk lejoi që gabimi i Davidit ta mbushte me mllef. Dhe as quajti fajtor Jehovain për atë që kish bërë Davidi. Mefibosheti u përqendrua tek ajo që mund të bënte për të mbështetur mbretin e emëruar nga Jehovai. (2 Sam. 16:1-4; 19:24-30) Jehovai e ruajti shembullin e shkëlqyer të Mefiboshetit në Fjalën e Tij për dobinë tonë.—Rom. 15:4. w20.04 26 ¶3; 30 ¶18-19
E enjte, 22 dhjetor
Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.
Disa në kongregacion mund të jenë emëruar që të shërbejnë si misionarë, pionierë specialë ose pionierë të rregullt. Ata kanë zgjedhur të marrin pjesë në kohë të plotë në veprën e predikimit. Ndonëse këta ungjillëzues në kohë të plotë mund të kenë pak nga ana materiale, Jehovai ua ka pasuruar jetën me bekime pa fund. (Mar. 10:29, 30) Këta vëllezër e motra të dashur janë të shtrenjtë për ne, dhe ndihemi të lumtur që janë pjesë e kongregacionit! A janë vëllezërit e emëruar dhe ata që shërbejnë në kohë të plotë të vetmit që kanë një vend në kongregacion? Aspak! Çdo lajmëtar i lajmit të mirë është i rëndësishëm për Perëndinë dhe për kongregacionin. (Rom. 10:15; 1 Kor. 3:6-8) Në fakt, një nga synimet kryesore të kongregacionit është të bëjmë dishepuj të Zotërisë tonë Jezu Krisht. (Mat. 28:19, 20; 1 Tim. 2:4) Të gjithë lajmëtarët e kongregacionit, të pagëzuar dhe të papagëzuar, përpiqen që kjo vepër të jetë boshti i jetës së tyre.—Mat. 24:14. w20.08 21 ¶7-8
E premte, 23 dhjetor
Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.—Mat. 28:20.
Siç tregohet në fjalët shkrimit të sotëm, Jezui do të na mbështetë. E në fakt, fjalët e Jezuit janë burim force për ne. Pse? Sepse ka ditë në jetën tonë që e kemi të vështirë t’i përballojmë. Për shembull, kur vdes një njeri i dashur, hapet një plagë që na dhemb jo vetëm për disa ditë, por ndoshta për vite të tëra. Disa të tjerë kalojnë ditë të vështira për shkak të moshës së thyer. Kurse disa të tjerë ka ditë që i mbytin ndjenjat e depresionit. Prapëseprapë, ne marrim forcë të mos dorëzohemi, sepse e dimë se Jezui është me ne «gjithë ditët», pra edhe në ditët më të errëta të jetës sonë. (Mat. 11:28-30) Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai na ndihmon me anë të engjëjve të tij. (Hebr. 1:7, 14) Për shembull, engjëjt na mbështetin e na drejtojnë ndërsa u predikojmë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ njerëzve nga ‘çdo komb, fis dhe gjuhë’.—Mat. 24:13, 14; Zbul. 14:6. w20.11 13-14 ¶6-7
E shtunë, 24 dhjetor
Mendimet e zemrës së njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.—Prov. 20:5.
Duam që studenti ta kuptojë se ajo që po mëson, vjen nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (1 Sel. 2:13) Si mund ta bësh këtë? Inkurajoje studentin të flasë për gjërat që mëson. Në vend që t’ia shpjegosh gjithnjë ti vargjet e Biblës, kërkoji disa herë të t’i shpjegojë ai. Ndihmoje të kuptojë si lidhet me të personalisht ajo që thotë Fjala e Perëndisë. Bëj pyetje që do ta nxitin të shprehet si mendon dhe si ndihet për shkrimet që lexon. (Luka 10:25-28) Për shembull, pyete: «Si të ndihmon ky varg të dallosh një cilësi të Jehovait?» «Si mund të të sjellë dobi kjo që mësove nga Bibla?» «Si ndihesh për këtë që mësove?» Gjëja më e rëndësishme nuk është sa di studenti, por sa e do dhe e zbaton atë që di. Lejo të flasë Bibla. Për t’u bërë mësues më i zotë, të duhet përulësi. w20.10 15 ¶5-6
E diel, 25 dhjetor
Mbille farën në mëngjes dhe mos e lër dorën tënde të pushojë deri në mbrëmje.—Ekl. 11:6.
Mund të jemi të sigurt se vepra e predikimit për Mbretërinë do të përfundojë tamam në kohën e duhur. Të mendojmë për atë që ndodhi në ditët e Noesë. Jehovai tregoi se i përcakton dhe i respekton me përsosmëri afatet kohore. Rreth 120 vjet para Përmbytjes, Jehovai vendosi ditën kur do të fillonte Përmbytja. Dekada më vonë, Ai i ngarkoi Noesë detyrën të ndërtonte arkën. Ka mundësi që Noeja të ketë punuar fort për 40 a 50 vjet para se të vinte Përmbytja. Edhe pse njerëzit nuk ia vinin veshin, ai vazhdoi të predikonte mesazhin paralajmërues derisa Jehovai tha se ishte koha të futeshin në arkë. Pastaj, fiks në kohën e caktuar, «Jehovai e mbylli derën». (Zan. 6:3; 7:1, 2, 16) Së shpejti, Jehovai do të na e bëjë të qartë se vepra e predikimit për Mbretërinë ka përfunduar; ai ‘do ta mbyllë derën’ për sistemin e Satanait dhe do të sjellë një botë të re të drejtë. Deri atëherë, le të imitojmë Noenë dhe të tjerë që nuk e kanë lënë dorën e tyre të pushojë. Le të vazhdojmë të jemi të përqendruar te vepra e predikimit, të jemi të duruar dhe ta mbajmë të fortë besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij. w20.09 13 ¶18-19
E hënë, 26 dhjetor
Por çdo gjë le të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull.—1 Kor. 14:40.
Po të mos ishte e qartë se kush luan rolin e kreut, familja e Jehovait do të ishte e çorganizuar dhe aspak e lumtur. Asnjë nuk do ta dinte, për shembull, se kush duhet t’i marrë vendimet përfundimtare dhe kush duhet të sigurohet që këto vendime po vihen në jetë. Por, përderisa kryesia që ka vendosur Perëndia është një gjë kaq e mirë, pse shumë gra sot ndihen të shtypura nga sjellja tiranike e burrave të tyre? Sepse shumë burra i shpërfillin standardet e Jehovait për familjen dhe zgjedhin të ndjekin zakonet ose traditat e vendit. Gjithashtu burri mund ta keqtrajtojë gruan për të plotësuar ndonjë dëshirë egoiste. Për shembull, ai mund të sundojë mbi gruan e vet që të ndihet më i rëndësishëm ose që t’u tregojë të tjerëve se është «burrë i vërtetë». Ai mund të mendojë se nuk e detyron dot gruan që ta dojë, ama mund ta detyrojë që t’ia ketë frikën. Dhe frikën mund ta përdorë si një mënyrë për ta mbajtur zap. Pa diskutim që një mentalitet dhe sjellje e tillë u grabit grave respektin dhe nderimin që meritojnë, e është krejt e kundërta e asaj që dëshiron Jehovai.—Efes. 5:25, 28. w21.02 3 ¶6-7
E martë, 27 dhjetor
Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.—1 Pjet. 5:7.
Kur je në ankth, mund të gjesh lehtësim duke iu lutur me zjarr Jehovait. Si përgjigje të lutjeve të tua, mund të marrësh ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim [njerëzor]’. (Filip. 4:6, 7) Kur kemi mendime të ankthshme, Jehovai na qetëson me anë të frymës së tij të fuqishme. (Gal. 5:22) Zbrazja zemrën Jehovait në lutje. Ji specifik. Tregoji cili është problemi dhe shpjegoji si të bën të ndihesh. Nëse problemi mund të zgjidhet, kërkoji mençurinë që ta gjesh zgjidhjen dhe forcën që të veprosh. Nëse nuk ke gjë në dorë për ta zgjidhur problemin, kërkoji ndihmë Jehovait që ta mbash nën kontroll ankthin. Kur je specifik në lutje, me kohë do t’i dallosh më qartë përgjigjet e Jehovait. Nëse përgjigjja nuk vjen menjëherë pasi je lutur, mos u dorëzo. Jehovai do jo vetëm të jesh specifik, por edhe të lutesh me këmbëngulje.—Luka 11:8-10. w21.01 3 ¶6-7
E mërkurë, 28 dhjetor
[Jezui] u tha: «Jo të gjithë njerëzit i pranojnë këto fjalë, por vetëm ata që kanë dhuratën.»—Mat. 19:11.
Në kongregacionet tona ka çifte të martuara dhe familje. Por ka edhe shumë vëllezër e motra që nuk janë martuar. Si duhet t’i shohim ata që janë beqarë? Me atë sy që i shihte Jezui. Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui nuk u martua. Ai qëndroi beqar dhe ia kushtoi gjithë kohën dhe vëmendjen caktimit të tij. Jezui nuk mësoi kurrë se është e domosdoshme që një i krishterë të martohet ose të rrijë beqar. Sidoqoftë, ai tha se disa të krishterë do të zgjidhnin të mos martoheshin. (Mat. 19:12) Jezui i respektonte ata që nuk ishin të martuar. Ai nuk i shihte beqarët si inferiorë ose sikur u mungonte diçka në jetë. Njësoj si Jezui, apostulli Pavël qëndroi i pamartuar gjatë shërbimit të tij. Pavli nuk mësoi kurrë se është e gabuar që një i krishterë të martohet. Ai e pranonte se ky është një vendim personal. w20.08 28 ¶7-8
E enjte, 29 dhjetor
Perëndia është dashuri.—1 Gjon. 4:16.
Apostulli Gjon pati një jetë të gjatë e të larmishme. Ai hasi lloj-lloj sprovash që mund t’ia kishin dobësuar besimin. Por përherë përpiqej me gjithë shpirt t’u bindej urdhërimeve të Jezuit, siç ishte urdhri që të donte vëllezërit e motrat. Si rezultat, Gjoni ishte i sigurt se Jehovai dhe Jezui e donin dhe se do t’i jepnin forcën për të përballuar çdo sprovë. (Gjoni 14:15-17; 15:10) Asgjë që bëri Satanai dhe sistemi i tij, nuk e pengoi dot Gjonin t’i donte vëllezërit e motrat e ta shprehte atë dashuri me fjalë e me vepra. Ashtu si Gjoni, ne jetojmë në një botë ku sundon Satanai, i cili vlon nga urrejtja. (1 Gjon. 3:1, 10) Synimi i tij është të na e shuajë dashurinë për vëllezërit e motrat, por s’ka për t’ia dalë dot kurrë në rast se nuk e lejojmë ne vetë. Qofshim të vendosur t’i duam vëllezërit e motrat dhe ta tregojmë dashurinë për ta me fjalë e me vepra! Kështu do të gëzojmë një jetë të bukur e të pasur si pjesë e familjes së Jehovait!—1 Gjon. 4:7. w21.01 13 ¶18-19
E premte, 30 dhjetor
Perëndia . . . jep qëndrueshmëri.—Rom. 15:5.
Jeta në këtë botë të sunduar nga Satanai mund të jetë e vështirë, madje mbytëse hera-herës. (2 Tim. 3:1) Por nuk ka pse të na pushtojë ankthi ose frika. Jehovai e di mirë çfarë po kalojmë. Nëse biem, ai premton se do të na mbajë fort me të djathtën e tij të fuqishme. (Isa. 41:10, 13) Me besim absolut te mbështetja e Jehovait, mund të marrim forcë nga Shkrimet e të përballojmë çdo sprovë. Videot tona, leximet nga Bibla në formë drame dhe seria «Imitoni besimin e tyre» do të të ndihmojnë t’i kesh të gjalla në mendje ngjarjet nga Bibla. Para se t’i shohësh, t’i dëgjosh ose t’i lexosh këto pjesë, kërkoji Jehovait të të ndihmojë të gjesh pika specifike që mund t’i zbatosh. Imagjino sikur je ti personazhi kryesor. Medito për atë që bënë këta shërbëtorë besnikë dhe si i ndihmoi Jehovai t’i kapërcenin vështirësitë. Pastaj zbatoji në situatën tënde mësimet që nxore. Falënderoje Jehovain për ndihmën që po të jep. Dhe tregoje mirënjohjen për ndihmën e tij duke kërkuar mënyra si të inkurajosh e të mbështetësh të tjerët. w21.03 19 ¶22-23
E shtunë, 31 dhjetor
Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.—Psal. 127:3.
Nëse jeni çift i martuar dhe dëshironi të keni fëmijë, pyesni veten: «A jemi njerëz të përulur që e duan Jehovain dhe Fjalën e tij? A do të na zgjidhte Jehovai të kujdeseshim për një fëmijë, që është dhuratë nga ai?» (Psal. 127:4) E nëse je prind, pyet veten: «A po u mësoj fëmijëve vlerën e punës së palodhur?» (Ekl. 3:12, 13) «A bëj çmos t’i mbroj fëmijët nga rreziqet fizike dhe morale që mund të hasin?» (Prov. 22:3) S’ka si t’i mbrosh fëmijët nga të gjitha vështirësitë, ama mund t’i përgatitësh me dashuri dhe hap pas hapi për realitetin e jetës duke i mësuar si të mbështeten te këshillat e Fjalës së Perëndisë. (Prov. 2:1-6) Për shembull, nëse një i afërm braktis Jehovain, ndihmoji fëmijët të mësojnë nga Fjala e Perëndisë pse ka rëndësi të madhe t’i qëndrojmë besnikë Atit tonë. (Psal. 31:23) Ose nëse vdekja ju rrëmben një njeri të dashur, tregoju fëmijëve si ta përdorin Fjalën e Perëndisë për të qetësuar plagën e për të gjetur paqe.—2 Kor. 1:3, 4; 2 Tim. 3:16. w20.10 27 ¶7