Nëntor
E martë, 1 nëntor
Kush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, është i marrë dhe turpëron veten.—Prov. 18:13.
Nga këndvështrimi ynë i kufizuar, mund ta gjykonim Jonain si njeri që nuk i zihej besë, madje si të pabindur. Jehovai i dha një urdhër të qartë që të shpallte gjykimin në Ninevi. Por në vend që të bindej, Jonai hipi në një anije që shkonte në drejtim të kundërt, «larg Jehovait». (Jon. 1:1-3) A do t’i jepje Jonait një mundësi tjetër që të përmbushte atë caktim? Ndoshta jo. Megjithatë, Jehovai dalloi disa arsye për t’i dhënë një mundësi tjetër. (Jon. 3:1, 2) Në lutjen që bëri, Jonai zbuloi ç’lloj njeriu ishte në të vërtetë. (Jon. 2:1, 2, 9) Kjo lutje—pa dyshim një nga lutjet e shumta që bëri—na ndihmon të shohim tek ai shumë më tepër se një njeri që ia mbathi nga caktimi. Fjalët e tij tregojnë se ishte i përulur, mirënjohës dhe i vendosur t’i bindej Jehovait. Nuk habitemi që Jehovai pa përtej asaj që bëri Jonai, iu përgjigj lutjes së tij dhe vazhdoi ta përdorte si profet. Sa e rëndësishme është që çdo plak ‘të dëgjojë’ faktet para se të japë një këshillë! w20.04 15 ¶4-6
E mërkurë, 2 nëntor
[Pavli] arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e duke provuar me pjesë nga shkrimet.—Vep 17:2, 3.
Dishepujt e shekullit të parë i pranonin mësimet e krishtere dhe mbështeteshin te ndihma e frymës së shenjtë për të kuptuar Fjalën e Perëndisë. Bënin kërkime që të siguroheshin se ato mësime bazoheshin te Shkrimet. (Vep. 17:11, 12; Hebr. 5:14) Nuk e ndërtonin besimin vetëm mbi ndjenjat dhe emocionet, e as i shërbenin Jehovait thjesht ngaqë ndiheshin mirë kur shoqëroheshin me bashkëbesimtarët. Përkundrazi, e ndërtonin besimin mbi themelin e ‘njohurisë së saktë të Perëndisë’. (Kolos. 1:9, 10) Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë mbeten përherë të pandryshueshme. (Psal. 119:160) Për shembull, ato nuk ndryshojnë nëse një bashkëbesimtar na ofendon ose bën një mëkat serioz. Nuk ndryshojnë as kur kalojmë vështirësi. Prandaj kemi nevojë t’i njohim thellë mësimet e Biblës dhe të bindemi se janë të vërteta. Besimi i fortë që bazohet te të vërtetat e Biblës do të na mbajë të palëkundur në kohë të vështira, ashtu si spiranca që mban të palëkundur një anije gjatë një stuhie të egër. w20.07 9 ¶6-7
E enjte, 3 nëntor
Na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë.—Vep. 10:42.
Jezui e sheh atë që bëjmë për vëllezërit e tij të mirosur sikur e bëjmë për të. (Mat. 25:34-40) Mënyra kryesore si i mbështetim të mirosurit, është duke bërë më të mirën t’i mësojmë njerëzit, siç na urdhëroi Jezui. (Mat. 28:19, 20) Sot vëllezërit e Krishtit mund ta kryejnë veprën kolosale të predikimit në mbarë botën vetëm me ndihmën e ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Nëse je nga delet e tjera, çdo herë që merr pjesë në këtë vepër, tregon dashuri jo vetëm për të mirosurit, por edhe për Jezuin. Veç kësaj bëhemi miq me Jehovain dhe Jezuin duke përdorur të ardhurat tona për të mbështetur veprën që drejtojnë ata. (Luka 16:9) Për shembull, mund të japim kontribute për veprën tonë mbarëbotërore. Këto dhurata mund të përdoren për të ndihmuar ata që kanë përballuar një katastrofë a një vështirësi tjetër. Mund të dhurojmë pará edhe për kongregacionin e të ndihmojmë ata që e dimë se gjenden ngushtë.—Prov. 19:17. w20.04 24 ¶12-13
E premte, 4 nëntor
Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij. . . . Përkundrazi do t’i japë lavdi perëndisë së fortesave.—Dan. 11:37, 38.
Në përmbushje të profecisë, mbreti i veriut nuk tregoi aspak «respekt për Perëndinë e etërve të tij». Në ç’mënyrë? Me synimin për të eliminuar fetë, Bashkimi Sovjetik u përpoq të minonte pushtetin e feve kryesore. Si? Për shembull, në vitin 1918, shteti sovjetik kishte nxjerrë një urdhër në lidhje me shkollat dhe fenë. Si pasojë e tij, më vonë në shkolla filloi të mësohej ateizmi. Si i dha «lavdi perëndisë së fortesave» ky mbret i veriut? Bashkimi Sovjetik harxhoi një shumë marramendëse parash për ushtrinë dhe për të prodhuar mijëra armë bërthamore që të forconte pushtetin e vet. Me kalimin e kohës, mbreti i veriut dhe mbreti i jugut mblodhën aq shumë armë të fuqishme, sa të vritnin miliarda njerëz! Me gjithë konfliktin mes tyre, mbreti i veriut e mbështeti mbretin e jugut në një iniciativë të rëndësishme—ata ‘vunë në vend gjënë e neveritshme që shkakton shkretim’, Organizatën e Kombeve të Bashkuara.—Dan. 11:31. w20.05 6-7 ¶16-17
E shtunë, 5 nëntor
Vëllai yt . . . ishte i humbur dhe u gjet.—Luka 15:32.
Kush mund të ndihmojë në kërkimin e joaktivëve? Të gjithë ne—pleq, pionierë, pjesëtarë të familjes dhe lajmëtarë—mund të ndihmojmë për t’i gjetur. A ke ndonjë shok a të afërm që është bërë joaktiv? A ke takuar ndonjë joaktiv në predikimin shtëpi më shtëpi ose në dëshminë publike? Mund t’i shpjegosh që nëse ka dëshirë t’i bëhet një vizitë, me kënaqësi mund t’u japësh pleqve të kongregacionit adresën ose numrin e tij të telefonit. Një plak me emrin Tomas tregon: «Në fillim, pyes vëllezër e motra të ndryshëm nëse e dinë se ku jetojnë tani motrat e vëllezërit joaktivë. Ose pyes lajmëtarët nëse u vjen ndër mend dikush që nuk i ndjek më mbledhjet. Më vonë, kur u shkoj për vizitë motrave a vëllezërve joaktivë, i pyes për fëmijët dhe të afërmit e tyre. Disa e kishin zakon t’i merrnin fëmijët me vete në mbledhje, dhe këta fëmijë mund të kenë qenë dikur lajmëtarë. Edhe këta mund t’i ndihmojmë të kthehen te Jehovai.» w20.06 24 ¶1; 25 ¶6-7
E diel, 6 nëntor
Do të kujtoj veprat e tua, o Jah, po, do të kujtoj veprat e tua të mrekullueshme të kohëve më parë.—Psal. 77:11.
Nga të gjitha krijesat në tokë, vetëm njeriu ka aftësinë për të nxjerrë mësime morale duke kujtuar dhe analizuar ngjarjet e së shkuarës. Si pasojë, mund të mësojmë standarde më të larta dhe të ndryshojmë mënyrën si mendojmë e jetojmë. (1 Kor. 6:9-11; Kolos. 3:9, 10) Në fakt, ne mund ta stërvitim ndërgjegjen që të dallojë ndryshimin mes të drejtës dhe të gabuarës. (Hebr. 5:14) Mund të mësojmë të shfaqim dashuri, dhembshuri dhe mëshirë. Gjithashtu mund të mësojmë të imitojmë drejtësinë e Jehovait. Një mënyrë si e tregojmë se e çmojmë dhuratën e kujtesës është duke zgjedhur të kujtojmë të gjitha rastet kur Jehovai na ka ndihmuar dhe na ka dhënë zemër në të kaluarën. Kjo do të na forcojë sigurinë se ai do të na ndihmojë edhe në të ardhmen. (Psal. 77:12; 78:4, 7) Një mënyrë tjetër është duke kujtuar të mirat që bëjnë të tjerët për ne dhe duke qenë mirënjohës për to. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit mirënjohës ka më shumë të ngjarë të jenë të lumtur. w20.05 23 ¶12-13
E hënë, 7 nëntor
[Respekto] thellësisht këtë emër të lavdishëm e që ngjall nderim, po, emrin e Perëndisë tënd, Jehovait.—Ligj. 28:58.
Mendo si ndihej Moisiu ndërsa ishte strukur në një të çarë shkëmbi dhe shihte të kalonte para tij lavdia e Jehovait. Botimi Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet thotë se «ai pati privilegjin të përjetonte gjënë më të mrekullueshme që mund të ketë përjetuar një njeri deri para ardhjes së Jezu Krishtit». Më pas, Moisiu dëgjoi këto fjalë, me sa duket të thëna nga një engjëll: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë, që tregon dashuri besnike për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin.» (Eks. 33:17-23; 34:5-7) Moisiut ndoshta i vinte ndër mend kjo ngjarje kur përdorte emrin e Jehovait ndërsa tha fjalët e shkrimit të sotëm. Kur përdorim emrin e Jehovait, bëjmë mirë të meditojmë për Personin që mban këtë emër. Duhet të sjellim ndër mend cilësitë e tij, si fuqinë, mençurinë, drejtësinë dhe dashurinë. Meditimi për këto cilësi e për të tjera, mund të na mbushë akoma më shumë me nderim të thellë për të.—Psal. 77:11-15. w20.06 8-9 ¶3-4
E martë, 8 nëntor
Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.—2 Tim. 3:14.
Jezui tha se dishepujt e tij do t’i dallonte dashuria për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Ama dashuria që vërejmë mes popullit të Perëndisë nuk mjafton për të pasur besim të fortë. Themeli i besimit tonë nuk duhet të jetë thjesht dashuria e krishterë që shfaqin shërbëtorët e Perëndisë. Pse? Ta zëmë se një bashkëbesimtar—ndoshta edhe një plak a një pionier—bën një mëkat serioz. Ose ndodh që një vëlla a një motër të lëndon në ndonjë mënyrë. Ose dikush bëhet apostat dhe pohon me forcë se ne nuk kemi të vërtetën. A do ta rrënojnë besimin tënd gjëra të tilla dhe a do të të shtyjnë të mos i shërbesh më Jehovait? Mësimi është ky: po ta bazosh besimin vetëm te mënyra si veprojnë të tjerët dhe jo te marrëdhënia me Jehovain, besimi yt nuk do të ketë themele të forta. Shtëpinë tënde të besimit duhet ta ndërtosh jo vetëm me materiale të buta si ndjenjat dhe emocionet, por edhe me logjikë të fortë e fakte bindëse. Duhet të sigurohesh se Bibla përmban të vërtetën për Jehovain.—Rom. 12:2. w20.07 8 ¶2-3
E mërkurë, 9 nëntor
Të ndihmoni të dobëtit.—Vep. 20:35.
Ka shumë shembuj që tregojnë se engjëjt shërbejnë përkrah nesh për të na ndihmuar të gjejmë joaktivët që duan me gjithë zemër të kthehen te Jehovai. (Zbul. 14:6) Për shembull, Silvio nga Ekuadori po lutej me zjarr për ndihmë që të kthehej në kongregacion. Akoma nuk kishte mbaruar lutjen, kur ra zilja e derës. Ishin dy pleq kongregacioni. Gjatë vizitës ata filluan t’i jepnin me kënaqësi ndihmën që i nevojitej. Do të gjejmë shumë gëzim ndërsa ndihmojmë joaktivët të kthehen te Jehovai. Ja çfarë thotë Salvadori, një pionier që bën përpjekje të veçanta të ndihmojë joaktivët: «Ka raste që mezi i mbaj lotët e gëzimit. Më bëhet zemra mal kur mendoj se Jehovai shpëtoi një nga delet e tij të shtrenjta nga bota e Satanait dhe se unë pata privilegjin të bashkëpunoja me Të.» Nëse nuk shoqërohesh më me popullin e Perëndisë, ji i sigurt se Jehovai akoma të do. Jehovai rri syçelë duke pritur të kthehesh dhe do të të mirëpresë krahëhapur në shtëpi. w20.06 29 ¶16-18
E enjte, 10 nëntor
Ti do ta shohësh . . . Mësuesin tënd të Madh.—Isa. 30:20.
Si ‘Mësuesi ynë i Madh’, Jehovai ka ruajtur në Fjalën e tij shembuj për të na mësuar. (Isa. 30:21) Ndërsa meditojmë për tregimet e Biblës, mësojmë nga ata që shfaqën cilësi që e kënaqin Perëndinë, Mësojmë edhe nga ata që nuk i shfaqën cilësi të tilla të bukura. (Psal. 37:37; 1 Kor. 10:11) Të mendojmë pak çfarë ndodhi me mbretin Saul. Në fillim ai ishte një djalosh modest. I dinte mirë kufizimet e veta e madje ngurronte të merrte përsipër përgjegjësi. (1 Sam. 9:21; 10:20-22) Por me kohë, Sauli u bë arrogant dhe i kaloi caqet e autoritetit të tij. Ky qëndrim i gabuar nxori kokë pak pasi u bë mbret. Në një rast, ai e humbi durimin ndërsa priste profetin Samuel dhe paraqiti një flijim të djegur edhe pse nuk e kishte atë të drejtë. Për pasojë, humbi miratimin e Jehovait, e si përfundim edhe fronin. (1 Sam. 13:8-14) Tregohemi të mençur nëse mësojmë nga ky shembull paralajmërues dhe nuk i kalojmë caqet me arrogancë. w20.08 10 ¶10-11
E premte, 11 nëntor
Tregoni respekt për ata . . . që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë.—1 Sel. 5:12.
Vërtet, me anë të Krishtit, Jehovai i ka dhënë kongregacionit të Tij «dhurata në njerëz». (Efes. 4:8) Këto «dhurata në njerëz» përfshijnë anëtarët e Trupit Udhëheqës, ndihmësit e Trupit Udhëheqës, anëtarët e Komitetit të Degës, mbikëqyrësit qarkorë, instruktorët e shkollave, pleqtë e kongregacionit dhe shërbëtorët e kongregacionit. Të gjithë këta vëllezër janë emëruar nga fryma e shenjtë që të kujdesen për delet e shtrenjta të Jehovait dhe të shërbejnë për të mirën e kongregacionit. (1 Pjet. 5:2, 3) Vëllezërit janë emëruar nga fryma e shenjtë që të mbajnë mbi supe përgjegjësi të ndryshme. Pjesët e ndryshme të trupit, si duart dhe këmbët, punojnë për të mirën e gjithë trupit, e po njësoj vëllezërit e emëruar nga fryma e shenjtë punojnë pa u lodhur për të mirën e gjithë kongregacionit. Ata nuk kërkojnë lavdi për vete. Përkundrazi, bëjnë çmos të inkurajojnë e të forcojnë vëllezërit dhe motrat. (1 Sel. 2:6-8) E falënderojmë Jehovain për këta vëllezër vetëmohues të emëruar nga fryma! w20.08 21 ¶5-6
E shtunë, 12 nëntor
Shkoni dhe bëni dishepuj.—Mat. 28:19
Diçka që na shtyn të predikojmë është se njerëzit janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur’ dhe kanë tmerrësisht nevojë të mësojnë të vërtetën për Mbretërinë. (Mat. 9:36) Jehovai dëshiron që njerëz të çdo lloji të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën dhe të shpëtojnë. (1 Tim. 2:4) Kur mendojmë për ndikimin që mund të ketë vepra e predikimit, kjo do të na motivojë të marrim pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Ne u shpëtojmë jetën njerëzve. (Rom. 10:13-15; 1 Tim. 4:16) Duhet të jemi edhe të pajisur siç duhet për veprën tonë. Gjithashtu duhet të dimë si t’i përdorim këto pajisje. Jezui u dha udhëzime të qarta dishepujve. U tha çfarë të merrnin me vete, ku të predikonin dhe çfarë të thoshin. (Mat. 10:5-7; Luka 10:1-11) Sot, organizata e Jehovait na ka siguruar Çantën e mjeteve mësimore, e cila përmban mjete goxha të efektshme. Ajo na mëson edhe si t’i përdorim këto mjete. Kjo stërvitje na ndihmon të fitojmë siguri dhe aftësitë e nevojshme për të qenë të efektshëm në veprën tonë.—2 Tim. 2:15. w20.09 4 ¶6-7, 10
E diel, 13 nëntor
Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.—3 Gjon. 4.
A e imagjinon si i gëzonte zemra apostullit Gjon kur dëgjoi se ata që kishte ndihmuar të mësonin të vërtetën, po vazhdonin t’i shërbenin Jehovait me besnikëri? Ata po hasnin shumë probleme, dhe Gjoni u përpoq me gjithë shpirt t’u forconte besimin atyre të krishterëve besnikë, që i kishte si fëmijët e vet. Edhe neve na gufon zemra nga gëzimi kur fëmijët tanë ose ata që kemi ndihmuar të mësojnë të vërtetën, ia kushtojnë jetën Jehovait dhe i shërbejnë me qëndrueshmëri. (3 Gjon. 3) Rreth vitit 98 të e.s., fryma e shenjtë e Jehovait e shtyu Gjonin të shkruante tri letra. Qëllimi i tyre ishte t’i nxiste të krishterët besnikë ta mbanin të fortë besimin te Jezui dhe të vazhdonin të ecnin në të vërtetën. Gjoni ishte i shqetësuar për ndikimin që po ushtronin mësuesit e rremë nëpër kongregacione. (1 Gjon. 2:18, 19, 26) Ata apostatë pretendonin se e njihnin Jehovain, por nuk u bindeshin urdhrave të tij. w20.07 20 ¶1-3
E hënë, 14 nëntor
Tregoni besim te Perëndia; tregoni besim edhe tek unë.—Gjoni 14:1.
Kemi besim te mesazhi që predikojmë, prandaj vlojmë nga dëshira që t’ia tregojmë sa më shumë njerëzve. I besojmë premtimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Psal. 119:42; Isa. 40:8) Kemi parë si janë përmbushur profeci të Biblës. Gjithashtu kemi parë me sytë tanë si përmirësohet jeta e njerëzve kur fillojnë të zbatojnë këshillat e Biblës. Të gjitha këto dëshmi na forcojnë besimin se lajmi i mirë për Mbretërinë është një mesazh që ka nevojë ta dëgjojë çdo njeri. Veç kësaj, kemi besim te Jehovai, Burimi i mesazhit që predikojmë, dhe te Jezui, që Ai e ka vënë në fron si Mbret të Mbretërisë. Në çfarëdo rrethane të gjendemi, Jehovai do të jetë gjithmonë streha dhe forca jonë. (Psal. 46:1-3) Gjithashtu jemi të sigurt se Jezui po drejton veprën e predikimit nga qielli, duke ushtruar autoritetin që i ka dhënë Jehovai. (Mat. 28:18-20) Besimi na forcon sigurinë se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona. w20.09 12 ¶15-17
E martë, 15 nëntor
Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje. . . . Ajo bëri atë që mundi.—Mar. 14:6, 8.
Në disa raste, motrat kanë nevojë që t’i mbrojmë ose t’u dalim krah kur hasin ndonjë sfidë. (Isa. 1:17) Për shembull, një vejushë ose një motër e divorcuar mund të ketë nevojë që dikush ta ndihmojë për disa punë që më parë i bënte i shoqi. Një motër e moshuar mund të ketë nevojë për ndihmë që të flasë me mjekët. Ose një pioniere që punon në projekte të tjera teokratike, mund të ketë nevojë që dikush ta mbrojë nëse e kritikojnë se nuk del në shërbim aq shpesh sa pionierët e tjerë. Të mendojmë për shembullin që la Jezui. Ai nuk ngurronte të fliste në mbrojtje të një motre nëse të tjerët e kishin keqkuptuar. Për shembull, Jezui e mbrojti Marinë kur Marta e kritikoi. (Luka 10:38-42) E mbrojti edhe në një rast kur të tjerët e qortuan ngaqë, sipas tyre, kishte marrë një vendim të gabuar. (Mar. 14:3-9) Jezui e dalloi motivin e Marisë dhe e lavdëroi. Madje profetizoi se ‘kudo që të predikohej lajmi i mirë në mbarë botën’, do të kujtohej edhe veprimi dashamirës i asaj gruaje. w20.09 24 ¶15-16
E mërkurë, 16 nëntor
Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj dhe shërbeni si mbikëqyrës, jo me detyrim, por vullnetarisht, siç do Perëndia.—1 Pjet. 5:2.
Një bari i mirë mbante parasysh se një dele mund të humbte. Dhe nëse një dele ikte larg kopesë, bariu nuk e trajtonte ashpër. Të shqyrtojmë shembullin e Jehovait kur ndihmoi disa shërbëtorë të tij, që përkohësisht e humbën rrugën. Profeti Jona ia mbathi nga caktimi i tij. Prapëseprapë, Jehovai nuk hoqi dorë shpejt nga ai. Si një bari i mirë, Jehovai e shpëtoi dhe e ndihmoi të merrte forcën që i nevojitej për të plotësuar caktimin e tij. (Jon. 2:7; 3:1, 2) Më vonë, Perëndia përdori një bimë kungullujësi që ta ndihmonte Jonain të kuptonte sa vlerë ka edhe jeta e një njeriu të vetëm. (Jon. 4:10, 11) Çfarë mësimi nxjerrim? Pleqtë nuk duhet të heqin dorë shpejt nga ata që bëhen joaktivë. Në vend të kësaj, ata përpiqen të kuptojnë arsyen pse një dele u largua nga kopeja. Dhe kur kthehet te Jehovai, pleqtë vazhdojnë të interesohen e të tregojnë dashuri për të. w20.06 20-21 ¶10-12
E enjte, 17 nëntor
Atyre do t’u jepet pak ndihmë.—Dan. 11:34.
Pasi ra Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, shërbëtorët e Perëndisë në atë rajon të paanë gëzuan një periudhë lirie, ose siç thotë Danieli «pak ndihmë». Si rezultat, mund të predikonin lirisht, dhe s’kaloi shumë e numri i lajmëtarëve në ish-bllokun komunist arriti në qindra mijë. Gradualisht, Rusia dhe aleatët e saj u bënë mbreti i veriut. Që të jetë mbreti i veriut ose mbreti i jugut, një qeveri duhet të bëjë tri gjëra: (1) të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te populli i Perëndisë, (2) të tregojë me veprimet e saj se është armike e Jehovait dhe e popullit të tij, dhe (3) të konkurrojë me mbretin rival. Rusia dhe aleatët e saj kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë te populli i Perëndisë, duke ndaluar veprën e predikimit dhe duke përndjekur qindra mijë vëllezër e motra. Këto veprime tregojnë se urrejnë Jehovain dhe popullin e tij dhe kanë qenë në konkurrencë me mbretin e jugut, fuqinë botërore anglo-amerikane. w20.05 12-13 ¶3-4
E premte, 18 nëntor
Kushtoji vëmendje të vazhdueshme . . . mësimdhënies sate.—1 Tim. 4:16.
Përderisa mësimdhënia lidhet me bërjen e dishepujve, duam që mësimdhënia jonë të jetë e cilësisë më të lartë. Ne u mësojmë rregullisht miliona njerëzve të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. I duam shumë të vërtetat që u mësojmë të tjerëve nga Fjala e Perëndisë. E ndoshta na vjen të flasim pa pushim për atë që kemi në zemër. Por, pavarësisht nëse po drejton Studimin e Kullës së Rojës, Studimin e Biblës në Kongregacion apo një studim të Biblës me dikë, drejtuesi nuk duhet të flasë tepër. Që të lejojë të flasë Bibla, një mësues duhet të tregojë vetëkontroll. S’ka nevojë të shpjegojë gjithë sa di për ndonjë temë a varg nga Bibla. (Gjoni 16:12) Krahaso njohurinë që kishe kur u pagëzove me njohurinë që ke tani. Ka shumë të ngjarë që atëherë dije vetëm mësimet themelore të Biblës. (Hebr. 6:1) Të janë dashur vite të tëra për t’i mësuar gjërat që di sot, prandaj mos u përpiq t’ia mësosh çdo gjë njëherësh studentit të ri. w20.10 14-15 ¶2-4
E shtunë, 19 nëntor
Ky është zdrukthëtari, i biri i Marisë.—Mar. 6:3.
Jehovai zgjodhi prindër të shkëlqyer për Jezuin. (Mat. 1:18-23; Luka 1:26-38) Fjalët nga zemra të Marisë që janë ruajtur në Bibël, zbulojnë dashurinë e saj të thellë për Jehovain e për Fjalën e tij. (Luka 1:46-55) Gjithashtu, mënyra si reagoi Jozefi ndaj drejtimit të Jehovait tregon se kishte nderim të thellë për Të dhe donte ta kënaqte. (Mat. 1:24) Është interesante që Jehovai nuk zgjodhi prindër të pasur për Jezuin. Flijimi që paraqitën Jozefi dhe Maria pasi lindi Jezui, tregon se ishin të varfër. (Luka 2:24) Ka të ngjarë që ata bënin jetë të thjeshtë, sidomos ndërsa familja shtohej dhe u bënë të paktën me shtatë fëmijë. (Mat. 13:55, 56) Jehovai e mbrojti Birin e tij nga disa rreziqe, ama nuk e mbrojti nga të gjitha vështirësitë. (Mat. 2:13-15) Për shembull, disa të afërm të Jezuit nuk treguan besim tek ai dhe nuk e pranuan në fillim si Mesia. (Mar. 3:21; Gjoni 7:5) Gjithashtu ka të ngjarë që, kur ishte adoleshent, Jezui të ketë provuar dhimbjen e vdekjes së të atit, Jozefit. w20.10 26-27 ¶4-6
E diel, 20 nëntor
Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.—Hebr. 13:5.
A je ndier ndonjëherë fillikat përballë një vështirësie dhe sikur s’kishe askënd që të të ndihmonte? Shumë veta janë ndier kështu, madje edhe shërbëtorë besnikë të Jehovait. (1 Mbret. 19:14) Po të provosh ndonjëherë ndjenja të tilla, kujto premtimin e Jehovait: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Prandaj mund të thuash plot besim: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.» (Hebr. 13:5, 6) Apostulli Pavël ua shkroi këto fjalë bashkëbesimtarëve në Jude rreth vitit 61 të e.s. Fjalët e tij na kujtojnë ndjenjat e shprehura te Psalmi 118:5-7. Ashtu si psalmisti, Pavli e kishte provuar shumë herë në jetë se Jehovai ishte Ndihma e tij. Për shembull, mbi dy vjet para se t’u shkruante letrën hebrenjve, Pavli kishte bërë një udhëtim të rrezikshëm në një det të stuhishëm. (Vep. 27:4, 15, 20) Gjatë udhëtimit dhe në vitet para tij, Jehovai tregoi në gjithfarë mënyrash se ishte Ndihma e Pavlit. w20.11 12 ¶1-2
E hënë, 21 nëntor
Mos thuaj: «Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin më të mira se të tanishmet?»—Ekl. 7:10.
Pse nuk është e mençur të mendojmë se në të kaluarën jeta jonë ishte më e mirë? Sepse, nga nostalgjia, ka të ngjarë të kujtojmë vetëm gjërat e mira të së kaluarës. Të marrim rastin e izraelitëve të lashtë. Pasi dolën nga Egjipti, e harruan shpejt sa e mundimshme kishte qenë jeta e tyre atje dhe u përqendruan te të mirat që kishin shijuar. Ata thanë: «Ah, ç’i kujtojmë peshqit që hanim për hiçgjë në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat!» (Num. 11:5) Por, a e hanin vërtet «për hiçgjë» atë ushqim? Jo. Çmimi që paguanin ishte i rëndë: në atë kohë, izraelitët shfrytëzoheshin pa mëshirë në Egjipt si skllevër. (Eks. 1:13, 14; 3:6-9) Mirëpo, më vonë i harruan ato mundime dhe kishin mall për të kaluarën. Ata zgjodhën të përqendroheshin te ditët e bukura të së kaluarës, në vend që të përqendroheshin te gjërat e mira që sapo kishte bërë Jehovai për ta. Qëndrimi i tyre nuk i pëlqeu fare Jehovait.—Num. 11:10. w20.11 25 ¶5-6
E martë, 22 nëntor
Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që janë të shkurajuar.—Psal. 34:18, shën.
Hera-herës ndoshta mendojmë sa e shkurtër dhe ‘e mbytur me halle’ është jeta jonë. (Jobi 14:1) Prandaj është e natyrshme që ndonjëherë të shkurajohemi. Kështu u ndien edhe shumë shërbëtorë të Jehovait në të kaluarën, e madje disa donin të vdisnin. (1 Mbret. 19:2-4; Jobi 3:1-3, 11; 7:15, 16) Por Jehovai—Perëndia tek i cili mbështeteshin me besim—u jepte kurdoherë zemër e forcë. Historitë e tyre u ruajtën në Shkrime që të ngushëllohemi dhe të mësojmë nga ata. (Rom. 15:4) Mendo për Jozefin, birin e Jakobit. Papritur ai nuk ishte më biri i shtrenjtë i babait, por një skllav i papërfillshëm i një zyrtari pagan në Egjipt. (Zan. 37:3, 4, 21-28; 39:1) Më pas, gruaja e Potifarit e akuzoi në mënyrë të rreme se ishte përpjekur ta përdhunonte. Pa bërë asnjë hetim për atë akuzë, Potifari e flaku në burg, dhe Jozefi përfundoi në pranga. (Zan. 39:14-20; Psal. 105:17, 18) S’diskutohet që Jozefi kishte arsye të ndihej i shkurajuar. w20.12 16-17 ¶1-4
E mërkurë, 23 nëntor
U shenjtëroftë emri yt!—Mat. 6:9.
Jezui tha se kjo duhet të jetë një nga kërkesat më të rëndësishme në lutjet tona. Por, çfarë kuptimi kanë fjalët e Jezuit? Të shenjtërosh diçka do të thotë ta bësh të shenjtë ose të pastër. Mirëpo disa mund të pyesin: «Përderisa emri i Jehovait është i shenjtë dhe i pastër, pse duhet shenjtëruar?» Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të mendojmë se çfarë përfshin një emër. Një emër nuk është thjesht një fjalë që shqiptohet ose që shkruhet në letër. Vër re çfarë thotë Bibla: «Më mirë të bësh emër të mirë, se pasuri të madhe.» (Prov. 22:1; Ekl. 7:1) Pse ka kaq shumë vlerë një emër? Sepse emri përfshin reputacionin, çfarë mendojnë të tjerët për personin që mban atë emër. Pra ajo që ka më shumë rëndësi, nuk është mënyra si shkruhet a si shqiptohet një emër; ajo që ka vërtet rëndësi, është kë dhe çfarë paraqet ai emër në mendjet e në zemrat e të tjerëve. Kur njerëzit thonë gënjeshtra për Jehovain, sulmojnë reputacionin e tij. E kur sulmojnë reputacionin e tij, përpiqen të njollosin emrin e tij. w20.06 3 ¶5-7
E enjte, 24 nëntor
O Jehova, më ther shpirti, ndaj të pyes: «Deri kur?!»—Psal. 6:3.
Si pasojë e streseve të jetës, mund të na mbytë ankthi. Për shembull, mund të shqetësohemi se mos nuk fitojmë dot aq pará sa të blejmë gjërat e nevojshme; ose mund të kemi frikë se mos sëmuremi dhe nuk shkojmë dot në punë, a madje mbetemi të papunë. Veç kësaj, mund të na stresojë mendimi se mos nuk do të qëndrojmë besnikë para tundimeve për të shkelur ligjet e Perëndisë. E së shpejti, Satanai do t’i shtyjë ata që ka nën kontroll, të sulmojnë popullin e Perëndisë, prandaj mund të jemi në merak si do të reagojmë ndaj atij sulmi. Mbase pyesim veten: «A është e gabuar të shqetësohem për gjëra të tilla?» Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos jini më në ankth.» (Mat. 6:25) Por a do të thotë kjo se ai pret të mos ndiejmë fare ankth? Natyrisht që jo. E dimë se në të kaluarën, disa shërbëtorë besnikë të Jehovait luftonin me ndjenjat e ankthit, por prapë kishin miratimin e Jehovait. (1 Mbret. 19:4) Jezui donte të na qetësonte zemrën. Ai nuk do që të na pushtojë aq shumë ankthi për të siguruar gjërat e nevojshme, sa të lëmë pas dore shërbimin e Perëndisë. w21.01 3 ¶4-5
E premte, 25 nëntor
Kreu i gruas është burri.—1 Kor. 11:3.
Burri i jep llogari Jehovait dhe Jezuit për mënyrën si e trajton familjen. (1 Pjet. 3:7) Si Kreu i familjes së tij universale, Jehovai ka autoritetin të vendosë rregulla për mënyrën si duhet të sillen fëmijët e tij dhe të sigurohet nëse po u binden këtyre rregullave. (Isa. 33:22) Edhe Jezui, si kreu i kongregacionit të krishterë, ka të drejtën të vendosë rregulla e të sigurohet nëse po i respektojmë. (Gal. 6:2; Kolos. 1:18-20) Ashtu si Jehovai dhe Jezui, një kryefamiljar ka autoritetin të marrë vendime për familjen e vet. (Rom. 7:2; Efes. 6:4) Megjithatë, autoriteti i tij ka kufij. Për shembull, rregullat që vendos, duhet të bazohen te parimet e Fjalës së Perëndisë. (Prov. 3:5, 6) Gjithashtu një kryefamiljar nuk ka autoritet të vërë rregulla për ata që nuk janë pjesë e familjes së tij. (Rom. 14:4) Veç kësaj, kur fëmijët rriten e nuk jetojnë më në shtëpi, vazhdojnë ta respektojnë babanë, por nuk janë më nën kryesinë e tij.—Mat. 19:5. w21.02 2-3 ¶3-5
E shtunë, 26 nëntor
Siguron gjërat e nevojshme për të vetët.—1 Tim. 5:8.
Një mënyrë e rëndësishme si e tregon dashurinë për familjen një kryefamiljar, është duke u siguruar gjërat e nevojshme materiale. Sidoqoftë, ai duhet të mbajë parasysh se gjërat materiale nuk ia plotësojnë dot familjes nevojën për t’u afruar me Perëndinë. (Mat. 5:3) Edhe kur po vdiste në shtyllën e torturës, Jezui prapë mendoi për familjen e tij. Me gjithë dhimbjet agonike, Jezui mori masa që Gjoni të kujdesej për Marinë. (Gjoni 19:26, 27) Një vëlla që është kryefamiljar, mund të ketë shumë përgjegjësi me peshë. Ai duhet të përpiqet me të gjitha forcat në punë që sjellja e tij të nderojë Jehovain. (Efes. 6:5, 6; Titit 2:9, 10) Veç kësaj, mund të ketë përgjegjësi në kongregacion, ku shërben si bari dhe merr drejtimin në veprën e predikimit. Ndërkohë është e rëndësishme edhe të studiojë rregullisht Biblën me gruan dhe fëmijët. Ata do t’i çmojnë tej mase përpjekjet e tij për t’i ndihmuar të kenë shëndet të mirë, zemër të gëzuar dhe marrëdhënie të fortë me Jehovain.—Efes. 5:28, 29; 6:4. w21.01 12 ¶15, 17
E diel, 27 nëntor
[Gruaja e zonjë] i mban sytë hapur, që të shohë ç’ndodh në shtëpinë e saj.—Prov. 31:27.
Si e përshkruan rolin e një gruaje të zonjë Fjala e Perëndisë? Ajo mund të mbikëqyrë shtëpinë e saj, mund të blejë e të shesë tokë a prona dhe mund të bëjë biznes. (Prov. 31:15, 16, 18) Gruaja nuk është një skllave që s’ka të drejtë të shprehë mendimin e vet. Përkundrazi, i shoqi ka besim tek ajo dhe ua vë veshin mendimeve të saj. (Prov. 31:11, 26) Kur burri tregon këtë lloj respekti për gruan, ajo do t’i nënshtrohet me kënaqësi. Pavarësisht nga gjërat madhështore që ka arritur, Jezuit nuk i duket poshtëruese t’i nënshtrohet autoritetit të Jehovait. (1 Kor. 15:28; Filip. 2:5, 6) Po njësoj, një gruaje të zonjë që imiton shembullin e Jezuit, nuk i duket poshtëruese t’i nënshtrohet autoritetit të të shoqit. Ajo e mbështet burrin jo vetëm nga dashuria për të, por para së gjithash nga dashuria e respekti për Jehovain. Megjithatë, një grua e nënshtruar nuk do ta mbështetë të shoqin nëse ai i kërkon të shkelë ligjet ose parimet e Biblës. w21.02 11 ¶14-15; 12 ¶19
E hënë, 28 nëntor
Shtrëngimet sjellin qëndrueshmëri.—Rom. 5:3.
Dashuria për Jehovain i ka ndihmuar gjithnjë shërbëtorët e tij të qëndrojnë të fortë përballë përndjekjes. Për shembull, kur gjykata e lartë judaike i urdhëroi apostujt të mos predikonin më, dashuria për Perëndinë i shtyu ‘t’i bindeshin Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve’. (Vep. 5:29; 1 Gjon. 5:3) Edhe sot, kjo dashuri e pathyeshme u jep forcë vëllezërve tanë, shumë prej të cilëve po qëndrojnë të patundur para përndjekjes nga qeveri të fuqishme e mizore. Në vend që të shkurajohemi, e shohim si një privilegj të përballojmë urrejtjen e botës. (Vep. 5:41; Rom. 5:4, 5) Ndoshta një nga sprovat më të vështira që hasim, është kundërshtimi nga njerëzit e shtëpisë. Kur fillojmë të interesohemi për të vërtetën, disa pjesëtarë të familjes mund të mendojnë se po na mashtrojnë. Të tjerë mund të mendojnë se kemi luajtur mendsh. (Krahaso Markun 3:21.) Madje mund të na kundërshtojnë me egërsi. Kjo nuk ka pse të na çuditë. Jezui tha: «Armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.»—Mat. 10:36. w21.03 21 ¶6-7
E martë, 29 nëntor
Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, të mos nxitohet për të folur.—Jak. 1:19.
Kur dikush të fton në studimin e tij të Biblës, dëgjo me vëmendje ndërsa mësuesi bisedon me studentin. Vetëm atëherë do të jesh gati ta ndihmosh nëse lind nevoja. S’do mend, duhet të përdorësh gjykim të mirë. Për shembull, nuk duhet të flasësh tepër, as ta ndërpresësh mësuesin kur shpjegon diçka e as të kalosh në një temë tjetër. Megjithatë, me një koment të shkurtër, ilustrim a pyetje mund të ndihmosh që studenti ta ketë më të qartë një pikë. Ndonjëherë mund të ndihesh sikur nuk ke çfarë të shtosh për atë argument. Por nëse e lavdëron studentin dhe interesohesh për të, do ta ndihmosh shumë të përparojë. Nëse është e përshtatshme, mund t’i tregosh shkurtimisht studentit si e njohe të vërtetën, si përballove një sfidë ose si e ke parë dorën e Jehovait në jetën tënde. (Psal. 78:4, 7) Kjo mund të jetë fiks ajo që ka nevojë të dëgjojë studenti. Mund t’ia forcojë besimin ose mund ta inkurajojë të përparojë drejt pagëzimit. w21.03 10 ¶9-10
E mërkurë, 30 nëntor
Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.—Mat. 28:19.
Kujt i takon merita për çdo sukses që kemi në shërbim? Pavli iu përgjigj kësaj pyetjeje kur shkroi për kongregacionin e Korintit: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdon ta rritë. Prandaj s’është gjë as ai që mbjell, as ai që ujit, por Perëndia që e bën të rritet.» (1 Kor. 3:6, 7) Ashtu si Pavli, duhet t’ia japim gjithnjë meritën Jehovait për çdo sukses që kemi në shërbim. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për privilegjin që jemi «bashkëpunëtorë» të Perëndisë, të Krishtit e të engjëjve? (2 Kor. 6:1) Duke kërkuar plot zell mundësi për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë. Duhet jo vetëm t’i mbjellim farat e së vërtetës, por edhe t’i ujitim ato. Kur dikush tregon interes, duam të bëjmë çmos ta ushqejmë atë interes me synimin për të studiuar Biblën me të. E ndërsa studimi përparon, kënaqemi kur shohim si e ndihmon Jehovai një dishepull të mundshëm të bëjë ndryshime në zemër e në mendje. w20.05 30 ¶14, 16-18