BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es22
  • Tetor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Tetor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
  • Nëntema
  • E shtunë, 1 tetor
  • E diel, 2 tetor
  • E hënë, 3 tetor
  • E martë, 4 tetor
  • E mërkurë, 5 tetor
  • E enjte, 6 tetor
  • E premte, 7 tetor
  • E shtunë, 8 tetor
  • E diel, 9 tetor
  • E hënë, 10 tetor
  • E martë, 11 tetor
  • E mërkurë, 12 tetor
  • E enjte, 13 tetor
  • E premte, 14 tetor
  • E shtunë, 15 tetor
  • E diel, 16 tetor
  • E hënë, 17 tetor
  • E martë, 18 tetor
  • E mërkurë, 19 tetor
  • E enjte, 20 tetor
  • E premte, 21 tetor
  • E shtunë, 22 tetor
  • E diel, 23 tetor
  • E hënë, 24 tetor
  • E martë, 25 tetor
  • E mërkurë, 26 tetor
  • E enjte, 27 tetor
  • E premte, 28 tetor
  • E shtunë, 29 tetor
  • E diel, 30 tetor
  • E hënë, 31 tetor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
es22

Tetor

E shtunë, 1 tetor

«Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë atë?» Por ne kemi mendjen e Krishtit.—1 Kor. 2:16.

Kur arrijmë të njohim Jezuin do të imitojmë mënyrën si mendonte dhe vepronte ai. Sa më shumë të njohim e të imitojmë mënyrën si mendonte Jezui, aq më e fortë do të bëhet miqësia jonë me të. Si mund ta imitojmë Jezuin? Të shohim vetëm një shembull. Jezui mendonte më shumë të ndihmonte të tjerët, sesa të kënaqte veten. (Mat. 20:28; Rom. 15:1-3) Ngaqë mendonte në këtë mënyrë, ai ishte vetësakrifikues dhe i gatshëm të falte. Nuk ofendohej lehtë nga ajo që thoshin njerëzit për të. (Gjoni 1:46, 47) Nuk e shihte dikë sikur kishte ngecur në vend-numëro për shkak të një gabimi të së kaluarës. (1 Tim. 1:12-14) Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Pyete veten: «A po e ndjek shembullin e Jezuit duke bërë gjithë sa kam në dorë për të ruajtur paqen me vëllezërit e motrat?» w20.04 24 ¶11

E diel, 2 tetor

Do të shenjtërojnë emrin tim.—Isa. 29:23.

Ndonëse je i rrethuar nga njerëz që blasfemojnë e shpifin kundër emrit të Jehovait, ke mundësinë të mbrosh të vërtetën—domethënë që Jehovai është i shenjtë, i drejtë, i mirë dhe i dashur. Ti mund të tregosh se dëshiron që Ai të jetë Sovrani yt. Mund t’i ndihmosh të tjerët të kuptojnë se vetëm mënyra si qeveris Jehovai është plotësisht e drejtë dhe vetëm ajo do të sjellë paqe e lumturi për gjithë krijesat. (Psal. 37:9, 37; 146:5, 6, 10) Kur u mësojmë të tjerëve të vërtetat e Biblës, shpesh e vëmë theksin te sovraniteti i Perëndisë, pra që Jehovai ka të drejtën të qeverisë universin, e kjo është absolutisht e vërtetë. Por, edhe pse është e rëndësishme t’u mësojmë ligjet e Perëndisë, synimi ynë kryesor është t’i ndihmojmë të duan Atin tonë, Jehovain, dhe të jenë besnikë ndaj tij. Prandaj duhet t’ua drejtojmë vëmendjen te cilësitë tërheqëse të Atij që mban këtë emër, duke theksuar ç’lloj personi është. (Isa. 63:7) Kur i mësojmë njerëzit në këtë mënyrë, i ndihmojmë ta duan Jehovain dhe t’i binden ngaqë kanë dëshirë të jenë besnikë ndaj tij. w20.06 6 ¶16; 7 ¶19

E hënë, 3 tetor

Kush i dha gojë njeriut? . . . A nuk jam unë, Jehovai?—Eks. 4:11.

Truri i njeriut është projektuar në mënyrë të mahnitshme. Kur ishim në bark të nënës, truri ynë u zhvillua sipas një plani të përcaktuar mirë, dhe çdo minutë formoheshin qindra mijë qeliza të reja nervore. Sipas studiuesve, truri i një të rrituri përmban gati 100 miliardë qeliza që quhen neurone. Këto janë sistemuar në një «pako» që peshon afro 1 kilogram e gjysmë. Një nga aftësitë mbresëlënëse të trurit është të folurit. Për çdo fjalë që themi, trurit i duhet të koordinojë lëvizjen e rreth 100 muskujve në gjuhë, grykë, buzë, nofull dhe kraharor. Që fjalët të kuptohen, të gjithë këta muskuj duhet të lëvizin sipas një radhe precize. Një studim i botuar në vitin 2019 tregoi se foshnjat e sapolindura mund të njohin fjalë të veçanta dhe të reagojnë ndaj tyre. Kjo mbështet atë që besojnë shumë studiues—ne lindim me aftësinë që të dallojmë një gjuhë e ta mësojmë. Pa dyshim, aftësia jonë për të folur është dhuratë nga Perëndia. w20.05 22-23 ¶8-9

E martë, 4 tetor

Ai priste qytetin që ka themele të vërteta, të cilin e projektoi dhe e ndërtoi Perëndia.—Hebr. 11:10.

Abrahami e la me gatishmëri jetën e rehatshme në qytetin e Urit. Pse? Sepse priste «qytetin që ka themele të vërteta». (Hebr. 11:8-10, 16) Qyteti që priste Abrahami është Mbretëria e Perëndisë. Kjo Mbretëri përbëhet nga Jezu Krishti dhe 144.000 të krishterë të mirosur. Pavli e quan Mbretërinë ‘qyteti i Perëndisë së gjallë, Jerusalemi qiellor’. (Hebr. 12:22; Zbul. 5:8-10; 14:1) Jezui i mësoi dishepujt e tij të luten të vijë kjo Mbretëri, që të bëhet vullneti i Perëndisë edhe në tokë, ashtu si në qiell. (Mat. 6:10) A e dinte me hollësi Abrahami se si do të ‘ndërtohej’ Mbretëria e Perëndisë? Jo. Për shumë shekuj, ato hollësi ishin një ‘sekret i shenjtë’. (Efes. 1:8-10; Kolos. 1:26, 27) Gjithsesi, Abrahami dinte se disa pasardhës të tij do të bëheshin mbretër, sepse këtë ia kishte premtuar Jehovai.—Zan. 17:1, 2, 6. w20.08 2-3 ¶2-4

E mërkurë, 5 tetor

Vazhdoni të ecni në unitet me [Zotërinë], të rrënjosur e të ndërtuar në themelin që është Krishti, të palëkundur në besim.—Kolos. 2:6, 7.

Duhet të flakim tej mësimet e apostatëve. Që në fillimet e kongregacionit të krishterë, Djalli ka përdorur shumë mashtrues për të mbjellë dyshime në mendjet e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Prandaj duhet të dimë si t’i dallojmë faktet nga gënjeshtrat. Armiqtë tanë mund të përdorin Internetin ose rrjetet sociale që të na gërryejnë besimin te Jehovai dhe dashurinë për vëllezërit e motrat. Mos harro kush qëndron pas kësaj propagande, dhe flake tej! (1 Gjon. 4:1, 6; Zbul. 12:9) Që t’u bëjmë ballë sulmeve të Satanait, kemi nevojë të forcojmë besimin te Jezui dhe te roli i tij në qëllimin e Perëndisë. Kemi nevojë edhe t’i besojmë ‘skllavit besnik e të mençur’, të vetmit që po përdor Jehovai për të drejtuar organizatën e tij. (Mat. 24:45-47) E forcojmë besimin duke studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë. Kështu besimi ynë do të jetë si një pemë me rrënjë të thella. Pavli theksoi të njëjtën pikë kur shkroi fjalët e shkrimit të sotëm. w20.07 23-24 ¶11-12

E enjte, 6 tetor

Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh në zemër.—1 Sam. 16:7.

Si njerëz të papërsosur, të gjithë kemi prirjen t’i gjykojmë të tjerët nga pamja e jashtme. (Gjoni 7:24) Por ajo që duket, na tregon fare pak për dikë. Ta ilustrojmë: edhe një mjek i zoti e me përvojë nuk mund të mësojë gjithçka thjesht duke e parë pacientin. Ai duhet ta dëgjojë me vëmendje për të mësuar problemet shëndetësore që ka pasur, formimin emocional dhe çfarë simptomash ka. Madje mjeku mund të rekomandojë një radiografi për të parë brenda trupit të pacientit. Po të mos i bëjë këto, mund të japë diagnozën e gabuar. Po njësoj, ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht një bashkëbesimtar vetëm nga ajo që duket. Duhet të përpiqemi të shohim përtej sipërfaqes e të kuptojmë ç’lloj njeriu është. Patjetër, ne nuk mund të lexojmë zemrat. Megjithatë, mund të bëjmë çmos të imitojmë Jehovain. Ai i dëgjon adhuruesit e tij. Gjithashtu mban parasysh rrethanat e tyre dhe çdo gjë që ka ndikuar tek ata. Veç kësaj u tregon dhembshuri. w20.04 14-15 ¶1-3

E premte, 7 tetor

Gjithsecilit prej jush . . . të ketë mendje të shëndoshë.—Rom. 12:3.

Duhet të zhvillojmë përulësi, sepse ata që janë krenarë nuk kanë «mendje të shëndoshë», ose «gjykim të mirë». Njerëzit krenarë ndezin grindje dhe janë egoistë. Me mënyrën si mendojnë e me veprimet e tyre shpesh i hapin plagë vetes dhe të tjerëve. Po të mos e ndryshojnë mënyrën si mendojnë, mendja e tyre do të verbohet nga Satanai dhe do të mendojnë në mënyrë të pamoralshme. (2 Kor. 4:4; 11:3) Njeriu i përulur ka gjykim të mirë. Ai ka një pikëpamje të ekuilibruar e të arsyeshme për veten, se e pranon që të tjerët qëndrojnë më lart se ai në shumë drejtime. (Filip. 2:3) Gjithashtu e di se «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u tregon mirësi të pamerituar të përulurve». (1 Pjet. 5:5) Kush ka gjykim të mirë, nuk dëshiron që Jehovai t’i kundërvihet. Që të mbetemi të përulur, duhet të zbatojmë këshillën e Biblës: «Zhvishni personalitetin e vjetër me zakonet e tij dhe vishni personalitetin e ri.» Kemi nevojë të studiojmë shembullin e Jezuit dhe t’i ndjekim sa më me kujdes gjurmët e tij.—Kolos. 3:9, 10; 1 Pjet. 2:21. w20.07 7 ¶16-17

E shtunë, 8 tetor

Trupi është një, por ka shumë gjymtyrë.—1 Kor. 12:12.

Çfarë privilegji është të jemi pjesë e kongregacionit të Jehovait! Ndërsa adhurojmë Jehovain, jemi në një ambient parajsor mes një populli të lumtur e paqebërës. Po cili është vendi yt në kongregacion? Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin me trupin e njeriut, dhe çdo pjesëtar të tij me pjesët e trupit. (Rom. 12:4-8; 1 Kor. 12:12-27; Efes. 4:16) Një mësimi që nxjerrim nga ilustrimi i Pavlit, është që secili nga ne ka një vend të rëndësishëm në familjen e Jehovait. Pavli e fillon kështu ilustrimin: «Sikurse në trup kemi shumë gjymtyrë dhe jo të gjitha kryejnë të njëjtin funksion, po ashtu edhe ne, ndonëse jemi shumë, jemi një trup i vetëm në unitet me Krishtin dhe secili është gjymtyrë që i përket tjetrit.» (Rom. 12:4, 5) Çfarë donte të thoshte Pavli? Ndërkohë që kemi role të ndryshme në kongregacion, secili nga ne është i çmuar. w20.08 20 ¶1-2; 21 ¶4

E diel, 9 tetor

Jehovai e pyeti: «Në ç’mënyrë?»—1 Mbret. 22:21.

Prindër, si mund ta imitoni përulësinë e Jehovait? Nëse është e përshtatshme, pyete fëmijën cila i duket mënyra më e mirë për të kryer një punë që i ke dhënë. Dhe, po të jetë me vend, lëre ta bëjë punën ashtu siç sugjeroi. Jehovai ka lënë shembull edhe për sa i përket durimit, kur shërbëtorët e vet ngritën pyetje për vendimet e tij. Ai e dëgjoi Abrahamin kur i shprehu shqetësimin për vendimin që Sodoma dhe Gomorra të shkatërrohej. (Zan. 18:22-33) Të mos harrojmë edhe si u soll me gruan e Abrahamit, Sarën. Kur ajo qeshi me premtimin e tij se do të mbetej shtatzënë në moshë të shkuar, Jehovai nuk u ofendua dhe as u inatos. (Zan. 18:10-14) Përkundrazi, e trajtoi me dinjitet Sarën. Prindër dhe pleq, çfarë mund të mësoni nga shembulli i Jehovait? Si reagoni kur ata që janë nën autoritetin tuaj kanë dyshime për vendimet që merrni? A hidheni menjëherë për t’i ndrequr duke mbrojtur vendimin tuaj? Apo përpiqeni të kuptoni pikëpamjen e tyre? Pa dyshim, familjet dhe kongregacionet nxjerrin dobi kur ata që kanë autoritet imitojnë Jehovain. w20.08 10 ¶7-9

E hënë, 10 tetor

Fuqia ime përsoset në dobësi.—2 Kor. 12:9.

Kur filluam të shoqëroheshim me popullin e Jehovait, ndoshta e pranonim me kënaqësi ndihmën e të tjerëve, se e kuptonim që ishim ‘foshnja’ në të vërtetën dhe kishim shumë për të mësuar. (1 Kor. 3:1, 2) Po tani? Nëse po i shërbejmë Jehovait prej vitesh dhe kemi fituar shumë përvojë, mund të mos jemi edhe aq të gatshëm të pranojmë ndihmë. Kjo mund të ndodhë sidomos nëse ai ose ajo që na ofron ndihmë, ka më pak vite në të vërtetën. Megjithatë, shpesh Jehovai përdor vëllezërit e motrat për të na dhënë forcë. (Rom. 1:11, 12) Prandaj, nëse duam të marrim fuqi nga Jehovai, duhet të pranojmë ndihmën e vëllezërve e të motrave. Suksesi nuk varet nga fuqia fizike, arsimimi, pasuria ose prejardhja, por nga përulësia dhe mbështetja te Jehovai. Le të ecim përpara (1) duke u mbështetur te Jehovai, (2) duke mësuar nga shembujt e Biblës dhe (3) duke pranuar ndihmë nga vëllezërit e motrat. Kështu, pavarësisht sa të dobët mund të ndihemi, Jehovai do të na bëjë të fuqishëm! w20.07 14 ¶2; 19 ¶18-19

E martë, 11 tetor

Secili nga ju të jetë i papërtuar si në fillim, . . . e kështu të mos bëheni të plogësht, por të imitoni ata që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.—Hebr. 6:11, 12.

Një rrethanë ku mund ta kemi të vështirë të tregojmë durim është kur u dëshmojmë të afërmve. Për këtë mund të na ndihmojë parimi tek Eklisiastiu 3:1, 7. Aty thuhet: «Ka . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» Ndërkohë që sjellja jonë e mirë mund të japë dëshmi në heshtje, duhet të jemi gjithmonë syçelë për të shfrytëzuar mundësitë që të flasim për të vërtetën. (1 Pjet. 3:1, 2) Teksa predikojmë dhe mësojmë me zell, tregojmë durim me të gjithë njerëzit—duke përfshirë edhe pjesëtarët e familjes. Mund ta mësojmë durimin edhe nga shembujt e besnikëve të lashtësisë dhe të ditëve tona. Habakuku mezi priste të merrte fund ligësia, e megjithatë tha plot besim: «Nga vendroja ime nuk do të lëviz.» (Hab. 2:1) Apostulli Pavël shprehu dëshirën e zjarrtë që ta përfundonte shërbimin. Prapëseprapë, vazhdoi me durim ‘të jepte dëshmi të plotë për lajmin e mirë’.—Vep. 20:24. w20.09 11-12 ¶12-14

E mërkurë, 12 tetor

[Jezui] as që e çoi nëpër mend të merrte diçka që nuk i takonte, domethënë të ishte i barabartë me Perëndinë.—Filip. 2:6.

Jezui, që vjen i dyti pas Jehovait për nga pushteti, nuk mendon për veten më shumë se ç’duhet. Duke imituar Jezuin, shërbëtorët e përulur të Jehovait u tregojnë më shumë dashuri të tjerëve. E kjo dashuri është shenja dalluese e organizatës së Perëndisë. (Luka 9:48; Gjoni 13:35) Po ç’të themi nëse në kongregacion duket se ka ca probleme, dhe ti mendon se nuk po trajtohen siç duhet? Në vend që të ankohesh, mund të tregosh përulësi duke mbështetur ata që marrin drejtimin. (Hebr. 13:17) Që ta arrish këtë, bëji vetes këto pyetje: «A janë problemet që shoh aq serioze sa është e nevojshme të ndreqen? A është kjo koha e duhur për t’i ndrequr? A më takon mua t’i ndreq? A mund të them sinqerisht se po përpiqem të nxit unitetin, apo po përpiqem të reklamoj veten?» Jehovai e vlerëson përulësinë më shumë se aftësitë, dhe unitetin më shumë se efikasitetin. Prandaj bëj çmos t’i shërbesh Jehovait me përulësi. Në këtë mënyrë, do të nxitësh unitetin në kongregacion.—Efes. 4:2, 3. w20.07 4-5 ¶9-11

E enjte, 13 tetor

Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi.»—Mat. 28:10.

Jezui e vlerësonte ndihmën e grave besnike që i shërbenin «duke përdorur pasuritë e tyre». (Luka 8:1-3) Ai u mësoi të vërteta të rëndësishme për vullnetin e Perëndisë. Për shembull, u tregoi se do të vdiste e do të ringjallej. (Luka 24:5-8) Siç kishte bërë edhe me apostujt, i përgatiti ato gra për sprovat që do të hasnin. (Mar. 9:30-32; 10:32-34) Dhe ia vlen të përmendim që, ndërsa apostujt ia mbathën kur Jezuin e arrestuan, disa gra që e kishin mbështetur, i ndenjën pranë kur po vdiste në shtyllën e torturës. (Mat. 26:56; Mar. 15:40, 41) Gratë besnike ishin dëshmitaret e para të ringjalljes së tij. Ai u kërkoi t’u çonin apostujve lajmin se ishte kthyer në jetë. (Mat. 28:5, 9, 10) Gjithashtu, mes atyre që u mbushën me frymë të shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s, mund të kishte edhe gra, dhe të gjithë të pranishmit morën aftësinë e mrekullueshme që të flitnin në gjuhë të huaja dhe t’u tregonin të tjerëve «gjërat madhështore të Perëndisë».—Vep. 1:14; 2:2-4, 11. w20.09 23 ¶11-12

E premte, 14 tetor

Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate.—1 Tim. 4:16.

Vepra e bërjes së dishepujve shpëton jetë! Pse e themi këtë? Sepse kur dha urdhrin e dokumentuar te Mateu 28:19, 20, Jezui tha: «Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i pagëzuar.» Pagëzimi është një kërkesë për shpëtimin. Ai që dëshiron të pagëzohet, duhet të ketë besim se shpëtimi është i mundur vetëm falë vdekjes flijuese dhe ringjalljes së Jezuit. Ja pse apostulli Pjetër u tha bashkëbesimtarëve: «Pagëzimi . . . tani po ju shpëton . . . nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit.» (1 Pjet. 3:21) Pra, kur pagëzohet, një dishepull i ri ka shpresën të shpëtojë e të jetojë përgjithmonë. Që të bëjmë dishepuj, duhet të bëhemi ‘mësues të mirë’. (2 Tim. 4:1, 2) Pse? Sepse Jezui na urdhëroi: «Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar.» Apostulli Pavël na nxit ‘të ngulmojmë’ në këtë vepër, ‘sepse duke e bërë këtë, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë’. w20.10 14 ¶1-2

E shtunë, 15 tetor

Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.—Luka 5:10.

Dishepulli Pjetër mësoi të donte edhe caktimin si peshkatar njerëzish. E me mbështetjen e Jehovait, u bë goxha i zoti në atë vepër. (Vep. 2:14, 41) Ne predikojmë ngaqë e duam Jehovain; ky është motivi kryesor pse e bëjmë këtë vepër. Dashuria për Jehovain mund të na ndihmojë t’u flasim të tjerëve për të edhe nëse ndihemi të pazotë. Kur e ftoi Pjetrin të bëhej peshkatar njerëzish, Jezui i tha: «Mos ki më frikë.» (Luka 5:8-11) Pjetrin nuk e paralizoi frika se ç’mund të ndodhte po të bëhej dishepull. Ai u trondit ngaqë pa sa shumë peshq zunë me ndihmën e Jezuit dhe ndihej i padenjë të punonte përkrah tij. Ashtu si Pjetri, edhe ti mund të ndiesh frikë. Ndoshta të kap ankthi kur mendon se çfarë përfshin të jesh dishepull i Krishtit. Nëse është kështu, forco dashurinë për Jehovain, për Jezuin dhe për njerëzit. Kjo do të të ndihmojë të pranosh ftesën e Jezuit që të bëhesh peshkatar njerëzish.—Mat. 22:37, 39; Gjoni 14:15. w20.09 3 ¶4-5

E diel, 16 tetor

Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar.—Mat. 28:19, 20.

Ne japim me kënaqësi nga koha, energjitë e të ardhurat tona për të gjetur ata që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Në këtë mënyrë ndjekim shembullin e Jezuit, që tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.» (Gjoni 4:34; 17:4) Kjo është edhe dëshira e zemrës sonë: ta çojmë deri në fund veprën që na është besuar. (Gjoni 20:21) Gjithashtu duam që edhe të tjerët—duke përfshirë joaktivët—të tregojnë qëndrueshmëri e ta përfundojmë veprën së bashku. (Mat. 24:13) Kuptohet, nuk është e lehtë ta përmbushim detyrën kolosale që na ka caktuar Jezui. Sidoqoftë, nuk jemi vetëm në këtë vepër. Jezui premtoi se do të ishte me ne. Teksa kryejmë caktimin tonë që të bëjmë dishepuj, jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» dhe shërbejmë «përkrah Krishtit». (1 Kor. 3:9; 2 Kor. 2:17) Prandaj është e mundur ta çojmë deri në fund veprën. Çfarë privilegji e kënaqësie është të përmbushim këtë caktim e të ndihmojmë edhe të tjerët t’ia dalin mbanë!—Filip. 4:13. w20.11 7 ¶19-20

E hënë, 17 tetor

Jezui rritej në shtat e fitonte gjithnjë e më shumë mençuri dhe pëlqimin e Perëndisë e të njerëzve.—Luka 2:52.

Shpesh, zgjedhjet që bëjnë prindërit ndikojnë për një kohë të gjatë te fëmijët. Nëse marrin vendime të gabuara, prindërit mund t’u hapin probleme fëmijëve. Ama nëse marrin vendime të mençura, u çelin rrugën fëmijëve që të kenë një jetë të pasur e të lumtur. Natyrisht që edhe fëmijët duhet të marrin vendime të mira. Vendimi më i shkëlqyer që mund të marrë çdo njeri është t’i shërbejë Atit të dashur qiellor, Jehovait. (Psal. 73:28) Prindërit e Jezuit ishin të vendosur t’i ndihmonin fëmijët t’i shërbenin Jehovait. E me zgjedhjet që bënë, treguan se shërbimi i Jehovait ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre. (Luka 2:40, 41, 52) Edhe Jezui bëri zgjedhje të mençura që e ndihmuan të përmbushte rolin e tij në qëllimin e Jehovait. (Mat. 4:1-10) Kur u rrit, Jezui u bë një burrë i dhembshur, besnik dhe i guximshëm—një bir që do ta bënte krenar dhe do t’ia gëzonte zemrën çdo prindi që do Jehovain. w20.10 26 ¶1-2

E martë, 18 tetor

Sytë e tu duhet të shikojnë drejt përpara.—Prov. 4:25.

Mendo për këta shembuj: një motër e moshuar sjell ndër mend ditët e bukura të së kaluarës. Edhe pse tani jeta e saj është më e vështirë, ajo vazhdon të japë më të mirën për Jehovain. (1 Kor. 15:58) Çdo ditë përfytyron jetën në botën e re me njerëzit e saj të dashur. Një motër tjetër kujton si e lëndoi dikush në kongregacion, por zgjedh të mos ushqejë mëri. (Kolos. 3:13) Një vëllai i kujtohen mirë gabimet që ka bërë në të kaluarën, por tani meraku i tij kryesor është si t’i qëndrojë besnik Jehovait. (Psal. 51:10) Çfarë kanë të përbashkët këta Dëshmitarë? Që të tre e kujtojnë çfarë u ka ndodhur në të kaluarën, por nuk jetojnë me të kaluarën. Përkundrazi, ‘shohin drejt përpara’ nga e ardhmja. Pse është e rëndësishme kjo? Dikush që i mban vazhdimisht sytë pas, nuk mund të ecë në një vijë të drejtë. Po njësoj, nëse i mbajmë vazhdimisht sytë nga e kaluara, nuk mund të ecim përpara në shërbimin e Jehovait.—Luka 9:62. w20.11 24 ¶1-3

E mërkurë, 19 tetor

Iu ngërdhesh gjithë përbuzje.—1 Sam. 17:42.

Goliadit, që ishte luftëtar i fuqishëm, i dukej i dobët Davidi. Tekefundit Goliadi ishte më trupmadh, më i armatosur dhe më i stërvitur për luftë. Kurse Davidi ishte thjesht një djalosh pa përvojë, thuajse i paarmatosur. Por Davidi u mbështet te Jehovai për forcë dhe e mposhti armikun e tij. (1 Sam. 17:41-45, 50) Davidi hasi një sfidë tjetër që mund ta bënte të ndihej i dobët dhe i pafuqishëm. Ai i shërbeu me besnikëri Saulit, që Jehovai e kishte caktuar mbret të Izraelit. Në fillim, mbreti Saul e respektonte Davidin. Por më vonë, krenaria e shtyu të bëhej xheloz për të. Ai e trajtonte keq Davidin, e madje u përpoq ta vriste. (1 Sam. 18:6-9, 29; 19:9-11) Edhe pse mbreti Saul e trajtonte padrejtësisht, Davidi vazhdoi të tregonte respekt për mbretin e caktuar nga Jehovai. (1 Sam. 24:6) Davidi mbështetej te Jehovai që t’i jepte forcën e nevojshme për ta duruar atë sprovë të vështirë.—Psal. 18:1, mbishkrimi. w20.07 17 ¶11-13

E enjte, 20 tetor

Në kohën e fundit, mbreti i jugut dhe mbreti i veriut do të shtyjnë njëri-tjetrin.—Dan. 11:40.

Pjesa më e madhe e kësaj profecie për mbretin e veriut dhe mbretin e jugut është plotësuar, prandaj mund të jemi të sigurt se edhe pjesa tjetër do të bëhet realitet. Për ta kuptuar profecinë e kapitullit 11 të Danielit, duhet të mbajmë në mendje se ajo flet vetëm për sundimtarë dhe qeveri që kanë ndikuar drejtpërdrejt te populli i Perëndisë. Dhe ndonëse shërbëtorët e Perëndisë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së botës, ata kanë qenë shënjestra e këtyre qeverive. Pse? Sepse Satanai dhe tërë sistemi i tij kanë një synim kryesor—të mposhtin ata që i shërbejnë Jehovait dhe Jezuit. (Zan. 3:15; Zbul. 11:7; 12:17) Veç kësaj, profecia që shkroi Danieli duhet të jetë në harmoni me profecitë e tjera të Fjalës së Perëndisë. Në fakt, profecinë e Danielit mund ta kuptojmë saktë vetëm nëse e krahasojmë me pjesë të tjera të Shkrimeve. w20.05 2 ¶1-2

E premte, 21 tetor

Si do të ringjallen të vdekurit? Ç’lloj trupi do të kenë?—1 Kor. 15:35.

Sot shumë veta kanë pikëpamjet e tyre se çfarë ndodh pasi dikush vdes. Por çfarë mëson Fjala e Perëndisë? Kur dikush vdes, trupi i tij dekompozohet. Por Ai që krijoi krejt universin është në gjendje ta ringjallë e t’i japë një trup të përshtatshëm. (Zan. 1:1; 2:7) Pavli përdori një ilustrim për të treguar se nuk ka nevojë që Perëndia ta kthejë në jetë dikë me të njëjtin trup. Mendo për «një farë». Ajo mbillet në dhé, mbin dhe del një bimë e re, e cila është krejt ndryshe nga fara e vogël. Pavli e përdori këtë krahasim për të treguar se Krijuesi ynë mund të sigurojë «një trup ashtu si do ai». Veç kësaj, Pavli tha: «Ka edhe trupa qiellorë, edhe trupa tokësorë.» Ç’donte të thoshte? Ne në tokë kemi trup prej mishi e gjaku, kurse ata që jetojnë në qiell kanë një lloj tjetër trupi, si ai i engjëjve.—1 Kor. 15:36-41. w20.12 9-10 ¶7-9

E shtunë, 22 tetor

Deri kur do të ma mbytë shpirtin ky ankth, kjo brengë që zemrën çdo ditë ma mundon?—Psal. 13:2.

Të gjithë duam një jetë të qetë e me paqe. Askujt nuk i pëlqen të ndihet në ankth. Por hera-herës ndoshta luftojmë me ndjenjat e ankthit dhe bëjmë të njëjtën pyetje ai mbreti David në shkrimin e sotëm. Ndoshta disa nga gjërat që na shkaktojnë ankth, i kemi pak ose aspak nën kontroll. Për shembull, nuk e kemi në dorë se sa do të rritet çdo vit kostoja e ushqimit, veshjeve dhe strehimit. Nuk kemi nën kontroll as qëndrimin e shokëve të punës a të shkollës që mund të na tundojnë të tregohemi të pandershëm ose të bëjmë imoralitet. Gjithashtu, nuk mund t’i ndalim krimet që ndodhin në zonën tonë. Këto probleme i hasim ngaqë jetojmë në një botë ku mënyra si mendon shumica, nuk bazohet te parimet e Biblës. Satanai, perëndia i këtij sistemi, e di mirë se disa njerëz do të lejojnë që «ankthet e kësaj bote» t’u bëhen pengesë për t’i shërbyer Jehovait. (Mat. 13:22; 1 Gjon. 5:19) Prandaj nuk habitemi që kjo botë është plot me probleme që janë burim ankthi! w21.01 2 ¶1, 3

E diel, 23 tetor

Ai që urren vëllanë e vet, është vrasës, dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet shpresa e jetës së përhershme.—1 Gjon. 3:15.

Apostulli Gjon na nxit të bëjmë kujdes të mos i urrejmë vëllezërit e motrat. Po të mos ia vëmë veshin kësaj këshille, do të bëhemi pre e lehtë e manipulimeve të Satanait. (1 Gjon. 2:11) Kështu ndodhi me disa në fund të shekullit të parë të e.s. Satanai po bënte të pamundurën që të mbillte urrejtje dhe përçarje mes popullit të Perëndisë. Në kohën kur Gjoni shkroi letrat e tij, në kongregacion kishin hyrë tinëz disa që shfaqnin frymën e Satanait. Për shembull, Diotrefi po shkaktonte përçarje të rrezikshme në një kongregacion. (3 Gjon. 9, 10) Ai i trajtonte pa respekt përfaqësuesit udhëtues të trupit udhëheqës. Madje mundohej të flakte jashtë kongregacionit ata që mirëpritnin personat që i kishte zët. Çfarë arrogance! Sot Satanai po përdor në gjithfarë mënyrash taktikën «përça e sundo» kundër popullit të Perëndisë. Mos e lejofshim kurrë të mbjellë urrejtje e përçarje mes nesh! w21.01 11 ¶14

E hënë, 24 tetor

Pasi të kenë mbaruar me dëshminë, bisha . . . do të luftojë kundër tyre, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.—Zbul. 11:7.

Në Luftën I Botërore, edhe qeveria e Gjermanisë edhe qeveria e Britanisë përndoqën ata shërbëtorë të Perëndisë që nuk pranonin të merrnin armët. Përveç kësaj, në përmbushje të profecisë së Zbulesës 11:7-10, qeveria e SHBA-së hodhi në burg ata që merrnin drejtimin në veprën e predikimit. Më pas, në vitet 30 dhe sidomos gjatë Luftës II Botërore, mbreti i veriut sulmoi egërsisht popullin e Perëndisë. Hitleri dhe pasuesit e tij e ndaluan veprën e popullit të Perëndisë. Kundërshtarët vranë qindra shërbëtorë të Jehovait dhe mijëra të tjerë i futën në kampe përqendrimi. Mbreti i veriut e kufizoi në masë ekstreme lirinë e shërbëtorëve të Perëndisë për të lëvduar publikisht emrin e Jehovait, e kështu ‘përdhosi shenjtëroren’ dhe ‘hoqi flijimin e vazhdueshëm’. (Dan. 11:30b, 31a) Madje udhëheqësi i Gjermanisë naziste, Hitleri, u betua se do ta shfaroste popullin e Perëndisë në Gjermani. w20.05 6 ¶12-13

E martë, 25 tetor

Kini dashuri vëllazërore dhe përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin. Jini të parët për të nderuar njëri-tjetrin.—Rom. 12:10.

Kur tregojmë përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin, mbrojmë kongregacionin nga fryma e konkurrencës. Kujto se Jonatani nuk u përpoq të konkurronte me Davidin duke e parë si rival për fronin. (1 Sam. 20:42) Secili nga ne mund ta imitojë shembullin e Jonatanit. Mos i shih si rivalë bashkadhuruesit për shkak të aftësive të tyre, ‘por me përulësi konsideroji të tjerët më të lartë se veten’. (Filip. 2:3) Mos harro se gjithsecili jep një ndihmë të çmuar në kongregacion. Kur mbajmë një pikëpamje të përulur për veten, arrijmë të shohim cilësitë e bukura te vëllezërit e motrat dhe të imitojmë besnikërinë e shembullin e tyre. (1 Kor. 12:21-25) Kur tregojmë përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin, forcojmë unitetin mes popullit të Perëndisë. Tregojmë se jemi dishepuj të Jezuit, e kjo i tërheq njerëzit me zemër të sinqertë drejt adhurimit të vërtetë. Mbi të gjitha, kënaqim ‘Atin e mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndinë e çdo ngushëllimi’, Jehovain.—2 Kor. 1:3. w21.01 24 ¶14; 25 ¶16

E mërkurë, 26 tetor

Ju nuk jeni pjesë e botës, . . . prandaj bota ju urren.—Gjoni 15:19.

Sot, si shërbëtorë të Jehovait, na shohin ndonjëherë me përbuzje dhe na tallin duke na quajtur injorantë e të dobët. Pse? Sepse nuk pajtohemi me qëndrimet e njerëzve përreth. Ne përpiqemi të jemi të përulur, të butë dhe të bindur. Kurse bota admiron njerëzit krenarë, arrogantë dhe rebelë. Përveç kësaj, nuk përzihemi në politikë e as bëhemi pjesë e ushtrisë së ndonjë vendi. Meqë nuk modelohemi sipas kallëpit të botës, na shohin si inferiorë. (Rom. 12:2) Pavarësisht se ç’mendon bota për ne, Jehovai po na përdor për të arritur gjëra madhështore. Ai po kryen fushatën më të madhe të predikimit në historinë njerëzore. Sot, shërbëtorët e tij botojnë revistat më të përkthyera e më të përhapura në botë dhe përdorin Biblën për të ndihmuar miliona njerëz që të përmirësojnë jetën. E gjithë merita për këto arritje të pashoqe i takon Jehovait. w20.07 15 ¶5-6

E enjte, 27 tetor

Po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar.—Gjoni 14:31.

Jezui i nënshtrohet autoritetit të Jehovait, por patjetër nuk e bën këtë ngaqë s’ka mjaft zgjuarsi ose aftësi. Vetëm një njeri tepër i zgjuar mund të mësonte aq thjesht dhe aq qartë sa Jezui. (Gjoni 7:45, 46) Jehovai i vlerësonte aq shumë aftësitë e Jezuit, sa e lejoi të punonte përkrah tij kur krijoi universin. (Prov. 8:30; Hebr. 1:2-4) Gjithashtu pas ringjalljes, Jehovai i dha Jezuit «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». (Mat. 28:18) Edhe pse është shumë i talentuar, Jezui prapë mbështetet për drejtim te Jehovai. Pse? Sepse e do Atin e tij. Burrat duhet të dinë se, arsyeja pse Jehovai e vendosi parimin e kryesisë në familje nuk është se i sheh gratë si inferiore karshi burrave. Kjo duket qartë nga fakti që ai ka zgjedhur qoftë gra, qoftë burra për të mbretëruar me Jezuin. (Gal. 3:26-29) Jehovai ka treguar besim te Biri i tij duke i dhënë autoritet. Po njësoj, një burrë i mençur i jep gruas së vet njëfarë autoriteti. w21.02 11 ¶13-14

E premte, 28 tetor

Ne i konsiderojmë të lumtur ata që treguan qëndrueshmëri.—Jak. 5:11.

Fjala e Perëndisë shërben si pasqyrë, pasi na ndihmon të dallojmë ku duhet të punojmë dhe si ta bëjmë këtë. (Jak. 1:23-25) Për shembull, pasi studiojmë Fjalën e Perëndisë, mund të kuptojmë se kemi nevojë të mbajmë nën kontroll temperamentin. Me ndihmën e Jehovait, mësojmë si të jemi zemërbutë kur kemi të bëjmë me njerëz a probleme që mund të na acarojnë. Jemi në gjendje të mendojmë më me kthjelltësi dhe të marrim vendime më të mençura. (Jak. 3:13) Sa e rëndësishme është, pra, ta njohim mirë Biblën! Ndonjëherë mësojmë çfarë të shmangim vetëm pasi gabojmë. Por në vend që të mësojmë duke e pësuar, të mësojmë nga sukseset dhe gabimet e të tjerëve. Ja pse Jakovi na nxit të mendojmë për shembujt nga Bibla, si Abrahami, Rahaba, Jobi dhe Elija. (Jak. 2:21-26; 5:10, 11, 17, 18) Këta shërbëtorë besnikë të Jehovait ia dolën të përballonin sprova që mund t’ua grabitnin gëzimin. Qëndrueshmëria e tyre tregon se me ndihmën e Jehovait, edhe ne mund t’ia dalim. w21.02 29-30 ¶12-13

E shtunë, 29 tetor

Kur konsultohesh, planet realizohen me sukses, prandaj luftën bëje nën udhëheqje të mençur.—Prov. 20:18.

Gjatë studimit, përgjegjësinë kryesore për ta ndihmuar studentin të kuptojë Fjalën e Perëndisë e ka mësuesi. Nëse ai të fton ta shoqërosh në studim, duhet ta shohësh veten si bashkëpunëtorin e tij dhe duhet ta mbështetësh. (Ekl. 4:9, 10) Por, çfarë mund të bësh konkretisht që ta ndihmosh gjatë studimit? Përgatitu për studimin. Në fillim kërkoji mësuesit të të thotë ndonjë gjë për studentin. Mund ta pyesësh: «A më tregon diçka për studentin? Cilin mësim po studioni? Çfarë ke dëshirë t’i theksosh në këtë mësim? A ka diçka që nuk duhet të bëj ose të them gjatë studimit? Si mund ta inkurajoj studentin të përparojë?» Kuptohet, mësuesi nuk do të të tregojë informacione konfidenciale për studentin, por ato që do të të thotë, mund të të ndihmojnë ta mbështetësh. Një misionare që quhet Xhoi, thotë: «Këto biseda e ndihmojnë shoqen ose shokun e shërbimit të interesohet sinqerisht për studentin dhe të dijë si të më mbështetë gjatë studimit.» w21.03 9 ¶5-6

E diel, 30 tetor

Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua.—Gjoni 15:18.

Ndonjëherë bota na urren ngaqë jetojmë sipas normave të drejta të Perëndisë. Normat e tij ndryshojnë si dita me natën nga morali i degraduar i botës. Për shembull, sot shumë veta miratojnë haptas sjellje imorale të rënda si ato për të cilat Perëndia shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën. (Jud. 7) Ngaqë u bindemi normave të Biblës për sjellje të tilla, shumë veta na tallin dhe na quajnë jotolerantë. (1 Pjet. 4:3, 4) Çfarë mund të na japë forcë kur njerëzit na urrejnë e na ofendojnë? Na nevojitet besim i patundur se Jehovai do të na ndihmojë. Si një mburojë, besimi ynë mund ‘të shuajë të gjitha shigjetat e zjarrta të të Ligut’. (Efes. 6:16) Por besimi nuk mjafton. Kemi nevojë edhe për dashuri. Pse? Sepse dashuria «nuk provokohet». Ajo mban dhe i bën ballë çdo gjëje që na hap plagë. (1 Kor. 13:4-7, 13) Dashuria për Jehovain, dashuria për vëllezërit e motrat, e madje edhe dashuria për armiqtë na ndihmojnë t’i bëjmë ballë urrejtjes. w21.03 20-21 ¶3-4

E hënë, 31 tetor

Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të të marrëve.—Ekl. 7:9.

Ndonjëherë e tregojmë dashurinë për vëllezërit e motrat me atë që nuk bëjmë. Për shembull, nuk ofendohemi shpejt nga ndonjë fjalë që thonë. Të mendojmë për diçka që ndodhi nga fundi i jetës së Jezuit në tokë. Ai u tha dishepujve se, që të jetonin përgjithmonë, duhej të ushqeheshin me mishin e tij dhe të pinin gjakun e tij. (Gjoni 6:53-57) Shumë dishepujve iu dukën aq skandaloze fjalët e Jezuit, sa e braktisën—ama miqtë e vërtetë, nuk vepruan ashtu. Me besnikëri ata qëndruan me Jezuin. Vërtet nuk e kuptuan atë që tha dhe ka shumë gjasa që i çuditën ato fjalë. Megjithatë, miqtë besnikë të Jezuit nuk menduan se tha diçka të gabuar dhe nuk u ofenduan nga fjalët e tij. Përkundrazi, patën besim te Jezui, se ishin të sigurt që tha të vërtetën. (Gjoni 6:60, 66-69) Sa e rëndësishme është që të mos ofendohemi kollaj nga ajo që thonë miqtë tanë! Në vend të kësaj, nëse i kemi keqkuptuar, duam t’u krijojmë mundësi të sqarohen ku e kishin fjalën.—Prov. 18:13. w21.01 11 ¶13

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo