BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es22
  • Shtator

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shtator
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
  • Nëntema
  • E enjte, 1 shtator
  • E premte, 2 shtator
  • E shtunë, 3 shtator
  • E diel, 4 shtator
  • E hënë, 5 shtator
  • E martë, 6 shtator
  • E mërkurë, 7 shtator
  • E enjte, 8 shtator
  • E premte, 9 shtator
  • E shtunë, 10 shtator
  • E diel, 11 shtator
  • E hënë, 12 shtator
  • E martë, 13 shtator
  • E mërkurë, 14 shtator
  • E enjte, 15 shtator
  • E premte, 16 shtator
  • E shtunë, 17 shtator
  • E diel, 18 shtator
  • E hënë, 19 shtator
  • E martë, 20 shtator
  • E mërkurë, 21 shtator
  • E enjte, 22 shtator
  • E premte, 23 shtator
  • E shtunë, 24 shtator
  • E diel, 25 shtator
  • E hënë, 26 shtator
  • E martë, 27 shtator
  • E mërkurë, 28 shtator
  • E enjte, 29 shtator
  • E premte, 30 shtator
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
es22

Shtator

E enjte, 1 shtator

Pas kësaj do të derdh frymën time mbi çdo njeri.—Joe. 2:28.

Pjetri i ndryshoi pak fjalët e profecisë së Joelit kur e citoi. (Vep. 2:16, 17) Në vend që ta fillonte citimin me fjalët «pas kësaj», Pjetri tha «në ditët e fundit». Në këtë kontekst, ai e kishte fjalën për ditët e fundit të sistemit judaik, kur fryma e Perëndisë do të derdhej «mbi çdo njeri». Kjo tregon se profecia që gjendet te Joeli 2:28, 29, u plotësua goxha kohë pas kthimit të izraelitëve nga mërgimi. Pas asaj ngjarjeje mbresëlënëse në shekullin e parë kur Perëndia derdhi frymën e tij, vepra e predikimit filloi të përparonte me hapa viganë. Kur u shkroi letrën kolosianëve rreth vitit 61 të e.s., apostulli Pavël mund të thoshte se lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Shprehja ‘gjithë krijesat’ nënkuptonte botën që njihej në kohën e Pavlit. Me ndihmën e frymës së fuqishme të Jehovait, vepra e predikimit në kohën tonë është përhapur shumë më tepër, «deri në skajet e tokës»!—Vep. 13:47. w20.04 6-7 ¶15-16

E premte, 2 shtator

Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.—Ezek. 34:11.

Jehovai e do secilin prej nesh, përfshirë çfarëdo dele që është endur larg kopesë së tij. (Mat. 18:12-14) Perëndia premtoi se do t’i kërkonte delet e tij të humbura dhe do t’i ndihmonte të kishin përsëri një marrëdhënie të mirë me të. Gjithashtu tregoi çfarë hapash do të bënte, tamam si hapat që bënte një bari në Izrael po t’i mungonte një dele. (Ezek. 34:12-16.) Së pari, bariu e kërkonte delen, dhe për këtë mund t’i duhej shumë kohë dhe përpjekje. Pastaj, me ta gjetur, bariu e kthente delen e humbur te kopeja. Përveç kësaj, nëse ajo ishte e plagosur ose e uritur, bariu e ndihmonte me dashuri delen e dobët duke ia fashuar plagët, duke e mbajtur në krahë dhe duke e ushqyer. Pleqtë, barinjtë e ‘kopesë së Perëndisë’, duhet të bëjnë të njëjtët hapa për të ndihmuar dikë që ka humbur rrugën e është larguar nga kongregacioni. (1 Pjet. 5:2, 3) Pleqtë e kërkojnë, e ndihmojnë të kthehet te kopeja dhe i tregojnë dashuri duke i siguruar ndihmën e nevojshme që të bëhet prapë mik me Jehovain. w20.06 20 ¶10

E shtunë, 3 shtator

Arat . . . janë gati për korrje.—Gjoni 4:35.

A tha Jezui se arat ishin gati për korrje ngaqë priste që shumica të bëheshin dishepuj të tij? Aspak. Shkrimet e kishin parathënë se relativisht pak veta do të tregonin besim tek ai. (Gjoni 12:37, 38) Veç kësaj, Jezui kishte aftësinë e mrekullueshme të lexonte zemrat. (Mat. 9:4) Gjithsesi, u përqendrua tek ata pak veta që do të besonin dhe i predikonte me zell çdo njeriu. Sa më shumë kemi nevojë t’i rezistojmë prirjes për të gjykuar një territor a individ ne që nuk i lexojmë dot zemrat! Në vend të kësaj, duhet të shohim potencialin e njerëzve për t’u bërë dishepuj. Të mos harrojmë çfarë u tha Jezui dishepujve të tij: arat janë gati për korrje. Njerëzit mund të ndryshojnë e të bëhen dishepuj të Krishtit. Jehovai i sheh këta dishepuj të mundshëm si ‘thesare’. (Hag. 2:7) Nëse i shohim njerëzit ashtu si Jehovai dhe Jezui, do të përpiqemi të kuptojmë formimin e tyre, prejardhjen dhe çfarë u intereson. Nuk do t’i shohim me sy negativ, por si vëllezër e motra të ardhshëm. w20.04 13 ¶18-19

E diel, 4 shtator

Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.—Gjoni 15:15.

Fjala e Perëndisë na tregon qartë se, për të kënaqur Jehovain, duhet të duam Jezuin e ta ruajmë dashurinë për të. Një gjë që na ndihmon të jemi miq me Jezuin është ta njohim më mirë. Mund ta njohim Jezuin duke lexuar librat e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Ndërsa meditojmë rreth këtyre tregimeve për jetën e Jezuit, na shtohet dashuria dhe respekti për Jezuin ngaqë shohim me sa dashuri i trajtonte njerëzit. Për shembull, edhe pse ishte Zotëria i tyre, ai nuk i trajtonte dishepujt si skllevër. Përkundrazi, u hapej për mendimet dhe ndjenjat e veta. Jezui e ndiente dhembjen e tyre dhe qante me ta kur ishin të dëshpëruar. (Gjoni 11:32-36) Madje edhe armiqtë e tij e shihnin se Jezui bëhej mik me ata që e pranonin mesazhin e tij. (Mat. 11:19) Kur imitojmë mënyrën si i trajtonte Jezui dishepujt, marrëdhëniet tona me të tjerët përmirësohen, ndihemi më të kënaqur dhe e vlerësojmë më shumë Krishtin. w20.04 22 ¶9-10

E hënë, 5 shtator

Mbreti i jugut do të përgatitet për luftë me një ushtri tejet të madhe e të fuqishme.—Dan. 11:25.

Në vitin 1870, Britania ishte bërë perandoria më e madhe në botë dhe kishte ushtrinë më të fuqishme. Në profeci, ajo perandori paraqitej si një bri i vogël që mposhti tre brirë të tjerë—Francën, Spanjën dhe Holandën. (Dan. 7:7, 8) Britania luajti rolin e mbretit të jugut deri në vitin 1917. Në të njëjtën periudhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin bërë vendi më i pasur në botë dhe filluan të bashkëpunonin ngushtë me Britaninë. Gjatë Luftës I Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Britania formuan një aleancë të fuqishme ushtarake. Kështu, në atë kohë Britania dhe ish-kolonia e saj u bënë fuqia botërore anglo-amerikane. Siç paratha Danieli, ky mbret kishte «një ushtri tejet të madhe e të fuqishme». Që nga ajo kohë e gjatë gjithë ditëve të fundit, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, pra aleanca anglo-amerikane, kanë qenë mbreti i jugut. w20.05 4 ¶7-8

E martë, 6 shtator

Lumenjtë . . . kthehen në vendin ku burojnë.—Ekl. 1:7.

Uji ekziston në formë të lëngët në tokë, ngaqë planeti ynë ndodhet fiks në largësinë e duhur nga dielli. Nëse do të ishte pakëz më afër, i gjithë uji do të avullonte, dhe toka do të bëhej një vend i zhuritur e pa jetë. Nëse do të ishte pakëz më larg diellit, i gjithë uji do të ngrinte, dhe toka do të bëhej një glob gjigant prej akulli. Por, ngaqë Jehovai e ka vendosur tokën në pozicionin ideal, cikli i ujit bën të mundur që në tokë të ketë jetë. Dielli ngroh ujin në oqeane, liqene e lumenj, dhe nga avulli i formuar krijohen retë. Çdo vit, nga nxehtësia e diellit avullojnë gati 500.000 kilometra kub ujë. Ky ujë qëndron në atmosferë afro dhjetë ditë e pastaj bie në formën e shiut ose të borës. Në fund, uji kthehet në oqeane, liqene e lumenj dhe cikli përsëritet nga e para. Ky cikël që funksionon për bukuri e nuk dëmton ambientin, tregon se Jehovai është i mençur e i fuqishëm.—Jobi 36:27, 28. w20.05 22 ¶6

E mërkurë, 7 shtator

Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi.—Vep. 1:8.

Jezui na nxiti të lutemi pareshtur për frymën e shenjtë. (Luka 11:9, 13) Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai na jep fuqi—madje ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Me ndihmën e frymës së Perëndisë, mund t’i bëjmë ballë çdo sprove që hasim. Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë të kryejmë caktimet tona në shërbim të Perëndisë dhe mund të përmirësojë aftësitë dhe talentet që kemi. Me plot gojën mund të themi se rezultatet e mira të përpjekjeve tona nuk janë merita jonë. Ato vijnë nga ndihma që na jep fryma e Perëndisë. Mund të tregojmë se e vlerësojmë frymën e shenjtë të Perëndisë duke u lutur që ajo të na ndihmojë të pikasim ndonjë mendim ose dëshirë të gabuar në zemër. (Psal. 139:23, 24) Nëse lutemi për këtë, Jehovai nëpërmjet frymës së tij, mund të na ndihmojë të dallojmë mendimet ose prirjet e gabuara. Atëherë, duhet të lutemi që fryma e Perëndisë të na japë forcë t’i rezistojmë këtij mendimi a dëshire. Kështu do të tregojmë se jemi të vendosur të mos bëjmë diçka si pasojë e së cilës Jehovai nuk do të na mbështeste më me frymën e tij të shenjtë.—Efes. 4:30. w20.05 28-29 ¶10-12

E enjte, 8 shtator

Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.—Gjoni 17:26.

Kur mbrojmë emrin e Jehovait, imitojmë shembullin e Jezu Krishtit. Jezui e bëri të njohur emrin e Atit të tij jo vetëm duke e përdorur atë emër, por edhe duke mbrojtur reputacionin e Jehovait. Për shembull, ai tregoi sa gabim e kishin farisenjtë që, në lloj-lloj mënyrash, e paraqitnin Jehovain si një person që zor se kënaqet, të ashpër, të ftohtë e të pamëshirshëm. Jezui i ndihmoi njerëzit ta shihnin Atin e tij siç është vërtet: i duruar, i arsyeshëm, i dashur e i gatshëm të falë. Gjithashtu i ndihmoi ta njihnin Jehovain duke pasqyruar në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij në jetën e përditshme. (Gjoni 14:9) Ashtu si Jezui, mund t’u tregojmë të tjerëve ato që dimë për Jehovain dhe t’u mësojmë çfarë Perëndie i dashur e i mirë është. Kur e bëjmë këtë, hedhim poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet për Jehovain. E shenjtërojmë emrin e Jehovait duke i ndihmuar njerëzit ta kenë të shenjtë këtë emër në mendje e në zemër. Me fjalët dhe veprimet tona u tregojmë të tjerëve si është në të vërtetë Jehovai. E shfajësojmë këtë emër duke i ndihmuar njerëzit të heqin idetë e gabuara që mund të kenë për të. w20.06 6 ¶17-18

E premte, 9 shtator

Të mos jemi egoistë, të mos ngjallim konkurrencë mes nesh e të mos kemi zili njëri-tjetrin.—Gal. 5:26.

Rrjetet sociale mund të përdoren për një qëllim të mirë, si për shembull, për të komunikuar me familjen dhe miqtë. Megjithatë, a e ke vërejtur se disa postime në rrjetet sociale bëhen me synimin për të reklamuar veten? «Më shikoni mua»,—duket sikur thonë. Disa madje postojnë komente ofenduese e të ndyra për fotot e veta ose të të tjerëve. Shërbëtorët e Perëndisë nxiten të jenë të përulur e të kenë empati, prandaj nuk do t’i përdornin kurrsesi në këtë mënyrë rrjetet sociale. (1 Pjet. 3:8) Nëse përdor rrjetet sociale, pyet veten: «Mos ndoshta komentet, fotot ose videot që postoj, u japin të tjerëve përshtypjen se po mburrem? Mos po u ngjall xhelozi të tjerëve?» Shërbëtorët e Perëndisë nuk kanë nevojë të duken si të rëndësishëm ose të admirohen nga të tjerët. Ata ndjekin këshillën e Biblës që gjejmë në shkrimin e sotëm. Përulësia do të na ndihmojë të mos infektohemi nga fryma e njerëzve të botës që janë krenarë dhe duan të bien në sy.—1 Gjon. 2:16. w20.07 6 ¶14-15

E shtunë, 10 shtator

Më parë isha blasfemues, përndjekës dhe arrogant. Megjithatë m’u tregua mëshirë, sepse veproja nga padija.—1 Tim. 1:13.

Para se të bëhej i krishterë, apostulli Pavël ishte një i ri arrogant që përndiqte dishepujt e Jezuit. (Vep. 7:58) Vetë Jezui ndërhyri për ta penguar Pavlin, i njohur atëherë me emrin Saul, që të mos e sulmonte më kongregacionin e krishterë. Ai i foli nga qielli dhe e verboi. Për të rifituar shikimin, Pavli u detyrua të kërkonte ndihmën e atyre që kishte përndjekur. Ai pranoi me përulësi ndihmë nga një apostull që quhej Anania, i cili i ktheu shikimin. (Vep. 9:3-9, 17, 18) Më vonë, Pavli u bë një pjesëtar i mirënjohur i kongregacionit të krishterë, por nuk e harroi kurrë atë që i mësoi Jezui rrugës për në Damask. Ai vazhdoi të ishte i përulur dhe të pranonte me gatishmëri ndihmën e vëllezërve e të motrave. Pavli u shpreh se ata ishin «një ndihmë fuqizuese» për të.—Kolos. 4:10, 11, shën. w20.07 18-19 ¶16-17

E diel, 11 shtator

Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë Mbretërinë.—Luka 12:32.

Ndonëse është i plotfuqishëm, Jehovai u beson autoritet të tjerëve. Për shembull, ai emëroi Jezuin si Mbret të Mbretërisë e u dha autoritet 144.000 njerëzve që do të qeverisin me Jezuin. S’ka dyshim se Jehovai e stërviti Jezuin për të qenë Mbret dhe Kryeprift. (Hebr. 5:8, 9) Edhe ata që do të mbretërojnë me Jezuin, i stërvit që të kryejnë caktimin e tyre, ama nuk do të kontrollojë me imtësi si do ta përmbushin atë caktim. Përkundrazi, ka besim se ata do të bëjnë vullnetin e tij. (Zbul. 5:10) Nëse Ati ynë qiellor—që nuk ka nevojë për ndihmë nga askush—u beson autoritet të tjerëve, aq më shumë duhet ta bëjmë ne këtë! Për shembull, a je kryefamiljar ose plak në kongregacion? Nëse po, ndiq shembullin e Jehovait duke u besuar detyra të tjerëve dhe duke i rezistuar prirjes për t’u ndenjur mbi kokë që t’i kontrollosh si e bëjnë punën. Kur imiton Jehovain, jo vetëm që puna do të bëhet, por edhe do të stërvitësh të tjerët e do t’i ndihmosh të fitojnë më shumë siguri.—Isa. 41:10. w20.08 9 ¶5-6

E hënë, 12 shtator

Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë ata që kishin humbur.—Luka 19:10.

Si do Jehovai të ndihemi për delet e tij të humbura? Jezui na la shembullin. Ai e dinte se për Jehovain çdo dele e Tij është e çmuar, prandaj bëri çmos t’i ndihmonte «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit» të ktheheshin te Jehovai. (Mat. 15:24) Veç kësaj, si bariu i shkëlqyer, Jezui bëri gjithë sa mundej që të mos humbte asnjë dele të Jehovait. (Gjoni 6:39) Apostulli Pavël i nxiti pleqtë e kongregacionit të Efesit të imitonin shembullin e Jezuit. Ai u tha: «Duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu: ‘Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.’» (Vep. 20:17, 35) Është e qartë se pleqtë sot kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim. Salvadori, një plak në Spanjë, thotë: «Kur mendoj sa shumë kujdeset Jehovai për delet e tij të humbura, zemra më shtyn të bëj gjithë sa mundem që t’i ndihmoj. Jam i sigurt se Jehovai do që të kujdesem për to.» w20.06 23 ¶15-16

E martë, 13 shtator

Gjërat e mëparshme shkuan.—Zbul. 21:4.

Jehovai do të presë me durim deri në fund të njëmijë vjetëve kur do të jemi të përsosur. Deri në atë kohë, ai është i gatshëm të na i falë mëkatet. Prandaj duhet të ndjekim shembullin e tij, duke u përqendruar te cilësitë e bukura të të tjerëve e duke qenë të duruar me ta. Jezui dhe engjëjt fluturonin nga gëzimi kur u krijua toka. Por imagjino sa të lumtur do të jenë kur ta shohin tokën të mbushur me njerëz të përsosur që e duan Jehovain dhe i shërbejnë. Imagjino gëzimin e atyre që janë marrë nga toka për të qeverisur me Krishtin në qiell kur të shohin si do të nxjerrë dobi njerëzimi nga puna e tyre. (Zbul. 4:4, 9-11; 5:9, 10) Dhe imagjino të jetosh në atë kohë kur lotët e hidhur do të kthehen në lot gëzimi, kur sëmundjet, dhimbja dhe vdekja do të zhduken përgjithmonë. Deri atëherë, ji i vendosur të imitosh Atin tënd të dashur, të mençur e të duruar. Nëse vepron kështu, do të ruash gëzimin përballë çdo sprove. (Jak. 1:2-4) Sa mirënjohës i jemi Jehovait për premtimin që t’i kthejë të vdekurit në jetë!—Vep. 24:15. w20.08 19 ¶18-19

E mërkurë, 14 shtator

Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.—Mat. 24:14.

Bibla është një dhuratë e dashur nga Perëndia. Ati ynë qiellor frymëzoi njerëz që ta shkruanin, sepse ka merak të thellë për fëmijët e tij në tokë. Me anë të Biblës, Jehovai u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme që mund të kemi, si për shembull: Si erdhëm në ekzistencë? Cili është qëllimi i jetës? Si do të jetë e ardhmja? Jehovai do që të gjithë fëmijët e tij të mësojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve, prandaj ndër shekuj ka nxitur njerëz që ta përkthejnë Biblën në shumë gjuhë. Sot, e gjithë Bibla ose pjesë të saj janë përkthyer në mbi 3.000 gjuhë! Bibla është libri më i përkthyer e më i përhapur në gjithë historinë njerëzore. Tregojmë se e çmojmë Biblën duke e lexuar çdo ditë, duke medituar për atë që na mëson dhe duke bërë çmos ta zbatojmë. Veç kësaj, ia shprehim mirënjohjen Perëndisë duke bërë më të mirën që t’ua tregojmë sa më shumë njerëzve mesazhin e Biblës.—Psal. 1:1-3; Mat. 28:19, 20. w20.05 24-25 ¶15-16

E enjte, 15 shtator

Fjala e Jehovait u bë për mua shkak që të më poshtëronin e të më tallnin tërë ditën.—Jer. 20:8.

Profeti Jeremia ishte caktuar në një territor jashtëzakonisht të vështirë. Ai u shkurajua aq shumë, sa në një moment donte të dorëzohej. Por nuk hoqi dorë. Pse? Sepse «fjala e Jehovait» ishte si një zjarr brenda tij, prandaj nuk rrinte dot në heshtje! (Jer. 20:9) Njësoj ndodh me ne kur e mbushim mendjen dhe zemrën me Fjalën e Perëndisë duke e studiuar çdo ditë dhe duke menduar thellë për të. Atëherë do të provojmë më tepër gëzim në shërbim, e ndoshta më shumë njerëz do të kenë dëshirë të na dëgjojnë. (Jer. 15:16) Prandaj kur ndihesh i shkurajuar, përgjëroju Jehovait që të të mbështetë. Ai do të të ndihmojë t’i përballosh papërsosmëritë dhe dobësitë e tua. Do të të bëhet krah kur të vuash nga ndonjë sëmundje. Do të të ndihmojë të mbash një pikëpamje të ekuilibruar për caktimet teokratike. Do të të ndihmojë edhe ta shohësh me sy pozitiv shërbimin. Prandaj, hapja zemrën Atit tënd qiellor dhe foli për çdo merak. Me ndihmën e tij, mund ta fitosh luftën kundër shkurajimit. w20.12 27 ¶20-21

E premte, 16 shtator

[Këshilloji] përzemërsisht . . . më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra, plot dëlirësi.—1 Tim. 5:1, 2.

Për disa motra, mbledhjet janë një nga mundësitë e pakta për të qenë me bashkëbesimtarët. Ja pse duam t’i shfrytëzojmë këto mundësi që të ndihen të mirëpritura, që të bisedojmë me to dhe t’u tregojmë sa shumë i kemi për zemër. Ashtu si Jezui, mund të programojmë kohë për të ndenjur me motrat. (Luka 10:38-42) Ndoshta mund t’i ftojmë për një vakt të lehtë ose për t’u zbavitur. Në këto raste, duhet të sigurohemi që biseda të jetë inkurajuese. (Rom. 1:11, 12) Jezui e dinte se beqaria mund të ishte e vështirë për disa, por e bëri të qartë se çelësi i lumturisë së përhershme nuk është as të martohesh, as të kesh fëmijë. (Luka 11:27, 28) Përkundrazi, lumturia jetëgjatë vjen kur kemi në qendër të jetës shërbimin e Jehovait. (Mat. 19:12) Pleqtë në veçanti duhet t’i trajtojnë gratë në kongregacion si motrat dhe nënat e tyre. Ata bëjnë mirë të gjejnë kohë para ose pas mbledhjes për të biseduar me motrat. w20.09 21-22 ¶7-9

E shtunë, 17 shtator

Bujku e pret me durim frytin e çmuar. . . . Edhe ju prisni me durim.—Jak. 5:7, 8.

Në Izrael, bujku e mbillte farën pas shiut të parë të vjeshtës dhe e mblidhte prodhimin pas shiut të fundit të pranverës. (Mar. 4:28) Është gjë e mençur të imitojmë durimin e bujkut. Ama kjo mund të mos jetë e lehtë. Njerëzit e papërsosur zakonisht duan t’i shohin në çast rezultatet e përpjekjeve të tyre. Mirëpo, nëse kemi një kopsht dhe duam që të japë fryt, duhet t’i kushtojmë vëmendje vazhdimisht—ta lërojmë, ta mbjellim, të shkulim barërat e këqija dhe ta vaditim. Po njësoj, për të bërë dishepuj, kërkohen përpjekje të vazhdueshme. Duhet kohë që të shkulim me rrënjë paragjykimet dhe indiferentizmin tek ata që mësojmë. Durimi do të na ndihmojë të mos shkurajohemi kur hasim vështirësi. Edhe kur dikush e mirëpret lajmin e mirë, prapë na duhet durim. Nuk mund ta detyrojmë një student të Biblës ta forcojë besimin. Ndonjëherë, edhe dishepujve të Jezuit u duhej kohë ta kuptonin atë që u mësonte. (Gjoni 14:9) Të mos harrojmë se ne mund të mbjellim e të ujitim, por ai që rrit, është Perëndia.—1 Kor. 3:6. w20.09 11 ¶10-11

E diel, 18 shtator

Me gjithë zemër do ta përlëvdoj Jehovain në kongregacion, mes të drejtëve të mbledhur bashkë.—Psal. 111:1.

Të gjithë duam që studentët tanë të përparojnë drejt pagëzimit. Një mënyrë e rëndësishme si t’i ndihmojmë është duke i inkurajuar të ndjekin mbledhjet. Shpesh, studentët që fillojnë të vijnë menjëherë në mbledhje, përparojnë më shpejt. Disa mësues u shpjegojnë studentëve se në mbledhje do të mësojnë shumë gjëra që s’kanë për t’i mësuar gjatë studimit. Lexo Hebrenjve 10:24, 25 bashkë me studentin dhe foli për dobitë që do të ketë nëse vjen në mbledhje. Me entuziazëm, tregoji diçka që ke mësuar në një nga mbledhjet e fundit. Kjo është më motivuese sesa thjesht ta ftosh të vijë në mbledhje. Ajo që sheh e dëgjon një student në mbledhjen e parë, as që krahasohet me atë që ka parë a dëgjuar në ndonjë grumbullim tjetër fetar. (1 Kor. 14:24, 25) Në mbledhje takon vëllezër e motra që janë shembull i bukur për të e që mund ta ndihmojnë të përparojë drejt pagëzimit. w20.10 10-11 ¶14-15

E hënë, 19 shtator

E ku ka mësues si [Perëndia]?!—Jobi 36:22.

Fryma e Perëndisë do të të ndihmojë ta zbatosh në jetë atë që lexon dhe studion në Fjalën e tij. Lutu si psalmisti, që tha: «Mësomë udhën tënde, o Jehova, sepse do të eci sipas së vërtetës sate. Më jep një zemër të vetme që të nderoj thellësisht emrin tënd.» (Psal. 86:11) Pra, vazhdo të marrësh forcë nga ushqimi që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së Tij. Natyrisht, synimi yt nuk është thjesht të marrësh njohuri. Duhet ta rrënjosësh në zemër të vërtetën dhe të jetosh në harmoni me të. Për këtë mund të të ndihmojë fryma e Jehovait. Gjithashtu, ti do që t’u japësh zemër vëllezërve e motrave. (Hebr. 10:24, 25) Pse? Sepse janë familja jote. Lutu që fryma e Perëndisë të të ndihmojë të bësh komente nga zemra në mbledhje dhe të japësh më të mirën kur ke pjesë në program. Në këto mënyra i tregon Jehovait dhe Birit të tij se i do «delet» e tyre të shtrenjta. (Gjoni 21:15-17) Prandaj, vërja veshin Mësuesit tënd të Madh, duke përfituar plotësisht nga gostia që na shtron. w20.10 24-25 ¶15-17

E martë, 20 shtator

Të gjithë e braktisën dhe ia mbathën.—Mar. 14:50.

Si i trajtoi Jezui apostujt që i kishte lëshuar zemra? Pak pasi u ringjall, ai u tha disa dishepujve të tij: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin [që u ringjalla] vëllezërve të mi.» (Mat. 28:10a) Jezui nuk u hoqi vizën apostujve. Edhe pse e kishin braktisur, prapë i quajti ‘vëllezërit e mi’. Sikurse Jehovai, Jezui ishte i mëshirshëm dhe i gatshëm të falte. (2 Mbret. 13:23) Po njësoj, ne merakosemi nga zemra për ata që s’janë më përkrah nesh në shërbim. I kemi vëllezër e motra dhe i duam me gjithë shpirt! Nuk e harrojmë gjithë punën e palodhur që bënë për Jehovain—disa ndoshta për dekada të tëra. (Hebr. 6:10) Na merr vërtet malli për ta! (Luka 15:4-7) Inkurajoji joaktivët të vijnë në mbledhje. Dhe kur një joaktiv vjen në Sallën e Mbretërisë duhet të marrim iniciativën ta mirëpresim me ngrohtësi. w20.11 6 ¶14-17

E mërkurë, 21 shtator

Mos shko përtej gjërave të shkruara.—1 Kor. 4:6.

Jakovi dhe Gjoni, bashkë me mamanë e tyre, iu afruan Jezuit dhe i kërkuan një privilegj që Jezuit nuk i takonte t’ua jepte. Pa ngurruar, Jezui tha se vetëm Ati i tij qiellor mund të vendoste kush do të ulej në të djathtën dhe në të majtën e Jezuit në Mbretëri. (Mat. 20:20-23) Jezui tregoi se i respektonte kufizimet e veta. Ai ishte modest dhe kurrë nuk thoshte e nuk bënte diçka që s’e kishte urdhëruar Jehovai. (Gjoni 12:49) Si mund ta imitojmë shembullin e shkëlqyer të Jezuit? Imitojmë modestinë e Jezuit kur zbatojmë këshillën që gjejmë te shkrimi i sotëm. Prandaj, kur na kërkojnë ndonjë këshillë, nuk duam kurrsesi t’u imponojmë mendimin tonë të tjerëve ose të themi gjënë e parë që na vjen në mendje. Përkundrazi, duhet ta drejtojmë vëmendjen te këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe te botimet e bazuara në Bibël. Kështu tregojmë se jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona. Me modesti pranojmë se ‘dekretet e drejta’ të të Plotfuqishmit qëndrojnë gjithnjë më lart se mendimet tona.—Zbul. 15:3, 4. w20.08 11-12 ¶14-15

E enjte, 22 shtator

Mos ji tepër i drejtë, as mos u trego më i mençur se ç’duhet. Pse të shkatërrosh veten?!—Ekl. 7:16.

Nëse ndonjëherë e sheh të nevojshme të këshillosh një shok, çfarë duhet të mbash në mendje? Para se të flasësh me të, pyet veten: «Mos po tregohem ‘tepër i drejtë’?» Një njeri tepër i drejtë i gjykon të tjerët sipas standardeve të veta, jo sipas standardeve të Jehovait, dhe ka shumë mundësi të mos tregohet i mëshirshëm. Nëse e ke shqyrtuar mirë veten dhe prapë e sheh të nevojshme të flasësh me shokun tënd, thuaja qartë cili është problemi dhe përdor pyetje që e ndihmojnë të kuptojë gabimin e tij. Sigurohu se ajo që thua, bazohet te Shkrimet dhe ki parasysh se shoku yt mban përgjegjësi para Jehovait, jo para teje. (Rom. 14:10) Mbështetu te mençuria që përmban Fjala e Perëndisë dhe imito dhembshurinë e Jezuit kur këshillon dikë. (Prov. 3:5; Mat. 12:20) Pse? Sepse Jehovai do të na trajtojë njësoj siç trajtojmë të tjerët.—Jak. 2:13. w20.11 21 ¶13

E premte, 23 shtator

Mos gjykoni më nga ajo që duket, por gjykoni me drejtësi.—Gjoni 7:24.

A do të kishe qejf që njerëzit të të gjykonin nga ngjyra e lëkurës, tiparet e fytyrës ose pesha? Ka shumë të ngjarë që jo. Ja pse na ngrohet zemra që Jehovai nuk na gjykon nga çfarë shohin të tjerët! Për shembull, kur Samueli pati përballë djemtë e Jeseut, nuk pa atë që shihte Jehovai. Jehovai i kishte thënë Samuelit se një nga djemtë e Jeseut do të bëhej mbreti i Izraelit. Por cili? Kur pa Eliabin, djalin e madh, Samueli tha: «Me siguri ky është i mirosuri i Jehovait.» Eliabi kishte pamje mbreti. «Por Jehovai i tha Samuelit: ‘Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë.’» Cili është mësimi? Jehovai tha më tej: «Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh në zemër.» (1 Sam. 16:1, 6, 7) Bëjmë mirë të imitojmë Jehovain në marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat. w20.04 14 ¶1; 15 ¶3

E shtunë, 24 shtator

Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje.—Gjoni 4:35.

Rrugës për në Galile, Jezui kaloi përmes disa arave ku dukej se kish nisur të rritej elbi. (Gjoni 4:3-6) Ato do të ishin gati për korrje pas nja katër muajve. Prandaj duhet të jenë dukur të çuditshme këto fjalë të Jezuit: «Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje.» (Gjoni 4:35, 36) Ç’donte të thoshte? Me sa duket, Jezui e kishte fjalën për një korrje të figurshme—një mbledhje të njerëzve—jo për një korrje të mirëfilltë. Mendo çfarë kishte ndodhur pak më parë: ndonëse në përgjithësi judenjtë nuk bëheshin me samaritanët, Jezui i kishte predikuar një gruaje samaritane—e ajo e kishte dëgjuar! Në fakt, kur Jezui po thoshte se arat ishin «gati për korrje», një turmë samaritanësh që kishin dëgjuar për Jezuin nga gruaja, po shkonin të mësonin më shumë prej tij. (Gjoni 4:9, 39-42) Ja ç’thotë për këtë ngjarje një botim shpjegues për Biblën: «Entuziazmi i atyre njerëzve . . . tregonte se ishin si drithi gati për korrje.» w20.04 8 ¶1-2

E diel, 25 shtator

Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera.—Hebr. 10:24.

Mbledhjet, si të thuash, na bëjnë më të zotë për të luftuar duke na armatosur mirë për shërbimin. Për shembull, mësojmë të përdorim me mjeshtëri Çantën e mjeteve mësimore. Prandaj përgatitu mirë për mbledhjet e kongregacionit. Gjatë mbledhjes, dëgjo me vëmendje. Pas mbledhjes, zbatoje stërvitjen që more. Kështu do të bëhesh «ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu». (2 Tim. 2:3) Kemi edhe mbështetjen e miliona engjëjve të fuqishëm. Kujto çfarë mund të bëjë një engjëll i vetëm. (Isa. 37:36) Imagjino, pra, çfarë mund të arrijë një ushtri e tërë engjëjsh! Nuk ka njeri a demon që mund të matet me ushtrinë e fuqishme të Jehovait! Një Dëshmitar besnik me Jehovain përkrah është shumica në çdo betejë. (Gjyk. 6:16) Mos ki pikë dyshimi për këtë! Mbaji në mendje këto të vërteta kur ndihesh i frikësuar nga diçka që thotë a që bën ndonjë shok i punës, i shkollës ose një i afërm jobesimtar. Mos harro se nuk je vetëm në këtë luftë. Ti po ndjek udhëheqjen e Jehovait. w21.03 29 ¶13-14

E hënë, 26 shtator

Nëse të vdekurit nuk do të ringjallen, atëherë «të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim».—1 Kor. 15:32.

Ka të ngjarë që apostulli Pavël po citonte Isainë 22:13, ku flitet për qëndrimin e izraelitëve. Në vend që të thellonin dashurinë për Perëndinë, izraelitët rendnin pas kënaqësive. Ata kishin pikëpamjen «sot jemi, nesër s’jemi», një pikëpamje goxha e përhapur edhe sot. Fakti që Jehovai do t’i kthejë në jetë të vdekurit, duhet të ndikojë te shoqëria që zgjedhim. Vëllezërit në Korint duhej të bënin kujdes të mos zinin miqësi me ata që mohonin ringjalljen. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo? Nuk vjen asnjë e mirë nëse zgjedhim të kalojmë shumë kohë me njerëz që kanë qëndrimin «të jetojmë sot për sot». Nëse një shërbëtor i Perëndisë rri në këtë lloj shoqërie, mund të humbë qëndrimin dhe zakonet e mira. Madje si pasojë e kësaj zgjedhjeje, mund të fillojë të jetojë në një mënyrë që Perëndia e urren. Ja pse Pavli dha këtë nxitje të fortë: «Ejani në vete, bëni ç’është e drejtë dhe mos ecni më në udhën e mëkatit.»—1 Kor. 15:33, 34. w20.12 9 ¶3, 5-6

E martë, 27 shtator

Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.—1 Kor. 11:3.

Ky varg flet për mënyrën si e ka organizuar Jehovai familjen e tij universale. Kryesia përfshin dy elemente thelbësore—të ushtrosh autoritetin dhe të japësh llogari. Jehovai është «kreu» ose autoriteti më i lartë, dhe të gjithë fëmijët e tij, engjëj a njerëz qofshin, i japin llogari atij. (Rom. 14:10; Efes. 3:14, 15) Jehovai i ka dhënë Jezuit autoritet mbi kongregacionin, por Jezui mban përgjegjësi para Jehovait për mënyrën si na trajton. (1 Kor. 15:27) Veç kësaj, Jehovai i ka dhënë burrit autoritet mbi gruan dhe fëmijët e vet. Si mund të mësojë një burrë të jetë kryefamiljar i mirë? Duhet të ketë të qartë në radhë të parë çfarë kërkon Jehovai prej tij. Duhet edhe të dijë për ç’arsye e ka vendosur Jehovai parimin e kryesisë. Gjithashtu duhet të kuptojë si mund t’i imitojë Jehovain dhe Jezuin. Pse është e rëndësishme t’i kuptojë qartë këto? Sepse Jehovai u ka dhënë kryefamiljarëve njëfarë autoriteti dhe pret ta përdorin mirë.—Luka 12:48b. w21.02 2 ¶1-3

E mërkurë, 28 shtator

Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson si të nxjerrësh dobi për vete.—Isa. 48:17.

Bëjmë mirë të imitojmë Jehovain duke zgjedhur të harrojmë disa gjëra. Për shembull, Jehovai ka një kujtesë të përsosur, ama ai zgjedh t’i falë e t’i harrojë gabimet tona nëse pendohemi. (Psal. 25:7; 130:3, 4) Ai dëshiron të bëjmë të njëjtën gjë me të tjerët kur gabojnë ndaj nesh e na lëndojnë. (Mat. 6:14; Luka 17:3, 4) Mund ta tregojmë çmueshmërinë për trurin, këtë dhuratë të mrekullueshme, duke e përdorur për t’i dhënë lavdi Atij që na e dha. Disa zgjedhin ta përdorin trurin për qëllime egoiste—t’i vendosin vetë standardet për të drejtën dhe të gabuarën. Por ai që na ka krijuar është Jehovai, prandaj është e arsyeshme të presim që standardet e tij të jenë më të mira se çdo standard që mund të vëmë ne vetë. (Rom. 12:1, 2) Kur jetojmë sipas standardeve të tij, gëzojmë paqe në jetë. (Isa. 48:18) Gjithashtu kuptojmë qartë cili është qëllimi i jetës—t’i japim lavdi Krijuesit dhe ta bëjmë krenar Atin tonë.—Prov. 27:11. w20.05 23-24 ¶13-14

E enjte, 29 shtator

Kini . . . përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin.—Rom. 12:10.

Si mund të ushqejmë përzemërsi të ngrohtë për vëllezërit e motrat tona? Dora-dorës që i njohim më mirë, mund ta kemi më të lehtë t’i kuptojmë dhe të ndiejmë përzemërsi të ngrohtë për ta. Mosha, prejardhja e formimi s’ka pse të jenë një hendek mes nesh. Të kujtojmë se Jonatani ishte rreth 30 vjet më i madh se Davidi, por prapë lidhi miqësi të ngushtë me të. A mund të përpiqesh të miqësohesh me dikë që është më i madh, ose më i vogël, se ti? Kur e bën këtë, tregon se ke «dashuri për gjithë vëllezërit në besim». (1 Pjet. 2:17) Të ndiejmë përzemërsi të ngrohtë për motrat e vëllezërit nuk do të thotë të kemi miqësi të ngushtë me secilin në kongregacion. Kjo nuk do të ishte realiste. Është normale të ndihemi më të afërt me disa ngaqë na interesojnë të njëjtat gjëra. Jezui i quajti të gjithë apostujt e tij «miq», por Gjonin e kishte veçanërisht për zemër. (Gjoni 13:23; 15:15; 20:2) Megjithatë, nuk e mbante me hatër.—Mar. 10:35-40. w21.01 23 ¶12-13

E premte, 30 shtator

Ju i nderoni thellësisht perënditë më shumë se të tjerët.—Vep. 17:22.

Apostulli Pavël nuk ua predikoi mesazhin jojudenjve në Athinë në të njëjtën mënyrë si judenjve në sinagogë. Ai vështroi me vëmendje ç’kishte përreth dhe vërejti zakonet e tyre fetare. (Vep. 17:23) Pastaj u përpoq të gjente diçka të përbashkët mes mënyrës si adhuronin ata dhe të vërtetës së Shkrimeve. Pra, Pavli ishte i gatshëm ta përshtaste metodën e predikimit. Ai u tha athinasve se mesazhi i tij vinte nga ‘Perëndia i Panjohur’ që përpiqeshin të adhuronin ata. Ndonëse jojudenjtë nuk i njihnin Shkrimet, Pavli nuk hoqi dorë prej tyre. Përkundrazi, i pa si drithë gati për t’u korrur dhe e përshtati prezantimin e lajmit të mirë. Ashtu si Pavli, ji vëzhgues. Përpiqu të pikasësh gjëra që tregojnë çfarë besojnë njerëzit në territorin tënd. Kur sheh një shtëpi, çfarë kupton për të zotin e saj? A tregon emri i tij, veshja, paraqitja ose edhe fjalët që përdor se çfarë feje ka? w20.04 9-10 ¶7-8

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo