Gusht
E hënë, 1 gusht
Pa mua ju s’mund të bëni asgjë.—Gjoni 15:5.
Vetëm ata që kanë miqësi të ngushtë me Jezuin, do të nxjerrin dobi nga flijimi i tij shpërblyes. Jezui tha se do të jepte «jetën për miqtë e vet». (Gjoni 15:13) Shërbëtorëve besnikë që jetuan para se Jezui të vinte në tokë, do t’u duhet të mësojnë për të dhe ta duan. Edhe të drejtëve që do të ringjallen do t’u duhet të lidhin miqësi me Jezuin për të fituar jetën e përhershme. (Gjoni 17:3; Vep. 24:15; Hebr. 11:8-12, 24-26, 31) Kemi kënaqësinë të shërbejmë përkrah Jezuit për t’u predikuar e mësuar të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë. Kur ishte në tokë, Jezui i mësonte njerëzit. E që kur u kthye në qiell, si kreu i kongregacionit, Jezui vazhdoi të drejtonte veprën e predikimit e të mësimdhënies. Ai i sheh dhe i çmon përpjekjet e tua për të ndihmuar sa më shumë njerëz të njohin atë dhe Atin e tij. Në fakt, këtë vepër mund ta kryejmë vetëm me ndihmën e Jehovait e të Jezuit.—Gjoni 15:4. w20.04 22 ¶7-8
E martë, 2 gusht
[Këta dy mbretër] do të ulen në të njëjtën tryezë e do t’i thonë gënjeshtra njëri-tjetrit.—Dan. 11:27.
Titujt «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» në fillim u përdorën për fuqitë politike që ndodheshin në veri dhe në jug të Izraelit. (Dan. 10:14) Deri në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kombi i Izraelit ishte populli i Perëndisë. Mirëpo pas kësaj, Jehovai e bëri të qartë se populli i tij ishin dishepujt besnikë të Jezuit. Prandaj pjesa më e madhe e profecisë në kapitullin 11 të Danielit ka të bëjë me dishepujt e Krishtit, jo me kombin e Izraelit. (Vep. 2:1-4; Rom. 9:6-8; Gal. 6:15, 16) Veç kësaj, identiteti i mbretit të veriut dhe i mbretit të jugut ndryshoi në rrjedhën e shekujve. Gjithsesi, disa gjëra nuk ndryshuan. Së pari, këta mbretër ndikuan në mënyrë të rëndësishme te populli i Perëndisë. Së dyti, me mënyrën si e trajtuan popullin e Perëndisë, treguan se urrenin Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Dhe së treti, dy mbretërit luftuan kundër njëri-tjetrit për pushtet. w20.05 3 ¶3-4
E mërkurë, 3 gusht
Unë Do Të Bëhem Çdo Gjë Që Zgjedh Të Bëhem.—Eks. 3:14.
Jehovai realizon gjithçka duke u bërë çfarëdo të jetë e nevojshme për të plotësuar qëllimin e tij. Veç kësaj, Jehovai mund të shkaktojë që shërbëtorët e tij të papërsosur në tokë të bëhen çfarëdo të jetë e nevojshme për t’i shërbyer dhe për të plotësuar qëllimin e tij. (Isa. 64:8.) Në këto mënyra, ai shkakton të bëhet realitet vullneti i tij, dhe asgjë nuk e ndal dot Jehovain t’i plotësojë qëllimet që ka. (Isa. 46:10, 11) Mund ta thellojmë çmueshmërinë për Atin tonë qiellor duke bluar në mendje çfarë ka bërë ai vetë dhe çfarë na ka ndihmuar të bëjmë. Për shembull, kur meditojmë për mrekullitë e krijimit, mbetemi të mahnitur nga gjithçka që kanë bërë duart e tij. (Psal. 8:3, 4) Veç kësaj, kur meditojmë se çfarë na ka ndihmuar të bëjmë Jehovai që të përmbushim vullnetin e tij, ushqejmë një respekt të thellë për të. Vërtet, emri i Jehovait na ngjall nderim të thellë! Ai përfshin të gjitha cilësitë e bukura të Atit tonë, gjithçka që ka bërë dhe gjithçka që do të bëjë.—Psal. 89:7, 8. w20.06 9-10 ¶6-7
E enjte, 4 gusht
Perëndia . . . u jep të gjithëve jetë [dhe] frymë.—Vep. 17:24, 25.
Oksigjeni është një gaz jetik për disa krijesa, ku përfshihet edhe njeriu. Këto krijesa të gjalla thithin rreth 100 miliardë ton oksigjen në vit dhe nxjerrin dyoksid karboni. Megjithatë, ato nuk e harxhojnë kurrë të gjithë oksigjenin, dhe atmosfera nuk mbingarkohet asnjëherë me «mbeturina», ose me dyoksid karboni. Pse? Sepse Jehovai bëri edhe krijesa të tjera—që nga pemët gjigante e deri tek algat e vogla—që thithin dyoksid karboni e nxjerrin oksigjen. Cikli i oksigjenit vërteton në kuptim të mirëfilltë fjalët që i gjejmë në shkrimin e sotëm. Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për planetin tonë të mrekullueshëm dhe gjithë të mirat që ka? (Psal. 115:16) Një mënyrë është duke medituar për gjërat që ka bërë Jehovai. Kjo do të na motivojë t’ia shprehim mirënjohjen çdo ditë për të mirat që na ka dhënë. Veç kësaj, tregojmë se e çmojmë tokën duke e mbajtur sa më pastër ambientin ku jetojmë. w20.05 22 ¶5, 7
E premte, 5 gusht
Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh, që u përdhos mes kombeve.—Ezek. 36:23.
Jehovai e ka përballuar sulmin e Satanait kundër emrit të tij me mençuri, durim dhe drejtësi. Gjithashtu ka treguar në sa e sa mënyra se ka fuqi të pakufishme. Mbi të gjitha, çdo gjë që bën Jehovai rrezaton dashuri. (1 Gjon. 4:8) Jehovai ka punuar pa pushim për ta shenjtëruar emrin e tij. Satanai vazhdon ta përlyejë me shpifje emrin e Perëndisë. Me dredhi, u ngjall njerëzve dyshime nëse Perëndia është vërtet i fuqishëm, i drejtë, i mençur dhe i dashur. Për shembull, Satanai përpiqet t’u mbushë mendjen se Jehovai nuk është Krijuesi. E kur ata besojnë se ka Perëndi, përpiqet t’i bindë se Perëndia është i padrejtë dhe ka standarde tepër kufizuese. Satanai madje mëson se Jehovai është një Perëndi i pashpirt dhe mizor që i djeg njerëzit në një ferr të zjarrtë. Kur i besojnë këto shpifje, ka më shumë gjasa të bëjnë hapin tjetër—ta hedhin poshtë qeverisjen e drejtë të Jehovait. Derisa të shfaroset, Satanai do ta vazhdojë të të vërë në shënjestër edhe ty. A do t’ia dalë të të largojë nga Jehovai? w20.06 5 ¶13-15
E shtunë, 6 gusht
Nuk ka as grek e as jude, as të rrethprerë e as të parrethprerë, as të huaj e as skithas, as skllav e as të lirë, përkundrazi, Krishti është gjithçka e në të gjithë.—Kolos. 3:11.
Në shumë kongregacione ka vëllezër e motra që po përpiqen fort të mësojnë një gjuhë të re. Mbase e kanë të vështirë t’i gjejnë fjalët për të shprehur atë që mendojnë. Megjithatë, nëse shohim përtej mënyrës si e flasin gjuhën, do të vërejmë dashurinë e tyre për Jehovain dhe dëshirën për t’i shërbyer. Kur i dallojmë këto cilësi të bukura, i çmojmë e i respektojmë nga zemra këta vëllezër e motra. Nuk do të mendojmë ‘s’kemi nevojë për ju’ thjesht ngaqë nuk e flasin rrjedhshëm gjuhën tonë. (1 Kor. 12:21) Jehovai na ka dhënë privilegjin e pakrahasueshëm që të kemi një vend në kongregacionin e tij. Qofshim burra a gra, beqarë a të martuar, fëmijë a të rritur, e pavarësisht nëse e flasim një gjuhë rrjedhshëm a me vështirësi, jemi të shtrenjtë për Jehovain e për njëri-tjetrin. (Rom. 12:4, 5; Kolos. 3:10) Le të gjejmë vazhdimisht më shumë mënyra që të vlerësojmë vendin tonë dhe atë të tjerëve në kongregacion e Jehovait. w20.08 31 ¶20-22
E diel, 7 gusht
Disa burra u bashkuan me të e u bënë besimtarë.—Vep. 17:34.
Apostulli Pavël nuk i pa athinasit si të pandryshueshëm, ndonëse qyteti i tyre ishte plot idhujtari, imoralitet seksual dhe filozofi pagane. As nuk lejoi që fyerjet e tyre ta shkurajonin aq sa të mos u predikonte më. Pavli vetë kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe arrogant», por prapë ishte bërë i krishterë. (1 Tim. 1:13) Ashtu si Jezui pa potencialin e Pavlit, edhe Pavli pa tek athinasit potencialin që të bëheshin dishepuj. E nuk u zhgënjye për besimin që tregoi. (Vep. 9:13-15) Në shekullin e parë, «njerëz të çdo lloji» u bënë dishepuj të Jezuit. Kur u shkroi të krishterëve që jetonin në qytetin grek të Korintit, Pavli tha se disa pjesëtarë të atij kongregacioni kishin qenë dikur kriminelë ose kishin bërë një jetë tepër imorale. Ai shkroi: «Të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo . . . jeni larë.» (1 Kor. 6:9-11) Po ti, a do të kishe parë tek ata njerëz potencialin që të ndryshonin e të bëheshin dishepuj? w20.04 12 ¶15-16
E hënë, 8 gusht
S’mundem më, merrma jetën.—1 Mbret. 19:4.
Pleqtë nuk duhet të nxitohen ta gjykojnë dikë që fillon të dyshojë nëse ia vlen t’i shërbesh Jehovait. Në vend të kësaj, ata duhet të përpiqen të kuptojnë pse flet e vepron në atë mënyrë. Vetëm atëherë, pleqtë mund t’i përdorin Shkrimet për t’i dhënë inkurajimin që i nevojitet. Profeti Elija ia mbathi nga mbretëresha Jezebelë. (1 Mbret. 19:1-3) Ai mendonte se puna e tij kishte shkuar dëm dhe donte të vdiste. (1 Mbret. 19:10) Jehovai nuk e qortoi, por e siguroi Elijan se nuk ishte vetëm, se mund të kishte besim te fuqia e Perëndisë dhe se kishte akoma shumë punë për të bërë. Jehovai dëgjoi me dashuri çdo merak të Elijas dhe i dha caktime të reja. (1 Mbret. 19:11-16, 18) Çfarë mësimi nxjerrim? Të gjithë ne, e sidomos pleqtë, duhet t’i trajtojmë me dashuri delet e Jehovait. Edhe nëse dikush shfren mllefin ose ndihet i padenjë për mëshirën e Jehovait, pleqtë do ta dëgjojnë ndërsa u zbraz zemrën. Pastaj do të përpiqen ta sigurojnë delen e humbur se Jehovai e do. w20.06 22 ¶13-14
E martë, 9 gusht
Miku i vërtetë të do në çdo kohë.—Prov. 17:17.
Jehovai na ka krijuar në mënyrë të tillë që të ndiejmë kënaqësi nga shoqëria e miqve dhe pjesëtarëve të familjes. (Psal. 133:1) Jezui kishte miq të mirë. (Gjoni 15:15) Bibla flet për dobitë që vijnë kur kemi miq të vërtetë. (Prov. 18:24) Gjithashtu tregon se nuk na bën mirë të veçohemi. (Prov. 18:1) Mjaft veta mendojnë se rrjetet sociale janë një mënyrë për të pasur shumë miq dhe për të mos u ndier të vetmuar. Gjithsesi duhet të bëjmë kujdes kur përdorim këtë metodë komunikimi. Studimet kanë treguar se ata që kalojnë shumë kohë duke parë postimet në rrjetet sociale, në fund mund të ndihen të vetmuar e të dëshpëruar. Pse? Një arsye mund të jetë se njerëzit shpesh postojnë në rrjetet sociale fotografi të momenteve speciale në jetën e tyre, duke treguar vetëm fotot e bukura ku kanë dalë vetë a me miqtë dhe vendet interesante ku kanë qenë. Dikush që i sheh, mund të nxjerrë përfundimin se në krahasim me to jeta e tij ose e saj është e rëndomtë, madje e mërzitshme. w20.07 5-6 ¶12-13
E mërkurë, 10 gusht
Apostujt dhe pleqtë u mblodhën së bashku për ta parë këtë çështje.—Vep 15:6.
Kulla e Rojës e 1 tetorit 1988 (anglisht) thoshte: «Pleqtë duhet ta pranojnë se, me anë të frymës së shenjtë, Krishti mund të veprojë te mendja e cilitdo plak në trupin e pleqve për të nxjerrë në pah atë parim nga Shkrimet, që do t’i ndihmojë pleqtë të përballojnë çfarëdo situate ose të marrin çfarëdo vendimi të rëndësishëm. (Vep. 15:7-15) Fryma e shenjtë nuk është monopol i një plaku të vetëm në trupin e pleqve.» Një plak që i respekton pleqtë e tjerë nuk përpiqet të flasë gjithnjë i pari në mbledhjet e pleqve. Nuk mbizotëron në bisedë dhe nuk mendon se opinioni i tij është gjithnjë i drejtë. Përkundrazi, e shpreh mendimin e tij me përulësi dhe modesti. I dëgjon me vëmendje komentet e të tjerëve. Mbi të gjitha, është i gatshëm të diskutojë rreth parimeve nga Shkrimet dhe të ndjekë drejtimin e ‘skllavit besnik e të mençur’. (Mat. 24:45-47) Kur pleqtë diskutojnë në një atmosferë ku mbizotëron dashuria dhe respekti, fryma e Perëndisë do të jetë mes tyre dhe do t’i drejtojë të marrin vendime të mençura.—Jak. 3:17, 18. w20.08 27 ¶5-6
E enjte, 11 gusht
Vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.—Rom. 12:21.
Armiqtë e Apostullit Pavël ishin ku e ku më të fuqishëm se ai. Ata urdhëruan sa e sa herë që Pavlin ta rrihnin e ta burgosnin. Gjithashtu, Pavlin e keqtrajtuan ata që duhej të ishin miqtë e tij. Madje disa në kongregacionin e krishterë iu kundërvunë. (2 Kor. 12:11; Filip. 3:18) Por Pavli fitoi mbi të gjithë ata që e luftonin. Në ç’mënyrë? Ai vazhdoi të predikonte, pavarësisht nga kundërshtimi. U qëndronte besnik vëllezërve e motrave edhe kur e zhgënjenin. E mbi të gjitha, i qëndroi besnik Perëndisë deri në fund të jetës. (2 Tim. 4:8) Ai pati sukses jo ngaqë mbështetej te forcat e veta, por ngaqë mbështetej te Jehovai. A të duhet të durosh fyerje a përndjekje? Synimi yt është të përdorësh Fjalën e Perëndisë për të skalitur të vërtetën në mendjet dhe zemrat e njerëzve të sinqertë. Mund ta arrish synimin tënd duke u mbështetur te Bibla për t’iu përgjigjur njerëzve, duke u treguar respekt e dashuri atyre që të trajtojnë keq dhe duke u bërë mirë të gjithëve, madje edhe armiqve të tu.—Mat. 5:44; 1 Pjet. 3:15-17. w20.07 17-18 ¶14-15
E premte, 12 gusht
Përulësia jote më bën të madh.—2 Sam. 22:36.
A mund të themi vërtet se Jehovai është i përulur? Po! Tamam si Davidi tha më sipër. (Psal. 18:35) Ndoshta Davidit i kujtohej dita kur profeti Samuel shkoi në shtëpinë e babait të tij për të mirosur mbretin e ardhshëm të Izraelit. Davidi ishte më i vogli nga tetë djemtë e shtëpisë, por Jehovai zgjodhi tamam atë që të zëvendësonte mbretin Saul. (1 Sam. 16:1, 10-13) Pa dyshim, Davidi bashkohej me ndjenjat e psalmistit që tha për Jehovain: «Ai përkulet për të vështruar qiellin dhe tokën, për ta ngritur të përvuajturin nga pluhuri. E merr të varfrin . . . dhe e larton që ta vërë të ulet me fisnikët.» (Psal. 113:6-8) Jehovai tregon se është i përulur me mënyrën si i trajton adhuruesit e tij që janë njerëz të papërsosur. Ai jo vetëm e pranon adhurimin tonë, por edhe na quan miq. (Psal. 25:14) Për të na dhënë mundësinë të jemi miq me të, Jehovai mori iniciativën duke dhënë Birin e tij si flijim për mëkatet tona. Çfarë mëshire, çfarë dhembshurie, na ka treguar Jehovai! w20.08 8 ¶1-3
E shtunë, 13 gusht
[Jehovai] nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.—2 Pjet. 3:9.
Jehovai ka caktuar një ditë dhe një orë kur do ta shkatërrojë këtë sistem të vjetër. (Mat. 24:36) Ai nuk do të tregohet i paduruar dhe nuk do të veprojë para atij momenti. Jehovai ka dëshirë të zjarrtë t’i ringjallë të vdekurit, por është i duruar. (Jobi 14:14, 15) Ai po pret të vijë koha e duhur për t’i kthyer në jetë. (Gjoni 5:28) Kemi arsye të forta që ta çmojmë durimin e Jehovait. Mendo pak: ngaqë Jehovai është i duruar, shumë njerëz—mes të cilëve edhe ne vetë—kanë pasur kohë «të pendohen». Jehovai do që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të marrin jetën e përhershme. Prandaj, le ta tregojmë se e çmojmë durimin e tij. Si? Duke bërë çmos të gjejmë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» dhe t’i ndihmojmë ta duan Jehovain e t’i shërbejnë. (Vep. 13:48) Kështu do të nxjerrin dobi nga durimi i Jehovait, njësoj si ne. w20.08 18 ¶17
E diel, 14 gusht
Më ndihmo të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua.—Psal. 25:4.
Ajo që mëson gjatë studimit të Biblës, duhet të depërtojë jo vetëm në mendjen, por edhe në zemrën e studentit. Pse? Sepse zemra—që përfshin dëshirat, emocionet dhe ndjenjat—na motivon të veprojmë. Jezui përdorte arsyetime logjike që vinin në punë mendjen. Por njerëzit bëheshin dishepuj të tij ngaqë u prekte edhe zemrën. (Luka 24:15, 27, 32) Studenti ka nevojë ta shohë Jehovain si një Person real, me të cilin mund të lidhë miqësi. Ka nevojë ta shohë si Atin e tij, si Perëndinë e tij dhe si Mikun e tij. (Psal. 25:5) Gjatë studimit të Biblës, drejtoja vëmendjen te cilësitë e bukura të Perëndisë. (Eks. 34:5, 6; 1 Pjet. 5:6, 7) Çfarëdo argumenti të diskutoni, thekso ç’lloj personi është Jehovai. Ndihmoje studentin të vërejë cilësitë tërheqëse të Jehovait—dashurinë, mirësinë dhe dhembshurinë e tij. Jezui tha se «urdhërimi i parë dhe më i madhi» është ky: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd.» (Mat. 22:37, 38) Përpiqu t’i rrënjosësh studentit thellë në zemër dashurinë për Perëndinë. w20.10 10 ¶12
E hënë, 15 gusht
Jezui e donte shumë Martën, motrën e saj dhe Lazarin.—Gjoni 11:5.
Jezui i trajtonte të gjitha gratë me dinjitet. (Gjoni 4:27) Por ai kishte akoma më shumë nderim për ato gra që bënin vullnetin e Atit të tij. Madje Jezui tha se, mes atyre që i konsideronte si familjen e tij, kishte edhe burra, edhe gra. (Mat. 12:50) Jezui ishte edhe mik i vërtetë për to. Një shembull është miqësia e tij me Marinë dhe Martën që, me sa duket, ishin të dyja beqare. (Luka 10:38-42) Pa dyshim, me fjalët e veprimet e tij, Jezui i bënte të ndiheshin rehat. Për shembull, Maria u ndie rehat të ulej te këmbët e tij si një dishepulle. Edhe Marta, e merakosur që Maria nuk po e ndihmonte, u ndie e lirshme t’ia thoshte Jezuit atë që mendonte. Në atë atmosferë të çlirët, Jezui i ndihmoi të dyja gratë të nxirrnin mësime me vlerë. Gjithashtu tregoi se interesohej për to dhe vëllanë e tyre, Lazarin, duke u shkuar për vizitë edhe në raste të tjera. (Gjoni 12:1-3) Prandaj kur Lazari u sëmur rëndë, Maria dhe Marta ishin të sigurta se mund të mbështeteshin te Jezui për ndihmë.—Gjoni 11:3. w20.09 20 ¶3; 21 ¶6
E martë, 16 gusht
Ata kujtonin se Mbretëria e Perëndisë do të shfaqej atje në çast.—Luka 19:11.
Dishepujt e Jezuit shpresonin që Mbretëria «të shfaqej atje në çast» dhe t’i shpëtonte nga zgjedha romake. Na digjet zemra për ditën kur Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë ligësinë e do të sjellë një botë të re ku do të mbretërojë drejtësia. (2 Pjet. 3:13) Gjithsesi, duhet të jemi të duruar e të presim kohën që ka caktuar Jehovai. Ai i la mjaft kohë Noesë që të ndërtonte arkën e të ishte «një predikues drejtësie». (2 Pjet. 2:5; 1 Pjet. 3:20) Gjithashtu, kur Abrahami e mbyti me pyetje për vendimin e tij se do të shkatërronte banorët e ligj të Sodomës dhe Gomorrës, Jehovai e dëgjoi me vëmendje. (Zan. 18:20-33) E për shekuj të tërë, Jehovai u tregua jashtëzakonisht i duruar me kombin jobesnik të Izraelit. (Neh. 9:30, 31) Sot e shohim durimin e Jehovait te fakti që po u jep kohë «të pendohen» të gjithë atyre që dëshiron t’i ketë miq. (2 Pjet. 3:9; Gjoni 6:44; 1 Tim. 2:3, 4) Shembulli i Jehovait është një nxitje e fortë që të tregojmë durim ndërsa vazhdojmë të predikojmë e të mësojmë të tjerët. w20.09 10 ¶8-9
E mërkurë, 17 gusht
Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.—Vep. 24:15.
Kur t’i ringjallë njerëzit, Jehovai do t’u kthejë kujtimet dhe tiparet e personalitetit që i bënin unikë. Mendo çfarë do të thotë kjo. Jehovai të do aq shumë sa vëren dhe kujton çdo gjë që mendon, ndien, thua dhe bën ti. Prandaj, nëse do t’i duhet të të ringjallë, do ta ketë fare të lehtë të të kthejë kujtimet, prirjet dhe tiparet e personalitetit. Mbreti David e dinte se Jehovai e njeh mirë secilin prej nesh. (Psal. 139:1-4) Si ndihemi kur kuptojmë sa thellë na njeh Jehovai? Nuk ka pse të shqetësohemi kur meditojmë sa mirë na njeh Jehovai. Pse? Të mos harrojmë se Jehovai merakoset sinqerisht për ne. Ai i çmon dhe i ruan në kujtesë tiparet që e bëjnë secilin nga ne të veçantë. I kushton vëmendje çdo gjëje që kemi përjetuar dhe që ka lënë gjurmë në jetën tonë. Sa na e ngroh zemrën kjo! Kurrë të mos ndihemi sikur jemi fillikat. Në çdo çast të jetës, Jehovai është përkrah nesh, duke kërkuar mundësi për të na ndihmuar.—2 Kron. 16:9. w20.08 17 ¶13-14
E enjte, 18 gusht
Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën e duhur.—Psal. 32:8.
Jehovai e arsimon me shumë kënaqësi popullin e tij. Ai do që ta njohim, ta duam dhe të jetojmë përgjithmonë si fëmijët e tij të shtrenjtë. E gjithë kjo do të ishte e pamundur pa arsimimin që siguron ai. (Gjoni 17:3) Jehovai përdori kongregacionin e shekullit të parë për të arsimuar adhuruesit e tij. (Kolos. 1:9, 10) Edhe fryma e shenjtë—«ndihmësi» që kishte premtuar Jezui—luajti një rol të rëndësishëm. (Gjoni 14:16) I ndihmoi dishepujt ta kuptonin më qartë Fjalën e Perëndisë dhe u solli në mendje gjërat e shumta që tha e bëri Jezui, e që më vonë u shkruan tek Ungjijtë. Kjo njohuri u forcoi të krishterëve të hershëm besimin, si edhe dashurinë për Perëndinë, për Birin e tij e për njëri-tjetrin. Jehovai paratha se «në ditët e fundit», njerëz nga të gjitha kombet do të vërshonin drejt malit të tij të figurshëm, që të mësonin udhët e tij. (Isa. 2:2, 3) Ne po e shohim me sytë tanë si po përmbushet kjo profeci. w20.10 24 ¶14-15
E premte, 19 gusht
Një njeri me mend kërkon udhëheqje të mençur.—Prov. 1:5.
Çfarë mund ta shtyjë dikë t’i hedhë poshtë këshillat e mençura të një miku të dashur? Krenaria. Njerëzit krenarë kanë qejf «t’u gudulisin veshët» dhe ‘nuk e dëgjojnë më të vërtetën’. (2 Tim. 4:3, 4) Ata kanë vlerësim tepër të lartë për opinionin e tyre dhe u duket vetja shumë të rëndësishëm. Mirëpo, apostulli Pavël shkroi: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, mashtron veten.» (Gal. 6:3) Mbreti Solomon e përmblodhi bukur këtë me fjalët: «Është më mirë një djalë i varfër, por i mençur, se një mbret i moshuar, por i marrë, që nuk ka më aq mend sa t’ua vërë veshin këshillave.» (Ekl. 4:13) Ia vlen të mendojmë për shembullin e apostullit Pjetër kur apostulli Pavël e qortoi përpara të gjithëve. (Gal. 2:11-14) Pjetri mund të ishte inatosur nga ajo që i tha Pavli po të përqendrohej te mënyra si i foli ose te fakti që e këshilloi në sy të të tjerëve. Por me mençuri e pranoi këshillën dhe nuk ushqeu mëri ndaj Pavlit. Madje, më vonë e quajti Pavlin ‘vëlla i dashur’.—2 Pjet. 3:15. w20.11 21 ¶9, 11-12
E shtunë, 20 gusht
Bëni dishepuj . . . duke i mësuar.—Mat. 28:19, 20.
Cila është një ndihmë e madhe që një student të përparojë? Ndjekja e mbledhjeve. Arsimimi nga Shkrimet në mbledhje do ta ndihmojë të thellojë njohurinë, të rritë besimin dhe të forcojë dashurinë për Perëndinë. (Vep. 15:30-32) Një lajmëtar mund t’i tregojë studentit se si dashuria gjithnjë e më e fortë për Jehovain e nxiti t’u bindej urdhrave të tij. (2 Kor. 7:1; Filip. 4:13) Dhe kur njihet me lajmëtarë të ndryshëm që kanë besim të fortë, studenti mëson nga shembulli i tyre se ç’do të thotë t’i bindesh urdhrit të Krishtit që të duash Perëndinë dhe të tjerët. (Gjoni 13:35; 1 Tim. 4:12) Studenti mund të mësojë nga lajmëtarët që përballojnë vështirësi të ngjashme me të tijat. Shembuj të tillë e sigurojnë se mund t’ia dalë t’i bëjë ndryshimet që nevojiten për të qenë dishepull i Krishtit. (Ligj. 30:11) Secili në kongregacion mund të luajë një rol në përparimin e studentëve të Biblës.—Mat. 5:16. w20.11 5 ¶10-12
E diel, 21 gusht
U kacafyta me bishat në Efes.—1 Kor. 15:32.
Ndoshta këtu Pavli po fliste për një përleshje me kafshët në një arenë të Efesit. (2 Kor. 1:8; 4:10; 11:23) Ose mund ta kishte fjalën për judenjtë armiqësorë dhe kundërshtarët e tjerë që ishin si ‘bisha’. (Vep. 19:26-34; 1 Kor. 16:9) Sido që të ishte, Pavli u përball me rreziqe të mëdha. Gjithsesi, ai e shihte të ardhmen me optimizëm. (1 Kor. 15:30, 31; 2 Kor. 4:16-18) Sot jetojmë në një kohë plot rreziqe. Disa vëllezër kanë qenë viktima të krimit. Të tjerë banojnë në zona ku bëhet luftë, dhe jeta e tyre nuk është aspak e sigurt. Kurse disa i shërbejnë Jehovait duke rrezikuar jetën a lirinë në vende ku vepra e predikimit është e kufizuar ose e ndaluar. Prapëseprapë, të gjithë këta vëllezër e motra nuk heqin dorë nga adhurimi i Jehovait dhe janë shembull për ne. Atyre u jep kurajë siguria se, edhe po të humbin jetën sot, Jehovai ka ndër mend diçka shumë më të mirë për ta në të ardhmen. w20.12 9 ¶3-4
E hënë, 22 gusht
Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. Ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.—1 Kor. 3:9.
A ndihesh ndonjëherë i shkurajuar ngaqë territori yt duket jomikpritës ose s’para gjen njeri në shtëpi? Ç’mund të bësh që ta ruash ose ta shtosh gëzimin në një situatë të tillë? Është e rëndësishme të kesh pikëpamjen e duhur për shërbimin. Çfarë do të thotë kjo? Ki si merak kryesor të bësh të njohur emrin e Perëndisë dhe të flasësh për Mbretërinë. Jezui e tha qartë se relativisht pak veta do të ecnin në rrugën e jetës. (Mat. 7:13, 14) Kur jemi në shërbim, kemi nderin të bashkëpunojmë me Jehovain, Jezuin dhe engjëjt. (Mat. 28:19, 20; Zbul. 14:6, 7) Jehovai tërheq ata që kanë dëshirë t’i shërbejnë. (Gjoni 6:44) Pra, nëse dikush nuk dëshiron ta dëgjojë mesazhin tonë, ndoshta do t’i kushtojë vëmendje herën tjetër. «Satanai e përdor shkurajimin si një armë të fuqishme kundër nesh»,—thotë një motër që quhet Debora. Por armët e tij nuk mund t’i bëjnë ballë kurrsesi Perëndisë Jehova. w20.12 26 ¶18-19; 27 ¶21
E martë, 23 gusht
Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria buron nga Perëndia.—1 Gjon. 4:7.
Shumë shërbëtorëve të Jehovait u duhet të punojnë me orar të plotë që të mbajnë veten dhe familjen. Prapëseprapë, këta lajmëtarë besnikë e mbështetin organizatën e Perëndisë në çdo mënyrë që munden. Për shembull, disa kanë mundësi të ndihmojnë në rast katastrofash, të tjerë punojnë në projekte ndërtimi, dhe gjithsecili ka mundësi të dhurojë para për veprën mbarëbotërore. Të gjitha këto i bëjnë nga dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët. Çdo javë, tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat duke ndjekur mbledhjet dhe duke marrë pjesë në to. Ndonëse mund të ndihemi të lodhur, jemi në mbledhje. Ndonëse mund të kemi siklet, bëjmë komente. E ndonëse të gjithë kemi probleme, u japim zemër të tjerëve para ose pas mbledhjes. (Hebr. 10:24, 25) Sa mirënjohës jemi për gjithë sa bëjnë vëllezërit e motrat tona! w21.01 10 ¶11
E mërkurë, 24 gusht
Të mos jemi egoistë.—Gal. 5:26.
Njerëzit krenarë e kanë të vështirë t’i lavdërojnë të tjerët, sepse duan lëvdata për vete. Kanë prirjen të krahasohen me të tjerët dhe të nxitin frymën e konkurrencës. Në vend që t’i stërvitin të tjerët dhe t’u besojnë përgjegjësi, shpesh mendojnë «nëse do që diçka të bëhet siç duhet»—domethënë siç u pëlqen atyre—«bëje vetë». Një njeri krenar shpesh është ambicioz dhe ziliqar. Nëse pikasim krenari në zemrën tonë, duhet t’i lutemi me zjarr Jehovait të na ndihmojë të ‘përtërijmë mendjen’, që kjo cilësi e keqe të mos rrënjoset brenda nesh. (Rom. 12:2). Sa mirënjohës jemi që Jehovai është kaq i përulur! (Psal. 18:35) E shohim përulësinë e tij te mënyra si i trajton shërbëtorët e vet, dhe duam ta imitojmë. Veç kësaj, duam të imitojmë shembujt e shkëlqyer të atyre që ecën me Perëndinë përulësisht dhe me modesti. Le t’i japim përherë Jehovait nderimin dhe lavdinë që meriton!—Zbul. 4:11. w20.08 13 ¶19-20
E enjte, 25 gusht
Ata që martohen, do të kenë vështirësi në jetë.—1 Kor. 7:28.
Martesa është një dhuratë e përsosur nga Perëndia, ama njerëzit janë të papërsosur. (1 Gjon. 1:8) Ja pse Fjala e Perëndisë i paralajmëron çiftet e martuara se do të hasin «vështirësi në jetë». Jehovai pret që burri ta ndihmojë familjen të mbajë një besim të fortë, si edhe të kujdeset për nevojat e tyre emocionale e materiale. (1 Tim. 5:8) Gjithsesi, motrat e martuara duhet të gjejnë kohë çdo ditë në programin e tyre të ngjeshur që të lexojnë Fjalën e Perëndisë, të meditojnë për të dhe t’ia zbrazin zemrën Jehovait në lutje. Kjo mund të jetë një sfidë. Gratë janë goxha të ngarkuara, por është jetësore ta gjejnë kohën. Pse? Sepse Jehovai do që secili nga ne të zhvillojë një marrëdhënie personale me të dhe ta ruajë këtë miqësi. (Vep. 17:27) Natyrisht, gruas mund t’i duhet të përpiqet shumë që t’i nënshtrohet burrit të saj të papërsosur. Megjithatë do ta ketë më të lehtë ta përmbushë këtë caktim nga Jehovai nëse i kupton dhe i pranon arsyet që japin Shkrimet se pse duhet t’i nënshtrohet të shoqit. w21.02 9 ¶3, 6-7
E premte, 26 gusht
Cilësia e besimit tuaj të sprovuar sjell qëndrueshmëri.—Jak. 1:3.
Sprovat mund të krahasohen me zjarrin që përdoret për të kalitur një teh çeliku. Kur tehu nxehet e pastaj ftohet, çeliku bëhet më i fortë. Po njësoj, kur përballojmë sprova, besimi ynë forcohet. Për këtë arsye, Jakovi shkroi: «Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt.» (Jak. 1:4) Kur shohim se sprovat na forcojnë besimin, arrijmë t’u bëjmë ballë me gëzim. Në letrën e tij, Jakovi veçon edhe disa vështirësi që mund të na e grabitin gëzimin. Një vështirësi është kur nuk dimë çfarë të bëjmë. Përballë sprovave na nevojitet ndihma e Jehovait për të marrë vendime që kënaqin atë, që ndikojnë për mirë te vëllezërit e motrat dhe që na ndihmojnë ne vetë të mbajmë integritetin. (Jer. 10:23) Na duhet mençuri për të ditur çfarë rruge të zgjedhim dhe çfarë t’u themi atyre që na kundërshtojnë. Kur nuk dimë ç’të bëjmë, mund të ndihemi si viktima të pafuqishme të rrethanave dhe mund ta humbim shpejt gëzimin. w21.02 28 ¶7-9
E shtunë, 27 gusht
Kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.—1 Pjet. 1:22.
Jehovai na lë një shembull të shkëlqyer. Kur jemi besnikë ndaj tij, dashuria e Jehovait për ne është aq e zjarrtë, sa nuk ka gjë në botë që ta shuajë. (Rom. 8:38, 39) Fjala greke që është përkthyer «të zjarrtë», përcjell idenë të përpiqesh fort, e madje të stërmundohesh. Hera-herës mund të na duhet «të përpiqemi fort» e «të stërmundohemi» që të kemi përzemërsi të ngrohtë për një vëlla a motër. Kur dikush na mërzit, kemi nevojë të vazhdojmë ‘ta tolerojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe të bëjmë çmos të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:1-3) Kur mundohemi të ruajmë «lidhjen e paqes», shohim përtej të metave a gabimeve të vëllezërve. Bëjmë çmos t’i shohim ashtu siç i sheh Jehovai. (1 Sam. 16:7; Psal. 130:3) Nuk është gjithnjë kollaj të tregojmë përzemërsi të ngrohtë për vëllezërit dhe motrat, sidomos kur i njohim të metat a gabimet e tyre. Siç duket, këtë sfidë e hasën edhe disa të krishterë të shekullit të parë, siç ishte rasti i Evodisë dhe Sintikisë. Apostulli Pavël i nxiti ‘të ishin në një mendje në Zotërinë’.—Filip. 4:2, 3. w21.01 22-23 ¶10-11
E diel, 28 gusht
Ju shkruaj, o të rinj, sepse ju jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në zemrat tuaja, e ju e mundët të Ligun.—1 Gjon. 2:14.
Të tjerët në kongregacion ju vlerësojnë jashtë mase ju vëllezër të rinj që i shërbeni Jehovait «krah për krah» me ta! (Sof. 3:9) Ua kënaq zemrën zelli, përpjekjet energjike dhe entuziazmi juaj në çdo caktim. Ju po fitoni respektin e tyre. Vëlla i ri, mos harro kurrë se Jehovai të do dhe ka besim te ti. Ai paratha se gjatë ditëve të fundit një armatë me të rinj do të ofrohej vullnetarisht për t’i shërbyer. (Psal. 110:1-3) Jehovai e di se ti e do dhe dëshiron t’i japësh më të mirën. Prandaj ki durim edhe me të tjerët, edhe me veten. Kur bën gabime, prano këshillat dhe disiplinën që merr, duke mbajtur parasysh se ato vijnë nga Jehovai. (Hebr. 12:6) Puno pa përtuar në çdo caktim që të jepet. E mbi të gjitha, bëje krenar Atin tënd qiellor në çdo hap që hedh.—Prov. 27:11. w21.03 7 ¶17-18
E hënë, 29 gusht
Po të shkurajohesh në kohë të vështira, fuqia jote do të jetë e paktë.—Prov. 24:10, shën.
Shkurajimi mund të ketë shumë shkaqe—disa të brendshme, disa të jashtme. Ndër to janë papërsosmëritë e dobësitë tona dhe shëndeti i dobët. Gjithashtu, mund të shkurajohemi kur nuk marrim një caktim që e duam në shërbim të Jehovait ose kur predikojmë në një territor që duket indiferent. Fare lehtë mund të zhvillojmë një pikëpamje të paekuilibruar për papërsosmëritë dhe dobësitë tona. E si pasojë mund të besojmë se Jehovai nuk do të na dojë kurrë në botën e tij të re për shkak të të metave dhe gabimeve që bëjmë. Ky qëndrim mund të jetë goxha i rrezikshëm. Bibla tregon qartë se, me përjashtim të Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit «kanë mëkatuar». (Rom. 3:23) Por Autori i Biblës nuk fiksohet pas gabimeve tona e as pret përsosmëri nga ne. Përkundrazi, është një Atë i dashur që dëshiron të na ndihmojë. Është edhe i duruar. Ai e sheh si luftojmë për t’i mposhtur dobësitë dhe pikëpamjen negative për veten, e është i gatshëm të na ndihmojë.—Rom. 7:18, 19. w20.12 22 ¶1-3
E martë, 30 gusht
Së fundi, vëllezër, vazhdoni të gëzoni [dhe] të ndreqeni.—2 Kor. 13:11.
Të gjithë jemi në një udhëtim. Destinacioni, ose synimi, ynë është të jetojmë në botën e re ku do të qeverisë me dashuri Jehovai. Çdo ditë përpiqemi të ecim në rrugën që çon në jetë. Por, siç tha Jezui, kjo rrugë është e ngushtë dhe hera-herës e kemi të vështirë ta ndjekim. (Mat. 7:13, 14) E si të papërsosur mund të devijojmë kollaj prej saj. (Gal. 6:1) Që të qëndrojmë në rrugën e ngushtë të jetës, duhet të jemi të gatshëm të ndreqim mënyrën si mendojmë, si veprojmë dhe qëndrimin tonë. Apostulli Pavël na nxit të vazhdojmë ‘të ndreqemi’. Kur përpiqemi të shqyrtojmë mendimet dhe ndjenjat tona, hasim një vështirësi. Zemra jonë është e pabesë, pra shpesh nuk mund t’i zëmë besë drejtimit të saj. (Jer. 17:9) Fare kollaj mund të gënjejmë veten me «arsyetime të rreme». (Jak. 1:22) Ja pse duhet të përdorim Fjalën e Perëndisë për të shqyrtuar veten. Bibla zbulon si jemi thellë përbrenda, «mendimet dhe qëllimet» e zemrës.—Hebr. 4:12, 13. w20.11 18 ¶1-3
E mërkurë, 31 gusht
Jini të parët për të nderuar njëri-tjetrin.—Rom. 12:10.
Kur jemi të përulur dhe modestë, është më e lehtë të kemi një zemër të gëzuar. Pse? Sepse kur i mbajmë parasysh kufizimet tona, jemi mirënjohës e të kënaqur për çfarëdo ndihme që na japin të tjerët. Për shembull, të kujtojmë rastin kur Jezui shëroi dhjetë të lebrosurit. Vetëm një prej tyre u kthye të falënderonte Jezuin që e shëroi nga ajo sëmundje e tmerrshme—diçka që nuk mund ta bënte kurrë vetë. Ai ishte i përulur dhe modest, prandaj ndihej mirënjohës për ndihmën e Jezuit, dhe i dha lavdi Perëndisë. (Luka 17:11-19) Zakonisht njerëzit e përulur dhe modestë shkojnë mirë me të tjerët, dhe për ta është më e lehtë të kenë miq të ngushtë. Pse? Sepse e pranojnë me kënaqësi që të tjerët kanë cilësi të bukura dhe tregojnë besim tek ata. Gëzohen kur dikush ka sukses në çfarëdo caktimi dhe nuk ngurrojnë ta lavdërojnë e ta nderojnë. w20.08 12 ¶17-18