BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es22
  • Korrik

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Korrik
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
  • Nëntema
  • E premte, 1 korrik
  • E shtunë, 2 korrik
  • E diel, 3 korrik
  • E hënë, 4 korrik
  • E martë, 5 korrik
  • E mërkurë, 6 korrik
  • E enjte, 7 korrik
  • E premte, 8 korrik
  • E shtunë, 9 korrik
  • E diel, 10 korrik
  • E hënë, 11 korrik
  • E martë, 12 korrik
  • E mërkurë, 13 korrik
  • E enjte, 14 korrik
  • E premte, 15 korrik
  • E shtunë, 16 korrik
  • E diel, 17 korrik
  • E hënë, 18 korrik
  • E martë, 19 korrik
  • E mërkurë, 20 korrik
  • E enjte, 21 korrik
  • E premte, 22 korrik
  • E shtunë, 23 korrik
  • E diel, 24 korrik
  • E hënë, 25 korrik
  • E martë, 26 korrik
  • E mërkurë, 27 korrik
  • E enjte, 28 korrik
  • E premte, 29 korrik
  • E shtunë, 30 korrik
  • E diel, 31 korrik
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2022
es22

Korrik

E premte, 1 korrik

Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.—Mat. 28:18.

Duhet të jemi miq me Jezuin që lutjet tona të marrin përgjigje. Për këtë nuk mjafton thjesht të themi në fund të lutjes «në emër të Jezuit». Duhet të kuptojmë si e përdor Jehovai Jezuin për t’iu përgjigjur lutjeve tona. Jezui u tha apostujve: «Çfarëdo të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj.» (Gjoni 14:13) Edhe pse është Jehovai ai që i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona, autoritetin që t’i zbatojë vendimet e Tij, ia ka dhënë Jezuit. Veç kësaj, para se t’u përgjigjet lutjeve tona, Perëndia sigurohet nëse kemi zbatuar këshillat që na ka dhënë Jezui. Për shembull, Jezui tha: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju, por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» (Mat. 6:14, 15) Sa e rëndësishme është, pra, që t’i trajtojmë të tjerët me të njëjtën dashuri që na tregojnë Jehovai dhe Jezui! w20.04 22 ¶6

E shtunë, 2 korrik

Po ju shpallim lajmin e mirë që të hiqni dorë nga këto kotësira e të ktheheni te Perëndia i gjallë.—Vep. 14:15.

Apostulli Pavël dallonte çfarë u interesonte dëgjuesve të tij, e pastaj e përshtaste prezantimin sipas kësaj. Për shembull, turma e njerëzve që u foli në Listër, kishte pak ose aspak njohuri për Shkrimet. Prandaj Pavli përdori argumente që mund t’i kapnin. U foli për stinët e frytshme dhe për aftësinë e njeriut që ta gëzojë jetën. Përdori fjalë dhe shembuj që dëgjuesit e tij mund t’i kuptonin kollaj. Ji i vëmendshëm që të dallosh çfarë u intereson njerëzve në territor dhe përshtate prezantimin sipas kësaj. Si mund të kuptosh çfarë i intereson dikujt ndërsa i afrohesh atij ose shtëpisë së tij? Çelësi është të jesh vëzhgues. Ndoshta ai po punon kopshtin, po lexon, po riparon makinën a biçikletën ose po merret me diçka tjetër. Po të jetë e përshtatshme, pse të mos e hapësh bisedën duke folur për atë që po bën? (Gjoni 4:7) Edhe veshja e tij mund të të thotë diçka—ndoshta tregon kombësinë, çfarë pune bën ose me kë është tifoz. w20.04 11 ¶11-12

E diel, 3 korrik

Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai merakoset për ju.—1 Pjet. 5:7.

Për shkak të ankthit të rëndë, disa vëllezër e motra ndihen shumë të tensionuar e në siklet në situatat shoqërore të jetës së përditshme. Ata mund ta kenë të vështirë të jenë mes grupeve të mëdha, por vazhdojnë të ndjekin mbledhjet e kongregacionit, asambletë e kongreset. Për ta është sfidë të flasin me të panjohur, por prapë flasin me njerëzit në predikim. Nëse ndihesh edhe ti kështu, të jesh i sigurt se nuk je vetëm. Shumë veta bëjnë një luftë të ngjashme. Mos harro se Jehovait i gëzon zemra nga përpjekjet e tua me gjithë shpirt. Fakti që nuk je dorëzuar, është një provë se ai po të bekon dhe po të jep forcën që të nevojitet. (Filip. 4:6, 7) Nëse po i shërben Jehovait pavarësisht nga problemet fizike dhe emocionale, mos ki fije dyshimi se po ia gëzon zemrën. Shumë nga ata që janë në garën e jetës kanë probleme shëndetësore, e megjithatë po vrapojnë me qëndrueshmëri. (2 Kor. 4:16) Falë ndihmës së Jehovait, të gjithë ne do ta përfundojmë garën! w20.04 31 ¶20-21

E hënë, 4 korrik

Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë . . . nga gjërat që ka bërë.—Rom. 1:20.

Mençuria e Perëndisë shihet qartë te mënyra si ka ndërtuar shtëpinë tonë, tokën. (Hebr. 3:4) Toka është unike sepse ka të gjitha kushtet e duhura për të jetuar njeriu. Në disa aspekte, toka jonë mes universit është si një anije që lundron në një oqean të paanë. Por ka edhe ndryshime thelbësore mes një anijeje të ndërtuar nga njeriu, plot me pasagjerë, dhe planetit tonë. Për shembull, sa kohë do të mbijetonin njerëzit në një anije, nëse do t’u duhej ta prodhonin vetë oksigjenin, ushqimin e ujin, dhe nëse nuk mund t’i hidhnin jashtë mbeturinat? S’do të kalonte shumë e ata pasagjerë do të vdisnin. Krejt ndryshe, toka mban në jetë miliarda krijesa. Ajo prodhon të gjithë oksigjenin, ushqimin dhe ujin që na nevojitet, e ne nuk mbetemi kurrë pa këto gjëra jetësore. Mbeturinat nuk hidhen jashtë planetit, e prapëseprapë toka mbetet e bukur dhe e banueshme. Si ka mundësi? Jehovai e ka projektuar tokën me aftësinë për t’i ricikluar të mirat e natyrës. w20.05 20 ¶3-4

E martë, 5 korrik

Ju s’keni për të vdekur aspak.—Zan. 3:4.

Satanai i tha me fjalë të tjera Evës se Jehovai është gënjeshtar. Kështu Satanai u bë një djall, domethënë një shpifës. Eva u mashtrua plotësisht dhe i zuri besë Satanait. (1 Tim. 2:14) Ajo i besoi më shumë atij sesa Jehovait. Kjo e çoi drejt vendimit më të keq që mund të merrte: vendosi të mos i bindej Perëndisë. Eva hëngri nga fryti i pemës që Jehovai kishte urdhëruar të mos e hante. Pastaj i dha edhe Adamit. (Zan. 3:6) Mendo për një çast se çfarë duhej t’i kishte thënë Eva Satanait. Imagjino sikur t’i kishte thënë diçka të tillë: «Ty nuk të njoh kush je, ama Atin tim, Jehovain, e njoh. Dhe e dua e kam besim tek ai. Gjithçka që kemi unë dhe Adami, na e ka dhënë Jehovai. Si guxon të thuash diçka të keqe për të?! Shporru tutje!» Sa do t’ia gëzonin zemrën Jehovait fjalë të tilla që tregonin besnikërinë e një bije të dashur! (Prov. 27:11) Mirëpo Eva nuk kishte dashuri besnike për Jehovain, e as Adami nuk udhëhiqej nga kjo cilësi. Ngaqë nuk kishin një dashuri të tillë për Atin e tyre, Adami dhe Eva nuk e mbrojtën emrin e tij nga shpifjet. w20.06 4 ¶10-11

E mërkurë, 6 korrik

Një ushtri e madhe janë gratë që shpallin lajmin e mirë.—Psal. 68:11.

Motrat tona meritojnë lavdërime për tërë ato gjëra që bëjnë në shërbim të Jehovait. Ky shërbim përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e godinave tona, predikimin me grupet e gjuhëve të huaja dhe punën vullnetare në Bethel. Ato japin ndihmë në raste katastrofash, ndihmojnë për përkthimin e botimeve tona dhe shërbejnë si pioniere e misionare. Veç kësaj, gratë ndihmojnë burrat e tyre të mbajnë një peshë të rëndë në kongregacion e në organizatë. Këta vëllezër me përgjegjësi do ta kishin më të vështirë të shërbenin si «dhurata në njerëz» pa mbështetjen e grave të tyre. (Efes. 4:8) Pleqtë e mençur e kuptojnë se motrat janë «një ushtri e madhe» me lajmëtare të zellshme dhe janë goxha të zonjat në predikimin e lajmit të mirë. Veç kësaj, pleqtë e kuptojnë se motrat e pjekura dhe besnike janë goxha të afta për t’i ndihmuar motrat më të reja që të përballojnë vështirësitë. (Titit 2:3-5) Pa dyshim, motrat meritojnë dashurinë dhe mirënjohjen tonë! w20.09 23-24 ¶13-14

E enjte, 7 korrik

Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.—Mat. 18:14.

Jehovai nuk i harron ata që i kanë shërbyer më parë, por që përkohësisht nuk shoqërohen më me popullin e tij; nuk harron as çfarë kanë bërë në shërbim të tij. (Hebr. 6:10) Për të treguar si kujdeset Jehovai për popullin e tij, profeti Isaia shkroi këtë ilustrim të bukur: «Ai do të kujdeset për kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.» (Isa. 40:11) Si ndihet Bariu i Madh kur një nga delet e tij humb rrugën dhe largohet nga kopeja? Jezui tregoi si ndihet Jehovai kur pyeti dishepujt e tij: «Si mendoni? Nëse një njeri ka 100 dele dhe njëra humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai 99 në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën? Ja ku po jua them: po ta gjejë, ai do të gëzojë më shumë për të, se për ato 99 që nuk e kanë humbur rrugën.»—Mat. 18:12, 13. w20.06 19-20 ¶8-9

E premte, 8 korrik

Kush synon të jetë mbikëqyrës, dëshiron një punë të shkëlqyer.—1 Tim. 3:1.

E quajmë nder t’i shërbejmë Jehovait në çfarëdo mënyre të kemi mundësi. (Psal. 27:4; 84:10) Nëse një vëlla mund të vihet në dispozicion për një privilegj shërbimi, kjo është gjë e mirë. Megjithatë, kur merr një caktim, ai nuk duhet të mendojë për veten më shumë se ç’duhet. (Luka 17:7-10) Synimi i tij duhet të jetë t’u shërbejë të tjerëve me përulësi. (2 Kor. 12:15) Në Bibël gjejmë shembullin paralajmërues të disave që e shihnin veten si tepër të rëndësishëm. Diotrefit i mungonte modestia dhe përpiqej të ishte «i pari» në kongregacion. (3 Gjon. 9) Uziahu u orvat me krenari të kryente një detyrë që Jehovai nuk ia kishte caktuar. (2 Kron. 26:16-21) Absalomi u përpoq me dhelpëri të fitonte përkrahjen e popullit, sepse donte të bëhej mbret. (2 Sam. 15:2-6) Siç e tregojnë qartë këta shembuj nga Bibla, Jehovai nuk është i kënaqur me ata që kërkojnë lavdinë e vet. (Prov. 25:27) Me kohë, krenaria dhe ambicia sjellin pa diskutim pasoja shkatërrimtare.—Prov. 16:18. w20.07 4 ¶7-8

E shtunë, 9 korrik

Secili do të mbajë ngarkesën e vet.—Gal. 6:5.

Disa familje Dëshmitarësh janë transferuar në shtete të tjera për shkak të situatave të vështira në vendin e tyre ose për të gjetur punë. Prandaj, ka të ngjarë që fëmijët e tyre arsimohen në gjuhën e vendit ku kanë shkuar. Edhe prindërve mund t’u duhet ta mësojnë atë gjuhë për të gjetur punë. Po nëse ka një kongregacion ose grup në gjuhën e tyre amtare, në cilin kongregacion duhet të shkojë familja? Në një kongregacion ku flitet gjuha e vendit apo në një kongregacion të gjuhës amtare? I takon kryefamiljarit të vendosë në cilin kongregacion do të shkojë familja e tij. Pra atij i duhet të peshojë se çfarë është më e mira për pjesëtarët e familjes. Ne duhet ta respektojmë dhe ta pranojmë vendimin e kryefamiljarit, sido që të jetë ai, dhe ta presim krahëhapur familjen në kongregacionin tonë.—Rom. 15:7. w20.08 30 ¶17-18

E diel, 10 korrik

Perëndia zgjodhi gjërat e marra të botës.—1 Kor. 1:27.

Nëse duam të marrim fuqi nga Jehovai, nuk duhet të mendojmë se vlera jonë përcaktohet nga fuqia fizike, arsimimi, prejardhja ose të mirat materiale. Nuk janë këto që na bëjnë të dobishëm për Jehovain. Faktikisht, shumë shërbëtorë të Perëndisë nuk janë ‘të mençur nga pikëpamja njerëzore, të fuqishëm dhe nga familje fisnike’. (1 Kor. 1:26) Prandaj, mos i shih gjërat që bota i quan disavantazhe si pengesa për t’i shërbyer Jehovait. Në vend të kësaj, shihi si mundësi për të parë si të jep fuqi Jehovai. Për shembull, nëse ndihesh i pasigurt kur të tjerët përpiqen të të ngjallin dyshime për bindjet e tua, lutju Jehovait të të japë guxim që ta mbrosh besimin. (Efes. 6:19, 20) Nëse po lufton me një sëmundje kronike, kërkoji Jehovait të të japë fuqinë e nevojshme për të ruajtur zellin në shërbim. Çdo herë që sheh dorën e Jehovait në jetën tënde, të shtohet besimi dhe bëhesh më i fuqishëm. w20.07 16 ¶9

E hënë, 11 korrik

Kërkoni në radhë të parë Mbretërinë.—Mat. 6:33.

Që ta mbajmë të parën në jetë Mbretërinë, duhet të jemi si Abrahami—të gatshëm të bëjmë sakrifica për të kënaqur Perëndinë. (Mar. 10:28-30; Hebr. 11:8-10) Mos prit një jetë pa telashe. Edhe ata që ia kushtojnë tërë jetën shërbimit të Jehovait, luftojnë me vështirësi. (Jak. 1:2; 1 Pjet. 5:9) Sot kemi më shumë arsye se kurrë që t’i mbajmë sytë tek e ardhmja. Ngjarjet botërore tregojnë qartë se jemi në pjesën finale të ditëve të fundit të këtij sistemi. Kur të qeverisë Mbretëria, një nga bekimet e shumta që do të na mbushë me gëzim, do të jetë të takojmë njerëzit tanë të dashur kur të ringjallen. Në atë kohë, Jehovai do ta shpërblejë Abrahamin për besimin dhe durimin që tregoi, duke e ringjallur në tokë bashkë me familjen e tij. A do të jesh atje për t’i mirëpritur? Mund të jesh nëse, ashtu si Abrahami, je i gatshëm të bësh sakrifica për Mbretërinë e Perëndisë, nëse e mban besimin të fortë edhe mes vështirësive dhe nëse mëson të presësh me durim Jehovain.—Mik. 7:7. w20.08 5-6 ¶13-14; 7 ¶17

E martë, 12 korrik

Tregohu besnik deri në vdekje, e do të të jap kurorën e jetës.—Zbul. 2:10.

E dimë se nëse armiqtë na vrasin, Jehovai do të na kthejë në jetë. Jemi të bindur se çfarëdo që të bëjnë, nuk e prishin dot lidhjen tonë të ngushtë me Jehovain. (Rom. 8:35-39) Sa mbresëlënëse është mençuria që ka treguar Jehovai duke na dhënë shpresën e ringjalljes! Me anë të saj, ai çarmatos Satanain nga një prej armëve të tij më të efektshme dhe njëkohësisht na armatos ne me guxim të pathyeshëm. A do të jesh i gatshëm ta lësh jetën me besim në duart e Jehovait, nëse armiqtë e tij kërcënojnë të të vrasin? Nga mund ta dish si do të reagosh në ato momente? Një mënyrë është të pyesësh veten: «A tregojnë vendimet e vogla që marr çdo ditë se kam besim te Jehovai?» (Luka 16:10) Një pyetje tjetër mund të jetë: «A tregon mënyra si jetoj se kam besim te premtimi i Jehovait që do të kujdeset për nevojat e mia materiale po të vë të parën Mbretërinë?» (Mat. 6:31-33) Nëse përgjigjet për këto pyetje janë «po», do të jesh i përgatitur për çfarëdo sprove në të ardhmen.—Prov. 3:5, 6. w20.08 17-18 ¶15-16

E mërkurë, 13 korrik

Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.—2 Tim. 2:15.

Ne duhet të mësojmë ta përdorim me zotësi Fjalën e Perëndisë. Disa aftësi mund t’i fitojmë në mbledhjet tona. Por, për t’i bindur të tjerët se të vërtetat e Biblës janë të çmuara, kemi nevojë të ndjekim një program të rregullt për studimin e saj. Duhet ta përdorim Fjalën e Perëndisë që të forcojmë besimin tonë. Për këtë nuk mjafton thjesht ta lexojmë. Duhet edhe ta bluajmë në mendje atë që lexojmë e të bëjmë kërkime në botimet tona, që t’i kuptojmë e t’i shpjegojmë siç duhet Shkrimet. (1 Tim. 4:13-15) Atëherë do të jemi të aftë ta përdorim Fjalën e Perëndisë për të mësuar të tjerët. Edhe në këtë rast, nuk mjafton thjesht të lexojmë një varg nga Bibla. Duam t’i ndihmojmë dëgjuesit të kapin kuptimin e atij vargu dhe të dinë si zbatohet në jetën e tyre. Duke ndjekur një program të rregullt për studimin personal të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mund ta përdorim me mjeshtëri për të mësuar të tjerët.—2 Tim. 3:16, 17. w20.09 28 ¶12

E enjte, 14 korrik

Mendoni me kujdes për [Jezuin] . . . , me qëllim që të mos lodheni e të mos dorëzoheni.—Hebr. 12:3.

Që të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit, bëjmë mirë të ndalemi e të mendojmë sa shumë po bën Jehovai për të na ndihmuar. Për shembull, ai na siguron me bollëk ushqim besimforcues në formën e botimeve të shtypura e digjitale, regjistrimeve audio, videove dhe programeve mujore. Vetëm të mendosh që në sitin tonë zyrtar, ka informacion në mbi 1.000 gjuhë! (Mat. 24:45-47) Një mënyrë si të vazhdojmë të jemi të përqendruar te vepra e predikimit është të ndjekim shembullin e Jezuit. Ai nuk lejoi asgjë ta shpërqendronte, por vazhdoi të jepte dëshmi për të vërtetën. (Gjoni 18:37) Nuk ia prishi mendjen oferta e Satanait se do t’i jepte «të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre»; as nuk u josh kur të tjerët donin ta bënin mbret. (Mat. 4:8, 9; Gjoni 6:15) Nuk e gërryente dëshira për të pasur sa më shumë gjëra materiale; as nuk stepej nga kundërshtimi i egër. (Luka 9:58; Gjoni 8:59) Kur na sprovohet besimi, mund të mbetemi të përqendruar te vepra e predikimit nëse kujtojmë këshillën e apostullit Pavël që lexojmë në shkrimin e sotëm. w20.09 9-10 ¶6-7

E premte, 15 korrik

Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.—1 Kor. 11:1.

Sa bukur që në kongregacione kemi kaq shumë motra që punojnë pa u lodhur! Ato marrin pjesë në mbledhje, predikojnë e mësojnë lajmin e mirë dhe disa ndihmojnë për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu interesohen sinqerisht për vëllezërit e motrat. Por, natyrisht, ato hasin edhe sfida. Disa kujdesen për prindërit e moshuar. Të tjera përballen me kundërshtime nga familjarët. E disa motra që janë prind i vetëm, punojnë pa përtuar për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme. Pse është e rëndësishme t’u bëhemi krah motrave tona? Sepse shpesh bota nuk i trajton gratë me dinjitetin që u takon. Veç kësaj, Bibla na inkurajon t’u bëhemi krah. Për shembull, apostulli Pavël i kërkoi kongregacionit të Romës ta mirëpriste Febën dhe ‘ta ndihmonte për çdo gjë që mund të kishte nevojë’. (Rom. 16:1, 2) Pavli bënte pjesë në një kulturë që i trajtonte gratë si inferiore. Por si një i krishterë, ai imitonte Jezuin dhe i trajtonte gratë me dinjitet e dashamirësi. w20.09 20 ¶1-2

E shtunë, 16 korrik

Bëni dishepuj . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.—Mat. 28:19, 20.

Duhet t’i ndihmojmë studentët e Biblës të ushqejnë dëshirën për të marrë pjesë në veprën e predikimit. Mund t’u bëjmë pyetje të tilla: «Si është përmirësuar jeta jote pasi nise të zbatosh atë që thotë Bibla? A mendon se të tjerët kanë nevojë ta dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë? Çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar?» (Prov. 3:27; Mat. 9:37, 38) Të mbajmë në mend se Jezui na udhëzoi t’i mësojmë njerëzit «të zbatojnë të gjitha gjërat» që urdhëroi ai. Patjetër që këtu futen edhe dy urdhrat më të mëdhenj—të duam Perëndinë dhe të duam të tjerët—të cilët lidhen ngushtë me predikimin dhe bërjen e dishepujve. (Mat. 22:37-39) Në fakt, motivi kryesorë pse marrim pjesë në veprën e predikimit është dashuria. Natyrisht që disa studentë mund t’i frikësojë mendimi që të marrin pjesë në veprën e predikimit. Por mund t’i sigurojmë se me ndihmën e Jehovait do t’ia dalin ta mposhtin dalëngadalë frikën nga njeriu.—Psal. 18:1-3; Prov. 29:25. w20.11 3 ¶6-8

E diel, 17 korrik

Jemi lutur pareshtur për ju.—Kolos. 1:9.

Kur përgatitesh për të studiuar Biblën me dikë, duhet edhe t’i lutesh Jehovait për studentin dhe për çka i nevojitet. Kërkoji ndihmë që ta mësosh nga Bibla në një mënyrë që i prek zemrën. Mbaj në mendje se synimi yt është ta ndihmosh të përparojë drejt pagëzimit. Gjithashtu studenti ka nevojë të komunikojë me Jehovain duke e dëgjuar dhe duke folur me Të. Ai mund ta dëgjojë Perëndinë duke lexuar Biblën çdo ditë. (Jos. 1:8; Psal. 1:1-3) Ai mund të flasë me Jehovain duke u lutur përditë. Prandaj, sa herë që filloni e mbaroni studimin, lutu nga zemra dhe përmende studentin në lutje. Ndërsa dëgjon lutjet e tua, ai do të mësojë si t’i zbrazë zemrën Perëndisë Jehova dhe do të kuptojë se duhet të lutet në emër të Jezu Krishtit. (Mat. 6:9; Gjoni 15:16) Imagjino sa shumë do të afrohet me Perëndinë studenti ndërsa lexon Biblën çdo ditë (dëgjon Jehovain) dhe ndërsa lutet (flet me Jehovain)!—Jak. 4:8. w20.10 8 ¶8; 9 ¶10-11

E hënë, 18 korrik

Bëni çmos të ruani njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes.—Efes. 4:3.

Ashtu si të krishterët e hershëm, edhe organizata e Jehovait sot punon me gjithë shpirt që kongregacionet të jenë të organizuara e në paqe. (Vep. 16:4, 5) Ta ilustrojmë: nëse të rastis të ndjekësh Studimin e Kullës së Rojës në ndonjë kongregacion tjetër—madje edhe në një shtet tjetër—ti e di mirë si do të zhvillohet studimi dhe cili artikull do të studiohet. Ndihesh menjëherë si në shtëpinë tënde! Vërtet, nuk ka forcë në botë që mund të sjellë këtë unitet të vyer përveç frymës së Perëndisë! (Sof. 3:9, shën.) Çfarë mund të bësh? Pyet veten: «A nxit unitetin dhe paqen në kongregacion? A u bindem atyre që marrin drejtimin? A mund të mbështeten të tjerët tek unë, sidomos nëse kam përgjegjësi në kongregacion? A jam i përpiktë, i gjindshëm dhe i gatshëm të shërbej?» (Jak. 3:17) Nëse kupton se mund të përmirësohesh në ndonjë pikë, lutu për frymën e shenjtë. Sa më shumë ta lejosh frymën e Jehovait të të modelojë personalitetin e të ndikojë te veprimet e tua, aq më i dashur e më i çmuar do të jesh për vëllezërit dhe motrat. w20.10 23 ¶12-13

E martë, 19 korrik

Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.—Jak. 1:22.

Fjala e Perëndisë mund të na shërbejë si pasqyrë. (Jak. 1:23-25) Zakonisht shihemi në pasqyrë çdo mëngjes para se të dalim nga shtëpia. Po njësoj, kur lexojmë Biblën çdo ditë, dallojmë si mund të ndreqim mënyrën si mendojmë dhe qëndrimin tonë. Shumë vetave u duket e dobishme të lexojnë shkrimin e ditës çdo mëngjes para se të dalin nga shtëpia. Pastaj e lejojnë atë që lexuan të ndikojë te mënyra si mendojnë. E gjatë gjithë ditës, kërkojnë mënyra si ta zbatojnë atë këshillë nga Bibla. Veç kësaj, duhet të kemi një program studimi ku përfshihet leximi dhe meditimi i përditshëm rreth Fjalës së Perëndisë. Mbase kjo duket si diçka elementare, por është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë për të qëndruar në rrugën e ngushtë të jetës. Në njëfarë kuptimi, Fjala e Perëndisë shërben si një skaner, pasi na ndihmon të shohim thellë brenda vetes. Veçse, për të nxjerrë dobi prej këshillave që marrim nga Bibla ose nga përfaqësuesit e Perëndisë, na duhet përulësi. w20.11 18 ¶3; 20 ¶8

E mërkurë, 20 korrik

Besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë.—Vep. 16:5.

Ndonëse i përndiqnin shpesh, të krishterët e shekullit të parë gëzuan edhe periudha paqeje. Si i shfrytëzuan dishepujt ato mundësi? Ata burra e gra besnikë predikuan pareshtur lajmin e mirë. Tregimi i Veprave thotë se ata ‘e nderonin thellësisht Jehovain’. Dishepujt vazhduan të predikonin lajmin e mirë dhe, si rezultat, ‘rriteshin gjithnjë e më shumë në numër’. Pa dyshim, Jehovai e bekoi predikimin e tyre plot zell në kohë paqeje. (Vep. 9:26-31) Dishepujt e shekullit të parë shfrytëzonin çdo mundësi për të përhapur lajmin e mirë. Për shembull, kur apostulli Pavël kuptoi se i ishte hapur një derë e madhe në Efes, vendosi të qëndronte atje. Ai shfrytëzoi mundësinë që të predikonte e të bënte dishepuj në atë qytet. (1 Kor. 16:8, 9) Dishepujt u përpoqën me gjithë shpirt të shpallnin «lajmin e mirë të fjalës së Jehovait». (Vep. 15:30-35) Cili ishte rezultati? Përgjigjjen e gjejmë në shkrimin e sotëm. w20.09 16 ¶6-8

E enjte, 21 korrik

Vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu.—1 Kor. 15:21.

Kur mëkatoi, Adami i solli shkatërrim vetes dhe pasardhësve të tij. Sot e kësaj dite vuajmë pasojat e tmerrshme të mosbindjes së Adamit. Sa ndryshe është e ardhmja fantastike që mund të gëzojmë ngaqë Perëndia ringjalli Birin e tij! «Edhe ringjallja e të vdekurve vjen nëpërmjet një njeriu», Jezuit. Pavli arsyetoi: «Për shkak të Adamit të gjithë po vdesin, por falë Krishtit të gjithë do të marrin jetë.» (1 Kor. 15:22) Ç’donte të thoshte Pavli kur shkroi se «për shkak të Adamit të gjithë po vdesin»? Pavli e kishte fjalën për gjithë pasardhësit e Adamit, të cilët trashëgojnë nga ai mëkatin dhe papërsosmërinë, e si përfundim vdesin. (Rom. 5:12) Adami nuk është mes atyre që «do të marrin jetë». Shpërblesa e Krishtit nuk do të zbatohet për të, sepse Adami ishte një njeri i përsosur që me dashje nuk iu bind Perëndisë. Fundi i tij është njësoj si fundi i atyre që «Biri i njeriut» do t’i gjykojë si ‘cjep’, pra ‘vdekja e përhershme’.—Mat. 25:31-33, 46; Hebr. 5:9. w20.12 5 ¶13-14

E premte, 22 korrik

O Jehova, . . . [ti] merakosesh për të përulurit.—Psal. 138:6.

Nëse nuk e ke atë caktim që do, mendo për shembullin e engjëjve besnikë. Gjatë mbretërimit të Akabit, Jehovai i ftoi engjëjt të sugjeronin mënyra si t’ia prishnin mendjen atij mbreti të lig. Kishte disa engjëj që dhanë sugjerime. Por Perëndia zgjodhi vetëm njërin dhe i tha se do t’ia dilte mbanë. (1 Mbret. 22:19-22) A u shkurajuan engjëjt e tjerë besnikë dhe a thanë me vete: «Ç’m’u desh?! E mora mundimin kot!» Patjetër që jo. Engjëjt janë vërtet të përulur dhe duan që Jehovai të marrë lavdinë për çdo gjë. (Gjyk. 13:16-18; Zbul. 19:10) Mos harro se privilegji më i madh është të mbajmë emrin e Perëndisë dhe të predikojmë për Mbretërinë e tij. Caktimet nuk janë ato që na bëjnë të çmuar për Perëndinë. Janë modestia dhe përulësia ato që na bëjnë të shtrenjtë për Jehovain dhe për vëllezërit e motrat. Prandaj përgjëroju Jehovait të të ndihmojë të mbetesh i përulur dhe modest. Medito për gjithë ata shembuj të bukur përulësie dhe modestie që janë ruajtur në Fjalën e tij. Shërbeju me gatishmëri vëllezërve të tu në çfarëdo mënyre të mundesh.—1 Pjet. 5:5. w20.12 26 ¶16-17

E shtunë, 23 korrik

Merrni edhe helmetën e shpëtimit dhe shpatën e frymës, domethënë, fjalën e Perëndisë.—Efes. 6:17.

Helmeta e shpëtimit është shpresa që na jep Jehovai—shpresa se ai do të na çlirojë nga vdekja dhe do të shpërblejë këdo që bën vullnetin e tij. (1 Sel. 5:8; 1 Tim. 4:10; Titit 1:1, 2) Shpresa e shpëtimit na mbron aftësinë për të menduar. Na ndihmon të mos mbytemi nga problemet, por t’i shohim nga këndvështrimi i duhur. E veshim këtë helmetë duke vazhduar t’i përputhim mendimet dhe ndjenjat tona me ato të Perëndisë. Për shembull, ne nuk i varim shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia. (Psal. 26:2; 104:34; 1 Tim. 6:17) Shpata e frymës është Fjala e Perëndisë, Bibla. Kjo shpatë ka fuqinë të nxjerrë në shesh çdo gënjeshtër e t’i çlirojë njerëzit nga skllavëria e mësimeve të rreme dhe e veseve të dëmshme. (2 Kor. 10:4, 5; 2 Tim. 3:16, 17; Hebr. 4:12) Mësojmë ta përdorim siç duhet këtë shpatë falë studimit personal dhe stërvitjes që na jep organizata e Perëndisë.—2 Tim. 2:15. w21.03 27 ¶4; 29 ¶10-11

E diel, 24 korrik

Isha në ishullin e quajtur Patmos, ngaqë kisha folur për Perëndinë dhe kisha dhënë dëshmi për Jezuin.—Zbul. 1:9.

Edhe kur ishte i burgosur ngaqë predikonte për Jezuin, Gjoni tregoi se merakosej për të tjerët. Për shembull, në ishullin e Patmosit, ai shkroi librin e Zbulesës dhe ua dërgoi kongregacioneve, me qëllim që të dinin ‘çfarë do të ndodhte së shpejti’. (Zbul. 1:1) Pastaj, me sa duket pasi u lirua nga Patmosi, Gjoni shkroi tregimin e Ungjillit për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Shkroi edhe tri letra që t’u jepte zemër e forcë vëllezërve e motrave. Ti mund ta imitosh Gjonin që bëri një jetë vetëmohuese dhe të tregosh dashuri për të tjerët me mënyrën si zgjedh ta përdorësh jetën. Sistemi i Satanait do që ta harxhosh gjithë kohën dhe energjitë për vete, duke u përpjekur të fitosh para a të bësh emër. Por anembanë botës, lajmëtarët vetëmohues të Mbretërisë kalojnë sa më shumë kohë të munden në shërbim, që t’u japin njerëzve lajmin e mirë e t’i ndihmojnë të afrohen me Jehovain. w21.01 10 ¶9-10

E hënë, 25 korrik

Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet.—1 Sam. 18:1.

Jonatani mund të ishte bërë xheloz për Davidin. Si biri i mbretit Saul, mund të kishte këmbëngulur se froni i takonte atij, trashëgimtarit të ligjshëm. (1 Sam. 20:31) Por Jonatani ishte i përulur, e njëkohësisht besnik ndaj Jehovait. Prandaj e mbështeti pa rezerva zgjedhjen e Jehovait që mbreti i ardhshëm të ishte Davidi. Jonatani ishte besnik edhe ndaj Davidit, paçka se kjo e tërbonte Saulin. (1 Sam. 20:32-34) Jonatani ndiente përzemërsi të ngrohtë për Davidin, ndaj nuk e shihte si rival. Jonatani ishte mjeshtër i harkut dhe luftëtar sypatrembur. Ai dhe i ati, Sauli, kishin marrë famë si «më të shpejtë se shqiponjat» dhe «më të fuqishëm se luanët». (2 Sam. 1:22, 23) Pra Jonatani mund të ishte mburrur me bëmat e tij heroike. Por ai nuk vuante nga fryma e konkurrencës e nga smira. Përkundrazi, e admironte Davidin ngaqë shihte se ishte i guximshëm dhe mbështetej te Jehovai. Në fakt, Jonatani filloi ta donte Davidin si shpirtin e vet pasi ai vrau Goliadin. w21.01 21 ¶6; 22 ¶8-9

E martë, 26 korrik

Kreu i gruas është burri.—1 Kor. 11:3.

Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë janë nën kryesinë e përsosur të Jezu Krishtit. Kurse një grua, pasi martohet, është nën kryesinë e një burri të papërsosur. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Prandaj, kur një motër beqare peshon mundësinë për t’u martuar me dikë, bën mirë të pyesë veten: «Çfarë provash kam se ky vëlla do të jetë kryefamiljar i mirë? A zënë vend kryesor në jetën e tij aktivitetet teokratike? Nëse jo, a do të arrijë të marrë drejtimin siç duhet në adhurimin e Jehovait pas martesës?» Ndërkohë ajo duhet edhe të pyesë veten: «Çfarë cilësish kam unë që do ta pasurojnë martesën? A jam e duruar dhe bujare? A kam një miqësi të fortë me Jehovain?» (Ekl. 4:9, 12) Se sa e suksesshme dhe e lumtur do të jetë martesa, do të varet deri diku nga vendimet që merr gruaja para martesës. Miliona motra mes nesh janë një shembull i shkëlqyer nënshtrimi ndaj burrave të tyre. Ato meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra! w21.02 8 ¶1-2

E mërkurë, 27 korrik

Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!—Vep. 16:9.

Vitet e fundit, shumë lajmëtarë kanë mësuar një gjuhë tjetër për të zgjeruar shërbimin dhe për të shërbyer në një kongregacion ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Këtë vendim e kanë marrë për t’i shërbyer Jehovait më plotësisht. Ndonëse mund t’u duhen vite që ta flasin rrjedhshëm atë gjuhë, ndihmojnë në shumë mënyra. Me cilësitë e bukura dhe përvojën e tyre e forcojnë kongregacionin e i japin stabilitet. Këta vëllezër e motra vetëmohues janë të çmuar për ne! Një trup pleqsh nuk duhet të ngurrojë ta rekomandojë një vëlla për të shërbyer si plak ose shërbëtor kongregacioni thjesht ngaqë nuk flet rrjedhshëm gjuhën e kongregacionit. Pleqtë e vlerësojnë një vëlla duke u bazuar te kualifikimet që përmenden në Shkrime për pleqtë ose shërbëtorët e kongregacionit dhe jo te mënyra si e flet gjuhën e kongregacionit.—1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9. w20.08 30 ¶15-16

E enjte, 28 korrik

Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.—Jak. 1:2.

Mjaft njerëz mendojnë se mund të jenë të lumtur vetëm po të kenë shëndet të mirë, shumë pará dhe harmoni familjare. Por gëzimi për të cilin shkroi Jakovi, është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë dhe nuk varet nga rrethanat. (Gal. 5:22) Një shërbëtor i Perëndisë provon gëzim, ose një ndjenjë të thellë lumturie, ngaqë e di se po kënaq Jehovain dhe po ndjek gjurmët e Jezuit. (Luka 6:22, 23; Kolos. 1:10, 11) Si një flakë që ndrit pareshtur, e mbrojtur nga xhami i fenerit, ky lloj gëzimi bën dritë përherë në zemrën tonë. Drita e tij nuk meket kur na bien probleme shëndetësore ose ekonomike. Nuk venitet as kur na tallin ose na kundërshtojnë pjesëtarët e familjes a të tjerët. Në vend që të shuhet, ajo flakë shndrit akoma më fort sa herë që kundërshtarët përpiqen ta fikin. Sprovat që hasim për shkak të besimit, janë provë se jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit. (Mat. 10:22; 24:9; Gjoni 15:20) Ja pse Jakovi i shkroi fjalët që gjejmë te shkrimi i sotëm. w21.02 28 ¶6

E premte, 29 korrik

Një fjalë e mirë ia ngre zemrën peshë.—Prov. 12:25.

Gjatë leximit të Biblës do të gjesh vargje që tregojnë se kur rrimë të qetë dhe kemi besim te Jehovai, jemi të fortë. Përpiqu t’i fiksosh në kujtesë disa nga këto vargje. Për ta arritur këtë, mund t’i lexosh me zë ose mund t’i shkruash e t’u hedhësh një sy herë pas here. Jehovai e urdhëroi Josiun ta lexonte rregullisht nën zë librin e Ligjit, me qëllim që të vepronte me mençuri. Ajo që lexonte në Ligj, do ta ndihmonte edhe të mposhtte frikën që mund të ndiente në rrethanat ku gjendej. (Jos. 1:8, 9) Fjala e Perëndisë përmban shumë vargje që mund të të ndihmojnë ta kesh mendjen dhe zemrën të qetë në situata që zakonisht ngjallin ankth ose frikë. (Psal. 27:1-3; Prov. 3:25, 26) Në mbledhje nxjerrim dobi nga fjalimet e pjesët e ndryshme, nga komentet dhe nga bisedat inkurajuese me vëllezërit e motrat. (Hebr. 10:24, 25) Mund të marrim shumë zemër edhe kur u hapemi për shqetësimet dhe ndjenjat tona miqve të besuar në kongregacion. w21.01 6 ¶15-16

E shtunë, 30 korrik

Bëhu shembull për besnikët.—1 Tim. 4:12.

Kur u pagëzove, ti tregove besim të madh te Jehovai, e ai të mirëpriti krahëhapur në familjen e tij. Tani është jetësore të vazhdosh të mbështetesh te Jehovai. Mbase të vjen natyrshëm të mbështetesh tek ai kur duhet të marrësh vendime që janë pikë kthese në jetë. Por ç’të themi për raste të tjera? Është tepër e rëndësishme të tregosh besim te Jehovai sa herë që merr vendime, siç janë ato për zbavitjet që zgjedh, punën që do të bësh ose synimet që vë! Mos u mbështet te mençuria jote. Përkundrazi, kërko parime nga Bibla që zbatohen në rrethanat e tua e pastaj vepro në harmoni me atë drejtim. (Prov. 3:5, 6) Kështu, do t’ia gëzosh zemrën Jehovait dhe do të fitosh respektin e të tjerëve në kongregacion. Natyrisht, si të gjithë ne, edhe ti je i papërsosur dhe ndonjëherë do të bësh gabime. Por kjo nuk duhet të të pengojë të bësh gjithë sa mundesh në shërbim të Jehovait. w21.03 6 ¶14-15

E diel, 31 korrik

Më shpëtoi nga goja e luanit.—2 Tim. 4:17.

A po të kundërvihen pjesëtarët e familjes ngaqë i shërben Jehovait? A mos ndoshta jeton në një vend ku vepra është e kufizuar ose e ndaluar? Po të jetë kështu, mund të marrësh zemër duke lexuar 2 Timoteut 1:12-16 dhe 4:6-11, 17-22. Pavli i shkroi këto vargje kur ishte i burgosur. Para se t’i lexosh këto vargje, thuaja Jehovait problemin që ke dhe si të bën të ndihesh. Ji specifik. Pastaj kërkoji ndihmë që të dallosh te tregimet për sprovat e Pavlit parime që do të të drejtojnë se si të veprosh në situatën e vështirë ku gjendesh. Jehovai e kishte paralajmëruar Pavlin se do t’i duhej të duronte përndjekje ngaqë ishte i krishterë. (Vep. 21:11-13) Po si e ndihmoi Jehovai? Ai iu përgjigj lutjeve të Pavlit e i dha forcë gjatë gjithë vështirësive. Jehovai e siguroi Pavlin se do ta merrte shpërblimin për të cilin kishte punuar pa u lodhur. Gjithashtu i nxiti miqtë besnikë të Pavlit t’i jepnin ndihmë praktike. w21.03 17-18 ¶14-15, 19

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo