Qershor
E mërkurë, 1 qershor
Ishim të vendosur t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtin tonë.—1 Sel. 2:8.
Mësuesit duhet të interesohen me gjithë zemër për studentët e tyre. Shihe studentin si vëllanë a motrën tënde të ardhshme. Një student nuk e ka të lehtë ta ndërpresë shoqërinë me miqtë nga bota dhe të bëjë gjithë ato ndryshime që nevojiten për t’i shërbyer Jehovait. Mësuesit e efektshëm i prezantojnë studentët e tyre me të tjerë në kongregacion që mund të ndikojnë për mirë te ta. Kështu, një student mund të shijojë shoqërinë e adhuruesve të Perëndisë. Ata mund ta ndihmojnë të lidhet më fort me Jehovain dhe mund t’i japin zemër kur kalon probleme. Duam që çdo student ta ndiejë se ka vendin e tij në kongregacion dhe se është pjesë e familjes sonë të madhe. Duam të ketë dëshirë të jetë mes kësaj familjeje të përzemërt e të dashur. Atëherë do ta ketë më të lehtë të ndërpresë shoqërinë e ngushtë me njerëz që nuk e ndihmojnë të dojë Jehovain. (Prov. 13:20) Nëse shoqëria e dikurshme i kthen shpinën, studenti do të jetë i sigurt se mund të gjejë miq të vërtetë në organizatën e Jehovait.—Mar. 10:29, 30; 1 Pjet. 4:4. w20.10 17 ¶10-11
E enjte, 2 qershor
Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.—Mat. 28:18.
Duhet të jemi miq me Jezuin nëse duam të jemi miq të Jehovait. Pse? Të shqyrtojmë vetëm dy arsye. Së pari, Jezui u tha dishepujve të tij: «Vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua.» (Gjoni 16:27) Veç kësaj tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Të përpiqesh të jesh mik me Jehovain pa lidhur miqësi të ngushtë me Jezuin, është si të hysh në një ndërtesë pa përdorur derën. Jezui përdori një ilustrim të ngjashëm kur tha se ai është «dera për delet». (Gjoni 10:7) Arsyeja e dytë është se Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij. Ai u tha dishepujve: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Prandaj, një mënyrë e rëndësishme si të njohim Jehovain, është të studiojmë jetën e Jezuit. Sa më shumë mësojmë për Jezuin, aq më shumë na shtohet dashuria për të. E sa më shumë e forcojmë miqësinë me Jezuin, aq më shumë thellojmë dashurinë për Atin e tij. w20.04 21-22 ¶5-6
E premte, 3 qershor
Gëzohem kur kam dobësi, . . . sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.—2 Kor. 12:10.
A ke zënë krevatin nga një sëmundje ose ndoshta je në karrige me rrota? A ke probleme me gjunjët e kyçet ose shikim të dobët? Nëse po, a mund ‘të vraposh’ përkrah atyre që janë të rinj e të shëndetshëm? Pa pikë dyshimi! Në garën e jetës po vrapojnë shumë veta që janë të moshuar e me shëndet të dobët. Ata nuk ia dalin dot me forcat e veta. Përkundrazi, marrin forcë nga Jehovai duke dëgjuar mbledhjet me anë të lidhjes telefonike ose duke i parë online. Gjithashtu, marrin pjesë në veprën e predikimit duke u dëshmuar mjekëve, infermierëve dhe të afërmve. Kurrë mos lejo që shkurajimi nga shëndeti i dobët të ta mbushë mendjen se je tepër i pafuqishëm për të vrapuar në garën e jetës. Jehovai të do për besimin që ke tek ai dhe për qëndrueshmërinë që ke treguar ndër vite. Tani ke nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e tij, dhe ai s’ka për të të braktisur. (Psal. 9:10) Përkundrazi, do të afrohet akoma më shumë me ty. w20.04 29 ¶16-17
E shtunë, 4 qershor
Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që t’ua jap edhe të tjerëve këtë lajm.—1 Kor. 9:23.
Për çfarë temash mund të bisedosh me një njeri fetar? Përpiqu të gjesh diçka që e keni të përbashkët. Ndoshta ai adhuron vetëm një Perëndi, pranon se Jezui është një profet ose Shpëtimtari i njerëzimit, a mbase beson se po jetojmë në kohë të liga që do të marrin fund shpejt. Përdori bindjet e përbashkëta për ta predikuar mesazhin e Biblës në një mënyrë tërheqëse për të. Mbaj parasysh se njerëzit mund të mos besojnë gjithçka që mëson feja e tyre. Prandaj, edhe pasi mëson çfarë feje ka dikush, përpiqu të kuptosh çfarë beson ai vetë. Një misionar thotë se disa njerëz pohojnë se besojnë te Triniteti, ama mund të mos besojnë vërtet se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë janë një Perëndi i vetëm. «Kur e mbaj parasysh këtë, e kam shumë më të lehtë të gjej gjëra që i kemi të përbashkëta»,—thotë ai. Pra, përpiqu të mësosh çfarë besojnë vërtet njerëzit. Atëherë, njësoj si Pavli, mund ‘të bëhesh çdo gjë për njerëz të çdo lloji’.—1 Kor. 9:19-22. w20.04 10 ¶9-10
E diel, 5 qershor
Gjatë asaj kohe, populli yt do të shpëtojë, të gjithë ata që e kanë emrin të shkruar në libër.—Dan. 12:1.
Mund ta presim të ardhmen me besim e zemër të qetë, sepse edhe Danieli edhe Gjoni na sigurojnë se Jehovai e Jezui do t’i shpëtojnë shërbëtorët e tyre gjatë asaj kohe vuajtjesh të pakrahasueshme. Danieli thotë se do të shpëtojnë ata që e kanë emrin «të shkruar në libër». Ç’mund të bëjmë që emri ynë të jetë në atë libër? Duhet të tregojmë qartë se kemi besim te Jezui, Qengji i Perëndisë. (Gjoni 1:29) Është e nevojshme të pagëzohemi në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë. (1 Pjet. 3:21) Gjithashtu duhet të mbështetim Mbretërinë e Perëndisë duke bërë më të mirën që t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë për Jehovain. Tani është koha të forcojmë besimin te Jehovai dhe tek organizata e tij. Tani është koha të mbështetim Mbretërinë e Perëndisë. Nëse veprojmë kështu, do të shpëtojmë kur Mbretëria e Perëndisë të shfarosë mbretin e veriut dhe mbretin e jugut. w20.05 16 ¶18-19
E hënë, 6 qershor
O Jehova, emri yt do të qëndrojë përgjithmonë!—Psal. 135:13.
Adami dhe Eva e dinin se Perëndia e ka emrin Jehova dhe dinin shumë të vërteta jetësore për të. E njihnin si Krijuesi, si Ai që u dha jetën, shtëpinë e bukur parajsore dhe një martesë të përsosur. (Zan. 1:26-28; 2:18) Por a do të vazhdonin ta përdornin mendjen e tyre të përsosur që të meditonin për gjithë sa u kishte dhuruar Jehovai? A do të vazhdonin ta ushqenin dashurinë dhe mirënjohjen për Personin që përfaqëson ky emër? Këto pyetje morën përgjigje kur i sprovoi armiku i Perëndisë. Satanai përdori një gjarpër për të folur me Evën dhe e pyeti: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» (Zan. 2:16, 17; 3:1) Kjo pyetje përmbante një gënjeshtër tinëzare, si helm i fshehur. Në të vërtetë, Perëndia kishte thënë se ata mund të hanin nga çdo pemë, me përjashtim të njërës. (Zan. 2:9) Satanai u shpreh në një mënyrë që dukej sikur Perëndia nuk ishte bujar. Kështu Eva mund të ketë pyetur veten: «Mos po më mban ndonjë gjë të mirë Perëndia?» w20.06 3-4 ¶8-9
E martë, 7 qershor
Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin.—Kolos. 3:13.
Disa shërbëtorë të Jehovait janë lënduar thellë nga një bashkëbesimtar. Apostulli Pavël pranoi se ndonjëherë mund të kemi me të drejtë «arsye për t’u ankuar kundër» një vëllai a motre. Madje mund të na kenë trajtuar padrejtësisht. Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të mbushemi me mllef. Mëria dalëngadalë mund ta shtyjë dikë të largohet nga populli i Jehovait. Pablon, një vëlla në Amerikën e Jugut, e akuzuan pa të drejtë se kishte bërë diçka të gabuar dhe, si pasojë, humbi një privilegj shërbimi në kongregacion. Si reagoi ai? «U mbusha me zemërim,—thotë Pablo,—dhe dalëngadalë u largova nga kongregacioni.» Veç kësaj, dikë që ka bërë një mëkat të rëndë në të kaluarën, mund ta torturojnë ndjenjat e fajit dhe mund të ndihet sikur nuk e meriton më dashurinë e Perëndisë. Edhe nëse pendohet dhe i tregohet mëshirë, prapë mund të ndihet i padenjë për të qenë shërbëtor i Perëndisë. Si ndihesh për vëllezërit e motrat që përballojnë situata si këto që kemi përmendur? w20.06 19 ¶6-7
E mërkurë, 8 qershor
Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.—Prov. 22:3.
Ne duhet të mësojmë të dallojmë situatat e rrezikshme, e pastaj të veprojmë për t’i shmangur. (Hebr. 5:14) Për shembull, duhet t’i zgjedhim me mençuri zbavitjet dhe aktivitetet e kohës së lirë. Filmat dhe shfaqjet televizive shpesh paraqesin skena imorale. Sjellje të tilla e fyejnë Perëndinë dhe sjellin se s’bën pasoja. Prandaj, i shmangim zbavitjet që mund të na e gërryejnë avash-avash dashurinë për Perëndinë. (Efes. 5:5, 6) Duhet të dallojmë sa të rrezikshme janë informacionet e rreme që përhapin apostatët sepse ata mund të ngjallin dyshime për vëllezërit tanë dhe për organizatën e Jehovait. (1 Tim. 4:1, 7; 2 Tim. 2:16) Informacione të tilla mund të na e gërryejnë besimin. Duhet të bëjmë kujdes të mos mashtrohemi nga kjo propagandë. Pse? Sepse këto lloj historish i përhapin njerëz me «mendje të korruptuar e që nuk e kuptojnë më të vërtetën». Synimi i tyre është të hapin ‘diskutime e debate’. (1 Tim. 6:4, 5) Ata duan që t’i besojmë shpifjet e tyre dhe të na brejnë dyshime të liga për vëllezërit tanë. w20.09 29 ¶13, 15
E enjte, 9 qershor
Të kërkojë jo interesin e vet, por atë të tjetrit.—1 Kor. 10:24.
Burri dhe gruaja duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt. (Efes. 5:33) Bibla na mëson se meraku ynë kryesor duhet të jetë të japim, jo të marrim. (Vep. 20:35) Cila cilësi do ta ndihmojë një çift të martuar të tregojë dashuri e respekt? Përulësia. Përulësia i ka ndihmuar shumë çifte të krishtere të kenë një martesë më të lumtur. Për shembull, një burrë që quhet Stiven, thotë: «Në rast se jeni një skuadër, do të bashkëpunoni me njëri-tjetrin, sidomos kur lindin probleme. Në vend që të mendoni ‘çfarë është më mirë për mua?’, do të mendoni ‘çfarë është më mirë për ne?’» E shoqja, Stefania, është në një mendje. Ajo thotë: «Askush nuk dëshiron të jetojë me dikë që i kundërvihet orë e çast. Kur lind një mosmarrëveshje, përpiqemi të dallojmë ku qëndron problemi. Pastaj lutemi, bëjmë kërkime dhe bisedojmë si ta zgjidhim. Ne luftojmë problemin, jo njëri-tjetrin.» Jeta martesore bëhet më e lumtur kur bashkëshortët nuk mendojnë për veten më shumë se ç’duhet. w20.07 3-4 ¶5-6
E premte, 10 qershor
Në judaizëm po përparoja më tepër se shumë moshatarë të kombit tim.—Gal. 1:14.
Të mos mbështetemi te forcat ose aftësitë tona kur i shërbejmë Jehovait. Apostulli Pavël ishte i arsimuar—mësuesi i tij kishte qenë Gamalieli, një prej udhëheqësve judenj më të respektuar të kohës së tij. (Vep. 5:34; 22:3) Gjithashtu, në një periudhë të jetës, Pavli kishte pasur njëfarë influence brenda komunitetit judaik. (Vep. 26:4) Gjithsesi, nuk u mbështet te vetja. Ai hoqi dorë me kënaqësi nga gjërat që e bënin të fuqishëm sipas pikëpamjes së botës. (Filip. 3:8; shën.) Pavli pagoi një çmim të lartë për të qenë dishepull i Krishtit. Kombi i tij e urrente. (Vep. 23:12-14) Bashkëqytetarët e tij, romakët, e rrahën dhe e futën në burg. (Vep. 16:19-24, 37) Veç kësaj, Pavli ndihej keq sepse u bë më i vetëdijshëm për mangësitë e veta. (Rom. 7:21-25) Por në vend se të lejonte që kundërshtarët e tij ose të metat e veta ta gjunjëzonin, ai ‘gëzohej kur kishte dobësi’. Pse? Sepse kur ishte i dobët, shihte si vepronte fuqia e Perëndisë në jetën e tij.—2 Kor. 4:7; 12:10. w20.07 16 ¶7-8
E shtunë, 11 qershor
Kush tregon besim tek unë . . . do të bëjë vepra edhe më të mëdha se këto.—Gjoni 14:12.
Sot duhet të kemi në qendër të vëmendjes veprën e predikimit për Mbretërinë. Jezui paratha se kjo vepër do të kishte një shtrirje më të madhe dhe do të vazhdonte për një kohë të gjatë pas vdekjes së tij. Por pasi u ringjall, ai bëri një mrekulli dhe ndihmoi disa dishepuj që të zinin shumë peshq. Jezui e përdori atë rast për të ritheksuar se caktimi si peshkatarë njerëzish ishte më i rëndësishëm se çdo aktivitet tjetër. (Gjoni 21:15-17) Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui u tregoi dishepujve se vepra e predikimit që kishte nisur ai, do të shtrihej shumë më larg se kufijtë e Izraelit. (Vep. 1:6-8) Vite më vonë, Jezui i dha një vegim apostullit Gjon për t’i treguar ç’do të ndodhte në «ditën e Zotërisë». Në këtë vegim Gjoni pa diçka të mahnitshme: nën drejtimin e engjëjve, ‘lajmi i mirë i përhershëm’ po i predikohej «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 1:10; 14:6) Pa dyshim, vullneti i Jehovait për ne sot është të marrim pjesë në këtë vepër kolosale predikimi derisa të përfundojë. w20.09 9 ¶5
E diel, 12 qershor
Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, thuajse e flijoi Isakun.—Hebr. 11:17.
Abrahami kishte edhe halle familjare. Gruaja e tij e shtrenjtë, Sara, nuk mund të lindte fëmijë. Për dekada të tëra, e kishin zemrën helm nga ajo situatë. Më pas, Sara i dha Abrahamit shërbyesen e saj, Agarën, që ajo të lindte fëmijë për Abrahamin dhe Sarën. Por, kur mbeti shtatzënë dhe do të lindte Ismaelin, Agara filloi ta përbuzte Sarën. Situata u tensionua aq shumë sa Sara e detyroi Agarën të ikte nga shtëpia. (Zan. 16:1-6) Më në fund, Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë, që ai e quajti Isak. Abrahami i donte të dy djemtë e tij, Ismaelin dhe Isakun. Mirëpo, ngaqë Ismaeli e keqtrajtonte Isakun, Abrahami u detyrua t’i largonte nga shtëpia Ismaelin dhe Agarën. (Zan. 21:9-14) Vite më vonë, Jehovai i kërkoi Abrahamit të flijonte Isakun. (Zan. 22:1, 2; Hebr. 11:17-19) Në të dyja rastet, Abrahami pati besim se në fund Jehovai do t’i plotësonte premtimet që kishte bërë për djemtë e tij. w20.08 4 ¶9-10
E hënë, 13 qershor
Vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.—Efes. 4:24.
Përfytyro gëzimin e atyre që do të ringjallen ndërsa zhveshin personalitetin e vjetër dhe jetojnë sipas standardeve të drejta të Perëndisë. Ringjallja e atyre që do t’i bëjnë këto ndryshime, do të jetë «një ringjallje jete», pra, do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. Kurse ata që refuzojnë të ndryshojnë, Jehovai nuk do t’i lejojë të vazhdojnë të jetojnë në Parajsë dhe të prishin paqen. (Isa. 65:20; Gjoni 5:28, 29) Kur të qeverisë Mbretëria, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë do të provojnë sa të vërteta janë fjalët e Proverbave 10:22: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.» Me ndihmën e frymës së shenjtë, shërbëtorët e Jehovait do të bëhen të pasur në sytë e tij, pasi do t’i ngjajnë gjithnjë e më shumë Krishtit dhe do të bëhen të përsosur. (Gjoni 13:15-17; Efes. 4:23) Çdo ditë do të ndihen më të fortë fizikisht dhe do të jenë njerëz më të mirë. Çfarë kënaqësie të jetosh në atë kohë!—Jobi 33:25. w20.08 17 ¶11-12
E martë, 14 qershor
Kini si synim . . . të shikoni punët tuaja.—1 Sel. 4:11.
Bëjmë mirë të mbajmë në mendje se disa vëllezër e motra kanë vendosur vetë të mbeten beqarë. Të tjerë do të donin të martoheshin, por thjesht nuk kanë gjetur njeriun e duhur. Kurse disa të tjerëve mund t’u ketë vdekur bashkëshorti. Cilado qoftë arsyeja, a është me vend që pjesëtarët e kongregacionit t’i pyesin motrat e vëllezërit beqarë pse nuk janë martuar ose t’u ofrojnë ndihmë që të gjejnë një bashkëshort? Nëse nuk e kanë kërkuar një ndihmë të tillë, si mund të ndihen nëse dikush ofrohet t’i ndihmojë për të gjetur bashkëshort? (1 Tim. 5:13) Motrat e vëllezërit beqarë do të ndihen të kënaqur nëse vërejnë te ne çmueshmërinë për cilësitë e tyre të bukura e jo keqardhjen për faktin që janë beqarë. Në vend që të na vijë keq për ta, bëjmë mirë të çmojmë besnikërinë që tregojnë. Si rezultat, motrat e vëllezërit e pamartuar kurrë nuk do të ndihen sikur po u themi ‘s’kemi nevojë për ju’. (1 Kor. 12:21) Përkundrazi, do të ndihen të sigurt se i respektojmë dhe se jemi të lumtur që janë pjesë e kongregacionit. w20.08 29 ¶10, 14
E mërkurë, 15 qershor
[Krishti] iu shfaq njëkohësisht më shumë se 500 vëllezërve.—1 Kor. 15:6.
Më vonë, Jezui iu shfaq edhe vetë Pavlit. (1 Kor. 15:8) Pavli (Sauli) po udhëtonte për në Damask kur dëgjoi zërin e Jezuit të ringjallur dhe e pa në vegim në lavdinë e tij qiellore. (Vep. 9:3-5) Përvoja e Pavlit iu shtua dëshmive që tregonin se ringjallja e Jezuit nuk ishte një mit. (Vep. 26:12-15). Dëshmia e Pavlit do t’u ketë ngjallur goxha interes disave, ngaqë dikur ai i përndiqte të krishterët. Pasi u bind se Jezui ishte ringjallur, Pavli u përpoq me mish e me shpirt të bindte të tjerët për këtë të vërtetë. Ai duroi të rrahura e burgosje dhe iu shkatërrua anija ndërsa predikonte të vërtetën se Jezui kishte vdekur por ishte kthyer në jetë. (1 Kor. 15:9-11; 2 Kor. 11:23-27) Pavli ishte aq i sigurt se Jezui ishte ringjallur, sa ishte gati të vdiste për të mbrojtur bindjen e tij. A nuk të bindin këto dëshmi nga dëshmitarë okularë se Jezui u kthye në jetë? A nuk ta forcojnë besimin se do të ketë një ringjallje në të ardhmen? w20.12 3 ¶8-10
E enjte, 16 qershor
Nëse e kërkoni [Jehovain], ai do t’ju lërë ta gjeni.—2 Kron. 15:2.
Mund të pyesim veten: «A i ndjek rregullisht mbledhjet e kongregacionit?» Në mbledhjet që siguron organizata e Jehovait, marrim ushqim që na përtërin forcat dhe inkurajim nga vëllezërit e motrat. (Mat. 11:28) Gjithashtu mund të pyesim veten: «A kam zakone të mira studimi personal?» Për shembull, nëse jetojmë me familjen, a lëmë kohë çdo javë për adhurimin familjar? E nëse jetojmë vetëm, a lëmë kohë për të studiuar njësoj si të ishim pjesë e një familjeje? Veç kësaj mund të pyesim veten: «A po bëj maksimumin në veprën e predikimit?» Pse duhet t’ia bëjmë vetes këto pyetje? Bibla tregon se Jehovai shqyrton mendimet tona dhe atë që kemi në zemër, prandaj edhe ne duhet ta bëjmë këtë. (1 Kron. 28:9) Nëse dallojmë se është e nevojshme të bëjmë ndryshime te synimet, qëndrimi ose mënyra si mendojmë, duhet t’i kërkojmë ndihmë Jehovait. Sot është koha të përgatitesh për sprovat e së ardhmes. w20.09 19 ¶19-20
E premte, 17 qershor
Asnjë nga ju që nuk ndahet nga gjithë zotërimet e veta, nuk mund të jetë dishepulli im.—Luka 14:33.
Jezui e ilustroi me dy shembuj çmimin që paguhet për t’u bërë dishepull i tij. Ai foli për dikë që dëshiron të ndërtojë një kullë dhe për një mbret që dëshiron të marshojë për në betejë. Jezui tha se ndërtuesi duhet ‘të ulet më parë që të llogaritë shpenzimet’ për të kuptuar nëse ka mundësi ta përfundojë kullën. Gjithashtu tha se mbreti duhet ‘të ulet më parë me këshilltarët e vet’ për të parë nëse ushtria e tij mund t’ia dalë mbanë. (Luka 14:27-32) Po njësoj, Jezui e dinte se kush dëshiron të bëhet dishepull i tij, duhet ta peshojë mirë çfarë nënkupton kjo. Mund ta ndihmojmë studentin të veprojë sipas nxitjes së Jezuit duke e inkurajuar të studiojë me ne çdo javë. Ti si mësues, duhet të përgatitesh mirë për çdo seancë studimi. Duke pasur parasysh studentin, medito si do ta shpjegosh informacionin thjesht dhe qartë, në mënyrë që ta ketë të lehtë ta kuptojë e ta zbatojë.—Neh. 8:8; Prov. 15:28a. w20.10 7 ¶5; 8 ¶7
E shtunë, 18 qershor
Shkoni dhe bëni dishepuj . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.—Mat. 28:19, 20.
Udhëzimet e Jezuit janë të qarta. Ne duhet t’u mësojmë njerëzve gjërat që urdhëroi ai. Ama nuk duhet të harrojmë një hollësi të rëndësishme. Jezui nuk tha: ‘Mësojuni të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.’ Ai tha: ‘Mësojini të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.’ Për t’iu bindur këtij udhëzimi specifik, duhet jo vetëm t’u mësojmë studentëve të Biblës çfarë të bëjnë, por edhe t’u shpjegojmë si ta bëjnë këtë. (Vep. 8:31) Kur studiojmë Biblën me dikë, i mësojmë çfarë kërkon Perëndia nga ne. Por duhet të bëjmë edhe diçka tjetër. Duhet t’i mësojmë studentit si ta zbatojë në jetën e përditshme atë që mëson. (Gjoni 14:15; 1 Gjon. 2:3) Me shembullin tonë, mund t’i tregojmë si t’i zbatojë në shkollë, në punë ose në kohën e lirë parimet bazë të Shkrimeve. Kur jemi bashkë me studentin, mund t’i kërkojmë Jehovait në lutje që ta drejtojë me frymën e shenjtë.—Gjoni 16:13. w20.11 2-3 ¶3-5
E diel, 19 qershor
«Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqinë e njeriut, por me frymën time»,—thotë Jehovai i ushtrive.—Zak. 4:6.
Dishepujt e Jezuit hasën vështirësi. Për shembull, ekzistonin pak kopje të Shkrimeve dhe nuk kishin botime që i ndihmonin në studim si ne sot. Gjithashtu, njerëzit që takonin në shërbim flitnin një larmi gjuhësh. Përballë gjithë këtyre vështirësive, ata dishepuj të zellshëm bënë atë që dukej e pamundur—brenda pak dekadash, ua kishin predikuar lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:6, 23) Në ditët tona, Jehovai vazhdon t’i prijë dhe t’i japë fuqi popullit të tij. Këtë drejtim na e jep kryesisht nëpërmjet Fjalës së frymëzuar nga fryma e shenjtë. Atje gjejmë historinë e shërbimit të Jezuit dhe urdhrin që dishepujt e tij ta vazhdonin veprën që nisi. (Mat. 28:19, 20) Jehovai është i paanshëm; ai paratha se lajmi i mirë do t’i predikohej «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 14:6, 7) Jehovai do që çdokujt t’i jepet mundësia ta dëgjojë mesazhin për Mbretërinë. w20.10 21 ¶6-8
E hënë, 20 qershor
Ti e shpëton të përulurin, por sytë e tu janë kundër fodullit.—2 Sam. 22:28.
Mbreti David e donte «ligjin e Jehovait». (Psal. 1:1-3) Davidi e dinte se Jehovai shpëton të përulurin, por i kundërvihet fodullit. Prandaj e lejoi ligjin e Perëndisë t’i ndreqte mënyrën si mendonte. Davidi shkroi: «Unë do të lëvdoj Jehovain që më këshillon; edhe natën mendimet e mia më të thella më ndreqin.» (Psal. 16:7) Nëse jemi të përulur, do të lejojmë që Fjala e Perëndisë të na i ndreqë mendimet e gabuara para se ato të kthehen në veprime të gabuara. Fjala e tij do të jetë si një zë që na thotë: «Kjo është udha. Ecni në të!» Ajo do të na paralajmërojë nëse po devijojmë nga udha—qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë. (Isa. 30:21) Po t’ia vëmë veshin Jehovait, do të nxjerrim dobi në shumë mënyra. (Isa. 48:17) Për shembull, do të shmangim sikletin që vjen kur duhet të na ndreqë dikush tjetër. Veç kësaj, do të afrohemi më shumë me Jehovain, sepse e kuptojmë që ai po na trajton si një fëmijë të shtrenjtë.—Hebr. 12:7. w20.11 20 ¶6-7
E martë, 21 qershor
Kur dëgjuan për ringjalljen e të vdekurve, disa filluan ta tallnin.—Vep. 17:32.
Ky qëndrim mund të kishte ndikuar te disa në Korint. (1 Kor. 15:12) Të tjerë ndoshta mendonin se ringjallja nuk ishte reale, por e figurshme, pra dikush që kishte qenë «i vdekur» për shkak të mëkatit, ishte «i gjallë» pasi bëhej i krishterë. Cilado të ishte arsyeja, për sa kohë që mohonin ringjalljen, besimi i tyre ishte i kotë. Nëse Perëndia nuk e kishte ringjallur Jezuin, atëherë nuk ishte paguar asnjë shpërblesë. Pra, ata që e hidhnin poshtë mësimin e ringjalljes, nuk kishin shpresë të vërtetë. (1 Kor. 15:13-19; Hebr. 9:12, 14). Pavli e kishte parë vetë se ‘Krishti ishte ringjallur’. Ringjallja e Jezuit ishte më e mirë se ringjalljet e mëparshme, pasi ata që ishin ringjallur, kishin vdekur prapë më vonë. Pavli e quajti Jezuin «fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes». Ai ishte i pari që u ringjall si krijesë qiellore dhe ishte njeriu i parë që shkoi në qiell.—1 Kor. 15:20; Vep. 26:23; 1 Pjet. 3:18, 22. w20.12 5 ¶11-12
E mërkurë, 22 qershor
Vendimet e apostujve dhe të pleqve . . . ata ua përcillnin . . . që t’i zbatonin.—Vep. 16:4.
Në shekullin e parë, trupi udhëheqës në Jerusalem punoi në unitet që populli i Perëndisë të vazhdonte të ishte i organizuar e në paqe. (Vep. 2:42) Për shembull, rreth vitit 49 të e.s, kur lindi debati për rrethprerjen, trupi udhëheqës e shqyrtoi çështjen nën drejtimin e frymës së shenjtë. Nëse kongregacioni do të kishte mbetur i përçarë në atë çështje, kjo do të ishte bërë pengesë për veprën e predikimit. Apostujt dhe pleqtë ishin judenj, ama nuk u ndikuan nga tradita judaike, as nga ata që e përkrahnin me zjarr. Përkundrazi, kërkuan drejtim nga Fjala e Perëndisë dhe u lutën për ndihmën e frymës së shenjtë. (Vep. 15:1, 2, 5-20, 28) Rezultati? Jehovai e bekoi vendimin e tyre, në kongregacion mbretëroi paqja e uniteti dhe vepra e predikimit vazhdoi të përparonte. (Vep. 15:30, 31; 16:5) Në ditët tona, organizata e Jehovait e ka ndihmuar popullin e Tij të vazhdojë të jetë i organizuar e në paqe. w20.10 22-23 ¶11-12
E enjte, 23 qershor
Solomoni, biri im, ai që ka zgjedhur Perëndia.—1 Kron. 29:1.
Kufizimet e moshës, shëndeti i dobët a shkaqe të tjera ndoshta e bëjnë të pamundur të kemi një caktim që na pëlqen shumë në shërbim të Jehovait. Nëse gjendemi në këtë situatë, mund të mësojmë nga shembulli i mbretit David. Ai donte me shpirt të ndërtonte tempullin e Perëndisë, por kur mori vesh se nuk ishte zgjedhur për atë caktim, e mbështeti plotësisht atë që kishte zgjedhur Perëndia. Madje Davidi dhuroi me bujari për atë projekt. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne! (2 Sam. 7:12, 13; 1 Kron. 29:3-5) Për shkak të problemeve me shëndetin, Hugoja, një vëlla në Francë, e ndërpreu shërbimin si plak. Ai as nuk bënte dot më disa punë të thjeshta në shtëpi. Hugoja shkruan: «Në fillim, ndihesha i pavlerë dhe krejt i shkurajuar. Por me kohë, kuptova sa e rëndësishme ishte t’i pranoja kufizimet e mia. Pas kësaj arrita të gjeja gëzim në shërbim të Jehovait brenda atyre kufizimeve. Ashtu si Gideoni dhe 300 luftëtarët e tij—që nuk u dorëzuan ndonëse ishin të lodhur—edhe unë do ta vazhdoj luftën!»—Gjyk. 8:4. w20.12 25 ¶14-15
E premte, 24 qershor
Të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin.—1 Gjon. 4:7.
Në tregimin për jetën e Jezuit, apostulli Gjon i përdori fjalët «dashuri» dhe «të duash» më shpesh se të tre shkrimtarët e tjerë të ungjijve të marrë së bashku. Ato shkrime të frymëzuara na mësojnë se çdo gjë që bëjmë, duhet të motivohet nga dashuria. (1 Gjon. 4:10, 11) Gjithsesi, Gjonit iu desh kohë ta mësonte këtë. Në moshë të re, Gjoni nuk tregonte gjithnjë dashuri. Për shembull, në një rast, Jezui dhe dishepujt e tij po shkonin në Jerusalem duke udhëtuar përmes Samarisë. Një fshat samaritan nuk donte t’i mirëpriste. Gjoni sugjeroi të zbriste zjarr nga qielli që t’i shfaroste të gjithë banorët e fshatit! (Luka 9:52-56) Në një rast tjetër, ai dhe i vëllai, Jakovi, me sa duket e shtynë mamanë e tyre t’i kërkonte Jezuit t’u jepte pozita të rëndësishme përkrah tij në Mbretëri. Apostujt e tjerë u nxehën kur morën vesh çfarë kishin bërë Jakovi dhe Gjoni. (Mat. 20:20, 21, 24) Prapëseprapë, me gjithë gabimet e të metat, Jezui e kishte veçanërisht për zemër Gjonin.—Gjoni 21:7. w21.01 8-9 ¶3-4
E shtunë, 25 qershor
Krishti nuk kënaqi veten.—Rom. 15:3.
Jehovai merr vendime që janë për të mirën e të tjerëve. Për shembull, ai vendosi të krijonte jo për dobinë e vet, por nga dëshira që edhe ne të gëzojmë jetën. Askush nuk e detyronte dot Jehovain të jepte Birin e tij për të fshirë mëkatet tona. Ai e bëri me dëshirë atë sakrificë për dobinë tonë. Edhe Jezui merrte vendime që u sillnin dobi të tjerëve. Për shembull, ai la mënjanë nevojën e tij për të pushuar, me qëllim që të mësonte një turmë njerëzish. (Mar. 6:31-34) Një kryefamiljar i mirë e di se një nga gjërat më të vështira është të marrë vendime të mençura për familjen, dhe e sheh këtë si përgjegjësi serioze. Përpiqet të mos i marrë vendimet thjesht si t’i shkrepë ose nisur nga ndjenjat e çastit. Përkundrazi, lejon ta stërvitë Jehovai. (Prov. 2:6, 7) Si rezultat, ai mendon si t’u sjellë dobi të tjerëve, jo vetes. (Filip. 2:4) Nëse një burrë bën çmos të imitojë shembullin e Jehovait dhe të Jezuit, do të jetë kryefamiljar i mirë. w21.02 7 ¶19-21
E diel, 26 qershor
Asa bëri atë që ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Jehovait, Perëndisë së tij.—2 Kron. 14:2.
Në fillim të mbretërimit të tij, Asa ishte i përulur dhe guximtar. Për shembull, kur hipi në fron pas të atit, Abijahut, ai organizoi një fushatë kundër idhujtarisë. Veç kësaj, «i tha Judës të kërkonte Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre, dhe të zbatonte Ligjin e urdhërimet». (2 Kron. 14:1-7) E kur etiopasi Zerah sulmoi Judën me 1.000.000 ushtarë, Asa u tregua i mençur dhe i kërkoi ndihmë Jehovait me fjalët: «O Jehova, për ty s’ka rëndësi nëse ata që ndihmon janë të fortë apo të dobët. Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi.» Këto shprehje të bukura tregojnë sa i fortë ishte besimi i Asës tek aftësia e Jehovait për ta shpëtuar popullin e tij. Ngaqë Asa tregoi besim tek Ati i tij qiellor, «Jehovai i mundi etiopasit». (2 Kron. 14:8-12) Pa dyshim që je dakord se të përballeshe me një ushtri prej 1.000.000 ushtarësh ishte e frikshme. Sidoqoftë, Asa e përballoi me sukses atë vështirësi. w21.03 5 ¶12-13
E hënë, 27 qershor
Kini . . . përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin.—Rom. 12:10.
Në Shkrime kemi shembuj të njerëzve të papërsosur që treguan përzemërsi të ngrohtë. Të ndalemi te Jonatani dhe Davidi. Bibla thotë: «Jonatani dhe Davidi u bënë miq të ngushtë, dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet.» (1 Sam. 18:1) Davidi ishte mirosur të bëhej mbret në vend të Saulit. Pas njëfarë kohe, Saulin nisi ta brente xhelozia për Davidin dhe u përpoq ta vriste. Por biri i Saulit, Jonatani, nuk u bashkua me të atin në «gjuetinë» për t’i marrë jetën Davidit. Jonatani dhe Davidi lidhën besën që të ishin miq përherë e t’i bëheshin gjithmonë krah njëri-tjetrit. (1 Sam. 20:42) Përzemërsia e ngrohtë mes Jonatanit dhe Davidit duket akoma më mbresëlënëse kur mendojmë për disa gjëra që mund t’i kishin penguar të bëheshin miq. Për shembull, Jonatani ishte nja 30 vjet më i madh se Davidi. Ai mund të kishte nxjerrë përfundimin se s’kishte asgjë të përbashkët me atë djalosh shumë më të ri dhe të parrahur me jetën. Por Jonatani as e pa dhe as e trajtoi Davidin si inferior. w21.01 21-22 ¶6-7
E martë, 28 qershor
Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.—Jak. 1:2.
Jezui u premtoi dishepujve të tij se do të ishin vërtet të lumtur. Njëkohësisht i paralajmëroi se do të hasnin sprova. (Mat. 10:22, 23; Luka 6:20-23) Gëzojmë që jemi dishepuj të Krishtit. Por si ndihemi kur mendojmë që familjarët mund të na kundërvihen, qeveria mund të na përndjekë ose shokët e punës a të shkollës mund të ushtrojnë presion mbi ne që të bëjmë diçka të gabuar? Natyrisht që kjo mund të na futë ankth. Njerëzit në përgjithësi nuk e shohin përndjekjen si arsye për të gëzuar. Mirëpo, Fjala e Perëndisë na nxit ta shohim tamam kështu. Për shembull, dishepulli Jakov shkroi se në vend që të ndihemi zemërlëshuar, duhet ‘ta konsiderojmë gëzim’ kur përballojmë sprova. (Jak. 1:2, 12) Po ashtu, Jezui tha se duhet të jemi të lumtur edhe kur na përndjekin. (Mat. 5:11) Jehovai e frymëzoi Jakovin t’u shkruante të krishterëve të hershëm, për t’u dhënë këshilla praktike që do t’i ndihmonin ta ruanin gëzimin edhe mes sprovave. w21.02 26 ¶1-2; 27 ¶5
E mërkurë, 29 qershor
Largohu nga fjalët boshe që shpërfillin atë që është e shenjtë.—1 Tim. 6:20.
Disa bashkëkohës të Timoteut nuk e vlerësuan privilegjin për të qenë bashkëpunëtorë të Perëndisë. Ndër ta ishin Dema, Figeli, Hermogeni, Himeneu, Aleksandri dhe Fileti. (1 Tim. 1:19, 20; 2 Tim. 1:15; 2:16-18; 4:10) Duket se të gjithë këta kishin pasur një marrëdhënie të fortë me Jehovain, por e humbën nga sytë atë që kishte vërtet vlerë. Cilat janë disa taktika që përdor Satanai për të na shtyrë të heqim dorë nga thesaret që na ka besuar Jehovai? Të shohim disa prej tyre. Ai përdor zbavitjet dhe mediat për të reklamuar standarde, ide dhe sjellje me shpresën që të infektohemi prej tyre, e kështu të mos e mbajmë fort të vërtetën. Satanai përpiqet të na futë frikën me anë të presionit të shoqërisë ose përndjekjeve, në mënyrë që të mos predikojmë më. Gjithashtu përpiqet të na shtyjë të dëgjojmë idetë e apostatëve, ‘atë që gjoja quhet njohuri’, me qëllim që të braktisim të vërtetën. Po të mos bëjmë kujdes, dalëngadalë mund të largohemi nga e vërteta.—1 Tim. 6:21. w20.09 27 ¶6-8
E enjte, 30 qershor
Jehovai do ta dëgjojë përgjërimin tim; Jehovai do ta pranojë lutjen time.—Psal. 6:9.
A të ka zhgënjyer ndonjë mik a pjesëtar i familjes? Nëse po, do të nxjerrësh dobi duke shqyrtuar se çfarë bëri mbreti David kur i biri, Absalomi, e tradhtoi dhe u përpoq t’i rrëmbente fronin. (2 Sam. 15:5-14, 31; 18:6-14) Duke pasur parasysh këtë ngjarje, tregoji Jehovait si ndihesh për mënyrën si të kanë trajtuar. (Psal. 6:6-8) Pastaj, imagjino si duhet të jetë ndier Davidi ndërsa kalonte gjithë ato peripeci. Ai e donte Absalomin dhe kishte besim te Ahithofeli. Por që të dy e tradhtuan. Ata i copëtuan zemrën Davidit, e madje u përpoqën ta vritnin. Davidi mund ta kishte humbur besimin te miqtë e tjerë nga dyshimi se mos edhe ata kishin marrë anën e Absalomit. Ai mund të kishte menduar vetëm për veten dhe mund të ishte larguar pa marrë me vete askënd. Ose mund ta mbyste dëshpërimi e të dorëzohej. Por ai iu lut Jehovait për ndihmë. U kërkoi ndihmë edhe miqve të tij. Dhe veproi pa vonesë sipas vendimeve që mori. Davidi vazhdoi të kishte besim te Jehovai dhe t’u zinte besë miqve të tij. w21.03 15 ¶7-8; 17 ¶10-11