BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es24
  • Maj

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Maj
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
  • Nëntema
  • E mërkurë, 1 maj
  • E enjte, 2 maj
  • E premte, 3 maj
  • E shtunë, 4 maj
  • E diel, 5 maj
  • E hënë, 6 maj
  • E martë, 7 maj
  • E mërkurë, 8 maj
  • E enjte, 9 maj
  • E premte, 10 maj
  • E shtunë, 11 maj
  • E diel, 12 maj
  • E hënë, 13 maj
  • E martë, 14 maj
  • E mërkurë, 15 maj
  • E enjte, 16 maj
  • E premte, 17 maj
  • E shtunë, 18 maj
  • E diel, 19 maj
  • E hënë, 20 maj
  • E martë, 21 maj
  • E mërkurë, 22 maj
  • E enjte, 23 maj
  • E premte, 24 maj
  • E shtunë, 25 maj
  • E diel, 26 maj
  • E hënë, 27 maj
  • E martë, 28 maj
  • E mërkurë, 29 maj
  • E enjte, 30 maj
  • E premte, 31 maj
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
es24

Maj

E mërkurë, 1 maj

Pastaj pashë një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush s’mund ta numëronte.—Zbul. 7:9.

Pas grupit qiellor, Gjoni sheh «një shumicë të madhe». Ndryshe nga 144.000-t, shumica e madhe është e panumërt. Çfarë mësojmë për ta? Gjonit i thuhet: «Janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë rrobat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» (Zbul. 7:14) Pasi t’i mbijetojë shtrëngimit të madh, kjo ‘shumicë e madhe’ do të jetojë këtu në tokë dhe do të gëzojë bekime fantastike. (Psal. 37:9-11, 27-29; Prov. 2:21, 22; Zbul. 7:16, 17) Qoftë nëse jemi zgjedhur të shkojmë në qiell, qoftë nëse do të vazhdojmë të jetojmë në tokë, a e shohim veten brenda tablosë që përshkruan kapitulli 7 i Zbulesës? Duhet ta shohim! Çfarë kohe e mahnitshme do të jetë ajo për të dyja grupet e shërbëtorëve të Perëndisë! Do të ndiejmë një gëzim të papërshkrueshëm që zgjodhëm të përkrahnim sovranitetin e Jehovait. w22.05 16 ¶6-7

E enjte, 2 maj

Vetë Jehovai jep mençuri.—Prov. 2:6.

Nëse të është dashur ndonjëherë të marrësh një vendim të rëndësishëm, pa dyshim që je lutur për mençuri, se e dije që kishe nevojë për të. (Jak. 1:5) Mbreti Solomon shkroi: «Mençuria është gjëja më e rëndësishme.» (Prov. 4:7) Sigurisht, Solomoni nuk po fliste për çfarëdolloj mençurie. Po fliste për mençurinë që vjen nga Perëndia Jehova. Por, a mund të na ndihmojë mençuria hyjnore të përballojmë problemet që hasim sot? Patjetër që po. Një mënyrë si mund të bëhemi vërtet të mençur është të studiojmë dhe të zbatojmë mësimet e dy burrave të mirënjohur për mençurinë e tyre. Së pari, të ndalemi te Solomoni. Bibla thotë se «Perëndia i dha Solomonit shumë mençuri e aftësi dalluese». (1 Mbret. 4:29) Së dyti, të ndalemi te Jezui, që kishte mençuri të pakrahasueshme. (Mat. 12:42) Për Jezuin ishte profetizuar: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e aftësisë për të kuptuar.»—Isa. 11:2. w22.05 20 ¶1-2

E premte, 3 maj

Më lër t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd të fuqishëm.—Psal. 71:18.

S’jemi kurrë tepër të moshuar për të vënë dhe për të arritur synime që kënaqin Jehovain. Mendo për shembullin e një motre 75-vjeçare që quhet Bevërli. Ajo kishte një problem të rëndë shëndetësor që ia bënte të vështirë të ecte. Megjithatë, donte nga zemra të përfshihej sa më shumë në fushatën e Përkujtimit. Prandaj vendosi synime specifike. Kur i arriti synimet për fushatën, ishte shumë e lumtur. Përpjekjet e saj i frymëzuan edhe të tjerët që të përpiqeshin me mish e me shpirt në shërbim. Jehovai i çmon përpjekjet e vëllezërve dhe motrave të moshuara, edhe nëse nuk bëjnë dot aq sa do të donin për shkak të rrethanave. (Psal. 71:17) Vër synime që mund t’i arrish. Kultivo cilësi që të bëjnë më të bukur në sytë e Jehovait. Zhvillo aftësi që mund të të bëjnë më të dobishëm për Perëndinë tonë dhe për organizatën e tij. Kërko mënyra si t’u shërbesh më plotësisht vëllezërve e motrave. Ashtu si Timoteu, me bekimin e Jehovait, ‘përparimin tënd mund ta shohin qartë të gjithë’.—1 Tim. 4:15. w22.04 27 ¶18-19

E shtunë, 4 maj

Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta.—2 Tim. 3:15.

Po nëse, pavarësisht nga përpjekjet e tua të palodhura, një nga fëmijët e tu thotë se nuk dëshiron t’i shërbejë Jehovait? Mos dil në përfundimin se ke dështuar si prind. Jehovai na ka dhënë të gjithëve dhuratën e vullnetit të lirë—aftësinë për të zgjedhur nëse do t’i shërbejmë Perëndisë—e këtu përfshihet edhe fëmija yt. Mos e humb shpresën se do të kthehet një ditë. Kujto ilustrimin e djalit të humbur. (Luka 15:11-19, 22-24) Ai djalë i ri devijoi shumë nga rruga e drejtë, por si përfundim u kthye. Prindër, Perëndia ju ka dhënë një privilegj të mrekullueshëm—të rritni brezin e ri me adhurues të Jehovait. (Psal. 78:4-6) Kjo nuk është detyrë e lehtë, ndaj ju lavdërojmë nga zemra që përpiqeni pa u kursyer që t’u rrënjosni fëmijëve dashurinë për Jehovain dhe t’i rritni me disiplinën e këshillat e tij. Të jeni të sigurt se Atit tonë të dashur do t’i gëzojë zemra.—Efes. 6:4. w22.05 30-31 ¶16-18

E diel, 5 maj

I gjithë trupi është i lidhur në mënyrë të harmonishme.—Efes. 4:16.

Që kongregacioni të jetë një liman paqeje dhe uniteti, secili nga ne duhet të bëjë më të mirën e vet. Të mendojmë për të krishterët e shekullit të parë. Ata kishin talente e caktime nga më të ndryshmet. (1 Kor. 12:4, 7-11) Gjithsesi, ato nuk u bënë shkas për konkurrencë e përçarje mes tyre. Pavli e nxiti secilin të jepte çka nevojitej «për të ndërtuar trupin e Krishtit». Ai u shkroi efesianëve: «Kur çdo gjymtyrë funksionon siç duhet, trupi rritet teksa ndërtohet me dashuri.» (Efes. 4:1-3, 11, 12) Ata që ia vunë veshin këshillës së Pavlit, nxitën paqen dhe unitetin—e këto mbizotërojnë edhe sot në kongregacionet tona. Ji i vendosur të mos krahasohesh me të tjerët. Në vend të kësaj, mëso nga Jezui dhe përpiqu të imitosh cilësitë e tij. Ji i bindur se Jehovai ‘nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat e tua’. (Hebr. 6:10) Atij i bëhet zemra mal kur sheh përpjekjet e tua me gjithë shpirt për ta kënaqur. w22.04 14 ¶15-16

E hënë, 6 maj

Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.—1 Tim. 1:15.

Është shumë lehtësuese që nuk na takon ne të vendosim nëse Jehovai do ta falë një mëkatar. Gjithsesi na takon të vendosim diçka tjetër. Çfarë? Në disa raste, dikush që ka bërë një mëkat ndaj nesh, ndoshta edhe një mëkat të rëndë, mund të vijë e të na kërkojë falje. Në raste të tjera, ai që na ka lënduar mund të mos kërkojë falje. Prapëseprapë mund të vendosim ta falim në kuptimin që të mos ushqejmë më në zemër mëri e inat. Për të qenë realistë, kjo mund të kërkojë kohë dhe përpjekje, sidomos nëse jemi lënduar thellë. Kulla e Rojës e 15 janarit 1995 thoshte: «Kur ke falur një mëkatar, nuk do të thotë se ke falur mëkatin. Për të krishterët, falja nënkupton lënien me besim të plotë të çështjes në duart e Jehovait. Ai është Gjykatësi i drejtë i gjithë universit dhe do të zbatojë drejtësinë në kohën e duhur.» w22.06 9 ¶6-7

E martë, 7 maj

Shpreso te Jehovai!—Psal. 27:14.

Jehovai premtoi se në ditët tona do të mblidhte njerëz nga çdo komb, fis e gjuhë dhe do t’i bashkonte në adhurimin e pastër. Sot ky grup unik njihet si ‘shumica e madhe’. (Zbul. 7:9, 10) Ndonëse përbëhet nga burra, gra e fëmijë të prejardhjeve të ndryshme, ky grup i larmishëm është një familje mbarëbotërore ku lulëzon paqja dhe uniteti. (Psal. 133:1; Gjoni 10:16) Ata janë gjithnjë gati t’i flasin rreth shpresës së tyre për një botë më të mirë kujtdo që dëshiron të dëgjojë. (Mat. 28:19, 20; Zbul. 14:6, 7; 22:17) Nëse je pjesë e shumicës së madhe, pa dyshim shpresa për një të ardhme të shkëlqyer është shumë e çmuar për ty. Djalli dëshiron të ta grabitë shpresën. Synimi i tij është të të shtyjë të besosh se Jehovait nuk do t’i mbajë premtimet. Nëse Satanai ia del të na grabitë shpresën, do të na lëshojë zemra, e si pasojë mund të mos i shërbejmë më Jehovait. w22.06 20-21 ¶2-3

E mërkurë, 8 maj

Këtë shpresë e kemi si një spirancë për shpirtin, të sigurt e të patundur.—Hebr. 6:19.

Shpresa jonë e patundur na ndihmon të kapërcejmë sprova të stuhishme, se jemi të sigurt që gjërat do të qetësohen e do të vijnë ditë më të mira. Mos harro, Jezui na paralajmëroi që do të na përndiqnin. (Gjoni 15:20) Prandaj, meditimi për shpërblimin që na ka premtuar Jehovai na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur. Të mendojmë si e ndihmoi shpresa Jezuin të qëndronte i palëkundur, ndonëse e dinte që e priste një vdekje mizore. Më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, apostulli Pjetër citoi këtë profeci nga libri i Psalmeve që tregon sa i qetë dhe i sigurt ndihej Jezui: «Do të jetoj me shpresë, sepse ti nuk do të më lësh në Varr, nuk do të lejosh që besniku yt të kalbet. . . . Kur jam pranë teje, mbushem me gëzim.» (Vep. 2:25-28; Psal. 16:8-11) Jezui kishte shpresën e patundur se Perëndia do ta ringjallte dhe se do të kishte gëzimin të bashkohej prapë me Atin e tij në qiell.—Hebr. 12:2, 3. w22.10 25 ¶4-5

E enjte, 9 maj

Të gjithë ne gabojmë shumë herë.—Jak. 3:2.

Në një rast, dy nga apostujt, Jakovi dhe Gjoni, dërguan te Jezui nënën e tyre që të kërkonte për ta vende të nderuara në Mbretëri. (Mat. 20:20, 21) Me këtë që kërkuan, Jakovi dhe Gjoni po tregoheshin krenarë dhe ambiciozë. (Prov. 16:18) Jakovi dhe Gjoni nuk ishin të vetmit që shfaqën tipare të këqija në atë rast. Shiko si reaguan apostujt e tjerë: «Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me dy vëllezërit.» (Mat. 20:24) Mund të imagjinojmë debatin e fortë që do të jetë hapur mes Jakovit, Gjonit dhe apostujve të tjerë. Si veproi Jezui në atë rast? Nuk u zemërua. Nuk tha se do të shkonte të gjente apostuj më të mirë, burra që kishin më shumë përulësi dhe që do ta trajtonin gjithnjë me dashuri njëri-tjetrin. Jo, Jezui arsyetoi me durim me ta, se e dinte që kishin zemër të mirë. (Mat. 20:25-28) Ai vazhdoi t’i trajtonte me dashuri. w23.03 28-29 ¶10-13

E premte, 10 maj

Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që t’i përgjigjem atij që më përbuz.—Prov. 27:11.

Mendo sa gjëra të mira ke arritur! Mbase ke studiuar me zell Biblën për disa vite, dhe ky studim të ka bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë. Por, ç’është më e rëndësishmja, ke arritur ta njohësh dhe ta duash Autorin e këtij libri të shenjtë. Dashuria jote për Jehovain u rrit aq shumë, saqë i kushtove jetën dhe u pagëzove. Sa fantastike! Pa dyshim, besimi yt u sprovua në mënyra të ndryshme ndërsa përparoje drejt pagëzimit. E teksa miqësia me Jehovain forcohet, do të përballesh me sprova të reja. Satanai do të përpiqet të të dobësojë dashurinë për Jehovain dhe të të pengojë t’i shërbesh Atij. (Efes. 4:14) Por mos e lejo kurrë këtë gjë! Ç’mund të të ndihmojë t’i qëndrosh besnik Jehovait dhe ta mbash betimin e kushtimit? Duhet të vazhdosh të përparosh—‘të sulesh’ drejt pjekurisë.—Hebr. 6:1. w22.08 2 ¶1-2

E shtunë, 11 maj

Ndero babanë dhe nënën tënde, si të ka urdhëruar Jehovai, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të të vejë mbarë.—Ligj. 5:16.

Çdo pjesëtar i familjes ka përgjegjësinë t’i mbajë për vete çështjet private të familjes. Për shembull, një motër mund të ketë ndonjë tipar që e bën për të qeshur bashkëshortin e saj. A do t’ua tregojë ai të tjerëve këtë e kështu ta vërë në siklet të shoqen? Patjetër që jo! Ai e do gruan e tij, dhe nuk do të bënte kurrë diçka që e lëndon. (Efes. 5:33) Të rinjtë duan që të tjerët t’i trajtojnë me respekt. Prindërit duhet ta mbajnë parasysh këtë. Nuk i bëjnë me turp fëmijët duke ua treguar të tjerëve gabimet e tyre. (Kolos. 3:21) Fëmijët duhet të jenë të kujdesshëm duke mos folur me të tjerë për çështje private që do t’i vinin në siklet pjesëtarët e familjes. Kur secili në familje bën pjesën e vet për t’i mbajtur konfidenciale çështjet private, lidhjet familjare bëhen më të forta. w22.09 10 ¶9

E diel, 12 maj

Dëgjoje këtë, o Job; ndalu dhe mendo.—Jobi 37:14.

Jehovai foli me Jobin, duke i kujtuar mençurinë e pafund që ka dhe merakun e dashur që tregon për krijesat e tij. Ai i foli për shumë kafshë të mahnitshme. (Jobi 38:1, 2; 39:9, 13, 19, 27; 40:15; 41:1, 2) Gjithashtu përdori Elihun, një të ri besnik, që ta forconte e ta ngushëllonte. Ai e siguroi se Jehovai i shpërblen gjithmonë adhuruesit e vet për qëndrueshmërinë e tyre. Jehovai e nxiti Elihun edhe që t’i jepte disa këshilla të dashura Jobit. Elihu e ndihmoi Jobin të mos përqendrohej tepër te vetja, duke i kujtuar sa të vegjël janë njerëzit në krahasim me Jehovain, Krijuesin e universit. Veç kësaj, Jehovai i dha një caktim Jobit: të lutej për tre shokët e tij që kishin mëkatuar. (Jobi 42:8-10) Po sot, si na mbështet Jehovai kur na bien sprova të rënda? Ai nuk flet me ne ashtu siç bëri me Jobin, por na flet nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës.—Rom. 15:4. w22.08 11 ¶10-11

E hënë, 13 maj

Më mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh ndonjë gjë që e pengon vëllanë tënd.—Rom. 14:21.

Kongregacioni në Romë përbëhej nga të krishterë judenj dhe jojudenj. Kur u shfuqizua Ligji i Moisiut, nuk kishte më kufizime për të ngrënë ndonjë ushqim të caktuar. (Mar. 7:19) Që nga ai moment, disa të krishterë judenj nuk e kishin problem të hanin çdo lloj ushqimi. Kurse disa të krishterëve të tjerë judenj, u dukej e papranueshme të hanin disa ushqime. Kjo çështje solli përçarje në kongregacion. Apostulli Pavël theksoi sa e rëndësishme ishte të ruhej paqja. Kështu, i ndihmoi bashkëbesimtarët të kuptonin se debate të tilla i dëmtonin ata personalisht dhe kongregacionin. (Rom. 14:19, 20) Madje ai ishte i gatshëm të ndryshonte vetë, që të mos pengonte të tjerët. (1 Kor. 9:19-22) Po njësoj, mund të forcojmë të tjerët dhe të ruajmë paqen duke shmangur debatet për preferencat personale. w22.08 22 ¶7

E martë, 14 maj

[Jehovai] e do njeriun që kërkon me ngulm drejtësinë.—Prov. 15:9.

Kur kemi një synim në shërbim të Jehovait, përpiqemi me të gjitha forcat për ta arritur. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë kur kërkojmë me ngulm drejtësinë. Jehovai do të na ndihmojë me durim që të përparojmë e të përmirësohemi dita-ditës. (Psal. 84:5, 7) Me përzemërsi, Jehovai na kujton se të veprosh me drejtësi nuk është barrë. (1 Gjon. 5:3) Përkundrazi është një mbrojtje për të cilën kemi nevojë çdo ditë. Apostulli Pavël foli për armaturën që jep Perëndia. (Efes. 6:14-18) Cila pjesë e armaturës mbronte zemrën e një të krishteri? ‘Parzmorja e drejtësisë’ që përfaqëson standardet e drejta të Jehovait. Ashtu si një parzmore mbron zemrën e mirëfilltë, po njësoj standardet e drejta të Jehovait mund të mbrojnë zemrën e figurshme, ku përfshihen ndjenjat, dëshirat dhe mendimet. Prandaj, sigurohu që armaturës tënde të mos i mungojë parzmorja e drejtësisë!—Prov. 4:23. w22.08 29 ¶13-14

E mërkurë, 15 maj

Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.—Isa. 40:8.

Fjala e Perëndisë u ka siguruar udhëheqje të mençur për mijëra vjet burrave e grave besnike. Si është arritur kjo? Jehovai u sigurua që të bëheshin kopje të këtij libri të shenjtë. Edhe pse ishin të papërsosur, kopistët punonin gjithë merak e përkushtim. Për shembull, një studiues shkroi për Shkrimet Hebraike: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.» Ndaj mund të jemi të sigurt se ajo që lexojmë sot në Bibël përcjell mendimet e Autorit të saj, Jehovait. Ai është Burimi i ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’. (Jak. 1:17) Bibla është një nga dhuratat më të shkëlqyera që na ka dhënë. Një dhuratë tregon diçka për atë që na e jep—sa mirë na njeh dhe sa mirë e di çfarë na duhet. Kjo është e vërtetë edhe për atë që na ka dhuruar Biblën. Ndërsa e shqyrtojmë me kujdes këtë dhuratë, mësojmë shumë për Jehovain. Mësojmë sa mirë na njeh dhe sa mirë e di çfarë na duhet. w23.02 2-3 ¶3-4

E enjte, 16 maj

Njohuria për Jehovain do të vërshojë në tokën mbarë.—Isa. 11:9.

Çfarë dite e mrekullueshme do të jetë kur të fillojë ringjallja këtu në tokë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit! Të gjithë ata që u ka rrëmbyer vdekja dikë, kanë mall t’i shohin prapë njerëzit e tyre të dashur. Kështu ndihet edhe Jehovai. (Jobi 14:15) Imagjino harenë dhe gëzimin kur çdokush në tokë të përqafojë prapë njerëzit e vet të dashur. «Të drejtët», të cilët i kanë emrat të shkruar në librin e jetës, do të kenë «një ringjallje jete». (Vep. 24:15; Gjoni 5:29) Ndoshta shumë nga njerëzit tanë të dashur do të jenë ndër të parët që do të kthehen në jetë kur të ndodhë ringjallja në tokë. Veç kësaj, «të padrejtët», ata që nuk patën mundësi ta njihnin ose ta adhuronin Jehovain para se të vdisnin, do të kthehen në jetë në «një ringjallje gjykimi». Të gjithë të ringjallurit do të kenë nevojë të marrin njohuri. (Isa. 26:9; 61:11) Prandaj do të zhvillohet programi më i madh i arsimimit në historinë njerëzore.—Isa. 11:10. w22.09 20 ¶1-2

E premte, 17 maj

Ai është Perëndia i gjallë.—Dan. 6:26.

Jehovai ka treguar se ka epërsi mbi koalicione sundimtarësh. Ai luftoi për Izraelin dhe e ndihmoi të pushtonte zona të mëdha të Tokës së Premtuar. (Jos. 11:4-6, 20; 12:1, 7, 24) Jehovai e ka treguar sa e sa herë se është Tejet i Larti! Kur mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, u mburr për ‘forcën e fuqinë e tij dhe për lavdinë e madhështisë së tij’ në vend që të pranonte me përulësi se Jehovai është Ai që meriton gjithë lavdinë, Perëndia e goditi me çmenduri. Pasi u shërua, Nabukodonosori ‘lëvdoi Më të Lartin’ dhe e pranoi se «sovraniteti i [Jehovait] është i përjetshëm». Ai tha për Jehovain: «Nuk ka njeri që t’ia ndalë dorën.» (Dan. 4:30, 33-35, shën.) Psalmisti shkroi: «Lum ai komb që ka Perëndi Jehovain! Lum ai popull që Ai e ka zgjedhur si pronën e vet!» (Psal. 33:12) Një arsye e shkëlqyer që të mbajmë integritetin ndaj Jehovait! w22.10 15-16 ¶13-15

E shtunë, 18 maj

[Fjala jote] është e vërteta.—Psal. 119:160.

Profecitë e shumta që janë plotësuar, na forcojnë besimin se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Ndihemi si psalmisti që iu lut Jehovait: «Më digjet shpirti për dorën tënde shpëtimtare, se te fjala jote i kam varur shpresat.» (Psal. 119:81) Në faqet e Biblës, Jehovai na ka dhënë me dashuri «një të ardhme plot shpresë». (Jer. 29:11) Shpresa jonë për të ardhmen nuk mbështetet te përpjekjet e njerëzve, por te premtimet e Jehovait. Vazhdofshim ta forcojmë besimin te Fjala e Perëndisë duke i studiuar me etje profecitë e saj! Ka dhe një arsye të mëtejshme pse mund t’i besojmë Biblës: frytet e mira që korrin ata që zbatojnë këshillat e saj. (Psal. 119:66, 138) Për shembull, ka çifte të martuara që dikur ishin në prag të divorcit, por që sot janë të lumtura. Fëmijët e tyre rriten në një atmosferë të ngrohtë, me prindër që kujdesen për ta dhe i duan.—Efes. 5:22-29. w23.01 5 ¶12-13

E diel, 19 maj

Gëzoni në shpresë.—Rom. 12:12.

Medito si ke nxjerrë dobi ti vetë nga plotësimi i premtimeve të Fjalës së Perëndisë. Për shembull, Jezui premton se Ati i tij do të të sigurojë gjërat e nevojshme të jetës. (Mat. 6:32, 33) Gjithashtu premton se Jehovai do të të japë frymën e shenjtë kur t’ia kërkosh. (Luka 11:13) E Jehovai i ka mbajtur këto premtime. Ka të ngjarë që të vijnë ndër mend edhe premtime të tjera që ka mbajtur Jehovai në rastin tënd. Për shembull, Ai premton të të falë, të të ngushëllojë dhe të të japë ushqim besimforcues. (Mat. 6:14; 24:45; 2 Kor. 1:3) Kur mediton çfarë ka bërë Perëndia për ty në të kaluarën, të forcohet shpresa se do të vazhdojë të mbajë çdo premtim. Jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbajë premtimet. Siç shkroi psalmisti, «lum ai që i mban shpresat te Jehovai, Perëndia i tij, . . . tek Ai që është gjithnjë besnik»!—Psal. 146:5, 6. w22.10 27 ¶15; 28 ¶17

E hënë, 20 maj

Mbi ty do të shndritë drita e Jehovait.—Isa. 60:2.

A është plotësuar edhe në kohën tonë profecia e rivendosjes së adhurimit të pastër? Pa diskutim! Në ç’mënyrë? Që nga viti 1919 i e.s., miliona njerëz janë çliruar nga robëria e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Ata i kanë udhëhequr drejt një vendi shumë më të mirë se Toka e Premtuar e Izraelit, drejt një parajse të figurshme. (Isa. 51:3; 66:8) Që nga viti 1919 i e.s., të mirosurit kanë jetuar në një parajsë të figurshme. Me kalimin e kohës, edhe ‘delet e tjera’, njerëzit me shpresë tokësore, kanë ardhur të jetojnë në këtë vend parajsor dhe kanë shijuar bekimet e bollshme të Jehovait. (Gjoni 10:16; Isa. 25:6; 65:13) Parajsa e figurshme ku banojnë, shtrihet anembanë globit. Pra, kudo që të jetojmë sot në tokë, mund të banojmë në parajsën e figurshme për sa kohë ta mbështetim adhurimin e pastër me fjalë e me vepra. w22.11 11-12 ¶12-15

E martë, 21 maj

A nuk ke ekzistuar ti që nga përjetësia, o Jehova?! O Perëndia im, i Shenjti im, ti nuk vdes!—Hab. 1:12.

A e ke të vështirë ta konceptosh që Jehovai ka ekzistuar në ‘përjetësi’? (Isa. 40:28) Shumë veta e kanë pasur të vështirë ta rrokin me mend këtë. Elihu, për shembull, tha për Perëndinë: «Vitet e tij as që mund të numërohen.» (Jobi 36:26) Por thjesht fakti që ne nuk e kuptojmë diçka, nuk do të thotë se ajo nuk është e vërtetë. Për shembull, edhe pse ne mund të mos e kuptojmë plotësisht se çfarë është drita dhe si vepron, a do të thotë kjo se drita nuk ekziston? Aspak! Po njësoj, si njerëz mund të mos e kuptojmë kurrë plotësisht se si është e mundur që Jehovai ka ekzistuar e do të ekzistojë përherë. Ama, kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk jeton përjetë. E vërteta për Krijuesin nuk varet nga ajo që arrijmë të kuptojmë ne. (Rom. 11:33-36) Në fakt, ai ka ekzistuar që para se të ekzistonte universi fizik, ku përfshihen dielli, hëna dhe yjet. Po, ai ekzistonte para se ‘të shpaloste qiejt’.—Jer. 51:15. w22.12 2-3 ¶3-4

E mërkurë, 22 maj

Qoftë lutja ime si temjan i përgatitur mirë para teje!—Psal. 141:2.

Në disa raste, mund të na ftojnë të përfaqësojmë të tjerët në lutje. Për shembull, një motër që po drejton një studim mund t’i kërkojë motrës që e shoqëron të bëjë një lutje. Ajo motër mbase nuk e njeh dhe aq mirë studenten, prandaj mund ta ketë më të lehtë të bëjë lutjen në fund të studimit. Kështu mund ta përshtatë më mirë lutjen me atë që i nevojitet studentes. Një vëlla mund ta ftojnë të lutet në mbledhjen për shërbim ose në një mbledhje kongregacioni. Vëllezërit që kanë këtë privilegj duhet të mbajnë parasysh qëllimin e mbledhjes. Lutjet nuk duhen përdorur për të dhënë këshilla ose njoftime. Në shumicën e mbledhjeve janë programuar gjithsej pesë minuta për këngën dhe lutjen, prandaj vëllai që lutet s’ka pse të përdorë «shumë fjalë», sidomos në fillim të mbledhjes.—Mat. 6:7. w22.07 24 ¶17-18

E enjte, 23 maj

Do të dëgjoni të flitet për luftëra dhe lajme luftërash, por mos u alarmoni sepse këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.—Mat. 24:6.

Jezui paratha se në ditët e fundit do të kishte murtaja, domethënë sëmundje epidemike, «nga njëri vend në tjetrin». (Luka 21:11) Na jep paqe edhe thjesht fakti që e dimë këtë. Pse? Sepse nuk habitemi kur shpërthen ndonjë epidemi. E kuptojmë se gjërat po ndodhin ashtu siç tha Jezui. Prandaj duam të ndjekim këtë këshillë që dha Jezui për njerëzit që jetojnë në ditët e fundit: «Mos u alarmoni.» Pa dyshim që një epidemi do të ta prishë disi programin, por mos lejo të të pengojë që të bësh studimin personal dhe të ndjekësh mbledhjet. Historitë reale në botimet dhe videot tona do të të kujtojnë se vëllezërit e motrat po mbajnë integritetin ndërsa kalojnë sprova të ngjashme. w22.12 17 ¶4, 6

E premte, 24 maj

Kohët e vështira . . . i zënë befas të gjithë.—Ekl. 9:11.

Patriarku Jakob e kishte treguar qartë se e donte shumë birin e tij Jozefin. (Zan. 37:3, 4) Si rrjedhojë, djemtë e mëdhenj të Jakobit u bënë xhelozë për vëllanë e tyre. Kur iu dha rasti, ia shitën Jozefin disa tregtarëve midianitë. Ata tregtarë e çuan Jozefin qindra kilometra larg, në Egjipt, ku përfundoi në duart e Potifarit, kreut të rojave të faraonit. Kështu jeta e Jozefit ndryshoi vetëtimthi: nga biri i shtrenjtë i të atit u bë skllavi i papërfillshëm i një egjiptiani! (Zan. 39:1) Ndonjëherë mund të kalojmë vështirësi që ‘i hasin edhe të tjerë’, domethënë me halle që u bien të gjithë njerëzve. (1 Kor. 10:13) Ose mund të vuajmë vetëm ngaqë jemi dishepuj të Jezuit. Për shembull, mund të përballemi me tallje, kundërshtime a madje edhe përndjekje për shkak të besimit. (2 Tim. 3:12) Çfarëdo sprove të përballosh, Jehovai mund të të ndihmojë të kesh sukses. w23.01 14-15 ¶3-4

E shtunë, 25 maj

Ku s’ka dru, zjarri fashitet.—Prov. 26:20.

Ka raste kur ndiejmë se duhet të flasim me një bashkadhurues që na ka ofenduar. Para se ta bëjmë këtë, është mirë t’i bëjmë vetes pyetje si këto: «A i di të gjitha faktet?» (Prov. 18:13) «Mos ndoshta më ofendoi pa dashje?» (Ekl. 7:20) «A e kam bërë edhe unë ndonjëherë një gabim të tillë?» (Ekl. 7:21, 22) «Nëse flas me të, mos e bëj më keq se ç’është situatën?» Nëse mendojmë mirë për këto pyetje, mund të dalim në përfundimin se dashuria për vëllanë ose motrën mund të na shtyjë që thjesht ta anashkalojmë fyerjen. Si individë, japim prova se jemi dishepuj të vërtetë të Jezuit kur tregojmë dashuri altruiste ndaj vëllezërve e motrave, pavarësisht nga të metat e tyre. Kjo mund t’i ndihmojë edhe të tjerët të dallojnë fenë e vërtetë dhe të bashkohen me ne në adhurimin e Jehovait. Qofshim të vendosur të vazhdojmë të tregojmë atë dashuri që është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë! w23.03 31 ¶18-19

E diel, 26 maj

Perëndia është dashuri.—1 Gjon. 4:8.

Bibla pasqyron cilësinë më të spikatur të Autorit të saj—dashurinë. Nga dashuria për ne, Jehovai nuk na mbyti me hollësi që do të na bëheshin barrë. (Gjoni 21:25) Jehovai tregoi dashuri edhe duke komunikuar me ne në një mënyrë që na jep dinjitet. Në Bibël, ai nuk na jep një listë të pafund me rregulla për të kontrolluar me imtësi çdo aspekt të jetës sonë. Përkundrazi, përpiqet të na vërë në punë aftësinë për të menduar nëpërmjet historive reale, profecive drithëruese dhe këshillave praktike. Kështu Shkrimet na motivojnë ta duam Perëndinë tonë e t’i bindemi nga zemra. Bibla tregon se Jehovai ka merak të thellë për ne. Si e tregon merakun e tij? Fjala e Perëndisë përmban plot histori ku shpalosen ndjenja njerëzore. E ne mund ta kuptojmë si ndiheshin personazhet e Biblës, sepse ishin njerëz «me ndjenja si tonat». (Jak. 5:17) Mbi të gjitha, ndërsa vërejmë si i ka trajtuar Jehovai ata njerëz me ndjenja si tonat, shohim akoma më qartë se ai «është shumë i dhembshur e i mëshirshëm».—Jak. 5:11. w23.02 6 ¶13-15

E hënë, 27 maj

Ruani gjykimin! Jini syçelë!—1 Pjet. 5:8.

Libri i fundit i Biblës hapet me fjalët: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet çfarë do të ndodhë së shpejti.» (Zbul. 1:1) Ja pse jemi shumë të interesuar për gjërat që ndodhin sot në botë dhe për të ditur si mund t’i plotësojnë këto ngjarje profecitë e Biblës. E ndoshta kemi shumë dëshirë të diskutojmë me njëri-tjetrin për ngjarjet botërore. Gjithsesi, kur diskutojmë për profecitë e Biblës, nuk duhet të nxjerrim përfundime me hamendje. Pse? Sepse nuk duam të themi diçka që mund të shkaktojë përçarje në kongregacion. Për shembull, ndoshta dëgjojmë se udhëheqësit e botës po bëjnë bisedime se si të zgjidhin një konflikt të veçantë dhe të sjellin paqe e siguri. Në vend që të themi me hamendje se deklarata e tyre plotëson profecinë e 1 Selanikasve 5:3, duhet të jemi në një hap me informacionet më të fundit nga organizata e Jehovait. Kur i bazojmë diskutimet tona te materialet e botuara nga organizata, ndihmojmë që kongregacioni të mbetet i bashkuar «në një linjë arsyetimi».—1 Kor. 1:10; 4:6. w23.02 16 ¶4-5

E martë, 28 maj

Kalëro në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë! Dora jote e djathtë do të realizojë gjëra madhështore.—Psal. 45:4.

Pse e do Jezu Krishtin? Jezui del në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë dhe të drejtësisë. Nëse e do të vërtetën dhe drejtësinë, natyrisht që do edhe Jezu Krishtin. Medito si e mbrojti me guxim Jezui atë që është e vërtetë dhe e drejtë. (Gjoni 18:37) Po si na ndihmon Jezui të përkrahim përulësinë? Jezui del ‘në mbrojtje të përulësisë’ me anë të shembullit të tij. Ai ia jep gjithë lavdinë Atit të tij e nuk e merr asnjëherë për vete. (Mar. 10:17, 18; Gjoni 5:19) Si ndikon te ti përulësia e Jezuit? A nuk të nxit ta duash Birin e Perëndisë dhe ta imitosh? Patjetër që po. Pse është i përulur Jezui? Sepse do dhe imiton Atin e tij, i cili është i përulur. (Psal. 18:35; Hebr. 1:3) A nuk të bëjnë për vete cilësitë e Jezuit, që pasqyrojnë në mënyrë të përsosur personalitetin e Jehovait? w23.03 3-4 ¶6-7

E mërkurë, 29 maj

Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.—Vep. 24:15.

Bibla flet për dy grupe njerëzish që do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në tokë: «të drejtët» dhe «të padrejtët». «Të drejtët» janë atë që i shërbyen me besnikëri Jehovait sa ishin gjallë. Kurse «të padrejtët» janë atë që nuk e adhuruan Jehovain para se të vdisnin. Meqë të dyja grupet do të ringjallen, a mund të themi se emrat e tyre janë shkruar në librin e jetës? Para se të vdisnin, «të drejtët» i kishin emrat të shkruar në librin e jetës. A u fshinë emrat e tyre nga ai libër kur vdiqën? Jo, sepse ata janë ende ‘të gjallë’ në kujtesën e Jehovait. Jehovai «nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata janë gjallë». (Luka 20:38) Kjo do të thotë se kur të ringjallen në tokë, emrat e të drejtëve do të jenë në librin e jetës, edhe pse fillimisht të shkruar «me laps».—Luka 14:14. w22.09 16 ¶9-10

E enjte, 30 maj

Perëndia Jehova e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta kultivonte e të kujdesej për të.—Zan. 2:15.

Jehovai donte që njeriu i parë të kënaqej me krijimin e Tij. Kur krijoi Adamin, Perëndia i dha si shtëpi një parajsë me bukuri të virgjër që ta eksploronte dhe i caktoi detyrën ta kultivonte parajsën e të zgjeronte kufijtë e saj. (Zan. 2:8, 9) Imagjino entuziazmin e Adamit ndërsa shihte farat të mbinin dhe lulet të çelnin. Çfarë privilegji kishte—të kujdesej për kopshtin e Edenit! Veç kësaj, Jehovai e ftoi t’u vinte emra kafshëve dhe shpendëve. (Zan. 2:19, 20) Jehovai mund të kishte zgjedhur t’u vinte vetë emra secilës prej tyre, por ia dha Adamit atë detyrë. Pa dyshim që, para se të vendoste si t’i quante, Adami i vëzhgoi me vëmendje ato krijesa, pamjen dhe sjelljen e tyre. Kushedi sa do ta ketë shijuar Adami atë caktim! Me siguri, gjithë ajo përvojë i thelloi çmueshmërinë për mençurinë, mjeshtërinë artistike dhe krijimtarinë e Atit të tij. w23.03 15 ¶3

E premte, 31 maj

Ajo do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë.—Dan. 2:44.

Meqë Anglo-Amerika paraqitet nga këmbët e një statuje gjigante, është fuqia e fundit botërore e profecive të Biblës. (Dan. 2:31-33) Ajo nuk do të pasohet nga ndonjë fuqi tjetër politike. Përkundrazi, do të marrë fund sa hap e mbyll sytë në Armagedon, kur Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë atë dhe të gjitha qeveritë e tjera njerëzore. (Zbul. 16:13, 14, 16; 19:19, 20) Si mund të nxjerrim dobi nga kjo profeci? Në profecinë e Danielit gjejmë edhe dëshmi të tjera se po jetojmë në ditët e fundit. Mbi 2.500 vjet më parë, Danieli paratha se pas Babilonisë do të vinin katër fuqi të tjera botërore që do të ndikonin drejtpërdrejt te populli i Perëndisë. Veç kësaj, tregoi se Anglo-Amerika do të ishte fuqia e fundit botërore e statujës gjigante. Këto dëshmi na japin zemër e shpresë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë të gjitha qeveritë njerëzore dhe do të qeverisë mbi mbarë tokën. w22.07 4 ¶9; 5 ¶11-12

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo