BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es24
  • Tetor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Tetor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
  • Nëntema
  • E martë, 1 tetor
  • E mërkurë, 2 tetor
  • E enjte, 3 tetor
  • E premte, 4 tetor
  • E shtunë, 5 tetor
  • E diel, 6 tetor
  • E hënë, 7 tetor
  • E martë, 8 tetor
  • E mërkurë, 9 tetor
  • E enjte, 10 tetor
  • E premte, 11 tetor
  • E shtunë, 12 tetor
  • E diel, 13 tetor
  • E hënë, 14 tetor
  • E martë, 15 tetor
  • E mërkurë, 16 tetor
  • E enjte, 17 tetor
  • E premte, 18 tetor
  • E shtunë, 19 tetor
  • E diel, 20 tetor
  • E hënë, 21 tetor
  • E martë, 22 tetor
  • E mërkurë, 23 tetor
  • E enjte, 24 tetor
  • E premte, 25 tetor
  • E shtunë, 26 tetor
  • E diel, 27 tetor
  • E hënë, 28 tetor
  • E martë, 29 tetor
  • E mërkurë, 30 tetor
  • E enjte, 31 tetor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
es24

Tetor

E martë, 1 tetor

Në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.—Psal. 22:22.

Të gjithë mund t’i bëjmë më të bukura mbledhjet tona duke kënduar nga zemra dhe duke bërë komente të përgatitura mirë. Disa e kanë të vështirë të këndojnë ose të komentojnë para të tjerëve. A ndihesh edhe ti kështu? Nëse po, shiko çfarë kanë bërë vëllezër e motra për ta kapërcyer këtë frikë. Për shembull, në rastin e këngëve, disa kanë vënë re se e kanë me të lehtë kur këndojnë me gjithë zemër. Teksa këndojmë këngët e Mbretërisë, duhet të përqendrohemi mbi gjithçka te dëshira për t’i dhënë lavdi Jehovait. Prandaj përpiqu të japësh më të mirën duke u përgatitur që më parë. Dallo si lidhen vargjet e këngëve me gjërat që do të shqyrtohen në mbledhje. Përqendrohu më shumë te fjalët, pa u shqetësuar tepër nëse këndon bukur. Për disa mund të jetë goxha e vështirë të komentojnë në mbledhje. Çfarë mund të të ndihmojë në këtë rast? Përpiqu të komentosh rregullisht. Mos harro që s’ka problem nëse përgjigjja jote është e shkurtër, e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Jehovai e çmon jashtëzakonisht vendosmërinë tonë që ta lëvdojmë në mbledhje. w22.04 7-8 ¶12-15

E mërkurë, 2 tetor

Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.—Hebr. 13:6.

Fjala «ndihmë» përcjell idenë e një personi që vrapon të ndihmojë dikë që thërret për ndihmë. Imagjino Jehovain tek rend për të shpëtuar dikë që është në hall. Patjetër je dakord që ky përshkrim thekson se Jehovai ka dëshirë të zjarrtë—se mezi pret—të jetë Ndihma jonë. Me Jehovain përkrah, mund t’i përballojmë sprovat me gëzim. Cilat janë disa mënyra si na ndihmon Jehovai? Përgjigjen mund ta gjejmë te libri i Isaisë. Pse? Sepse shumë nga profecitë që u frymëzua të shkruante Isaia përmbushen për shërbëtorët e Perëndisë sot. Veç kësaj, Isaia në përgjithësi e përshkruan Jehovain me një gjuhë që kuptohet kollaj. Të marrim për shembull kapitullin 30 të Isaisë. Atje ai përdor ilustrime të bukura e të gjalla për të treguar se Jehovai na ndihmon (1) duke na dëgjuar me vëmendje e duke iu përgjigjur lutjeve tona, (2) duke na siguruar udhëheqje dhe (3) duke na derdhur bekime sot e në të ardhmen. w22.11 8 ¶2-3

E enjte, 3 tetor

Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe. . . . Tregohu besnik deri në vdekje, e do të të jap kurorën e jetës.—Zbul. 2:10.

Te mesazhet që u drejtoi kongregacionit të Smirnës dhe atij të Filadelfias, Jezui u tha të krishterëve atje të mos i trembeshin përndjekjes, sepse besnikëria e tyre do të shpërblehej. (Zbul. 3:10) Duhet të presim përndjekje dhe të jemi gati t’i bëjmë ballë. (Mat. 24:9, 13; 2 Kor. 12:10) Libri i Zbulesës tregon se në kohën tonë—«në ditën e Zotërisë»—populli i Perëndisë do të përndiqej. (Zbul. 1:10) Kapitulli 12 i Zbulesës flet për luftën që shpërthen në qiell fill pas lindjes së Mbretërisë së Perëndisë. Mikaeli—Jezu Krishti i lartësuar në qiell—dhe ushtria e tij luftojnë kundër Satanait e demonëve. (Zbul. 12:7, 8) Si rezultat, këta armiq të Perëndisë mposhten dhe flaken në afërsi të tokës, e kjo u sjell vuajtje të tmerrshme atyre që jetojnë në tokë.—Zbul. 12:9, 12. w22.05 5 ¶12-13

E premte, 4 tetor

Jehovai, Perëndia ynë, nuk e lejon . . . padrejtësinë.—2 Kron. 19:7.

Gjykimet e Jehovait janë gjithmonë të drejta. Ai është krejtësisht i paanshëm. Kur fal, Jehovai nuk ndikohet asnjëherë nga pamja, pasuria, fama ose aftësitë e dikujt. (1 Sam. 16:7; Jak. 2:1-4) Askush nuk mund t’i bëjë presion ose t’i japë ryshfet Jehovait. Kur merr vendime, gjykimi i tij nuk mjegullohet kurrë nga acarimi ose nga sentimentalizmi. (Eks. 34:7) S’ka fije dyshimi se aftësia e jashtëzakonshme për të kuptuar dhe gjykimi i mprehtë e bëjnë Jehovain Gjykatësin e përsosur. (Ligj. 32:4) Shkrimtarët e Shkrimeve Hebraike e kishin të qartë se aftësia e Jehovait për të falur është unike. Në disa raste, ata përdorën një fjalë hebraike për të cilën një vepër referimi thotë: «Kjo fjalë përdoret vetëm për faljen e Perëndisë ndaj një mëkatari dhe asnjëherë për faljen e një njeriu ndaj një tjetri, e cila është më e kufizuar se falja e Perëndisë.» Vetëm Jehovai ka autoritetin ta falë plotësisht një mëkatar të penduar. w22.06 4 ¶10-11

E shtunë, 5 tetor

Stërvite djalin në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.—Prov. 22:6.

Nëse po i rrit fëmijët si nënë e vetme ose nuk e ke bashkëshortin Dëshmitar, të jesh e sigurt se besimi yt i forcon dhe i motivon vëllezërit e motrat. Ç’mund të bësh nëse përpjekjet e tua duket sikur nuk po japin rezultat te fëmija? Mos harro, duhet kohë të stërvitësh një fëmijë. Kur mbjell një farë, me raste mund të pyesësh veten nëse do të rritet e do të japë fryt. Edhe pse rezultatin nuk e ke në dorë, ti vazhdon ta ujitësh dhe t’i krijosh kushtet e duhura që të rritet. (Mar. 4:26-29) Po njësoj, si nënë ndonjëherë mbase ke merak nëse po bën aq sa duhet për ta ndihmuar fëmijën të dojë Jehovain. Është e vërtetë që rezultati nuk varet nga ti. Por nëse vazhdon të përpiqesh fort ta stërvitësh, je duke i krijuar kushtet më të mira të mundshme që të forcojë miqësinë me Jehovain. w22.04 19-20 ¶16-17

E diel, 6 tetor

Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma fodulle para pengimit.—Prov. 16:18.

Kur ishte adhurues besnik i Jehovait, Solomoni kishte një pikëpamje të ekuilibruar për veten. Në moshë të re, i pranoi me modesti kufizimet e tij dhe i kërkoi Jehovait ta udhëhiqte. (1 Mbret. 3:7-9) Gjithashtu, nga fillimi i mbretërimit të tij, Solomoni e dinte sa e rrezikshme është gracka e krenarisë. Mjerisht, më vonë ai nuk e zbatoi këshillën e vet. Pasi kishte mbretëruar për njëfarë kohe, u bë krenar e filloi t’i shpërfillte urdhërimet e Perëndisë. Për shembull, në një nga ligjet thuhej se një mbret hebre ‘nuk duhej të merrte shumë gra, që zemra të mos i largohej nga rruga e drejtë’. (Ligj. 17:17) Solomoni nuk iu bind këtij ligji dhe mori 700 gra e 300 konkubina. (1 Mbret. 11:1-3) Ndoshta mendonte se kishte çdo gjë nën kontroll. Me kalimin e kohës Solomoni u largua nga Jehovai dhe vuajti pasoja të hidhura.—1 Mbret. 11:9-13. w22.05 23 ¶12

E hënë, 7 tetor

«I drejti do të jetojë falë besimit» dhe «nëse ai sprapset, unë nuk kënaqem me të».—Hebr. 10:38.

Çdo njeri sot duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. A do të qëndrojë në anën e Perëndisë Jehova, i cili ka të drejtën të jetë Sovrani i universit, apo do të përkrahë armikun e tij mizor, Satana Djallin? Rrugë të mesme nuk ka. Vendimi që marrin, do të ndikojë në të ardhmen e tyre të përhershme. (Mat. 25:31-33, 46) Gjatë ‘shtrëngimit të madh’, njerëzit do të marrin ose shenjën e shpëtimit, ose shenjën e shkatërrimit. (Zbul. 7:14; 14:9-11; Ezek. 9:4, 6) Nëse ke zgjedhur të përkrahësh sovranitetin e Jehovait, ke marrë një vendim të mençur. Tani patjetër dëshiron me gjithë zemër të ndihmosh të tjerët të bëjnë zgjedhjen e duhur. Bekimet do të derdhen mbi ata që përkrahin me besnikëri sovranitetin e Jehovait. Bëjmë mirë të ndalemi e të mendojmë për këto të vërteta jetësore. Kjo do të na forcojë vendosmërinë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait. Veç kësaj, mund ta përdorim atë që mësojmë për të ndihmuar edhe të tjerët të marrin vendimin e duhur e të mos luajnë nga ai vendim. w22.05 15 ¶1-2

E martë, 8 tetor

Lum ju kur njerëzit . . . thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush.—Mat. 5:11.

Duhet t’i vëmë veshin Jehovait, jo armiqve tanë. Jobi dëgjoi tërë sy e veshë kur i foli Jehovai. Ndërsa arsyetonte me Jobin, Perëndia në thelb i tha: «Unë di me hollësi çdo gjë që po kalon. A mendon se nuk kujdesem dot për ty?!» Pas kësaj, Jobi tregoi përulësi dhe mirënjohje të thellë për mirësinë e Jehovait. Ai tha: «Veç kisha dëgjuar të flitej për ty, por tani të shoh me sytë e mi.» (Jobi 42:5) Kur tha këto fjalë, ka të ngjarë që Jobi të ishte akoma i ulur në hi, me trupin tërë plagë. Gjithsesi, Jehovai e siguroi se e donte dhe se kishte miratimin e Tij. (Jobi 42:7, 8) Edhe sot, njerëzit mund të na fyejnë dhe mund të na trajtojnë sikur s’kemi pikë vlere. Mund të përpiqen të na prishin reputacionin si individë e si organizatë. Nga historia e Jobit mësojmë se Jehovai ka besim që do t’i qëndrojmë besnikë përballë sprovave. w22.06 24 ¶15-16

E mërkurë, 9 tetor

Erdhi martesa e Qengjit.—Zbul. 19:7.

Edhe pse shkatërrimi i Babilonisë së Madhe do të shkaktojë brohoritje të gëzuara në qiell, diçka tjetër do të ngjallë akoma më shumë gëzim. (Zbul. 19:1-3) Është «martesa e Qengjit»—ngjarja që kurorëzon librin e Zbulesës. Të 144.000-t do të jenë të gjithë në qiell pak para se të fillojë lufta e Armagedonit. Megjithatë nuk do të jetë ai momenti kur do të bëhet martesa e Qengjit. (Zbul. 21:1, 2) Ajo ndodh pasi përfundon lufta e Armagedonit dhe shfarosen të gjithë armiqtë e Perëndisë. (Psal. 45:3, 4, 13-17) Çfarë nënkupton martesa e Qengjit për ata që përfshihen në të? Ashtu si një martesë që bashkon një burrë e një grua, kjo martesë simbolike bashkon Mbretin, Jezu Krishtin, me ‘nusen’ e tij, 144.000-t. Kjo ngjarje vendimtare shënon krijimin e qeverisë së re që do të mbretërojë mbi tokën për 1.000 vjet.—Zbul. 20:6. w22.05 17 ¶11-13

E enjte, 10 tetor

Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu.—Mat. 24:46.

Jezui paratha se gjatë ditëve të fundit do të emëronte një ‘skllav besnik dhe të mençur’ që të siguronte ushqim nga Fjala e Perëndisë. (Mat 24:45) E kështu ka ndodhur. Mbikëqyrësi ynë ka përdorur një grup të vogël burrash të mirosur për t’u siguruar shërbëtorëve të Perëndisë dhe të interesuarve «ushqim në kohën e duhur». Këta burra nuk e shohin veten si zotër të besimit të të tjerëve. (2 Kor. 1:24) Përkundrazi, pranojnë se Jezu Krishti është ‘kreu dhe komandanti’ i popullit të tij. (Isa. 55:4) Që nga viti 1919, skllavi besnik ka përgatitur një larmi botimesh nëpërmjet të cilave të sapointeresuarit kanë shijuar për herë të parë ushqimin besimforcues. Më 1921, skllavi përgatiti librin Harpa e Perëndisë, që t’i ndihmonte të interesuarit të përvetësonin mësimet themelore të Biblës. Ndërsa kohët ndryshonin, dilnin botime të tjera. Cili botim të ndihmoi ty ta njihje Atin tonë dhe të ushqeje dashurinë për të? w22.07 10 ¶9-10

E premte, 11 tetor

Pranë teje do të më mbash përgjithnjë.—Psal. 41:12.

Jehovai është Personi më bujar në univers. Çfarëdo që t’i japësh, Ai të jep gjithnjë shumë më tepër. (Mar. 10:29, 30) Jehovai do të të dhurojë jetën më të bukur, më shpërblyese dhe më domethënëse, edhe sot në këtë botë të ligë. Pagëzimi është veçse fillimi. Ti mund të vazhdosh t’i shërbesh përgjithmonë Atit tënd të dashur. Dashuria mes teje dhe Jehovait do të rritet dita-ditës, e ti ke për të jetuar pafundësisht, njësoj si Ati yt. Kur i kushton jetën Jehovait dhe pagëzohesh, ke privilegjin t’i dhurosh Atit tënd diçka tepër të çmuar. Ai të ka dhënë çdo gjë të mirë, çdo moment të lumtur që ke shijuar në jetë. Për t’i treguar mirënjohjen, mund t’i japësh Pronarit të qiellit dhe të tokës diçka që nuk e ka—shërbimin tënd plot përkushtim, të motivuar nga zemra. (Jobi 1:8; 41:11; Prov. 27:11) E ku ka mënyrë më të shkëlqyer për ta përdorur jetën?! w23.03 6 ¶16-17

E shtunë, 12 tetor

Si mund ta mbajë të pastër një i ri shtegun e tij? Duke qenë syçelë për të vepruar sipas fjalës sate.—Psal. 119:9.

Gjatë adoleshencës, impulset seksuale bëhen tepër të forta dhe të tjerët mund të të bëjnë presion që të kryesh imoralitet seksual. Satanai dëshiron të dorëzohesh para dëshirave të tua. Ç’mund të bësh që të qëndrosh i pastër moralisht? (1 Sel. 4:3, 4) Fol hapur me Jehovain në lutje. Tregoji si ndihesh vërtet dhe kërkoji të të japë forcë. (Mat. 6:13) Mos harro se Jehovai dëshiron të të ndihmojë, jo të të ndëshkojë. (Psal. 103:13, 14) Mos u përpiq t’i zgjidhësh vetë problemet. Fol me prindërit për vështirësitë që has. Edhe pse nuk është kollaj të flasësh për gjëra personale, kjo është shumë e rëndësishme. Kur lexon Biblën dhe mediton për parimet e saj, do ta kesh më të lehtë të marrësh vendime që e kënaqin Jehovain. Do të kuptosh se nuk të duhen rregulla për çdo situatë. Pse? Sepse do të kesh mësuar mënyrën si mendon Jehovai. w22.08 5 ¶10-12

E diel, 13 tetor

Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, . . . e ka mohuar besimin.—1 Tim. 5:8.

Një kryefamiljar që është adhurues i Jehovait e merr seriozisht përgjegjësinë që të sigurojë gjërat e nevojshme materiale për familjen. Nëse je kryefamiljar, mbase ishe në merak se nuk do t’ia dilje të mbaje familjen dhe të paguaje qiranë ose kredinë për shtëpinë. Ndoshta kishe frikë edhe se, po të humbje punën, nuk do të gjeje dot punë tjetër. Ose, mbase ngurroje të bëje një punë me rrogë më të vogël, pasi kjo do të ndikonte te mënyra si jetonit. Satanai e ka shfrytëzuar me sukses në shumë raste frikën për gjëra të tilla. Satanai përpiqet të na e mbushë mendjen se Jehovai s’na do dhe nuk do të na vijë në ndihmë që t’i sigurojmë gjërat e nevojshme familjes. Si pasojë, mund të mendojmë se duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të mos humbur punën, edhe nëse kjo do të thotë të shkelim ndonjë parim nga Shkrimet. w22.06 15 ¶5-6

E hënë, 14 tetor

Këtë shpresë e kemi si një spirancë për shpirtin, të sigurt e të patundur.—Hebr. 6:19.

E dimë se Perëndia ynë është ‘i mëshirshëm dhe i dhembshur, nuk zemërohet shpejt, është plot dashuri besnike e të vërtetë’. (Eks. 34:6) Jehovai e do drejtësinë. (Isa. 61:8) I dhemb zemra kur sheh që vuajmë dhe është gati—madje mezi pret—t’u japë fund të gjitha vuajtjeve në kohën e caktuar. (Jer. 29:11) Sa e mrekullueshme! Pa dyshim që kjo na e mbush zemrën me dashuri për Jehovain. Një arsye tjetër pse e duam të vërtetën, është se na sjell shumë dobi. Të shohim një shembull. Në të vërtetat e Biblës përfshihet shpresa për të ardhmen. Ashtu si një spirancë nuk e lë varkën të shkojë sa andej-këtej, shpresa e bazuar në Bibël na jep stabilitet kur përballemi me sprova. Në shkrimin e sotëm, Pavli po fliste për shpresën qiellore që gëzojnë të krishterët e mirosur. Por, këto fjalë zbatohen edhe për të krishterët që mezi presin të jetojnë përgjithmonë në parajsën në tokë. (Gjon. 3:16) S’ka pikë dyshimi se shpresa e jetës së përhershme i ka dhënë kuptim jetës sonë. w22.08 14-15 ¶3-5

E martë, 15 tetor

Perëndimi i diellit të mos ju gjejë ende të inatosur.—Efes. 4:26.

Dashuria është themeli i besimit te të tjerët. Kapitulli i 13-të i letrës së parë të korintasve na e drejton vëmendjen te disa aspekte të dashurisë që na ndihmojnë ta forcojmë besimin te të tjerët ose të kemi prapë besim te ta. (1 Kor. 13:4-8) Për shembull, vargu 4 thotë se «dashuria është e duruar dhe plot mirësi». Jehovai është i duruar me ne edhe kur mëkatojmë kundër tij. Prandaj, edhe ne duhet të jemi të duruar me vëllezërit tanë nëse thonë a bëjnë gjëra që na acarojnë ose na lëndojnë. Vargu 5 shton: «[Dashuria] nuk provokohet, nuk e mban llogari të keqen.» Nuk duam të regjistrojmë në mendje gabimet e vëllezërve që t’ua numërojmë në të ardhmen. Eklisiastiu 7:9 na nxit ‘të mos fyhemi shpejt’. Të përpiqemi t’i shohim vëllezërit siç i sheh Jehovai. Perëndia i do dhe nuk i mban shënim gabimet e tyre. As ne nuk duhet ta bëjmë këtë. (Psal. 130:3) Në vend që të përqendrohemi te të metat e tyre, të dallojmë cilësitë e bukura.—Mat. 7:1-5. w22.09 3-4 ¶6-7

E mërkurë, 16 tetor

Do të ketë një kohë vuajtjesh.—Dan. 12:1.

Libri i Danielit na tregon radhën e disa ngjarjeve emocionuese që do të ndodhin në kohën e fundit. Për shembull, Daniel 12:1 thotë se Mikaeli, që është Jezu Krishti, «po vepron në dobi të popullit» të Perëndisë. Kjo pjesë e profecisë filloi të përmbushej në vitin 1914, kur Jezui u emërua Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Por, Danielit iu tha edhe se Jezui ‘do të ngrihej’ ose ‘do të vepronte’ gjatë ‘një kohe vuajtjesh, të atillë që nuk ka pasur që nga lindja e kombeve e deri në atë kohë’. Kjo «kohë vuajtjesh» është ‘shtrëngimi i madh’ që përmendet te Mateu 24:21. Jezui do të hidhet në veprim për të mbrojtur popullin e Perëndisë në fund të kësaj kohe vuajtjesh, pra në Armagedon. Libri i Zbulesës e quan këtë grup një shumicë e madhe ‘që del nga shtrëngimi i madh’.—Zbul. 7:9, 14. w22.09 21 ¶4-5

E enjte, 17 tetor

Do të fshij nga libri im këdo që ka mëkatuar kundër meje.—Eks. 32:33.

Emrat që gjenden sot në librin e jetës, mund të fshihen. Është sikur Jehovai t’i ketë shkruar me laps ato emra. (Zbul. 3:5) Duhet të sigurohemi që emri ynë të mbetet në librin e jetës derisa të shkruhet, si të thuash, një herë e përgjithmonë me bojë. Njëri nga grupet që i ka të shkruar emrat në librin e jetës, përbëhet nga ata që janë zgjedhur të qeverisin me Jezuin në qiell. Siç u tha apostulli Pavël ‘bashkëpunëtorëve’ të tij në Filipi, emrat e të mirosurve, të cilët janë ftuar të qeverisin me Jezuin, gjenden tani në librin e jetës. (Filip. 4:3) Por, që emrat e tyre të mbeten në atë libër të figurshëm, të mirosurit duhet të qëndrojnë besnikë. Emrat e tyre do të shkruhen një herë e përgjithmonë në atë libër kur të marrin vulosjen përfundimtare: ose para se të vdesin, ose para se të shpërthejë shtrëngimi i madh.—Zbul. 7:3. w22.09 14 ¶3; 15 ¶5-6

E premte, 18 tetor

Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!—Luka 11:28.

A të ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë: dikush gatuan një nga ushqimet e tua të preferuara. Por ti ndoshta e ke me nxitim ose të ziejnë njëqind mendime në kokë, ndaj ha shpejt e shpejt pa e shijuar tamam. Pasi mbaron, e kupton se hëngre tepër shpejt dhe do të doje ta kishe shijuar çdo kafshatë me ngadalë. Po njësoj, ndonjëherë mund ta lexojmë Biblën aq nxitimthi, sa nuk arrijmë ta shijojmë mesazhin që përcjell ajo. Prandaj lër kohë të kënaqesh me leximin e Fjalës së Perëndisë. Përfytyroje atë që po ndodh, dëgjo tingujt e zërat dhe bluaji në mendje gjërat që lexove. Nëse vepron kështu, do të ndihesh më i lumtur. Jezui emëroi ‘skllavin besnik dhe të mençur’ për të siguruar ushqim në kohën e duhur, dhe ne kemi me bollëk ç’na nevojitet për ta mbajtur besimin të fortë. (Mat. 24:45) Shkrimet e frymëzuara janë përbërësi kryesor i ushqimit që siguron skllavi besnik.—1 Sel. 2:13. w22.10 7-8 ¶6-8

E shtunë, 19 tetor

Na është bërë zemra plagë nga talljet e fodullëve.—Psal. 123:4.

Bibla kishte paralajmëruar se në ditët e fundit do të kishte shumë tallës. (2 Pjet. 3:3, 4) Ata drejtohen nga ‘dëshirat e veta për të shpërfillur Perëndinë’. (Jud. 7, 17, 18) Çfarë mund të na mbrojë që të mos bëhemi edhe ne tallës? Një mbrojtje është të mos shoqërohemi me ata që kanë një qëndrim kritik. (Psal. 1:1) Kjo përfshin të mos dëgjojmë ose të mos lexojmë asgjë që vjen nga apostatët. Po të mos bëjmë kujdes, mund të zhvillojmë një frymë kritike dhe mund të dyshojmë te mënyra si vepron Jehovai e tek udhëzimet që na jep nëpërmjet organizatës së tij. Prandaj duhet të pyesim veten: «Kur jepet një udhëzim ose shpjegim i ri, a kam shpesh në majë të gjuhës ndonjë koment negativ? A kam prirjen të gjej të meta tek ata që marrin drejtimin?» Nëse veprojmë pa vonesë për të korrigjuar prirje të tilla, Jehovai do të jetë i kënaqur me ne.—Prov. 3:34, 35. w22.10 20 ¶9-10

E diel, 20 tetor

Shtëpia e Izraelit nuk do të pranojë të të dëgjojë.—Ezek. 3:7.

Fryma e Perëndisë i dha forcë Ezekielit për detyrën që t’u predikonte njerëzve «kokëshkëmb e zemërgur» në territorin e tij. Jehovai i tha Ezekielit: «Unë ta kam bërë fytyrën po aq të fortë sa fytyra e tyre dhe ballin po aq të fortë sa balli i tyre. E kam bërë ballin tënd si diamanti, më të fortë se guri i strallit. Mos ki frikë nga ata dhe mos u tmerro nga fytyrat e tyre.» (Ezek. 3:8, 9) Me fjalë të tjera, Jehovai po i thoshte Ezekielit: «Mos lejo të të shkurajojë kokëfortësia e këtyre njerëzve. Do të të jap forcë unë.» Pas kësaj, fryma e Perëndisë e çoi Ezekielin në territorin ku do të predikonte. «Fuqia e Jehovait që vepronte tek unë, ishte e madhe»,—shkroi Ezekieli. Profetit iu desh një javë për ta përvetësuar mesazhin që duhej të shpallte. (Ezek. 3:14, 15) Pastaj Jehovai e udhëzoi të shkonte te një rrafshinë, dhe atje «fryma e Perëndisë hyri tek [ai]». (Ezek. 3:23, 24) Tani Ezekieli ishte gati të fillonte shërbimin. w22.11 4-5 ¶8-9

E hënë, 21 tetor

Deri kur, o Jehova, do të të thërras për ndihmë, e ti nuk do të dëgjosh? . . . Pse e toleron shtypjen?—Hab. 1:2, 3.

Profeti Habakuk kaloi shumë sprova. E me sa duket, filloi të dyshonte nëse Jehovai interesohej për të. Prandaj ia zbrazi zemrën në lutje. Jehovai iu përgjigj lutjes nga zemra të shërbëtorit të tij besnik. (Hab. 2:2, 3) Pasi meditoi si e kishte shpëtuar Jehovai popullin e Tij, Habakukut iu përtëri gëzimi. Ndihej i sigurt se Jehovai merakosej për të dhe do ta ndihmonte t’i bënte ballë çdo sprove. (Hab. 3:17-19) Mësimi për ne? Kur kalon sprova, lutju Jehovait dhe tregoji si ndihesh. Pastaj mbështetu tek ai me besim. Kështu mund të jesh i sigurt se do të të japë forcën e nevojshme për të treguar qëndrueshmëri. E kur të provosh si të mbështet Jehovai, do të të forcohet besimi tek ai. Nëse ndjek me vendosmëri programin tënd teokratik, nuk do të lejosh që sprovat ose dyshimet të të ndajnë nga Jehovai.—1 Tim. 6:6-8. w22.11 15 ¶6-7

E martë, 22 tetor

Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.—Luka 23:43.

Jezui dhe dy kriminelët përkrah tij ishin në buzë të vdekjes e po vuanin shumë. (Luka 23:32, 33) Ata dy kriminelë ishin tallur me Jezuin. (Mat. 27:44; Mar. 15:32) Mirëpo njëri ndryshoi qëndrim dhe i tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.» Jezui iu përgjigj me fjalët e shkrimit të sotëm. (Luka 23:39-43) Ajo që i tha kriminelit duhet të na nxitë të mendojmë si do të jetë jeta në Parajsë. Në fakt, mund të mësojmë diçka për Parajsën nga mbretërimi paqësor i Solomonit. Shkrimet thonë se Jezui është më i madh se Solomoni. E dimë se, tok me bashkëmbretërit e tij, Jezui do të punojë për të krijuar kushte të mrekullueshme në tokë. (Mat. 12:42) Patjetër që ‘delet e tjera’ kanë dëshirë të dinë se ç’duhet të bëjnë që të kualifikohen për të jetuar përgjithmonë në Parajsë.—Gjoni 10:16. w22.12 8 ¶1; 9 ¶4

E mërkurë, 23 tetor

Me të dëgjuar klithmën tënde për ndihmë, ai do të tregohet zemërmirë me ty.—Isa. 30:19.

Isaia na siguron se Jehovai do të na dëgjojë me vëmendje kur t’i thërrasim e do t’u përgjigjet me shpejtësi përgjërimeve tona. Isaia shton: «Sapo ta dëgjojë, ai do të të përgjigjet.» Këto fjalë zemërdhënëse na kujtojnë se Ati ynë ka shumë dëshirë—se mezi pret—t’u shkojë në ndihmë atyre që e thërrasin. Ky fakt na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në sprova pa e humbur gëzimin. Jehovai u kushton vëmendje lutjeve të secilit prej nesh. Nga e dimë këtë? Në pjesën e parë të kapitullit 30 të Isaisë përdoret numri shumës, sepse Jehovai u drejtohet shërbëtorëve të tij si grup. Mirëpo, te vargu 19, këto fjalë u drejtohen shërbëtorëve të Jehovait si individë. Isaia shkruan: «Nuk do të qash më. . . . Ai do të tregohet zemërmirë me ty . . . ai do të të përgjigjet.» Si një Atë i dashur, Jehovai na sheh si individë dhe u kushton vëmendje lutjeve të secilit prej nesh.—Psal. 116:1; Isa. 57:15. w22.11 9 ¶5-6

E enjte, 24 tetor

Jini të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat.—Mat. 10:16.

Kur predikojmë dhe i mësojmë të tjerët edhe përballë përndjekjes, provojmë gëzim dhe paqe të brendshme. Në shekullin e parë, autoritetet judaike i urdhëruan apostujt të mos predikonin më, por ata burra besnikë vendosën t’i bindeshin Perëndisë. Vazhduan të predikonin, dhe ajo vepër i mbushte me gëzim. (Vep. 5:27-29, 41, 42) Pa dyshim, kur vepra është e kufizuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndërsa predikojmë. Por nëse bëjmë më të mirën tonë, do të kemi paqe ngaqë po kënaqim Jehovain dhe po u japim njerëzve një lajm jetëshpëtues. Të jemi të sigurt se edhe në kohë tepër stresuese, mund të kemi paqe. Përballë sprovave të rënda, të mos harrojmë që kemi nevojë për paqen që mund të na e japë vetëm Jehovai. Mbështetu për ndihmë te Jehovai kur përballesh me një epidemi, me një katastrofë ose me përndjekje. Qëndro i lidhur ngushtë me organizatën e tij. Mbaji sytë tek e ardhmja e mrekullueshme që të pret. Ndërsa i bën këto, ‘Perëndia i paqes do të jetë me ty’.—Filip. 4:9. w22.12 21 ¶17-18

E premte, 25 tetor

Vishni personalitetin e ri.—Efes. 4:24.

Kjo kërkon punë të palodhur. Ndër të tjera, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat të heqim gjëra të tilla, si vreri shpirtlig, zemërimi dhe furia. (Efes. 4:31, 32) Pse mund të jetë e vështirë kjo? Sepse disa cilësi negative kanë rrënjë të thella. Për shembull, Bibla thotë se disa njerëz janë ‘zemërakë’ dhe ‘nxehen kollaj’. (Prov. 29:22) Shpesh për të luftuar cilësi të ngulitura thellë, duhen përpjekje të vazhdueshme edhe pas pagëzimit. (Rom. 7:21-23) Lutju Jehovait për dobësinë me të cilën po lufton dhe ji i sigurt se ai do të të dëgjojë e do të të ndihmojë. (1 Gjon. 5:14, 15) Ndonëse nuk do ta zhdukë me mrekulli atë cilësi të keqe, Jehovai mund të të japë forcë që të vazhdosh ta luftosh. (1 Pjet. 5:10) Ndërkohë vepro në harmoni me lutjet e tua duke mos ushqyer prirjet e personalitetit të vjetër. Gjithashtu mos e mbaj vazhdimisht mendjen te dëshirat e gabuara.—Filip. 4:8; Kolos. 3:2. w23.01 10 ¶7, 9-10

E shtunë, 26 tetor

Ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.—1 Gjon. 4:21.

Një mënyrë si e shfaqim dashurinë, është duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit. Ne flasim me këdo për lajmin e mirë. Nuk shmangim askënd për shkak të racës, etnisë, gjendjes ekonomike ose shtresës shoqërore. Kështu punojmë në harmoni me qëllimin e Jehovait «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën». (1 Tim. 2:4) Dashurinë për Perëndinë dhe Krishtin e shfaqim edhe duke u treguar dashuri vëllezërve e motrave. Merakosemi nga zemra për ta dhe u bëhemi krah në sprova. I ngushëllojmë kur u vdes një njeri i dashur, i vizitojmë kur janë sëmurë dhe bëjmë më të mirën që t’u japim zemër kur janë të shkurajuar. (2 Kor. 1:3-7; 1 Sel. 5:11, 14) Vazhdojmë të lutemi për ta, sepse e dimë që «përgjërimi i të drejtit ka shumë forcë».—Jak. 5:16. w23.01 28-29 ¶7-8

E diel, 27 tetor

Vazhdoni t’i jepni zemër e të forconi njëri-tjetrin.—1 Sel. 5:11.

Ashtu si një punëtor ndërtimi bëhet më i zoti me kalimin e kohës, edhe ne mund të bëhemi më të efektshëm ndërsa forcojmë njëri-tjetrin. Mund t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët të marrin forcë për të qëndruar nën sprova, duke u folur për shërbëtorë besnikë që treguan qëndrueshmëri në të kaluarën. (Hebr. 11:32-35; 12:1) Nxitim paqen kur flasim për gjërat e mira që shohim te të tjerët. Bëjmë çmos ta ruajmë paqen kur del një situatë që e cenon dhe ta rivendosim kur lindin vështirësi. (Efes. 4:3) Mund të vazhdojmë t’ua forcojmë besimin vëllezërve e motrave kur u tregojmë të vërteta të rëndësishme të Biblës, kur i ndihmojmë në mënyra praktike dhe kur mbështetim këdo që i është dobësuar besimi. Edhe ne mund të provojmë lumturi e kënaqësi kur forcojmë vëllezërit e motrat në kongregacion. Ndryshe nga godinat e mirëfillta që me kalimin e kohës degradojnë, rezultatet e punës sonë mund të zgjatin në përjetësi! w22.08 22 ¶6; 25 ¶17-18

E hënë, 28 tetor

Vetë Jehovai jep mençuri e prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.—Prov. 2:6.

Jezui nënvizoi se na nevojitet diçka e rëndësishme për ta kuptuar atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë—aftësia dalluese. (Mat. 24:15) Çfarë është aftësia dalluese? Është aftësia për të kuptuar si lidhet një ide me një tjetër e si ndryshon nga një ide tjetër, si edhe për të dalluar diçka që nuk duket menjëherë. Në harmoni me fjalët e Jezuit, na duhet aftësi dalluese edhe për të kuptuar si i plotësojnë ngjarjet botërore profecitë e Biblës. Kjo cilësi na duhet për të nxjerrë dobi plotësisht nga çdo gjë që lexojmë në Bibël. Jehovai u jep aftësi dalluese shërbëtorëve të vet. Prandaj kërkoji në lutje që të të ndihmojë ta zhvillosh këtë cilësi. Si mund të veprosh në harmoni me lutjet e tua? Analizoje me kujdes atë që lexon dhe vër re si lidhet me gjërat e tjera që di. Bëj kërkime për kuptimin e një fragmenti të Biblës dhe dallo në cilat mënyra mund ta zbatosh në jetën tënde. (Hebr. 5:14) Duke përdorur aftësi dalluese, do t’i kuptosh më mirë Shkrimet. w23.02 10 ¶7-8

E martë, 29 tetor

Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.—Vep. 17:28.

Imagjino sikur një mik të dhuron një pikturë shumë të vjetër që s’ka të çmuar—një kryevepër. Aty-këtu sheh ndonjë pjesë të çngjyrosur, njolla dhe plasaritje. Por me gjithë këto papërsosmëri, piktura ka një vlerë prej miliona dollarësh. Pa dyshim që ajo vepër arti do të ishte e çmuar për ty dhe do ta mbroje. Po njësoj, Jehovai na ka bërë një dhuratë me vlerë të madhe—jetën. E Jehovai tregoi sa shumë e çmon jetën tonë duke dhënë Birin e vet si shpërblesë për ne. (Gjoni 3:16) Jehovai është Burimi i jetës. (Psal. 36:9) Edhe apostulli Pavël e besonte këtë të vërtetë. Ai tha: «Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» (Vep. 17:25, 28) Ndaj me të drejtë mund të themi se jeta jonë është dhuratë nga Perëndia. Me dashuri, ai na jep gjërat e nevojshme për të jetuar. (Vep. 14:15-17) Ama Jehovai nuk na e mbron jetën me ndonjë mrekulli. Në vend të kësaj, pret të bëjmë çmos ta ruajmë shëndetin dhe marrëdhënien me të.—2 Kor. 7:1. w23.02 20 ¶1-2

E mërkurë, 30 tetor

Shkruaji në një libër gjithë fjalët që po të them.—Jer. 30:2.

Sa mirënjohës i jemi Perëndisë Jehova që na ka dhënë Fjalën e tij! Përmes saj na jep këshilla të mençura për të na ndihmuar t’i përballojmë me sukses problemet që ndeshim. Gjithashtu na jep një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. Ç’është më e rëndësishmja, nëpërmjet Biblës Jehovai na zbulon shumë aspekte të personalitetit të tij. Ndërsa meditojmë për cilësitë e bukura të Perëndisë tonë, prekemi thellë në zemër e duam të zhvillojmë një miqësi të ngushtë me të. (Psal. 25:14) Jehovai dëshiron ta njohim. Në të kaluarën, ai komunikoi me disa njerëz nëpërmjet ëndrrave, vegimeve, e madje edhe engjëjve. (Num. 12:6; Vep. 10:3, 4) Por nëse ato ëndrra, vegime e mesazhe nga engjëjt nuk do të ishin hedhur me shkrim, ne sot nuk do të kishim mundësi t’i studionim. Ja pse Jehovai frymëzoi disa burra për t’i shkruar «në një libër» gjërat që donte t’i dinim. ‘Udha e Perëndisë së vërtetë është e përsosur’, prandaj mund të jemi të sigurt se kjo mënyrë komunikimi është e shkëlqyer dhe e dobishme.—Psal. 18:30. w23.02 2 ¶1-2

E enjte, 31 tetor

Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.—Vep. 20:35.

Vër synime me vlerë. Zgjidh synime që do të ta forcojnë besimin e do të të ndihmojnë të jesh më i pjekur. (Efes. 3:16) Për shembull, mund të vendosësh të mbash një program më të mirë për studimin personal dhe leximin e Biblës. (Psal. 1:2, 3) Ose mund të përpiqesh t’i lutesh më shpesh Jehovait e të përmirësosh cilësinë e lutjeve. A mbase ke nevojë të bësh më tepër kujdes me zbavitjet që zgjedh dhe me mënyrën si e përdor kohën. (Efes. 5:15, 16) Gjithashtu mund të bëhesh një i krishterë më i pjekur kur ndihmon të tjerët. Për shembull, mund të vësh synim të ndihmosh të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët në kongregacion. Ndoshta mund t’u bësh pazarin a ndonjë punë tjetër ose t’i ndihmosh të përdorin pajisjet elektronike. Veç kësaj, tregon se i do ata që s’janë Dëshmitarë kur u jep lajmin e mirë për Mbretërinë. (Mat. 9:36, 37) Dhe nëse rrethanat të lejojnë, pse të mos synosh t’i shërbesh Jehovait në kohë të plotë? w22.08 6 ¶16-17

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo