BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es24
  • Nëntor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Nëntor
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
  • Nëntema
  • E premte, 1 nëntor
  • E shtunë, 2 nëntor
  • E diel, 3 nëntor
  • E hënë, 4 nëntor
  • E martë, 5 nëntor
  • E mërkurë, 6 nëntor
  • E enjte, 7 nëntor
  • E premte, 8 nëntor
  • E shtunë, 9 nëntor
  • E diel, 10 nëntor
  • E hënë, 11 nëntor
  • E martë, 12 nëntor
  • E mërkurë, 13 nëntor
  • E enjte, 14 nëntor
  • E premte, 15 nëntor
  • E shtunë, 16 nëntor
  • E diel, 17 nëntor
  • E hënë, 18 nëntor
  • E martë, 19 nëntor
  • E mërkurë, 20 nëntor
  • E enjte, 21 nëntor
  • E premte, 22 nëntor
  • E shtunë, 23 nëntor
  • E diel, 24 nëntor
  • E hënë, 25 nëntor
  • E martë, 26 nëntor
  • E mërkurë, 27 nëntor
  • E enjte, 28 nëntor
  • E premte, 29 nëntor
  • E shtunë, 30 nëntor
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
es24

Nëntor

E premte, 1 nëntor

Nga goja juaj të mos dalë asnjë fjalë e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të forcojnë.—Efes. 4:29.

Një shërbëtor i Perëndisë nuk duhet të nxjerrë kurrë nga goja fjalë të pista. Por ka edhe disa lloje ‘sharjesh’ të kamufluara që nuk duhet t’i përdorim. Për shembull, duhet të kemi kujdes të mos bëjmë krahasime të papërshtatshme kur flasim për njerëz të kulturave, etnive ose kombeve të tjera. Veç kësaj, nuk duam t’i lëndojmë kurrë të tjerët me fjalë thumbuese. Fol në një mënyrë që u jep forcë të tjerëve. Ji i gatshëm të lavdërosh, në vend që të kritikosh ose të ankohesh. Izraelitët kishin arsye pa fund për të qenë mirënjohës, e megjithatë e kishin zakon të ankoheshin. Fryma ankuese mund të jetë ngjitëse. Mos harro se një raport negativ nga dhjetë vëzhguesit bëri që «të gjithë izraelitët . . . të murmuritnin kundër Moisiut». (Num. 13:31–14:4) Kurse lavdërimet mund t’i ngrenë zemrat peshë. Prandaj kërko mundësi për t’i lavdëruar nga zemra vëllezërit e motrat. w22.04 8 ¶16-17

E shtunë, 2 nëntor

Që kur linda, në duart e tua kam qenë; kur ende isha në bark të nënës, ti ke qenë Perëndia im.—Psal. 22:10.

Që në kohët e lashta, Jehovai ka ndihmuar plot fëmijë të bëhen miq të tij. Ai mund të ndihmojë edhe fëmijët e tu të bëhen miq me të, nëse kanë dëshirë. (1 Kor. 3:6, 7) Edhe nëse për momentin nuk po i shërbejnë Jehovait me gjithë zemër, ai do të vazhdojë t’i mbajë sytë mbi ta me dashuri. (Psal. 11:4) Kur fëmijët të japin qoftë edhe shenjën më të vogël se janë «të prirur për jetën e përhershme», Jehovai do të jetë gati për t’i tërhequr. (Vep. 13:48; 2 Kron. 16:9) Gjithashtu, Jehovai do të të ndihmojë të thuash fjalët e duhura në kohën e duhur—fiks kur të jetë më e nevojshme për ta. (Prov. 15:23) Ose mund të nxitë një vëlla a një motër të dashur në kongregacion që t’i mbajë afër. Madje edhe kur fëmijët të arrijnë moshën madhore, Jehovai mund t’u rikujtojë diçka që u ke mësuar në të kaluarën. (Gjoni 14:26) Ndërsa vazhdon t’i stërvitësh fëmijët me anë të fjalëve dhe veprave, po i jep Jehovait plot arsye për të të bekuar. w22.04 21 ¶18

E diel, 3 nëntor

Dragoi u zemërua.—Zbul. 12:17.

Meqë është dëbuar nga qielli, Satanai e shfren tërbimin kundër mbetjes së të mirosurve—atyre që janë përfaqësues të Mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe që «janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (2 Kor. 5:20; Efes. 6:19, 20) Në vitin 1918, tetë vëllezër me përgjegjësi u akuzuan në mënyrë të rreme, u shpallën fajtorë dhe secili u dënua me shumë vite burg. Dukej sikur vepra e atyre të mirosurve ishte «vrarë». (Zbul. 11:3, 7-11) Por nga fillimi i vitit 1919, i liruan nga burgu dhe më vonë akuzat kundër tyre u hoqën. Menjëherë ata vëllezër filluan të merrnin drejtimin në veprën e Mbretërisë. Por sulmet e Satanait kundër popullit të Perëndisë nuk morën fund me aq. Që nga ajo kohë, Satanai ka lëshuar «një lumë» përndjekjeje kundër të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë. (Zbul. 12:15) Kjo kërkon që secili nga ne të tregojë «qëndrueshmëri dhe besim».—Zbul. 13:10. w22.05 5-6 ¶14-16

E hënë, 4 nëntor

Dëgjova numrin e të vulosurve, dhe ishin 144.000.—Zbul. 7:4.

Në një vegim, apostulli Gjon sheh dy grupe që përkrahin sovranitetin e Jehovait dhe shijojnë bekimet e jetës së përhershme. Grupi i parë përbëhet nga 144.000 veta. Ata janë zgjedhur nga toka për të formuar në qiell me Jezuin një qeveri, ose Mbretëri. Bashkë me të, mbretërojnë mbi tokën. (Zbul. 5:9, 10; 14:3, 4) Në vegim, Gjoni i sheh të qëndrojnë në malin qiellor të Sionit me Jezuin. (Zbul. 14:1) Ndër shekuj, mijëra veta janë zgjedhur si pjesë e 144.000-ve. (Luka 12:32; Rom. 8:17) Megjithatë, Gjonit iu tha se vetëm një mbetje, pra një numër i vogël i tyre, do të ishte gjallë në tokë gjatë ditëve të fundit. (Zbul. 12:17) Pastaj, gjatë shtrëngimit të madh, mbetja do të bashkohet në qiell me pjesën tjetër të 144.000-ve, që kanë vdekur besnikë. Ata do të qeverisin bashkë me Jezuin në Mbretërinë e Perëndisë.—Mat. 24:31; Zbul. 5:9, 10. w22.05 16 ¶4-5

E martë, 5 nëntor

[Kushtoju] vëmendje urdhërimeve të mia!—Isa. 48:18.

Jezui i mësoi dishepujt të kishin pikëpamjen e duhur për veten. Ai i siguroi: «Fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara.» (Mat. 10:30) Sa na e ngrohin zemrën këto fjalë, sidomos nëse luftojmë shpesh me mendimet negative për veten. Fjalët e Jezuit na tregojnë se Ati ynë qiellor ka merak të thellë për ne dhe jemi të çmuar në sytë e tij. Nuk duam të dyshojmë kurrë për gjykimin e Jehovait, duke e parë veten si të padenjë për të qenë adhuruesit e tij dhe për të jetuar në botën e re. Rreth 15 vite më parë, Kulla e Rojës na nxiste të zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për veten: «Sigurisht, as nuk duhet të mbahemi me të madh aq sa të bëhemi kryelartë, e as të kalojmë në ekstremin tjetër dhe të mendojmë që nuk vlejmë fare. Përkundrazi, duhet të synojmë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për veten, duke dalluar si pikat e forta, edhe kufizimet tona.» w22.05 24-25 ¶14-16

E mërkurë, 6 nëntor

Të lutem . . . që të gjithë të bëhen një.—Gjoni 17:20, 21.

Si mund të ndihmojmë personalisht që të ruhet ky unitet? Duke qenë paqebërës. (Mat. 5:9; Rom. 12:18) Sa herë që marrim iniciativën të nxitim marrëdhënie paqësore në kongregacion, e stolisim parajsën e figurshme. Nuk harrojmë që secilin banor të kësaj parajse e ka tërhequr Jehovai drejt adhurimit të pastër. (Gjoni 6:44) Imagjino si i gufon zemra Jehovait kur sheh që përpiqemi me gjithë shpirt të forcojmë paqen dhe unitetin mes shërbëtorëve të tij—mes atyre që për të janë ‘thesare’! (Isa. 26:3; Hag. 2:7) Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga bekimet që u jep Perëndia shërbëtorëve të vet? Mund të mendojmë thellë për atë që studiojmë në Fjalën e Perëndisë. Ky studim e meditim do të na ndihmojnë të zhvillojmë cilësi të krishtere që na nxitin të shfaqim «dashuri vëllazërore» dhe «përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin» në kongregacion.—Rom. 12:10. w22.11 12-13 ¶16-18

E enjte, 7 nëntor

Unë do t’ua fal fajin e nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.—Jer. 31:34.

Kur e pranojmë faktin që Jehovai na ka falur, shijojmë «stinë freskuese», ku përfshihet paqja mendore dhe një ndërgjegje e pastër. E mund të ndihemi kështu vetëm nëse na ka falur «vetë Jehovai». (Vep. 3:19) Kur na fal, Jehovai lejon të gëzojmë prapë miqësinë e tij sikur të mos kishim mëkatuar kurrë. Pasi na e fal një mëkat, nuk na akuzon ose nuk na ndëshkon më për të. (Isa. 43:25) «Sa larg është lindja nga perëndimi», aq shumë i largon nga ne mëkatet tona. (Psal. 103:12) Kur meditojmë sa bujarisht na fal Jehovai, na brof zemra nga mirënjohja dhe nderimi i thellë për të. (Psal. 130:4) Vendimi i Jehovait për ta falur dikë nuk ka për bazë sa i madh ishte mëkati që u krye. Kur vendos nëse do ta falë dikë, Jehovai përdor njohurinë që ka si Krijuesi, Ligjdhënësi dhe Gjykatësi ynë. w22.06 5 ¶12-14

E premte, 8 nëntor

Kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai ekziston dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.—Hebr. 11:6.

Të gjithë atyre që e duan, Jehovai u ka dhënë një shpresë të bukur. Së shpejti, ai do t’u japë fund sëmundjeve, hidhërimit dhe vdekjes. (Zbul. 21:3, 4) «Zemërbutët» që shpresojnë tek ai do t’i ndihmojë ta kthejnë tokën në parajsë. (Psal. 37:9-11) Gjithashtu do të bëjë të mundur të kemi një miqësi të ngushtë e të ngrohtë me të, e cila do të jetë akoma më e mrekullueshme se miqësia që gëzojmë tani. Çfarë shprese fantastike! Por, ku e bazojmë besimin tonë se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet? Jehovai nuk e shkel kurrë një premtim. Prandaj kemi arsye të forta ‘të shpresojmë te Jehovai’. (Psal. 27:14) Kur shpresojmë te Perëndia ynë, presim me durim dhe gëzim të përmbushë qëllimin e tij. (Isa. 55:10, 11) I qëndrofshim edhe ne besnikë Jehovait, të bindur se Ai shpërblen këdo ‘që e kërkon me ngulm’! w22.06 20 ¶1; 25 ¶18

E shtunë, 9 nëntor

Ati juaj e di për çfarë keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.—Mat. 6:8.

Mund të jemi të sigurt se Kryefamiljari ynë, Jehovai, do të veprojë sipas parimit që ka dhënë për të gjithë kryefamiljarët te 1 Timoteut 5:8. Kur jemi të bindur se Jehovai na do ne dhe familjen tonë, kemi besim absolut se nuk do të na mungojnë gjërat e nevojshme. (Mat. 6:31-33) Jehovai dëshiron të na sigurojë ç’na nevojitet. E çfarë Siguruesi bujar dhe i dashur është ai! Kur krijoi tokën, Jehovai nuk na dha vetëm gjërat bazë për të jetuar. Plot dashuri, e mbushi planetin tonë me gjëra që na kënaqin shpirtin. (Zan. 2:9) Edhe nëse ndonjëherë kemi vetëm gjërat bazë për të jetuar, bëjmë mirë të përqendrohemi te fakti që po jetojmë. E pra, Jehovai na i ka siguruar me besnikëri gjërat e nevojshme. (Mat. 6:11) Duhet të mbajmë parasysh se çdo sakrificë që bëjmë tani nga ana materiale, është hiçgjë në krahasim me ato që do të na japë Perëndia ynë i dashur, qoftë sot, qoftë në të ardhmen.—Isa. 65:21, 22. w22.06 15 ¶7-8

E diel, 10 nëntor

Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur.—Hebr. 5:14.

Të sapointeresuarit nuk janë të vetmit që kanë nevojë për ushqim të fortë nga Shkrimet. Të gjithë kemi nevojë. Apostulli Pavël shkroi se zbatimi i asaj që mësojmë nga Shkrimet, na ndihmon ‘të dallojmë si të drejtën, edhe të gabuarën’. Në këto kohë të vështira kur normat morale kanë rënë si kurrë më parë, mund të jetë goxha e vështirë të respektojmë standardet e Jehovait. Mirëpo, Jezui sigurohet të marrim forcën e nevojshme nëpërmjet ushqimit të shijshëm nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Ashtu si Jezui, ne i kemi dhënë emrit të Perëndisë lavdinë që meriton. (Gjoni 17:6, 26) Për shembull, në vitin 1931 morëm emrin e bazuar në Shkrime Dëshmitarë të Jehovait. Kështu treguam se duam të jemi të lidhur në mënyrë të pandashme me emrin e Atit tonë. (Isa. 43:10-12) Gjithashtu, Përkthimi Bota e Re e ka rivendosur emrin e Perëndisë aty ku i takon në Fjalën e tij. w22.07 11 ¶11-12

E hënë, 11 nëntor

Fjala jote është llambë për këmbët e mia, është dritë për shtegun tim.—Psal. 119:105.

Të vërtetat e Biblës përfshijnë edhe lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Jezui e krahasoi të vërtetën për Mbretërinë me një thesar të fshehur. Te Mateu 13:44, ai tha: «Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.» Vini re se ky burrë nuk po e kërkonte thesarin. Por kur e gjeti, bëri goxha sakrifica për ta bërë të vetin. Faktikisht shiti gjithçka kishte. Pse? Ai e dinte sa i çmuar ishte thesari. E dimë se asgjë e kësaj bote nuk mund të matet me gëzimin që provojmë ngaqë i shërbejmë Perëndisë sot, dhe me perspektivën e jetës së përhershme nën qeverisjen e Mbretërisë në të ardhmen. Për ne është privilegj të kemi një miqësi të ngushtë me Jehovain, ndaj ia vlen të bëjmë çdo sakrificë. Kënaqësia jonë më e madhe është ‘t’i pëlqejmë plotësisht atij’.—Kolos. 1:10. w22.08 15 ¶8-9; 17 ¶12

E martë, 12 nëntor

Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?—Zan. 39:9.

Nga e dinte Jozefi se Perëndia e konsideronte një «të keqe të madhe» kurorëshkeljen? Ligji i Moisiut që urdhëronte qartë «mos kryej kurorëshkelje», do të shkruhej rreth 200 vjet më vonë. (Eks. 20:14) Por Jozefi e njihte aq mirë Jehovain, sa të kuptonte si ndihej për sjelljen imorale. Për shembull, Jozefi e dinte mirë se Jehovai e krijoi martesën si një lidhje mes një burri dhe një gruaje. E pa dyshim kishte dëgjuar se si ndërhyri Jehovai në dy raste për të mbrojtur stërgjyshen e tij, Sarën, kur rrezikonte t’i cenohej nderi. (Zan. 2:24; 12:14-20; 20:2-7) Ndërsa Jozefi arsyetonte për këto gjëra, arriti të kuptonte çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar në sytë e Perëndisë. Ngaqë e donte Perëndinë, donte edhe standardin e Jehovait për drejtësinë dhe ishte i vendosur të jetonte në harmoni me të. w22.08 26 ¶1-2

E mërkurë, 13 nëntor

Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës, do të zgjohen, disa për jetë të përhershme.—Dan. 12:2.

Kjo profeci nuk flet për një ringjallje të figurshme të shërbëtorëve të Perëndisë gjatë ditëve të fundit, siç mendonim në të kaluarën. Përkundrazi flet për ringjalljen e të vdekurve në botën e re. Pse dalim në këtë përfundim? Fjala ‘pluhur’ te Danieli 12:2 përdoret edhe te Jobi 17:16 si një sinonim i fjalës «Varr». Kjo tregon se Danieli 12:2 flet për ringjalljen e mirëfilltë që do të ndodhë pasi të kenë mbaruar ditët e fundit dhe lufta e Armagedonit. Por çfarë nënkuptojnë fjalët e Danielit 12:2 që disa do të ringjallen për «jetë të përhershme»? Nënkuptojnë se të ringjallurit që i njohin, ose vazhdojnë t’i njohin, Jehovain e Jezuin dhe që u binden gjatë 1.000 vjetëve, do të marrin si përfundim jetën e përhershme.—Gjoni 17:3. w22.09 21 ¶6-7

E enjte, 14 nëntor

[Dashuria] beson çdo gjë.—1 Kor. 13:7.

Kjo nuk do të thotë se Jehovai pret t’u besojmë verbërisht të tjerëve, por pret t’u besojmë ngaqë kanë treguar se e meritojnë besimin tonë. Për të zhvilluar besim te të tjerët duhet kohë. Çfarë mund të të ndihmojë të kesh besim te vëllezërit e tu? Përpiqu t’i njohësh mirë. Bisedo me ta në mbledhjet e kongregacionit. Dil me ta në shërbim. Ji i duruar me ta dhe jepu mundësi të tregojnë se janë të besueshëm. Në fillim, ndoshta do të zgjedhësh me kujdes për cilat gjëra personale do t’i hapesh dikujt që sapo ke nisur ta njohësh. Ndërsa e njeh më mirë, mund të ndihesh më rehat t’i hapesh për ndjenjat e tua. (Luka 16:10) Por çfarë mund të bësh nëse një vëlla që i ke besuar, të zhgënjen? Mos u dorëzo shpejt duke humbur krejt besimin tek ai, por lër të kalojë ca kohë. E mos lejo që veprimet e pak vetave të të bëjnë mosbesues ndaj vëllezërve të tjerë. w22.09 4 ¶7-8

E premte, 15 nëntor

Sytë e Jehovait vështrojnë me kujdes gjithë tokën.—2 Kron. 16:9.

Një plaku me emrin Mikeas, iu duk se e trajtuan ashpër disa vëllezër me përgjegjesi. Prapëseprapë, e ruajti gjykimin dhe bëri çmos t’i mbante nën kontroll ndjenjat. Ai lutej shpesh dhe i kërkonte Jehovait t’i jepte frymën e shenjtë dhe forcë për ta përballuar sfidën. Gjithashtu kërkonte në botimet tona informacione që mund ta ndihmonin. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i tij? Nëse ndihesh i lënduar nga një vëlla a një motër, ruaj qetësinë dhe përpiqu të mbash nën kontroll çdo ndjenjë negative. Mbase nuk i di rrethanat që mund ta kenë shtyrë të fliste ose të vepronte ashtu. Prandaj fol me Jehovain në lutje dhe kërkoji të të ndihmojë ta vësh veten në vendin e vëllait a të motrës. Mos dysho për motivet e tjetrit dhe përpiqu ta anashkalosh fyerjen. (Prov. 19:11) Mos harro se Jehovai e di mirë në çfarë situate ndodhesh dhe do të të japë forcën e nevojshme për ta përballuar.—Ekl. 5:8. w22.11 21 ¶5

E shtunë, 16 nëntor

Hipokritët i shmang.—Psal. 26:4.

Zgjidh miq që e duan Jehovain. Miqtë që zgjedh ndikojnë shumë te përparimi yt. (Prov. 13:20) Xhulieni, që tani shërben si plak, thotë: «Kur isha i ri, zura shokë të mirë ndërsa dilja në shërbim. Ata ishin të zellshëm dhe më ndihmuan ta shijoja predikimin. . . . Veç kësaj, kuptova se duke u shoqëruar vetëm me ata të moshës sime, po e privoja veten nga miqësi interesante dhe të shëndetshme.» Po nëse kupton që dikush në kongregacion nuk po ndikon për mirë te ti? Pavli e dinte se disa shërbëtorë të Jehovait në shekullin e parë nuk jetonin si të krishterë, prandaj e paralajmëroi Timoteun t’u qëndronte larg. (2 Tim. 2:20-22) Miqësia jonë me Jehovain është e çmuar. Nuk duhet të lejojmë askënd të na dobësojë lidhjen me Atin tonë qiellor, për të cilën jemi përpjekur aq shumë. w22.08 5-6 ¶13-15

E diel, 17 nëntor

Qëndroji larg të marrit.—Prov. 14:7.

Ndryshe nga ata që i urrejnë këshillat e Perëndisë, ne mësojmë ta duam mënyrën si mendon Ai, duke përfshirë edhe normat e tij morale. Këtë dashuri mund ta thellojmë duke krahasuar rezultatet e bindjes me pasojat e mosbindjes. Mendo për telashet e ndryshme që i hapin vetes njerëzit kur shpërfillin me marrëzi këshillat e mençura të Jehovait. Pastaj mendo për jetën shumë më të mirë që bën ti ngaqë i bindesh Perëndisë. (Psal. 32:8, 10) Jehovai ua vë në dispozicion të gjithëve mençurinë e tij, ama nuk detyron askënd ta pranojë. Por njëkohësisht na tregon hapur pasojat që vijnë kur dikush nuk e pranon mençurinë e tij. (Prov. 1:29-32) Ata «do të vuajnë pasojat e udhëve të tyre». Me kalimin e kohës, mënyra si jetojnë do t’u sjellë veç dhimbje e telashe dhe në fund, shkatërrim. Kurse atyre që i dëgjojnë këshillat e tij të mençura dhe i zbatojnë, Jehovai u premton: «Ai që më dëgjon, do të jetojë i sigurt, pa frikë në zemër se mos i ndodh ndonjë e keqe.»—Prov. 1:33. w22.10 21 ¶11-13

E hënë, 18 nëntor

Lum kush nderon thellësisht Jehovain dhe ecën në udhët e tij!—Psal. 128:1.

Nderimi i thellë për Jehovain na nxit të mos bëjmë asgjë që i shkakton pakënaqësi. (Prov. 16:6) Prandaj përpiqemi pareshtur të jetojmë sipas standardeve të Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën, të cilat na i ka bërë të qarta në Bibël. (2 Kor. 7:1) Nëse bëjmë ato gjëra që Jehovai i do dhe rrimë larg atyre që i urren, do të jemi të lumtur. (Psal. 37:27; 97:10; Rom. 12:9) Dikush mund ta dijë se Jehovai ka autoritetin të vendosë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, ama duhet edhe t’i respektojë standardet e Tij. (Rom. 12:2) Mënyra si sillemi tregon nëse e besojmë vërtet se të jetosh sipas standardeve të Jehovait është rruga më e bukur në jetë. (Prov. 12:28) Davidi ishte i bindur për këtë, prandaj tha për Jehovain: «Ti më tregon shtegun e jetës; pranë teje mbushem me gëzim; në të djathtën tënde gjej përherë lumturi.»—Psal. 16:11. w22.10 8 ¶9-10

E martë, 19 nëntor

Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati.—Gjoni 5:19.

Jezui mbajti një pikëpamje të ekuilibruar dhe të përulur për veten. Kur ishte në qiell, ai bëri sa e sa gjëra të mrekullueshme në shërbim të Jehovait. Me anë të Jezuit, «u krijua gjithçka tjetër në qiej e në tokë». (Kolos. 1:16) Fill pas pagëzimit, duket se Jezuit iu kujtuan gjërat që kishte realizuar kur ishte me Atin e tij. (Mat. 3:16; Gjoni 17:5) Por kjo nuk e bëri fodull dhe Jezui asnjëherë nuk e mbajti veten si më të mirë nga të tjerët. Përkundrazi, u tha dishepujve se nuk kishte ardhur në tokë ‘që t’i shërbenin, por që të shërbente dhe të jepte jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mat. 20:28) Gjithashtu pranoi me modesti se nuk mund të bënte as edhe një gjë me nismën e vet. Çfarë përulësie! Jezui na la një shembull të shkëlqyer për ta imituar. w22.05 24 ¶13

E mërkurë, 20 nëntor

[Kthehu] te Jehovai.—Isa. 55:7.

Kur vendos nëse do të falë apo jo, Jehovai merr parasysh nëse ai që mëkatoi e dinte se po bënte diçka të gabuar. Jezui e tregoi qartë këtë te Luka 12:47, 48. Dikush që thur plane për të bërë diçka të keqe dhe e di fare mirë se po bën diçka që e fyen Jehovain, kryen një mëkat serioz. Ai rrezikon që Jehovai të mos e falë. (Mar. 3:29; Gjoni 9:41) A ka shpresë atëherë që Jehovai ta falë në këtë rast? Pa diskutim që po! Jehovai merr parasysh gjithashtu nëse ai që ka gabuar është penduar sinqerisht. Të pendohesh do të thotë «të ndërrosh mendje, qëndrim ose qëllim». Përfshin idenë që dikush ndien keqardhje ose trishtim të thellë ngaqë ka bërë gjëra të këqija ose ngaqë nuk ka bërë gjërat e mira që duhej t’i kishte bërë. Atij që pendohet i vjen keq jo vetëm për gabimin që bëri, por edhe se lejoi t’i dobësohej marrëdhënia me Jehovain, çka e çoi në rrugë të gabuar. w22.06 5-6 ¶15-17

E enjte, 21 nëntor

Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen.—2 Tim. 3:12.

Armiqtë tanë përhapin gënjeshtra ose informacione të shtrembëruara për vëllezërit përgjegjës në organizatën e Jehovait. (Psal. 31:13) Disa vëllezër i kanë arrestuar dhe i kanë akuzuar si kriminelë. Të krishterët në shekullin e parë hasën një situatë të ngjashme kur apostullin Pavël e akuzuan dhe e arrestuan padrejtësisht. Disa prej tyre nuk e mbështetën më, kur e burgosën në Romë. (2 Tim. 1:8, 15; 2:8, 9) Imagjino si duhet të jetë ndier Pavli. Ai kishte hequr gjithë ato sprova dhe madje kishte vënë kokën në rrezik për ta. (Vep. 20:18-21; 2 Kor. 1:8) Mos qofshim kurrë si ata që e braktisën Pavlin! Nuk ka pse të habitemi që vëllezërit përgjegjës janë shënjestër e sulmeve të Satanait. Synimi i tij është që me këto sulme t’u thyejë integritetin e të na frikësojë ne. (1 Pjet. 5:8) Vazhdo t’i mbështetësh dhe t’u qëndrosh besnik atyre.—2 Tim. 1:16-18. w22.11 16-17 ¶8-11

E premte, 22 nëntor

Nuk ke fare frikë nga Perëndia?!—Luka 23:40.

Ka shumë të ngjarë që krimineli i penduar, i varur në shtyllë përkrah Jezuit, të ishte jude. Judenjtë adhuronin vetëm një Perëndi, kurse njerëzit e kombeve besonin në shumë perëndi. (Eks. 20:2, 3; 1 Kor. 8:5, 6) Nëse ai kriminel do të ishte nga ndonjë komb tjetër, pyetja që bëri në shkrimin e sotëm ka të ngjarë të kishte qenë: «Nuk ke fare frikë nga perënditë?!» Veç kësaj, Jezui nuk ishte dërguar te njerëzit e kombeve, por te «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mat. 15:24) E Perëndia u kishte zbuluar izraelitëve se do t’i ringjallte të vdekurit. Krimineli i penduar mund ta dinte këtë, dhe fjalët e tij tregojnë se mendonte që Jehovai do ta ringjallte Jezuin për të qeverisur në Mbretërinë e Perëndisë. Duket se ai burrë shpresonte se Perëndia do ta ringjallte edhe atë vetë. Si jude, krimineli i penduar duhej ta dinte ç’kishte ndodhur me Adamin dhe Evën. Prandaj ka shumë mundësi që ai besonte se Parajsa që përmendi Jezui te Luka 23:43, do të ishte një kopsht i bukur këtu në tokë.—Zan. 2:15. w22.12 8-9 ¶2-3

E shtunë, 23 nëntor

Të gjithë, në një mendje, po ngulmonin në lutje.—Vep. 1:14.

Arrijmë ta kryejmë veprën e predikimit vetëm me ndihmën e frymës së Perëndisë. Pse e themi këtë? Sepse Satanai lufton kundër nesh me synimin që të ndalojë veprën e predikimit. (Zbul. 12:17) E nga këndvështrimi njerëzor, mbase dukemi thjesht si një kafshatë për Satanain. Megjithatë, ne po e mundim me anë të veprës së predikimit! (Zbul. 12:9-11) Si? Kur dalim në shërbim, tregojmë se nuk na frikësojnë kërcënimet e Satanait. Çdo herë që predikojmë, Satanai pëson një disfatë. Ndaj mund të nxjerrim përfundimin që po na jep fuqi fryma e shenjtë dhe që kemi miratimin e Jehovait. (Mat. 5:10-12; 1 Pjet. 4:14) Fryma e Perëndisë mund të na fuqizojë të mposhtim çdo vështirësi në shërbim. (2 Kor. 4:7-9) Çfarë duhet të bëjmë, pra, që të vazhdojmë të marrim frymën e Perëndisë? Duhet të vazhdojmë t’i lutemi me ngulm Jehovait për frymën e tij, të sigurt se do të na i dëgjojë lutjet. w22.11 5 ¶10-11

E diel, 24 nëntor

Vëllezër, ju nxitim të paralajmëroni të çrregulltit, t’u flitni në mënyrë ngushëlluese atyre që janë të dëshpëruar, të mbështetni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.—1 Sel. 5:14.

Dashurinë për vëllezërit e motrat e tregojmë duke u përpjekur fort të ruajmë paqen me ta. Ne bëjmë çmos të imitojmë shembullin e Jehovait që është gati të falë. Nëse Jehovai ishte i gatshëm të lejonte që Biri i tij të vdiste për mëkatet tona, a nuk duhet të jemi të gatshëm t’i falim vëllezërit e motrat për mëkatet që bëjnë ndaj nesh? Nuk duam të jemi si skllavi i lig që përmendi Jezui në një ilustrim. Edhe pse zotëria i tij i fali një borxh kolosal, ai skllav nuk deshi t’i falte një borxh shumë më të vogël një skllavi tjetër. (Mat. 18:23-35) Nëse ke pasur ndonjë keqkuptim me dikë në kongregacion, a mund të hedhësh hapin e parë për të bërë paqe para se të ndjekësh Përkujtimin? (Mat. 5:23, 24) Kështu do të tregosh sa e thellë është dashuria jote për Jehovain e Jezuin. w23.01 29 ¶8-9

E hënë, 25 nëntor

Kush i bën mirë të përvuajturit, i jep hua Jehovait.—Prov. 19:17.

Një mënyrë si të mësoni ç’u nevojitet vëllezërve e motrave, është t’u bëni me takt pyetje që i inkurajojnë të shprehen. (Prov. 20:5) A kanë mjaft ushqim, ilaçe e gjëra të tjera të nevojshme? A rrezikojnë të humbasin punën ose edhe shtëpinë? A u nevojitet një dorë për të kërkuar ndonjë ndihmë që ofron shteti? Jehovai na fton të gjithëve të inkurajojmë e të ndihmojmë njëri-tjetrin. (Gal. 6:10) Edhe diçka e vogël për të shprehur dashurinë tonë mund ta inkurajojë jashtë mase një të sëmurë. Një fëmijë mund t’i dërgojë një vëllai një kartolinë ose një vizatim për t’i dhënë zemër. Një i ri mund t’i kryejë ndonjë porosi ose t’i bëjë pazarin një motre. Të tjerë ndoshta kanë mundësi të gatuajnë diçka për një të sëmurë. Disa Dëshmitarë u kanë dërguar kartolina falënderimi pleqve që, gjatë një epidemie, shpesh janë më të zënë se kurrë. Sa mirë është kur bëjmë pjesën tonë për ‘të vazhduar t’i japim zemër e të forcojmë njëri-tjetrin’!—1 Sel. 5:11. w22.12 22 ¶2; 23 ¶5-6

E martë, 26 nëntor

Ju gaboheni rëndë.—Mar. 12:27.

Saducenjtë i njihnin mirë pesë librat e parë të Shkrimeve Hebraike, por shpërfillnin të vërteta të rëndësishme që përmbanin ata libra të frymëzuar. Për shembull, të mendojmë si u përgjigj Jezui kur saducenjtë deshën ta zinin në grackë dhe e pyetën për ringjalljen. Ai ua ktheu: «A nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në tregimin për shkurren me gjemba, kur Perëndia i tha: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’» (Mar. 12:18, 26) S’do mend që saducenjtë duhej ta kishin lexuar kushedi sa herë atë fragment. Por pyetja e Jezuit tregoi se ata nuk pranonin një të vërtetë të rëndësishme të Shkrimeve—mësimin e ringjalljes. (Luka 20:38) Cili është mësimi për ne? Kur lexojmë, duam të jemi të vëmendshëm për të kapur çdo gjë që dëshiron të na mësojë Jehovai nëpërmjet një vargu a ngjarjeje në Bibël. Duam të dallojmë jo vetëm mësimet themelore, por edhe të vërtetat e parimet më të thella që janë si margaritarë të fshehur. w23.02 11 ¶9-10

E mërkurë, 27 nëntor

Na rrethon një re . . . e madhe dëshmitarësh.—Hebr. 12:1.

Të gjithë dëshmitarët e shkrimit të sotëm kaluan sprova të rënda; por sot ndrijnë si pishtarë për ne se i qëndruan besnikë Jehovait gjatë gjithë jetës. (Hebr. 11:36-40) A ishin të kota qëndrueshmëria dhe mundi i tyre? Aspak! Ndonëse sa ishin gjallë nuk e panë plotësimin e të gjitha premtimeve të Perëndisë, vazhduan të shpresonin te Jehovai. Dhe ngaqë kishin bindjen se Jehovai i miratonte, ishin të sigurt se do ta shihnin me sytë e vet kur ato premtime të bëheshin realitet. (Hebr. 11:4, 5) Shembulli i tyre mund të na forcojë vendosmërinë që të vazhdojmë të shpresojmë te Jehovai. Jetojmë në një botë që po katandiset keq e më keq. (2 Tim. 3:13) Satanai vazhdon t’i godasë me sprova shërbëtorët e Perëndisë. Çfarëdo vështirësish të kemi para, qofshim të vendosur të përpiqemi fort për Jehovain, të sigurt se «e kemi varur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë»!—1 Tim. 4:10. w22.06 25 ¶17-18

E enjte, 28 nëntor

Ç’të mirë ka nëse vdes . . . ?! Mos do të të përlëvdojë pluhuri?!—Psal. 30:9.

Një arsye pse duhet të përpiqemi ta ruajmë shëndetin është se kështu mund të japim më të mirën në shërbim të Jehovait. (Mar. 12:30) Prandaj zgjedhim t’u themi «jo» gjërave që do të na e dëmtonin shëndetin. (Rom. 12:1) Natyrisht, kur bëhet fjalë për shëndetin, nuk kemi çdo gjë në dorë. Prapëseprapë, bëjmë çmos të kujdesemi për të, sepse duam t’i tregojmë Atit tonë qiellor se e çmojmë dhuratën e jetës. Sëmundjet dhe mosha e shkuar ndoshta na pengojnë të bëjmë shumë nga gjërat që bënim dikur. Kjo mund të na acarojë e të na trishtojë. Gjithsesi, kurrë nuk duhet të dorëzohemi e ta lëmë pas dore shëndetin. Pse? Sepse sado të moshuar a të sëmurë të jemi, prapë mund ta lëvdojmë Jehovain, ashtu si mbreti David. Sa na e ngroh zemrën mendimi që Perëndia ynë na sheh si një thesar, paçka se jemi të papërsosur! (Mat. 10:29-31) Edhe sikur të vdesim, ai do të digjet nga malli për ne dhe nga dëshira për të na kthyer në jetë. (Jobi 14:14, 15) Sa të jemi gjallë, pra, duam të bëjmë gjithçka mundemi për të mbrojtur shëndetin dhe jetën tonë. w23.02 20-21 ¶3-5

E premte, 29 nëntor

Kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet kurrën e kurrës.—Mar. 3:29.

A do t’i kenë akoma emrat në librin e jetës shumica e madhe e deleve të tjera pasi t’i mbijetojnë Armagedonit? Po. (Zbul. 7:14) Kur po fliste për këtë grup, Jezui tha se do të merrnin «jetën e përhershme». (Mat. 25:46) Megjithatë të mbijetuarit e Armagedonit nuk do ta marrin menjëherë jetën e përhershme. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui «do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës». Ata që e ndjekin drejtimin e Krishtit dhe që i qëndrojnë besnikë Jehovait gjatë provës përfundimtare, do t’i kenë të skalitur përgjithmonë emrat në librin e jetës. (Zbul. 7:16, 17) Ndërsa cjeptë do të shkatërrohen në Armagedon. Jezui tha se ata «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme». (Mat. 25:46) I frymëzuar nga Perëndia, apostulli Pavël shkroi se «këta do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm».—2 Sel. 1:9; 2 Pjet. 2:9. w22.09 16 ¶7-8

E shtunë, 30 nëntor

Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.—Ekl. 3:1.

Krijimi i Jehovait u jep mundësi familjeve të çlodhen e të argëtohen së bashku, e kështu forcohen lidhjet familjare. Me veprat e duarve të tij, Jehovai ka krijuar ambiente të mrekullueshme ku të bëjmë aktivitete që na kënaqin. Shumë familjeve u pëlqen të shkojnë bashkë në një park natyror, në fshat, në mal ose në plazh. Në botën e re të Perëndisë, prindërit dhe fëmijët do ta shijojnë si kurrë më parë krijimin e Jehovait. Atëherë nuk do të ketë arsye të frikësohemi nga kafshët, e as kafshët nuk do të kenë frikë nga ne. (Isa. 11:6-9) Do të kemi kohë pa fund për t’u kënaqur me gjërat që ka krijuar Jehovai. (Psal. 22:26) Por mos prisni deri atëherë që t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta shijojnë krijimin. Ndërsa e përdorni krijimin që t’u mësoni fëmijëve për Jehovain, ka shumë gjasa që ata të ndihen si mbreti David, i cili tha: «O Jehova . . . nuk ka si veprat e tua.»—Psal. 86:8. w23.03 25 ¶16-17

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo