Dhjetor
E diel, 1 dhjetor
Çfarë më pengon të pagëzohem?!—Vep. 8:36.
A ishte vërtet gati për t’u pagëzuar ai zyrtar oborri nga Etiopia? Sill ndër mend që etiopasi «kishte shkuar në Jerusalem për të adhuruar Perëndinë». (Vep. 8:27) Prandaj duhej të ishte një prozelit jude, pra kishte përqafuar judaizmin. Pa dyshim që kishte mësuar për Jehovain nga Shkrimet Hebraike. Megjithatë, ishte i etur të mësonte edhe më shumë. Në fakt, kur e takoi Filipi në rrugë, ishte zhytur në leximin e një rrotulle të profetit Isaia. (Vep. 8:28) Ai kishte dëshirë të mësonte më tepër. Kishte bërë gjithë atë udhëtim nga Etiopia për në Jerusalem që të adhuronte Jehovain në tempull. Etiopasi mësoi nga Filipi disa të vërteta të reja jetësore, siç ishte identiteti i Mesisë. (Vep. 8:34, 35) Iu thellua dashuria për Jehovain dhe për Birin e tij. Kjo e nxiti të merrte një vendim që ia ndryshoi jetën rrënjësisht: të pagëzohej si dishepull i Jezu Krishtit. Kur e kuptoi se etiopasi ishte gati, Filipi e pagëzoi. w23.03 8-9 ¶3-6
E hënë, 2 dhjetor
Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme.—Kolos. 4:6.
Nëse s’themi të vërtetën, është e pamundur ta kënaqim Jehovain. (Prov. 6:16, 17) Ndonëse shumë veta mendojnë se është gjë normale të gënjesh, ne jemi të vendosur t’i shohim gjërat me syrin e Jehovait. (Psal. 15:1, 2) Ndërkohë që s’themi kurrë gënjeshtra, bëjmë kujdes edhe të mos krijojmë me dashje një përshtypje të gabuar për diçka. Veç kësaj, nuk përhapim thashetheme të dëmshme. (Prov. 25:23; 2 Sel. 3:11) Nëse kupton se biseda po kthehet në thashetheme të dëmshme, drejtoje te diçka pozitive. Meqë jetojmë në një botë ku bombardohemi me fjalë të pista ose lënduese, na duhet të përpiqemi fort për t’u siguruar se i foluri ynë e kënaq Jehovain. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona të sinqerta që ta përdorim për mirë këtë dhuratë kur jemi në shërbim, në mbledhje dhe gjatë bisedave të përditshme. Kur ky sistem i mbrapshtë të ketë marrë fund, do të jetë shumë më e lehtë ta nderojmë Jehovain me të folurin tonë.—Jud. 15. w22.04 9 ¶18-20
E martë, 3 dhjetor
Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.—1 Gjon. 4:19.
Kur meditojmë sa shumë na duan Jehovai dhe Jezui, i duam edhe ne me gjithë shpirt. (1 Gjon. 4:10) Dashuria për ta bëhet akoma më e fortë kur kuptojmë se Jezui vdiq për ne personalisht. Apostulli Pavël e pranoi këtë fakt dhe e shprehu mirënjohjen me këto fjalë që u shkroi galatasve: «Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Gal. 2:20) Në bazë të shpërblesës, Jehovai të ka tërhequr drejt vetes që të jesh miku i tij. (Gjoni 6:44) A nuk të ngrohet zemra që Jehovai pa diçka të mirë te ti dhe pagoi çmimin më të lartë që të bëheshe miku i tij? Kur mediton për këtë, a nuk të thellohet dashuria për Jehovain dhe Jezuin? Kjo duhet të të nxitë të pyesësh veten: «Çfarë më motivon të bëj kjo dashuri?» Dashuria për Perëndinë dhe Krishtin na shtyn të tregojmë dashuri për të tjerët.—2 Kor. 5:14, 15; 6:1, 2. w23.01 28 ¶6-7
E mërkurë, 4 dhjetor
Do t’ua ndryshoj gjuhën popujve në një gjuhë të kulluar.—Sof. 3:9.
Bibla luan një rol jetësor në plotësimin e qëllimit të Jehovait që adhuruesit e tij t’i shërbejnë «krah për krah». Shumë pjesë të Fjalës së tij janë shkruar në një mënyrë që mund t’i kuptojnë vetëm lexuesit e përulur. (Luka 10:21) Biblën e lexojnë njerëz anekënd botës. Ama vetëm të përulurit mund ta kuptojnë vërtet e ta zbatojnë. (2 Kor. 3:15, 16) Mençuria e Jehovait spikat në Bibël. Nëpërmjet Shkrimeve, Jehovai jo vetëm na arsimon si grup, por edhe na mëson e na jep zemër si individë. Teksa lexojmë Fjalën e tij, e ndiejmë se Jehovai interesohet për ne personalisht. (Isa. 30:21) Sa shpesh të ka ndodhur që ke hapur Shkrimet dhe ke lexuar një varg që dukej sikur ishte shkruar kastile për ty? Por Bibla u shkrua për miliona njerëz. Si është e mundur, pra, që informacionet e saj janë kaq të kohës dhe përshtaten fiks me nevojat e tua? Kjo është e mundur vetëm ngaqë Autori i Biblës është më i mençuri në univers.—2 Tim. 3:16, 17. w23.02 4-5 ¶8-10
E enjte, 5 dhjetor
Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimin tënd ta shohin qartë të gjithë.—1 Tim. 4:15.
Si shërbëtorë të Jehovait, e duam me gjithë shpirt Perëndinë tonë. Ja pse dëshirojmë që shërbimi ynë të jetë i cilësisë më të shkëlqyer. Por, që ta zhvillojmë plotësisht potencialin tonë, duhet të vëmë synime teokratike, si për shembull të kultivojmë cilësi të krishtere, të zhvillojmë aftësi të dobishme dhe të kërkojmë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve. Pse duhet të kemi dëshirë të përparojmë në të vërtetën? Së pari, sepse duam të kënaqim Atin tonë të dashur qiellor. Jehovait i gëzon zemra kur sheh se i përdorim plotësisht talentet dhe aftësitë tona në shërbimin e tij. Veç kësaj, duam të përparojmë që t’u shërbejmë më shumë vëllezërve e motrave. (1 Sel. 4:9, 10) Sado kohë të kemi në të vërtetën, të gjithë mund të vazhdojmë të përparojmë. w22.04 22 ¶1-2
E premte, 6 dhjetor
Do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr.—Zbul. 17:16.
Elementët politikë të botës së shpejti do t’i vërsulen Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Kjo do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh. A do të ketë si rezultat një vërshim njerëzish drejt adhurimit të Jehovait? Jo. Përkundrazi, kapitulli 6 i Zbulesës tregon se në atë kohë kritike, ata që nuk i shërbejnë Jehovait do të kërkojnë mbrojtje te sistemi politik dhe ai tregtar i botës, që krahasohen me malet. Meqë nuk do ta mbështetin Mbretërinë e Perëndisë, Jehovai do t’i konsiderojë kundërshtarë. (Luka 11:23; Zbul. 6:15-17) Kështu, gjatë asaj kohe të zymtë, shtrëngimit të madh, shërbëtorët besnikë të Jehovait do të spikatin si të ndryshëm. Ata do të vazhdojnë të jenë i vetmi grup njerëzish në tokë që i shërbejnë Perëndisë Jehova dhe që nuk pranojnë të mbështetin ‘bishën’.—Zbul. 13:14-17. w22.05 16-17 ¶8-9
E shtunë, 7 dhjetor
Kishte një lajm të mirë të përhershëm që t’ua shpallte atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.—Zbul. 14:6.
‘Lajmi i mirë për Mbretërinë’ nuk është i vetmi mesazh që duhet të predikojnë shërbëtorët e Perëndisë. (Mat. 24:14) Ata duhet edhe të mbështetin veprën e engjëjve që përmenden në kapitujt 8 deri 10 të Zbulesës. Këta engjëj shpallin disa mjerime për ata që hedhin poshtë Mbretërinë e Perëndisë. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait kanë shpallur një mesazh gjykimi, që krahasohet me ‘breshrin e zjarrin’ dhe që flet për gjykimet e Perëndisë kundër elementëve të botës së ligë të Satanait. (Zbul. 8:7, 13) Njerëzit kanë nevojë ta dinë se fundi është afër, në mënyrë që të bëjnë ndryshime rrënjësore në jetë dhe t’i mbijetojnë ditës së zemërimit të Jehovait. (Sof. 2:2, 3) Mirëpo shumë vetave u vret veshin ky mesazh, prandaj na duhet kurajë që ta predikojmë. Gjatë shtrëngimit të madh, mesazhi përfundimtar i gjykimit do të jetë akoma më fshikullues.—Zbul. 16:21. w22.05 7 ¶18-19
E diel, 8 dhjetor
Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.—Mat. 22:37.
Mendo për një çift Dëshmitarësh që bëhen prindër. Gjatë viteve mund të kenë dëgjuar plot fjalime për rritjen e fëmijëve. Por tani parimet e shqyrtuara në ato fjalime do të bëhen më domethënëse. Ata do të bëhen me fëmijë. Çfarë përgjegjësie kolosale është të rritësh një fëmijë! Pra, në rrethana të reja, disa parime të njohura nga Bibla mund të marrin më shumë kuptim për ne. Kjo është një arsye pse adhuruesit e Jehovait lexojnë Shkrimet dhe, njësoj siç ishin urdhëruar mbretërit e Izraelit, meditojnë rreth tyre ‘për sa ditë të kenë jetë’. (Ligj. 17:19) Prindër, ju keni një nga privilegjet më të mëdha që mund të ketë një shërbëtor i Perëndisë—t’i mësoni fëmijët për Jehovain. Ama nuk mjafton thjesht t’u mësoni ca fakte për Perëndinë. Duhet t’i ndihmoni ta duan me gjithë zemër Jehovain. w22.05 26 ¶2-3
E hënë, 9 dhjetor
Vishni personalitetin e ri.—Kolos. 3:10.
Nuk mjafton vetëm të na vijë keq për një sjellje a veprim të gabuar. Duhet edhe të jemi të gatshëm të bëjmë diçka. A jemi të gatshëm ‘të kthehemi’? Ky është një faktor i rëndësishëm që merr parasysh Jehovai kur vendos të falë dikë. Me fjalë të tjera, ai që ka mëkatuar duhet ta lërë rrugën e keqe e të ecë në udhën e Jehovait. (Isa. 55:7) Ai duhet të përtërijë mendjen, që të udhëhiqet nga mendimet e Jehovait. (Rom. 12:2; Efes. 4:23) Duhet të jetë i vendosur të largohet nga rrugët e këqija, duke ndryshuar mendimet dhe sjelljen. (Kolos. 3:7-9) Natyrisht, Jehovai na fal dhe na pastron nga çdo mëkat në bazë të besimit tonë te flijimi i Krishtit. Kur sheh se përpiqemi me gjithë shpirt të ndryshojmë sjellje, Jehovai përdor në dobinë tonë vlerën e flijimit të Jezuit.—1 Gjon. 1:7. w22.06 6 ¶16-17
E martë, 10 dhjetor
Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe.—Zbul. 2:10.
Gjatë gjithë historisë, njerëzit e kanë dëmtuar njëri-tjetrin. (Ekl. 8:9) Për shembull, shumë njerëz abuzojnë me autoritetin, kriminelët kryejnë akte të dhunshme, bullistët në shkollë ofendojnë dhe kërcënojnë shokët e klasës dhe disa veta madje i trajtojnë në mënyrë brutale familjarët. Nuk është çudi që njerëzit kanë frikë nga njëri-tjetri! Si përpiqet Satanai ta shfrytëzojë frikën nga njeriu? Satanai e përdor frikën nga njeriu për të na shtyrë të bëjmë kompromis dhe të mos predikojmë më. Nën ndikimin e Satanait, disa qeveri kanë ndaluar veprën tonë dhe na kanë përndjekur. (Luka 21:12) Elementë të botës së Satanait përhapin informacione mashtruese dhe gënjeshtra keqdashëse për Dëshmitarët e Jehovait. Njerëzit që i besojnë këto gënjeshtra mund të na tallin ose edhe mund të na keqtrajtojnë fizikisht. (Mat. 10:36) A na habitin taktikat e Satanait? Aspak. Ai i përdori këto taktika edhe në shekullin e parë.—Vep. 5:27, 28, 40. w22.06 16 ¶10-11
E mërkurë, 11 dhjetor
Ata që çojnë shumë veta në drejtësi, do të shndritin si yjet, në jetë të jetëve.—Dan. 12:3.
Cilët do të jenë ndër ata «shumë veta» që do të çohen në drejtësi? Do të jenë të ringjallurit, të mbijetuarit e Armagedonit, si edhe fëmijët që mund të lindin në botën e re. Në fund të Mijëvjeçarit, të gjithë njerëzit në tokë do të jenë të përsosur. Por, të mos harrojmë se fakti që dikush është i përsosur nuk do të thotë se do ta fitojë automatikisht jetën e përhershme. Mendo për Adamin dhe Evën. Ata ishin të përsosur por, para se të merrnin jetën e përhershme, duhej të tregonin se i bindeshin Perëndisë Jehova. Mirëpo mjerisht, nuk iu bindën. (Rom. 5:12) Meqë të tërë do të jenë bërë të përsosur në fund të 1.000 vjetëve, a do ta përkrahin të gjithë qeverisjen e Jehovait përgjithmonë? Apo disa do të jenë si Adami dhe Eva, që edhe pse ishin të përsosur, u treguan jobesnikë? Të gjitha këto pyetje do të marrin përgjigje. w22.09 22-23 ¶12-14
E enjte, 12 dhjetor
Mbretëria e botës u bë Mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij.—Zbul. 11:15.
A e ke të vështirë të mbash një pikëpamje pozitive kur sheh si është katandisur bota? Marrëdhëniet familjare sa vijnë e po tensionohen. Njerëzit në përgjithësi po bëhen gjithnjë e më të dhunshëm, egoistë e agresivë. Shumë veta e kanë të vështirë t’u besojnë autoriteteve. Por tamam këto probleme mund të ta forcojnë sigurinë se gjërat do të përmirësohen. Pse? Sepse njerëzit po sillen fiks siç ishte parathënë në një profeci mbresëlënëse për «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5) Asnjë njeri i sinqertë nuk e mohon dot se kjo profeci po plotësohet. E plotësimi i saj dëshmon se Krishti Jezu është në fron si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Por kjo është vetëm një nga profecitë e shumta për Mbretërinë. Të gjitha këto profeci lidhen bashkë si copëzat e një mozaiku dhe na ndihmojnë të shohim qartë në çfarë pike jemi në «kalendarin» e Jehovait. w22.07 2 ¶1-2
E premte, 13 dhjetor
Mençuria del e drejtë nga veprat.—Mat. 11:19.
Gjatë pandemisë COVID-19 morëm udhëzime të qarta si t’i mbanim mbledhjet e si ta kryenim veprën e predikimit. Thuajse nga sot nesër, filluam të ndiqnim mbledhjet, asambletë dhe kongreset nëpërmjet videokonferencave. Gjithashtu filluam të jepnim dëshmi kryesisht me anë të letrave e të telefonit. Jehovai i bekoi përpjekjet tona. Mjaft degë raportuan rritje të ndjeshme në numrin e lajmëtarëve. Në fakt, gjatë asaj kohe shumë veta kanë bërë biseda të bukura e kanë pasur rezultate zemërdhënëse. Disave mund t’u jetë dukur se organizata po tregohej pak si tepër e kujdesshme gjatë pandemisë. Por u pa qartë në shumë e shumë raste se drejtimi që merrnim ishte i mençur. E ndërsa meditojmë se si po e drejton me dashuri Jezui popullin e tij, jemi të sigurt se çfarëdo të sjellë e nesërmja, Jehovai dhe Biri i tij i shtrenjtë do të jenë me ne.—Hebr. 13:5, 6. w22.07 13 ¶15-16
E shtunë, 14 dhjetor
Lutuni pa pushim. Falënderoni Perëndinë për çdo gjë. Ky është vullneti i Perëndisë për ju në unitet me Krishtin Jezu.—1 Sel. 5:17, 18.
Përveçse ta lëvdojmë Jehovain në lutje, zemra na nxit edhe ta falënderojmë për gjërat e mrekullueshme që na ka dhuruar. Për shembull, mund ta falënderojmë për ngjyrat e mahnitshme të luleve, për larminë e pafund të ushqimeve të shijshme dhe për shoqërinë freskuese të miqve të mirë. Ati ynë i dashur na mbulon me dhurata të tilla vetëm e vetëm për të na bërë të lumtur. (Psal. 104:12-15, 24) Mbi të gjitha e falënderojmë Jehovain për ushqimin e bollshëm besimforcues dhe për shpresën fantastike që kemi për të ardhmen. Por fare kollaj mund të harrojmë ta falënderojmë Jehovain për gjithë sa bën për ne. Çfarë mund të të ndihmojë të mos harrosh? Pse të mos bësh një listë me kërkesat që i ke drejtuar në lutje dhe t’i kthehesh herë pas here për të parë si u është përgjigjur Jehovai? Pastaj falënderoje në lutje për ndihmën e tij.—Kolos. 3:15. w22.07 22 ¶8-9
E diel, 15 dhjetor
Gjen ëndje në ligjin e Jehovait dhe e lexon nën zë ditë e natë.—Psal. 1:2.
Nuk mjafton thjesht ta studiojmë të vërtetën. Që të nxjerrim plotësisht dobi, duhet ta jetojmë të vërtetën, pra të zbatojmë atë që mësojmë. Vetëm atëherë do të jemi të lumtur. (Jak. 1:25) Si mund të sigurohemi se po jetojmë në harmoni me të vërtetën? Një vëlla sugjeron të bëjmë një vetëshqyrtim për të identifikuar aspektet ku jemi mirë dhe aspektet që dëshirojmë të përmirësojmë. Apostulli Pavël tha: «Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.» (Filip. 3:16) Mendo sa të mira vijnë kur bëjmë çmos ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. Jo vetëm do të bëjmë një jetë më të lumtur, por edhe do t’i gëzojmë zemrën Jehovait dhe vëllezërve e motrave tona. (Prov. 27:11; 3 Gjon. 4) E ku ka arsye më të shkëlqyera për ta dashur dhe për ta jetuar të vërtetën?! w22.08 18-19 ¶16-18
E hënë, 16 dhjetor
Kulloteni kopenë e Perëndisë.—1 Pjet. 5:2.
Si mund ta tregojnë pleqtë dashurinë për Jehovain dhe Jezuin? Një mënyrë e rëndësishme është duke u kujdesur për delet e Jezuit. (1 Pjet. 5:1, 2) Jezui ia bëri të qartë këtë apostullit Pjetër. Pasi e mohoi Jezuin tri herë, Pjetri dëshironte me gjithë shpirt të tregonte se e donte Jezuin. Pasi u ringjall, Jezui e pyeti Pjetrin: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua?» S’ka pikë dyshimi që Pjetri ishte gati të bënte çdo gjë për të provuar se e donte Zotërinë e tij. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Kulloti delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:15-17) E Pjetri u kujdes me dhembshuri për delet e Zotërisë gjatë gjithë jetës, duke treguar kështu se e donte Jezuin. Pleq, si mund ta tregoni se fjalët që i tha Jezui Pjetrit janë të rëndësishme edhe për ju? Dashurinë e thellë për Jehovain e Jezuin mund ta tregoni duke lënë kohë rregullisht për veprën baritore dhe duke u përpjekur akoma më fort që t’i ndihmoni joaktivët të kthehen te Jehovai.—Ezek. 34:11, 12. w23.01 29 ¶10-11
E martë, 17 dhjetor
Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani.—1 Kor. 10:13.
Bëj kujdes nga një grackë—nga mendimi se askush nuk e kupton dot luftën tënde. Nëse mendon kështu, mund të nxjerrësh përfundimin se situata jote është e pashpresë dhe se je i pafuqishëm t’u rezistosh dëshirave të papërshtatshme. Por Bibla thotë të kundërtën: «Kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.» Pra, edhe kur një dëshirë e papërshtatshme është e fortë, është e mundur t’i bëjmë ballë. Me ndihmën e Jehovait, është e mundur të fitojmë mbi çdo dëshirë të gabuar. Mbaj gjithmonë parasysh se, si njeri i papërsosur, është e pamundur të mos kesh asnjë dëshirë të gabuar. Megjithatë, kur këto dëshira të nxjerrin kokë, flaki tej me vendosmëri, ashtu si Jozefi që iku me të shpejtë nga gruaja e Potifarit. (Zan. 39:12) Ti mund t’u rezistosh dëshirave të papërshtatshme! w23.01 12-13 ¶16-17
E mërkurë, 18 dhjetor
Perëndia nuk është i anshëm.—Rom. 2:11.
Drejtësia është një cilësi e Jehovait. (Ligj. 32:4) Ajo lidhet ngushtë me paanshmërinë, dhe Jehovai është i paanshëm. (Vep. 10:34, 35) Një dëshmi e paanshmërisë së tij janë gjuhët në të cilat u shkrua Bibla. Jehovai premtoi se në kohën e fundit «njohuria e vërtetë» që përmban Bibla do të bëhej «e bollshme», pra shumë veta do ta kuptonin. (Dan. 12:4) Një mënyrë si është bërë e bollshme kjo njohuri është nëpërmjet përkthimit, botimit dhe shpërndarjes së Biblës e literaturës të bazuar tek ajo. Adhuruesit e Jehovait e kanë përkthyer deri më sot Fjalën e Perëndisë, të plotë ose pjesërisht, në mbi 240 gjuhë, dhe çdokush ka mundësi të marrë falas një Bibël. Si rezultat, njerëz nga të gjitha kombet po e dëgjojnë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’ para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Perëndia i drejtësisë dëshiron t’u japë sa më shumë njerëzve mundësinë që ta njohin duke lexuar Fjalën e tij. Pse e bën këtë? Nga dashuria e thellë që ka për çdo njeri. w23.02 5 ¶11-12
E enjte, 19 dhjetor
Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote, por transformohuni duke përtërirë mendjen.—Rom. 12:2.
A e do drejtësinë? Patjetër që po. Por të gjithë jemi të papërsosur dhe, po nuk bëmë kujdes, mund të ndikohemi kollaj nga pikëpamja e botës për drejtësinë. (Isa. 5:20) Shumë njerëz që e mbajnë veten për të drejtë janë krenarë, kritikues dhe u duket vetja më të mirë se të tjerët. Por Perëndisë nuk i pëlqejnë fare këto tipare. Kur ishte në tokë, Jezui i kritikoi ashpër krerët fetarë ngaqë vendosnin standardin e vet për drejtësinë. (Ekl. 7:16; Luka 16:15) Kush bën atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, nuk e sheh kurrë veten më lart se të tjerët. Drejtësia është një cilësi e bukur. Me pak fjalë do të thotë të bësh atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë Jehova. Në Bibël, fjalët që përdoren për «drejtësinë» nënkuptojnë të jetosh në përputhje me standardet më të larta—standardet e Jehovait. w22.08 27 ¶3-5
E premte, 20 dhjetor
Ju kam quajtur miq.—Gjoni 15:15.
Jezui kishte besim te dishepujt e tij, edhe pse bënin gabime. (Gjoni 15:16) Kur Jakovi dhe Gjoni i kërkuan pozita të veçanta në Mbretëri, Jezui nuk dyshoi për motivet pse po i shërbenin Jehovait dhe as ua hoqi privilegjin si apostuj të tij. (Mar. 10:35-40) Më vonë, të gjithë dishepujt e braktisën Jezuin natën e arrestimit. (Mat. 26:56) Gjithsesi, Jezui nuk e humbi kurrë besimin te ta. Ndonëse i njihte mirë të metat e tyre, «i deshi ata deri në fund». (Gjoni 13:1) Madje pasi u ringjall, Jezui u ngarkoi 11 apostujve besnikë një përgjegjësi me peshë: të merrnin drejtimin në veprën e bërjes së dishepujve dhe të kujdeseshin për delet e tij të dashura. (Mat. 28:19, 20; Gjoni 21:15-17) Besimi i tij tek ata njerëz të papërsosur nuk doli i kotë. Të gjithë i shërbyen me besnikëri deri në fund të jetës së tyre në tokë. Kështu, Jezui na la një shembull të shkëlqyer që të kemi besim te njerëzit, ndonëse të papërsosur. w22.09 6 ¶12
E shtunë, 21 dhjetor
Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë.—Psal. 118:6.
Kur jemi të bindur se Jehovai na do dhe se është përherë në krahun tonë, përpjekjet e Satanait për të na frikësuar do të shkojnë kot. Për shembull, shkrimtari i Psalmit 118 u gjend në disa situata goxha stresuese. Ai kishte shumë armiq, e disa madje ishin njerëz me pushtet (vargjet 9, 10). Hera-herës ishte nën një presion të tmerrshëm (vargu 13). Veç kësaj kishte marrë disiplinë të fortë nga Jehovai (vargu 18). Prapëseprapë, psalmistit i dolën nga zemra këto fjalë: «Nuk do të kem frikë.» Ai e dinte mirë se, ndonëse e kishte disiplinuar, Ati i tij qiellor e donte. Gjithashtu ishte i bindur se çfarëdolloj problemi të haste, Perëndia i tij i dashur do të ishte gjithmonë gati ta ndihmonte. (Psal. 118:29) Duhet të jemi të bindur se Jehovai na do si individë. Kjo bindje do të na ndihmojë të mposhtim frikën që mund të ndiejmë për një nga këto arsye: (1) frika se mos nuk i sigurojmë dot familjes gjërat e nevojshme, (2) frika nga njeriu dhe (3) frika e vdekjes. w22.06 15 ¶3-4
E diel, 22 dhjetor
Lum kush tregon qëndrueshmëri kur has sprova, sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës.—Jak. 1:12.
Duhet të sigurohemi që adhurimi i Jehovait të zërë vendin e parë në jetën tonë. Si Krijuesi ynë, Jehovai e meriton plotësisht ta adhurojmë. (Zbul. 4:11; 14:6, 7) Prandaj gjëja më e rëndësishme në jetën tonë duhet të jetë ta adhurojmë në mënyrën që miraton ai, «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23, 24) Kur e adhurojmë, duam të na udhëheqë fryma e tij e shenjtë, që adhurimi ynë të jetë në harmoni me të vërtetat e Fjalës e tij. Adhurimi i Jehovait duhet të zërë vendin e parë në jetën tonë edhe nëse jetojmë në një vend ku vepra është e kufizuar ose e ndaluar. Sot, mbi 100 vëllezër e motra janë në burg vetëm ngaqë janë Dëshmitarë të Jehovait. Prapëseprapë, ata shfrytëzojnë me gëzim çdo mundësi që të luten, të studiojnë e t’u flasin të tjerëve për Perëndinë dhe Mbretërinë e tij. Kur na fyejnë ose na përndjekin, jemi të sigurt se Jehovai është përkrah nesh dhe se do të na shpërblejë, e kjo na bën të lumtur.—1 Pjet. 4:14. w22.10 9 ¶13
E hënë, 23 dhjetor
Mençuria është mbrojtje.—Ekl. 7:12.
Gjithë libri i Proverbave është plot me këshilla nga Jehovai që vlejnë për çdo kohë dhe që na e përmirësojnë jetën kur i zbatojmë. Shqyrto vetëm dy nga këto këshilla të mençura. Së pari, ji i kënaqur me ato që ke. Proverbat 23:4, 5 jep këtë këshillë: «Mos u robto për të fituar pasuri. . . . Pasuria . . . merr krahë si të shqiponjës dhe fluturon drejt qiejve.» Prapëseprapë, sot edhe të pasurit, edhe të varfrit janë të fiksuar si e si të fitojnë para. Nga kjo shpesh bëjnë gjëra që u dëmtojnë reputacionin, marrëdhëniet me të tjerët, e madje dhe shëndetin. (Prov. 28:20; 1 Tim. 6:9, 10) Së dyti, mendo para se të flasësh. Po të mos bëjmë kujdes, mund të shkaktojmë dëm të madh me fjalët tona. Proverbat 12:18 thotë: «Fjalët e pamenduara janë si goditje shpate, por gjuha e të mençurve sjell shërim.» Kur nuk bëjmë thashetheme për të metat e të tjerëve, ruajmë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.—Prov. 20:19. w22.10 21 ¶14; 22 ¶16-17
E martë, 24 dhjetor
Haje këtë rrotull dhe shko t’i flasësh shtëpisë së Izraelit.—Ezek. 3:1.
Ezekieli duhej ta përvetësonte plotësisht mesazhin që do të predikonte. Ai mesazh duhej të bëhej pjesë e tij, pra duhej të depërtonte në skutat më të thella të qenies së tij. Kur e bëri këtë, ndodhi diçka e papritur. Ezekieli pa që rrotulla «ishte e ëmbël si mjalti». (Ezek. 3:3) Pse iu duk e ëmbël? Sepse për Ezekielin ishte një kënaqësi—një ndjenjë «e ëmbël» mjaltë—të kishte nderin të përfaqësonte Jehovain. (Psal. 19:8-11) Ndihej mirënjohës që Jehovai e kishte miratuar dhe e kishte zgjedhur si profetin e tij. Më vonë, Jehovai i tha: «Pranoji me gjithë zemër e vërua veshin të gjitha fjalëve të mia.» (Ezek. 3:10) Pra, Jehovai e udhëzoi Ezekielin ta fiksonte në kujtesë atë që shkruhej në rrotull dhe ta bluante në mendje. Kur e bëri këtë, fjalët e rrotullës i ushqyen besimin. Veç kësaj, ato ishin një mesazh i fuqishëm që duhej t’ia çonte popullit. (Ezek. 3:11) Me mesazhin e Perëndisë në zemër e në gojë, Ezekieli ishte gati të niste caktimin e tij dhe ta çonte gjer në fund. w22.11 6 ¶12-14
E mërkurë, 25 dhjetor
Të bindesh është më mirë se flijimi.—1 Sam. 15:22.
Çfarë mund të bësh nëse ndryshimet në organizatë ta sprovojnë besimin? Mbështet plotësisht çdo ndryshim në organizatë. Gjatë udhëtimit në shkretëtirë, kehathitët mbartnin arkën e besëlidhjes para gjithë popullit. (Num. 3:29, 31; 10:33; Jos. 3:2-4) Çfarë privilegji! Mirëpo, kur izraelitët u vendosën në Tokën e Premtuar, situata ndryshoi. Nuk kishte më nevojë që Arka të lëvizej rregullisht. Kështu, kehathitëve iu caktuan detyra të tjera. (1 Kron. 6:31-33; 26:1, 24) Shkrimet nuk tregojnë se kehathitët u ankuan ose kërkuan ndonjë rol më të rëndësishëm, meqë kishin pasur një caktim special. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i tyre? Mbështet me gjithë zemër çdo ndryshim që bën organizata e Jehovait, duke përfshirë edhe ato që ndikojnë te caktimi yt. Gjej gëzim në çfarëdo caktimi që të jepet. Mos harro se caktimi nuk pasqyron vlerën tënde si person. Jehovai çmon bindjen tënde shumë më tepër se çfarëdo caktimi që ke. w22.11 23 ¶10-11
E enjte, 26 dhjetor
Nuk i ka ardhur turp për vargonjtë e mi.—2 Tim. 1:16.
Onesifori bëri çmos ta gjente apostullin Pjetër, dhe pastaj kërkoi mënyra praktike si ta mbështeste, duke vënë në rrezik edhe jetën. Mësimi për ne? S’duhet të lejojmë që frika nga njeriu të na trembë ose të na pengojë t’i mbështetim vëllezërit që përndiqen. Përkundrazi, duam t’i mbrojmë e t’u bëhemi krah. (Prov. 17:17) Ata kanë nevojë për dashurinë dhe për mbështetjen tonë. Të mendojmë si u bëhen krah vëllezërit e motrat në Rusi bashkëbesimtarëve të dashur që burgosen. Kur disa i çojnë para gjyqit, shumë vëllezër e motra shkojnë në gjykatë për t’i mbështetur. Mësimi për ne? Kur vëllezërit përgjegjës i njollosin me shpifje, i arrestojnë ose i përndjekin, mos u tremb. Lutu për ta, kujdesu për pjesëtarët e familjes së tyre dhe kërko mënyra të tjera praktike si t’i mbështetësh.—Vep. 12:5; 2 Kor. 1:10, 11. w22.11 17 ¶11-12
E premte, 27 dhjetor
Për mua ata kanë qenë burim i madh ngushëllimi.—Kolos. 4:11.
Pleqtë kanë përgjegjësinë t’i mbështetin emocionalisht dhe t’i inkurajojnë nga Shkrimet vëllezërit e motrat. (1 Pjet. 5:2) Kur ndodh një katastrofë, së pari duhet të sigurohen që çdo vëlla a motër është mirë dhe ka ushqim, veshje e një vend ku të strehohet. Ama, të mbijetuarit ka shumë gjasa të kenë nevojë për mbështetje emocionale dhe inkurajim nga Shkrimet për muaj të tërë pas katastrofës. (Gjoni 21:15) Haroldi, që shërben në një Komitet Dege dhe që ka takuar shumë vëllezër e motra të prekur nga katastrofat, thotë: «Mund t’u duhet kohë që të marrin veten. Jeta mund t’i kthehet disi normalitetit, por humbja e një njeriu të dashur a e diçkaje të çmuar ose një situatë ku panë vdekjen me sy mund t’u sjellin herë pas here kujtime të dhimbshme. Për shkak të këtyre kujtimeve mund ta përjetojnë nga e para hidhërimin dhe ankthin. Kjo nuk tregon se s’kanë besim; janë ndjenja normale njerëzore.» Pleqtë e marrin seriozisht këshillën: «Qani me ata që qajnë.»—Rom. 12:15. w22.12 22 ¶1; 24-25 ¶10-11
E shtunë, 28 dhjetor
Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të kënaqni asnjë dëshirë mëkatare.—Gal. 5:16.
Që të na ndihmojë ta fitojmë luftën për të bërë atë që është e drejtë, Jehovai na jep me bujari frymën e tij të shenjtë. Kur studiojmë Fjalën e Perëndisë, lejojmë që fryma e tij të ndikojë te ne. Frymën e shenjtë e marrim edhe kur ndjekim mbledhjet. Në mbledhje mund të shoqërohemi me vëllezër e motra që, njësoj si ne, përpiqen fort të bëjnë atë që është e drejtë, e kjo është inkurajuese. (Hebr. 10:24, 25; 13:7) Gjithashtu kur i lutemi me zjarr Jehovait dhe i përgjërohemi të na ndihmojë të luftojmë një dobësi, ai do të na japë frymën e shenjtë që të na përtërijë forcat për ta vazhduar luftën. Ndoshta të gjitha këto gjëra nuk do t’i zhdukin tak-fak dëshirat e gabuara, ama do të na ndihmojnë t’i rezistojmë impulsit për t’i plotësuar këto dëshira. Përveçse të kemi një program që na ndihmon të ruajmë miqësinë e ngushtë me Jehovain, është jetësore t’i përmbahemi këtij programi dhe të vazhdojmë të zhvillojmë dëshira të përshtatshme. w23.01 11 ¶13-14
E diel, 29 dhjetor
S’do të lejoj asgjë të më ketë nën kontroll.—1 Kor. 6:12.
Ndonëse nuk është një manual për shëndetin ose për mënyrën si të ushqehemi, Bibla zbulon pikëpamjen e Jehovait në këto aspekte. Për shembull, ai na nxit ‘ta mbrojmë trupin nga gjërat e dëmshme’. (Ekl. 11:10) Grykësia dhe dehja janë dy gjëra që mund të na kushtojnë jetën dhe që Bibla i dënon. (Prov. 23:20) Jehovai pret të tregojmë vetëkontroll kur zgjedhim çfarë dhe sa të hamë e të pimë. (1 Kor. 9:25) Mund ta tregojmë çmueshmërinë e thellë për dhuratën e jetës duke vënë në punë aftësinë për të menduar kur marrim vendime për shëndetin. (Psal. 119:99, 100; Prov. 2:11) Për shembull, mendojmë me kujdes kur zgjedhim çfarë do të hamë. Nëse një ushqim i caktuar na pëlqen por e dimë se na bën dëm, tregohemi të mençur duke vendosur të mos e hamë. Tregojmë mençuri edhe kur përpiqemi të flemë gjumë mjaftueshëm, të bëjmë ushtrime rregullisht, të kemi zakone të mira për higjienën personale dhe ta mbajmë shtëpinë të pastër. w23.02 21 ¶6-7
E hënë, 30 dhjetor
Ç’ke kuptuar nga ajo që ke lexuar?—Luka 10:26.
Si mund të gjesh margaritarë kur lexon Biblën? Mendo pak për 2 Timoteut 3:16, 17. Aty thuhet se «i gjithë Shkrimi është . . . i dobishëm» (1) për të mësuar, (2) për të korrigjuar, (3) për të ndrequr dhe (4) për të disiplinuar. Që të katra këto dobi mund t’i nxjerrësh edhe nga libra të Biblës që nuk i përdor shpesh. Analizoje një fragment për të parë çfarë të mëson për Jehovain, për qëllimin e tij ose për parimet hyjnore. Shqyrto si mund të jenë të dobishme për të korrigjuar ato vargje. Këtë mund ta bësh duke medituar si të ndihmojnë të dallosh e të çrrënjosësh prirje ose qëndrime të gabuara dhe t’i qëndrosh besnik Jehovait. Mendo si mund të përdoret ai fragment për t’i vënë gjërat në vijë, pra për të ndrequr një pikëpamje të gabuar, mbase ndonjë ide që e dëgjove në shërbim. Gjithashtu përpiqu të dallosh si mund të të disiplinojnë ato vargje duke të stërvitur të mendosh ashtu si Jehovai. Nëse i mban parasysh këto katër dobi, ke për të gjetur margaritarë që do të ta pasurojnë leximin e Biblës. w23.02 11 ¶11
E martë, 31 dhjetor
Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.—Dan. 7:14.
Një profeci në librin e Danielit parathoshte se Jezui do të fillonte të qeveriste si Mbret në fund të një periudhe profetike prej shtatë kohësh. A është e mundur ta dimë kur ndodhi ajo ngjarje e gëzueshme? (Dan. 4:10-17) ‘Shtatë kohët’ paraqesin një periudhë prej 2.520 vjetësh. Ajo periudhë filloi në vitin 607 p.e.s. kur babilonasit hoqën mbretin e fundit që ulej në fronin e Jehovait në Jerusalem. ‘Shtatë kohët’ përfunduan në vitin 1914 të e.s. kur Jehovai vuri në fron si Mbret të Mbretërisë së Tij Jezuin, atë «që ka të drejtën ligjore». (Ezek. 21:25-27) Si mund të nxjerrim dobi nga kjo profeci? Kur e kuptojmë profecinë për ‘shtatë kohët’, na forcohet siguria se Jehovai i plotëson premtimet e tij fiks në kohën e caktuar. Ashtu siç përcaktoi me saktësi kohën kur do të fillonte të qeveriste Mbretëria e tij, Jehovai do të sigurohet që edhe të gjitha profecitë e tjera të plotësohen fiks në kohën që ka vendosur. Po, dita e Jehovait «nuk do të vonojë»!—Hab. 2:3. w22.07 3 ¶3-5