E hënë, 13 tetor
Jehovai sheh në zemër.—1 Sam. 16:7.
Nëse nganjëherë luftojmë me ndjenjat e pavlefshmërisë, të mos harrojmë se na ka tërhequr vetë Jehovai. (Gjoni 6:44) Ai sheh cilësitë e mira që ndoshta nuk i shohim te vetja dhe na e njeh zemrën. (2 Kron. 6:30) Prandaj mund t’i besojmë kur na thotë se jemi të çmuar për të. (1 Gjon. 3:19, 20) Para se të njihnin të vërtetën, disa prej nesh kanë bërë gjëra për të cilat ndoshta i mundojnë ende ndjenja faji. (1 Pjet. 4:3) Edhe vëllezër e motra besnikë luftojnë me prirje mëkatare. Po ty, a të dënon zemra? Nëse po, mund të të ngushëllojë fakti se edhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait kanë luftuar me ndjenja të ngjashme. Për shembull, apostulli Pavël ndihej i mjerë kur mendonte për papërsosmëritë e tij. (Rom. 7:24) Patjetër që Pavli ishte penduar për mëkatet e tij dhe ishte pagëzuar. Prapëseprapë, ai e quajti veten «më i vogli i apostujve» dhe «më famëkeqi» ndër mëkatarët.—1 Kor. 15:9; 1 Tim. 1:15. w24.03 27 ¶5-6
E martë, 14 tetor
Ata e braktisën shtëpinë e Jehovait.—2 Kron. 24:18.
Një mësim që mund të nxjerrim nga vendimi i keq i mbretit Jehoas është se kemi nevojë të zgjedhim miq që do të kenë influencë të mirë tek ne—miq që e duan Jehovain dhe që duan t’ia gëzojnë zemrën. S’ka pse të kufizohemi te miqtë e moshës sonë. Mos harro, Jehoasi ishte shumë më i ri se miku i tij Jehojada. Bëji këto pyetje vetes për sa u përket miqve që zgjedh: «A më ndihmojnë të forcoj besimin te Jehovai? A më inkurajojnë të jetoj sipas normave të Perëndisë? A flasin për Jehovain dhe të vërtetat e çmuara që na ka zbuluar? A tregojnë respekt për normat e Perëndisë? A më thonë thjesht atë që dua të dëgjoj, apo kanë guxim të më korrigjojnë kur e kam gabim?» (Prov. 27:5, 6, 17) Të flasim hapur, nëse miqtë e tu nuk e duan Jehovain, nuk ke nevojë për ta. Por nëse ke miq që e duan Jehovain, mos u nda prej tyre, sepse do të kenë ndikim të mirë te ti.—Prov. 13:20. w23.09 9 ¶6-7
E mërkurë, 15 tetor
Unë jam Alfa dhe Omega.—Zbul. 1:8.
Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse omega është shkronja e fundit. Duke thënë se është «Alfa dhe Omega», Jehovai thekson se kur e nis diçka, e përfundon me sukses. Pasi krijoi Adamin dhe Evën, Jehovai u tha: «Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën e zotërojeni.» (Zan. 1:28) Në atë moment ishte sikur Jehovai tha «Alfa». Ai shprehu qartë qëllimin e tij: do të vinte dita kur pasardhësit e përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës, do ta mbushnin tokën dhe do ta bënin parajsë. Kur të vijë ajo ditë, do të jetë sikur Jehovai të thotë «Omega». Pasi përfundoi krijimin e ‘qiejve, tokës dhe gjithçkaje në to’, Jehovai dha një garanci. Ai garantoi se në fund të ditës së shtatë do ta kishte përmbushur plotësisht qëllimin e tij për njerëzit dhe tokën.—Zan. 2:1-3. w23.11 5 ¶13-14