E martë, 14 tetor
Ata e braktisën shtëpinë e Jehovait.—2 Kron. 24:18.
Një mësim që mund të nxjerrim nga vendimi i keq i mbretit Jehoas është se kemi nevojë të zgjedhim miq që do të kenë influencë të mirë tek ne—miq që e duan Jehovain dhe që duan t’ia gëzojnë zemrën. S’ka pse të kufizohemi te miqtë e moshës sonë. Mos harro, Jehoasi ishte shumë më i ri se miku i tij Jehojada. Bëji këto pyetje vetes për sa u përket miqve që zgjedh: «A më ndihmojnë të forcoj besimin te Jehovai? A më inkurajojnë të jetoj sipas normave të Perëndisë? A flasin për Jehovain dhe të vërtetat e çmuara që na ka zbuluar? A tregojnë respekt për normat e Perëndisë? A më thonë thjesht atë që dua të dëgjoj, apo kanë guxim të më korrigjojnë kur e kam gabim?» (Prov. 27:5, 6, 17) Të flasim hapur, nëse miqtë e tu nuk e duan Jehovain, nuk ke nevojë për ta. Por nëse ke miq që e duan Jehovain, mos u nda prej tyre, sepse do të kenë ndikim të mirë te ti.—Prov. 13:20. w23.09 9 ¶6-7
E mërkurë, 15 tetor
Unë jam Alfa dhe Omega.—Zbul. 1:8.
Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse omega është shkronja e fundit. Duke thënë se është «Alfa dhe Omega», Jehovai thekson se kur e nis diçka, e përfundon me sukses. Pasi krijoi Adamin dhe Evën, Jehovai u tha: «Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën e zotërojeni.» (Zan. 1:28) Në atë moment ishte sikur Jehovai tha «Alfa». Ai shprehu qartë qëllimin e tij: do të vinte dita kur pasardhësit e përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës, do ta mbushnin tokën dhe do ta bënin parajsë. Kur të vijë ajo ditë, do të jetë sikur Jehovai të thotë «Omega». Pasi përfundoi krijimin e ‘qiejve, tokës dhe gjithçkaje në to’, Jehovai dha një garanci. Ai garantoi se në fund të ditës së shtatë do ta kishte përmbushur plotësisht qëllimin e tij për njerëzit dhe tokën.—Zan. 2:1-3. w23.11 5 ¶13-14
E enjte, 16 tetor
Përgatitni udhën për Jehovain. Bëni për Perëndinë tonë një rrugë të drejtë përmes shkretëtirës.—Isa. 40:3.
Udhëtimi i vështirë nga Babilonia në Izrael mund të zgjaste rreth katër muaj, por Jehovai premtoi se do të hiqej çdo pengesë nga rruga e kthimit. Për judenjtë besnikë, dobitë e kthimit në Izrael tejkalonin çdo sakrificë që do të bënin. Bekimi më i madh lidhej me adhurimin e Jehovait. Në Babiloni nuk kishte asnjë tempull të Jehovait. E nuk kishte asnjë altar ku izraelitët të bënin flijimet që kërkonte Ligji i Moisiut, as priftëri të organizuar që t’i paraqiste ato flijime. Veç kësaj, adhuruesit e Jehovait ishin shumë pak krahasuar me banorët paganë, të cilët nuk kishin fare respekt për Jehovain ose për standardet e tij. Ndaj dhjetëra mijë judenj me nderim të thellë për Perëndinë, mezi pritnin të ktheheshin në atdhe ku mund të rivendosnin adhurimin e pastër. w23.05 14-15 ¶3-4