E premte, 17 tetor
Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës.—Efes. 5:8.
Kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë që të vazhdojmë të sillemi «si fëmijë të dritës». Pse? Sepse është një sfidë e vërtetë të qëndrosh i pastër në këtë botë imorale. (1 Sel. 4:3-5, 7, 8) Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë ta luftojmë mentalitetin e botës, ku përfshihen filozofi e pikëpamje që bien ndesh me mënyrën si mendon Perëndia. Veç kësaj, fryma e shenjtë na ndihmon të zhvillojmë ‘çdo lloj mirësie dhe drejtësie’. (Efes. 5:9) Një mënyrë si e marrim frymën e shenjtë është duke u lutur për të. Jezui tha se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Frymën e shenjtë e marrim edhe kur e lëvdojmë Jehovain në mbledhje. (Efes. 5:19, 20) Falë ndikimit të mirë që ushtron te ne fryma e shenjtë, mund të bëjmë një jetë që e kënaq Perëndinë. w24.03 23-24 ¶13-15
E shtunë, 18 tetor
Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.—Luka 11:9.
A ke nevojë për më shumë durim? Nëse po, lutu për këtë. Durimi është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) Ndaj mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymë të shenjtë dhe të na ndihmojë të zhvillojmë frytin e saj. Kur hasim një situatë që na sprovon durimin, ‘vazhdojmë t’i kërkojmë’ Jehovait frymë të shenjtë për të na ndihmuar të jemi të duruar. (Luka 11:13) Gjithashtu mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij. E pasi lutemi, duhet të bëjmë çmos të jemi të duruar çdo ditë. Sa më shumë të lutemi për durim dhe të përpiqemi të jemi të duruar, aq më shumë do të zërë rrënjë te ne kjo cilësi dhe do të na bëhet pjesë e personalitetit. Gjithashtu, është e dobishme të meditojmë për shembuj nga Bibla. Bibla flet për shumë njerëz të duruar. Duke medituar për historinë e tyre, mund të dallojmë mënyra si të tregojmë durim. w23.08 22-23 ¶10-11
E diel, 19 tetor
Hidhini atje rrjetat që të zini peshk.—Luka 5:4.
Jezui e siguroi apostullin Pjetër se Jehovai do ta mbështeste. Me anë të një mrekullie, Jezui i ringjallur bëri që Pjetri dhe apostujt e tjerë të kapnin përsëri shumë peshq. (Gjoni 21:4-6) Pa diskutim, ajo mrekulli ia forcoi besimin Pjetrit se për Jehovain ishte fare e lehtë t’i siguronte gjërat e nevojshme materiale. Ndoshta në atë rast, apostullit iu kujtuan fjalët e Jezuit se Jehovai u siguron gjërat e nevojshme atyre që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë’. (Mat. 6:33) E gjithë kjo e ndihmoi Pjetrin t’i jepte përparësi në jetë shërbimit, jo biznesit të peshkimit. Plot guxim, ai dha dëshmi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s., duke ndihmuar mijëra veta të pranonin lajmin e mirë. (Vep. 2:14, 37-41) Më vonë, ndihmoi samaritanët dhe jojudenjtë të bëheshin dishepuj të Krishtit. (Vep. 8:14-17; 10:44-48) Pa dyshim, Jehovai e përdori Pjetrin për një vepër madhështore—që të ndihmonte njerëz të çdo lloji të bëheshin pjesë e kongregacionit. w23.09 20 ¶1; 23 ¶11