E diel, 26 tetor
Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep mirësi të pamerituar të përulurve.—Jak. 4:6.
Në Bibël përmenden plot gra të shkëlqyera që e donin Jehovain dhe i shërbenin. Ato ishin «të matura në gjithçka» dhe «besnike në gjithçka». (1 Tim. 3:11) Përveç shembullit të tyre, motrat mund të kenë edhe në kongregacion gra të pjekura që janë shembull i denjë për t’u imituar. Ti motër e re, a njeh motra të pjekura që janë shembull i mirë? Vër re cilësitë e tyre tërheqëse; pastaj mendo si mund t’i shfaqësh edhe ti ato cilësi. Një aspekt i rëndësishëm i pjekurisë së krishterë është përulësia. Kur është e përulur, një grua gëzon marrëdhënie të mirë me Jehovain e me të tjerët. Për shembull, një grua që e do Jehovain zgjedh me përulësi të përkrahë parimin e kryesisë që ka vendosur Ati i saj qiellor. (1 Kor. 11:3) Ky parim zbatohet në mënyra specifike në kongregacion dhe në familje. w23.12 18-19 ¶3-5
E hënë, 27 tetor
Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre.—Efes. 5:28.
Jehovai pret që bashkëshorti ta dojë gruan dhe të kujdeset që ajo të jetë mirë fizikisht, emocionalisht e në besim. Të zhvillosh aftësinë për të menduar mirë, të kesh respekt për gratë dhe të jesh i besueshëm—do të të përgatitin për rolin si bashkëshort. Pas martesës, mund të bëhesh baba. Si mund të të ndihmojë shembulli i Jehovait që të jesh një baba i mirë? (Efes. 6:4) Jehovai nuk ngurronte t’ia thoshte të Birit, Jezuit, se e donte dhe e miratonte. (Mat. 3:17) Nëse bëhesh baba, siguroji vazhdimisht fëmijët se i do. Lavdëroji shpesh për gjërat e mira që bëjnë. Baballarët që imitojnë shembullin e Jehovait, i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëhen të krishterë të pjekur. Si mund të përgatitesh që tani për këtë rol? Kujdesu me dashuri për pjesëtarët e familjes e të kongregacionit. Gjithashtu bëje shprehi t’ua thuash sa shumë i do dhe i çmon.—Gjoni 15:9. w23.12 28-29 ¶17-18
E martë, 28 tetor
[Jehovai] i jep siguri jetës sate.—Isa. 33:6.
Si shërbëtorë besnikë të Jehovait, luftojmë me probleme e sëmundje si gjithë njerëzit. Veç kësaj, ndoshta përballemi me kundërshtime ose përndjekje nga ata që e urrejnë popullin e Perëndisë. Vërtet, Jehovai nuk na mbron nga vështirësi të tilla, ama na premton se do të na ndihmojë. (Isa. 41:10) Me ndihmën e tij mund të ruajmë gëzimin, të marrim vendime të mençura dhe të qëndrojmë besnikë edhe në situatat më të rënda. Jehovai premton të na japë atë që Bibla e quan «paqja e Perëndisë». (Filip. 4:6, 7) Kjo paqe është një qetësi në mendje e në zemër që buron nga marrëdhënia e çmuar me Jehovain. Ajo «tejkalon çdo mendim»; është më e mrekullueshme nga ç’mund të imagjinojmë. A të ka ndodhur që pasi iu lute me zjarr Jehovait, ndjeve një paqe aq të thellë sa u habite edhe vetë? Kjo është «paqja e Perëndisë». w24.01 20 ¶2; 21 ¶4