E premte, 3 tetor
Duke mos kërkuar vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.—Filip. 2:4.
Nën frymëzim, apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të kërkonin të mirën e të tjerëve. Si mund ta zbatojmë këtë këshillë gjatë mbledhjeve? Duke mbajtur parasysh se, ashtu si ne, edhe të tjerët duan të marrin pjesë në mbledhje. Mendoje kështu: gjatë një bisede me miqtë, a do flisje aq shumë sa të mos u lije radhë fare? Patjetër që jo! Dëshiron që ata të marrin pjesë në bisedë. Po njësoj, në mbledhje duam që sa më shumë veta të kenë shansin të komentojnë. Në fakt, një nga mënyrat më të mira për t’i inkurajuar vëllezërit e motrat është t’u japim mundësi të shprehin besimin e tyre. (1 Kor. 10:24) Ndaj, të japim komente të shkurtra, e kështu të lëmë kohë që të komentojnë më shumë veta. Edhe kur bën një koment të shkurtër, mos fol për shumë pika. Nëse përmend çdo pikë të paragrafit, të tjerët nuk do të kenë për çfarë të komentojnë. w23.04 22-23 ¶11-13
E shtunë, 4 tetor
Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që t’ua jap edhe të tjerëve këtë lajm.—1 Kor. 9:23.
Duhet të mbajmë parasysh sa e rëndësishme është të vazhdojmë të ndihmojmë të tjerët, sidomos nëpërmjet shërbimit tonë. Në shërbim duhet të jemi elastikë. Takojmë njerëz që kanë gjithfarë bindjesh e pikëpamjesh dhe që vijnë nga lloj-lloj vendesh a kulturash. Apostulli Pavël dinte të përshtatej. Ne mund të mësojmë nga shembulli i tij. Jezui e caktoi Pavlin të shërbente si «apostull i kombeve». (Rom. 11:13) Në atë rol, Pavli u predikoi judenjve, grekëve, intelektualëve, fshatarëve të thjeshtë, funksionarëve të lartë dhe mbretërve. Për t’u prekur zemrën gjithë atyre dëgjuesve aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, Pavli u bë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Kor. 9:19-22) Ai i kushtonte vëmendje kulturës, prejardhjes dhe bindjeve të dëgjuesve të tij. Kështu mund të tregohej elastik e të fliste me çdo njeri në një mënyrë që do ta ndihmonte të afrohej me Perëndinë. Edhe ne mund të jemi më të efektshëm në shërbim, nëse tregohemi elastikë dhe mendjeshkathët, duke menduar cila mund të jetë mënyra më e mirë për të ndihmuar çdo njeri. w23.07 23 ¶11-12
E diel, 5 tetor
Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.—2 Tim. 2:24.
Butësia është një pikë e fortë, jo një dobësi. Duhet forcë e brendshme për të ruajtur qetësinë në një situatë të vështirë. Butësia është një aspekt i ‘frytit të frymës’. (Gal. 5:22, 23) Një formë e fjalës greke e përkthyer «butësi» përdorej edhe për të përshkruar një kalë të egër që ishte zbutur. Përfytyro pak një kalë të tillë që është i zbutur, por njëkohësisht i fuqishëm. Po ne si mund ta zhvillojmë butësinë, e në të njëjtën kohë të jemi të fortë? Kjo nuk arrihet thjesht nga forca e vullnetit. Kemi nevojë t’i lutemi Perëndisë të na japë frymën e tij e të na ndihmojë ta zhvillojmë këtë cilësi të bukur. Kemi plot shembuj që tregojnë se mund të mësojmë të jemi të butë. Për shembull, shumë vëllezër e motra kanë reaguar me butësi përballë provokimeve, e kështu kanë lënë përshtypje të mira për shërbëtorët e Jehovait.—2 Tim. 2:24, 25. w23.09 14 ¶3