E hënë, 6 tetor
U luta, e Jehovai ma plotësoi kërkesën që i bëra.—1 Sam. 1:27.
Apostulli Gjon pa në një vegim mahnitës 24 pleq në qiell që adhuronin Jehovain. Ata e lëvdonin Perëndinë duke pranuar se është i denjë të marrë «lavdinë, nderimin dhe fuqinë». (Zbul. 4:10, 11) Edhe engjëjt besnikë kanë arsye të panumërta që ta lëvdojnë e ta nderojnë Jehovain. Ata janë me të në qiell dhe kanë pasur mundësi ta njohin mirë. Engjëjt shohin si shpalosen cilësitë e Jehovait te gjërat që bën. E ndërsa shohin veprat e tij, zemra i nxit ta lëvdojnë. (Jobi 38:4-7) Edhe ne duam ta lëvdojmë Jehovain në lutje, duke i thënë cilat cilësi të tij na mbushin me dashuri ose çfarë admirojmë tek ai. Ndërsa lexon dhe studion Biblën, përpiqu të veçosh ato cilësi të Jehovait që janë më tërheqëse për ty. (Jobi 37:23; Rom. 11:33) Pastaj thuaja Jehovait si ndihesh për to. Mund ta lëvdojmë Jehovain edhe për ndihmën që na jep ne vetë dhe gjithë vëllezërve e motrave.—1 Sam. 2:1, 2. w23.05 3-4 ¶6-7
E martë, 7 tetor
Ecni denjësisht për Jehovain.—Kolos. 1:10.
Në vitin 1919, populli i Perëndisë u lirua nga pushteti i Babilonisë së Madhe. Po atë vit u emërua «skllavi besnik dhe i mençur», tamam në kohë për të mirëpritur në ‘Udhën e Shenjtërisë’ udhëtarët e parë—njerëz që ishin në kërkim të së vërtetës. (Mat. 24:45-47; Isa. 35:8) Falë përpjekjeve të punëtorëve besnikë të së kaluarës, ata që nisnin udhëtimin mund të mësonin më shumë për qëllimet e Jehovait. (Prov. 4:18) Gjithashtu mund të mësonin të jetonin në harmoni me kërkesat e Jehovait. Jehovai nuk ka pritur që populli i tij t’i bënte njëherësh të gjitha ndryshimet e nevojshme, por e ka rafinuar dalëngadalë ndër vite. Sa të lumtur do të ndihemi kur të jemi në gjendje t’ia gëzojmë zemrën Perëndisë tonë me gjithçka që bëjmë! Çdo rrugë ka nevojë të mirëmbahet rregullisht. Që nga viti 1919, ka nisur mirëmbajtja në ‘Udhën e Shenjtërisë’, që sa më shumë njerëz të kenë mundësi të dalin nga Babilonia e Madhe. w23.05 17 ¶15; 19 ¶16
E mërkurë, 8 tetor
Kurrsesi nuk do të të lë.—Hebr. 13:5.
Trupi Udhëheqës i ka stërvitur personalisht ndihmësit e komiteteve të ndryshme të Trupit Udhëheqës. Që sot, këta vëllezër po mbajnë mbi supe me besnikëri shumë përgjegjësi. Ata janë më se të përgatitur që të vazhdojnë të kujdesen për delet e Krishtit. Pasi të mirosurit e fundit të ngjiten në qiell, aty nga fundi i shtrëngimit të madh, adhurimi i pastër në tokë s’ka për t’u zhdukur kurrë. Falë drejtimit të Jezu Krishtit, shërbëtorët e Jehovait në tokë do të vazhdojnë ta adhurojnë me besnikëri Jehovain. Vërtet, në atë kohë do të jemi shënjestra e Gogut të Magogut, një koalicion kombesh armiqësor. (Ezek. 38:18-20) Por ky sulm i shkurtër do të dështojë; nuk ka për ta penguar popullin e Perëndisë që ta adhurojë Jehovain. S’ka fije dyshimi që Ai do të na shpëtojë! Në një vegim, apostulli Gjon pa ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera të Krishtit. Ai mori vesh se kjo ‘shumicë e madhe’ kishte dalë «nga shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Po, populli i Jehovait do të jetë i mbrojtur! w24.02 5-6 ¶13-14