E shtunë, 1 nëntor
Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.—Mat. 21:16.
Nëse je prind, ndihmoji fëmijët të përgatitin komente të përshtatshme për moshën e tyre. Ndonjëherë në mbledhje diskutohen tema serioze, si problemet martesore ose çështjet morale, por prapë mund të ketë një a dy paragrafë ku mund të komentojnë fëmijët. Gjithashtu ndihmoji fëmijët të kuptojnë pse ka shumë mundësi të mos ua japin fjalën sa herë që ngrenë dorën. Ky shpjegim mund t’i ndihmojë të mos zhgënjehen kur zgjidhen të tjerë të komentojnë. (1 Tim. 6:18) Të gjithë mund të përgatitim komente besimforcuese që nderojnë Jehovain dhe u japin zemër bashkëbesimtarëve. (Prov. 25:11) Edhe pse ndonjëherë mund të tregojmë shkurtimisht diçka nga përvoja jonë, duhet të frenohemi që të mos flasim tepër për veten. (Prov. 27:2; 2 Kor. 10:18) Në vend të kësaj, të bëjmë çmos ta drejtojmë vëmendjen te Jehovai, te Fjala e tij dhe te populli i tij.—Zbul. 4:11. w23.04 24-25 ¶17-18
E diel, 2 nëntor
Le të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.—1 Sel. 5:6.
Dashuria është jetësore që të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin. (Mat. 22:37-39) Dashuria për Perëndinë na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në veprën e predikimit pavarësisht nga problemet që mund të hasim. (2 Tim. 1:7, 8) Gjithashtu, nga dashuria për ata që nuk janë shërbëtorë të Jehovait, vazhdojmë të predikojmë ose edhe të japim dëshmi me telefon e me letra. Nuk i humbim shpresat se një ditë njerëzit do të ndryshojnë dhe do të fillojnë të bëjnë atë që është e drejtë. (Ezek. 18:27, 28) Të duam të tjerët përfshin edhe të duam vëllezërit e motrat. E tregojmë këtë dashuri ‘duke i dhënë zemër njëri-tjetrit e duke e forcuar’. (1 Sel. 5:11) Ashtu siç bëjnë ushtarët kur luftojnë krah për krah, ne i japim zemër njëri-tjetrit. Ne nuk do t’i lëndonim kurrë me dashje vëllezërit e motrat, e as do ta kthenim të keqen me të keqe. (1 Sel. 5:13, 15) Tregojmë dashuri edhe duke respektuar vëllezërit që drejtojnë në kongregacion.—1 Sel. 5:12. w23.06 9 ¶6; 11 ¶10-11
E hënë, 3 nëntor
Mos vallë [Jehovai] e thotë diçka dhe nuk e bën?!—Num. 23:19.
Një mënyrë si ta forcojmë besimin është duke menduar thellë për shpërblesën. Shpërblesa është një garanci se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Kur i bluajmë mirë në mendje arsyet pse u sigurua shpërblesa dhe sa shumë sakrifikoi Jehovai, na forcohet besimi se premtimi i Perëndisë për të jetuar pa fund në një botë më të mirë do të plotësohet pa fije dyshimi. Pse ndodh kështu? Po ja, mendo pak çfarë sakrifikoi Jehovai për të siguruar shpërblesën. Ai dërgoi nga qielli Birin e shtrenjtë të parëlindur, mikun më të ngushtë, që të lindte si njeri i përsosur. Kur ishte në tokë, Jezui duroi lloj-lloj vështirësish, e në fund pati një vdekje të dhimbshme. Çfarë çmimi të lartë pagoi Jehovai! Perëndia ynë i dashur nuk do të lejonte kurrë që Biri i tij të vuante e të vdiste thjesht që të kishim një jetë më të mirë, por fare të shkurtër. (Gjoni 3:16; 1 Pjet. 1:18, 19) Përderisa pagoi një çmim kaq të lartë, Jehovai do të sigurohet që jeta pa fund në botën e re të bëhet realitet. w23.04 27 ¶8-9