E mërkurë, 24 shtator
Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.—Filip. 3:16.
Herë pas here do të dëgjosh histori të vëllezërve e të motrave që vendosën ta zgjeronin shërbimin. Ndoshta ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë ose u transferuan ku kishte më tepër nevojë. Nëse ke mundësi ta vësh edhe ti këtë synim, mos ngurro aspak. Adhuruesit e Jehovait duan me gjithë zemër ta zgjerojnë shërbimin. (Vep. 16:9) Po nëse tani për tani e ke të pamundur ta bësh këtë? Mos mendo se ke më pak vlerë nga ata që e kanë këtë mundësi. Gara jonë është një garë qëndrueshmërie. (Mat. 10:22) Mos harro sa e çmuar është për Jehovain çdo gjë që arrin të bësh sipas aftësive dhe rrethanave të tua. Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ta ndjekësh vazhdimisht Jezuin pas pagëzimit.—Psal. 26:1. w24.03 10 ¶11
E enjte, 25 shtator
Me zemërmirësi, ai na i fali të gjitha shkeljet.—Kolos. 2:13.
Ati ynë qiellor na ka premtuar se do të na falë në qoftë se pendohemi. (Psal. 86:5) Prandaj, nëse na vjen vërtet keq për gabimet tona, mund t’i besojmë premtimit të tij se na ka falur. Të mos harrojmë se Jehovai nuk është i ngurtë ose i paarsyeshëm. Ai nuk pret asnjëherë nga ne më tepër se ç’mundemi. Jehovai çmon çdo gjë që bëjmë për të, për sa kohë që është më e mira jonë. Gjithashtu, të mendojmë për personazhe nga Bibla që i shërbyen me gjithë shpirt Jehovait. Për shembull, apostulli Pavël i shërbeu me zell Jehovait për vite të tëra. Ai udhëtoi mijëra kilometra e formoi shumë kongregacione. Megjithatë, mos vallë e humbi miratimin e Perëndisë kur rrethanat e pengonin të bënte aq sa më parë në veprën e predikimit? Aspak. Pavli vazhdoi të bënte atë që mundej, dhe Jehovai e bekoi. (Vep. 28:30, 31) Edhe ajo që mund t’i japim ne Jehovait ka të ngjarë të ndryshojë. Megjithatë, gjëja që ka vërtet rëndësi për të është motivi pse i shërbejmë. w24.03 27 ¶7, 9
E premte, 26 shtator
Herët në mëngjes, . . . [Jezui] shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.—Mar. 1:35.
Me lutjet që i bëri Jehovait, Jezui u la një shembull dishepujve të tij. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, ai lutej shpesh. Jezuit i duhej të rezervonte kohë për t’u lutur, ngaqë shpesh ishte i zënë dhe kishte shumë njerëz përreth. (Mar. 6:31, 45, 46) Ai ngrihej herët në mëngjes, që të kishte mundësi të ishte vetëm për t’u lutur. E të paktën në një rast, u lut gjithë natën para se të merrte një vendim të rëndësishëm. (Luka 6:12, 13) Veç kësaj, Jezui u lut pareshtur natën para se të vdiste, ndërsa ishte i përqendruar plotësisht te përmbushja e pjesës më të vështirë të caktimit të tij në tokë. (Mat. 26:39, 42, 44) Shembulli i Jezuit na mëson se, sado të ngarkuar qofshim, duhet të lëmë kohë për t’u lutur. Ashtu si Jezui, mund të na duhet të rezervojmë kohë për lutjet, ndoshta duke u ngritur herët në mëngjes ose duke fjetur pak më vonë në darkë. Kështu i tregojmë Jehovait mirënjohjen për këtë dhuratë speciale. w23.05 3 ¶4-5