E enjte, 25 shtator
Me zemërmirësi, ai na i fali të gjitha shkeljet.—Kolos. 2:13.
Ati ynë qiellor na ka premtuar se do të na falë në qoftë se pendohemi. (Psal. 86:5) Prandaj, nëse na vjen vërtet keq për gabimet tona, mund t’i besojmë premtimit të tij se na ka falur. Të mos harrojmë se Jehovai nuk është i ngurtë ose i paarsyeshëm. Ai nuk pret asnjëherë nga ne më tepër se ç’mundemi. Jehovai çmon çdo gjë që bëjmë për të, për sa kohë që është më e mira jonë. Gjithashtu, të mendojmë për personazhe nga Bibla që i shërbyen me gjithë shpirt Jehovait. Për shembull, apostulli Pavël i shërbeu me zell Jehovait për vite të tëra. Ai udhëtoi mijëra kilometra e formoi shumë kongregacione. Megjithatë, mos vallë e humbi miratimin e Perëndisë kur rrethanat e pengonin të bënte aq sa më parë në veprën e predikimit? Aspak. Pavli vazhdoi të bënte atë që mundej, dhe Jehovai e bekoi. (Vep. 28:30, 31) Edhe ajo që mund t’i japim ne Jehovait ka të ngjarë të ndryshojë. Megjithatë, gjëja që ka vërtet rëndësi për të është motivi pse i shërbejmë. w24.03 27 ¶7, 9
E premte, 26 shtator
Herët në mëngjes, . . . [Jezui] shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.—Mar. 1:35.
Me lutjet që i bëri Jehovait, Jezui u la një shembull dishepujve të tij. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, ai lutej shpesh. Jezuit i duhej të rezervonte kohë për t’u lutur, ngaqë shpesh ishte i zënë dhe kishte shumë njerëz përreth. (Mar. 6:31, 45, 46) Ai ngrihej herët në mëngjes, që të kishte mundësi të ishte vetëm për t’u lutur. E të paktën në një rast, u lut gjithë natën para se të merrte një vendim të rëndësishëm. (Luka 6:12, 13) Veç kësaj, Jezui u lut pareshtur natën para se të vdiste, ndërsa ishte i përqendruar plotësisht te përmbushja e pjesës më të vështirë të caktimit të tij në tokë. (Mat. 26:39, 42, 44) Shembulli i Jezuit na mëson se, sado të ngarkuar qofshim, duhet të lëmë kohë për t’u lutur. Ashtu si Jezui, mund të na duhet të rezervojmë kohë për lutjet, ndoshta duke u ngritur herët në mëngjes ose duke fjetur pak më vonë në darkë. Kështu i tregojmë Jehovait mirënjohjen për këtë dhuratë speciale. w23.05 3 ¶4-5
E shtunë, 27 shtator
Fryma e shenjtë që na u dha, i ka mbushur zemrat tona me dashurinë e Perëndisë.—Rom. 5:5.
Vër re fjalën «mbush» që përdoret në vargun më sipër. Sipas një vepre referimi, ajo përcjell idenë se dashuria e tij «vërshon si lumë». Çfarë fjale e fuqishme për të nxjerrë në pah sa e madhe është dashuria e Jehovait për të mirosurit! Të mirosurit e dinë se janë «të dashur për Perëndinë». (Jud. 1) Apostulli Gjon i shprehu ndjenjat e tyre me këto fjalë: «Shihni sa e madhe është dashuria e Atit për ne, i cili na lejon të quhemi fëmijë të Perëndisë.» (1 Gjon. 3:1) A kufizohet dashuria e Jehovait vetëm te të mirosurit? Jo. Jehovai ka treguar qartë se e do shumë secilin prej nesh. Cila është shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait? Shpërblesa—akti më i pashembullt i dashurisë në mbarë universin.—Gjoni 3:16; Rom. 5:8. w24.01 28 ¶9-10