E diel, 28 shtator
Ditën që do të të thërras për ndihmë, armiqtë e mi do t’ia mbathin. Për këtë jam i sigurt: Perëndia është me mua.—Psal. 56:9.
Vargu më sipër zbulon një mënyrë si e mposhti frikën Davidi: edhe pse e kishte jetën në fije të perit, ai bluante në mendje ç’do të bënte për të Jehovai. Davidi ishte i sigurt se Jehovai do ta çlironte në kohën e duhur. Fundja, vetë Jehovai kishte thënë se Davidi do të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit. (1 Sam. 16:1, 13) E Davidi s’kishte pikë dyshimi që nëse Jehovai premtonte diçka, ishte punë e mbaruar. Po për ty, çfarë ka premtuar se do të bëjë Jehovai? Nuk presim që ai të na mbrojë nga çdo problem. Ama, çfarëdo problemesh të përballosh në këtë sistem, Jehovai do t’i zhdukë të gjitha në botën e re. (Isa. 25:7-9) Pa dyshim që Krijuesi ynë ka aq fuqi sa të kthejë në jetë të vdekurit, të na shërojë dhe të eliminojë të gjithë armiqtë.—1 Gjon. 4:4. w24.01 6 ¶12-13
E hënë, 29 shtator
Lum kujt i janë falur fajet dhe i janë mbuluar mëkatet!—Psal. 32:1.
Reflekto për kushtimin dhe pagëzimin tënd. Këta hapa i hodhe ngaqë doje të merrje anën e Jehovait. Kujto pak çfarë të bindi se kishe gjetur të vërtetën. Njohe dalëngadalë Jehovain dhe t’u thellua respekti e dashuria për të si Ati yt qiellor. Besimi t’u bë gjithnjë e më i fortë dhe zemra të nxiti të pendoheshe. Kështu i le pas krahëve praktikat e gabuara dhe nise të jetoje në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Sa i lehtësuar u ndjeve kur kuptove se Perëndia të kishte falur! (Psal. 32:2) Fillove të ndiqje mbledhjet e t’ua tregoje edhe të tjerëve gjërat e mrekullueshme që kishe mësuar. Si shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Perëndisë, tani po ecën në rrugën e jetës, i vendosur të mos largohesh kurrë prej saj. (Mat. 7:13, 14) Qëndrofsh i paepur, duke pasur dashuri të patundur për Jehovain dhe duke iu bindur pa u lëkundur urdhërimeve të tij! w23.07 17 ¶14; 19 ¶19
E martë, 30 shtator
Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.—1 Kor. 10:13.
Reflektimi për lutjen e kushtimit që i ke bërë Jehovait do të të japë forcë t’i rezistosh çdo tundimi. Për shembull, a do të filloje të flirtoje me burrin a gruan e dikujt tjetër? Kurrsesi! Tashmë i ke premtuar Jehovait se nuk do ta bësh kurrë një gjë të tillë. Kështu do t’i kursesh vetes përpjekjet e mundimshme për të mposhtur dëshirat e papërshtatshme pasi të kenë hedhur rrënjë. ‘Do të qëndrosh larg’ nga ‘shtegu i të ligjve’. (Prov. 4:14, 15) Medito për shembullin e Jezuit që ishte i vendosur ta kënaqte Atin e tij. Kjo do të të motivojë t’i thuash «jo» në çast e me vendosmëri çdo gjëje që e di se ia hidhëron zemrën Perëndisë që i je kushtuar. (Mat. 4:10; Gjoni 8:29) Në të vërtetë sprovat e tundimet të japin mundësinë të tregosh se je i vendosur ‘të ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin. Ndërsa vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do të të bëhet krah. w24.03 9-10 ¶8-10