E hënë, 29 shtator
Lum kujt i janë falur fajet dhe i janë mbuluar mëkatet!—Psal. 32:1.
Reflekto për kushtimin dhe pagëzimin tënd. Këta hapa i hodhe ngaqë doje të merrje anën e Jehovait. Kujto pak çfarë të bindi se kishe gjetur të vërtetën. Njohe dalëngadalë Jehovain dhe t’u thellua respekti e dashuria për të si Ati yt qiellor. Besimi t’u bë gjithnjë e më i fortë dhe zemra të nxiti të pendoheshe. Kështu i le pas krahëve praktikat e gabuara dhe nise të jetoje në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Sa i lehtësuar u ndjeve kur kuptove se Perëndia të kishte falur! (Psal. 32:2) Fillove të ndiqje mbledhjet e t’ua tregoje edhe të tjerëve gjërat e mrekullueshme që kishe mësuar. Si shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Perëndisë, tani po ecën në rrugën e jetës, i vendosur të mos largohesh kurrë prej saj. (Mat. 7:13, 14) Qëndrofsh i paepur, duke pasur dashuri të patundur për Jehovain dhe duke iu bindur pa u lëkundur urdhërimeve të tij! w23.07 17 ¶14; 19 ¶19
E martë, 30 shtator
Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.—1 Kor. 10:13.
Reflektimi për lutjen e kushtimit që i ke bërë Jehovait do të të japë forcë t’i rezistosh çdo tundimi. Për shembull, a do të filloje të flirtoje me burrin a gruan e dikujt tjetër? Kurrsesi! Tashmë i ke premtuar Jehovait se nuk do ta bësh kurrë një gjë të tillë. Kështu do t’i kursesh vetes përpjekjet e mundimshme për të mposhtur dëshirat e papërshtatshme pasi të kenë hedhur rrënjë. ‘Do të qëndrosh larg’ nga ‘shtegu i të ligjve’. (Prov. 4:14, 15) Medito për shembullin e Jezuit që ishte i vendosur ta kënaqte Atin e tij. Kjo do të të motivojë t’i thuash «jo» në çast e me vendosmëri çdo gjëje që e di se ia hidhëron zemrën Perëndisë që i je kushtuar. (Mat. 4:10; Gjoni 8:29) Në të vërtetë sprovat e tundimet të japin mundësinë të tregosh se je i vendosur ‘të ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin. Ndërsa vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do të të bëhet krah. w24.03 9-10 ¶8-10
E mërkurë, 1 tetor
Mençuria nga lart është . . . e gatshme të bindet.—Jak. 3:17.
A e ke të vështirë ndonjëherë të bindesh? Mbreti David e kishte të vështirë hera-herës, prandaj iu lut Perëndisë: «Ngjall brenda meje dëshirën që të të bindem!» (Psal. 51:12) Davidi e donte Jehovain. Prapëseprapë nuk e kishte gjithnjë të lehtë të bindej, e po njësoj ndodh edhe me ne. Pse? Së pari, sepse kemi trashëguar prirjen për të qenë të pabindur. Së dyti, sepse Satanai na nxit pareshtur të rebelohemi, siç u rebelua vetë. (2 Kor. 11:3) Së treti, sepse mbizotëron kudo qëndrimi rebel i kësaj bote, ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (Efes. 2:2) Na duhet të luftojmë me të gjitha forcat që t’i rezistojmë prirjes sonë për të mëkatuar dhe presionit nga Djalli e nga bota për të mos iu bindur Jehovait. Pra, duhet të përpiqemi fort që t’i bindemi Jehovait dhe atyre që u ka dhënë autoritet. w23.10 6 ¶1