E martë, 30 shtator
Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.—1 Kor. 10:13.
Reflektimi për lutjen e kushtimit që i ke bërë Jehovait do të të japë forcë t’i rezistosh çdo tundimi. Për shembull, a do të filloje të flirtoje me burrin a gruan e dikujt tjetër? Kurrsesi! Tashmë i ke premtuar Jehovait se nuk do ta bësh kurrë një gjë të tillë. Kështu do t’i kursesh vetes përpjekjet e mundimshme për të mposhtur dëshirat e papërshtatshme pasi të kenë hedhur rrënjë. ‘Do të qëndrosh larg’ nga ‘shtegu i të ligjve’. (Prov. 4:14, 15) Medito për shembullin e Jezuit që ishte i vendosur ta kënaqte Atin e tij. Kjo do të të motivojë t’i thuash «jo» në çast e me vendosmëri çdo gjëje që e di se ia hidhëron zemrën Perëndisë që i je kushtuar. (Mat. 4:10; Gjoni 8:29) Në të vërtetë sprovat e tundimet të japin mundësinë të tregosh se je i vendosur ‘të ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin. Ndërsa vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do të të bëhet krah. w24.03 9-10 ¶8-10
E mërkurë, 1 tetor
Mençuria nga lart është . . . e gatshme të bindet.—Jak. 3:17.
A e ke të vështirë ndonjëherë të bindesh? Mbreti David e kishte të vështirë hera-herës, prandaj iu lut Perëndisë: «Ngjall brenda meje dëshirën që të të bindem!» (Psal. 51:12) Davidi e donte Jehovain. Prapëseprapë nuk e kishte gjithnjë të lehtë të bindej, e po njësoj ndodh edhe me ne. Pse? Së pari, sepse kemi trashëguar prirjen për të qenë të pabindur. Së dyti, sepse Satanai na nxit pareshtur të rebelohemi, siç u rebelua vetë. (2 Kor. 11:3) Së treti, sepse mbizotëron kudo qëndrimi rebel i kësaj bote, ‘fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. (Efes. 2:2) Na duhet të luftojmë me të gjitha forcat që t’i rezistojmë prirjes sonë për të mëkatuar dhe presionit nga Djalli e nga bota për të mos iu bindur Jehovait. Pra, duhet të përpiqemi fort që t’i bindemi Jehovait dhe atyre që u ka dhënë autoritet. w23.10 6 ¶1
E enjte, 2 tetor
Ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.—Gjoni 2:10.
Ç’mund të mësojmë nga kjo mrekulli e Jezuit, kthimi i ujit në verë? Mësojmë si të tregojmë përulësi. Jezui nuk u mburr për atë mrekulli; në fakt, ai nuk mburrej kurrë për arritjet e tij. Përkundrazi, me përulësi e vazhdimisht ia jepte gjithë lavdinë dhe meritat Atit të tij. (Gjoni 5:19, 30; 8:28) Nëse imitojmë Jezuin duke mbajtur një pikëpamje të përulur për veten, nuk do të mburremi për arritjet tona. Të mos mburremi për veten, por për Perëndinë e mrekullueshëm që kemi privilegjin t’i shërbejmë. (Jer. 9:23, 24) Le t’i japim Jehovait meritën që i takon. Në fund të fundit, çfarë të mirash do të arrinim të bënim pa ndihmën e Tij?! (1 Kor. 1:26-31) Kur jemi të përulur, nuk e ndiejmë të nevojshme të marrim meritat për të mirat që u bëjmë të tjerëve. Jemi të kënaqur me faktin që Jehovai e sheh dhe e vlerëson atë që bëjmë. (Krahaso Mateun 6:2-4; Hebr. 13:16) S’ka dyshim se ia gëzojmë zemrën Jehovait kur imitojmë Jezuin dhe tregojmë përulësi.—1 Pjet. 5:6. w23.04 4 ¶9; 5 ¶11-12