E enjte, 16 tetor
Përgatitni udhën për Jehovain. Bëni për Perëndinë tonë një rrugë të drejtë përmes shkretëtirës.—Isa. 40:3.
Udhëtimi i vështirë nga Babilonia në Izrael mund të zgjaste rreth katër muaj, por Jehovai premtoi se do të hiqej çdo pengesë nga rruga e kthimit. Për judenjtë besnikë, dobitë e kthimit në Izrael tejkalonin çdo sakrificë që do të bënin. Bekimi më i madh lidhej me adhurimin e Jehovait. Në Babiloni nuk kishte asnjë tempull të Jehovait. E nuk kishte asnjë altar ku izraelitët të bënin flijimet që kërkonte Ligji i Moisiut, as priftëri të organizuar që t’i paraqiste ato flijime. Veç kësaj, adhuruesit e Jehovait ishin shumë pak krahasuar me banorët paganë, të cilët nuk kishin fare respekt për Jehovain ose për standardet e tij. Ndaj dhjetëra mijë judenj me nderim të thellë për Perëndinë, mezi pritnin të ktheheshin në atdhe ku mund të rivendosnin adhurimin e pastër. w23.05 14-15 ¶3-4
E premte, 17 tetor
Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës.—Efes. 5:8.
Kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë që të vazhdojmë të sillemi «si fëmijë të dritës». Pse? Sepse është një sfidë e vërtetë të qëndrosh i pastër në këtë botë imorale. (1 Sel. 4:3-5, 7, 8) Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë ta luftojmë mentalitetin e botës, ku përfshihen filozofi e pikëpamje që bien ndesh me mënyrën si mendon Perëndia. Veç kësaj, fryma e shenjtë na ndihmon të zhvillojmë ‘çdo lloj mirësie dhe drejtësie’. (Efes. 5:9) Një mënyrë si e marrim frymën e shenjtë është duke u lutur për të. Jezui tha se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Frymën e shenjtë e marrim edhe kur e lëvdojmë Jehovain në mbledhje. (Efes. 5:19, 20) Falë ndikimit të mirë që ushtron te ne fryma e shenjtë, mund të bëjmë një jetë që e kënaq Perëndinë. w24.03 23-24 ¶13-15
E shtunë, 18 tetor
Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.—Luka 11:9.
A ke nevojë për më shumë durim? Nëse po, lutu për këtë. Durimi është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) Ndaj mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymë të shenjtë dhe të na ndihmojë të zhvillojmë frytin e saj. Kur hasim një situatë që na sprovon durimin, ‘vazhdojmë t’i kërkojmë’ Jehovait frymë të shenjtë për të na ndihmuar të jemi të duruar. (Luka 11:13) Gjithashtu mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij. E pasi lutemi, duhet të bëjmë çmos të jemi të duruar çdo ditë. Sa më shumë të lutemi për durim dhe të përpiqemi të jemi të duruar, aq më shumë do të zërë rrënjë te ne kjo cilësi dhe do të na bëhet pjesë e personalitetit. Gjithashtu, është e dobishme të meditojmë për shembuj nga Bibla. Bibla flet për shumë njerëz të duruar. Duke medituar për historinë e tyre, mund të dallojmë mënyra si të tregojmë durim. w23.08 22-23 ¶10-11