BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqipe e shenjave
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es24
  • Korrik

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Korrik
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
  • Nëntema
  • E hënë, 1 korrik
  • E martë, 2 korrik
  • E mërkurë, 3 korrik
  • E enjte, 4 korrik
  • E premte, 5 korrik
  • E shtunë, 6 korrik
  • E diel, 7 korrik
  • E hënë, 8 korrik
  • E martë, 9 korrik
  • E mërkurë, 10 korrik
  • E enjte, 11 korrik
  • E premte, 12 korrik
  • E shtunë, 13 korrik
  • E diel, 14 korrik
  • E hënë, 15 korrik
  • E martë, 16 korrik
  • E mërkurë, 17 korrik
  • E enjte, 18 korrik
  • E premte, 19 korrik
  • E shtunë, 20 korrik
  • E diel, 21 korrik
  • E hënë, 22 korrik
  • E martë, 23 korrik
  • E mërkurë, 24 korrik
  • E enjte, 25 korrik
  • E premte, 26 korrik
  • E shtunë, 27 korrik
  • E diel, 28 korrik
  • E hënë, 29 korrik
  • E martë, 30 korrik
  • E mërkurë, 31 korrik
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2024
es24

Korrik

E hënë, 1 korrik

Bëhu shembull për besnikët në të folur.—1 Tim. 4:12.

Aftësia për të folur është një dhuratë nga Perëndia ynë i dashur. Megjithatë, dhurata e të folurit nisi të keqpërdorej. Satana Djalli gënjeu Evën, e ajo gënjeshtër çoi drejt mëkatit dhe papërsosmërisë njerëzore. (Zan. 3:1-4) Adami e keqpërdori dhuratën e të folurit kur ia hodhi fajin Evës—e madje edhe Jehovait—për gabimet e veta. (Zan. 3:12) Kaini gënjeu Jehovain pasi vrau të vëllanë, Abelin. (Zan. 4:9) Sot, zor se gjen një film që të mos ketë ca fjalë të pista. Nxënësit dëgjojnë fjalë të ndyra në shkollë dhe të rriturit bombardohen me fjalë të tilla në punë. Po të mos bëjmë kujdes, mund të na mësohet kaq shumë veshi me këtë të folur, sa të fillojmë të flasim edhe vetë ashtu. Patjetër, si shërbëtorë të Jehovait, ne duam ta kënaqim Perëndinë tonë, e kjo nuk përfshin vetëm të mos përdorim fjalë të ndyra. Duam edhe ta përdorim për mirë dhuratën e mrekullueshme të të folurit—për t’i dhënë lavdi Perëndisë tonë. w22.04 4 ¶1-3

E martë, 2 korrik

Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.—Mat. 6:24.

Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. Ai kënaqej me ushqimet dhe pijet e mira. (Luka 19:2, 6, 7) Në një rast, Jezui bëri verë të cilësisë më të lartë, e kjo ishte mrekullia e tij të parë. (Gjoni 2:10, 11) Veç kësaj, ditën kur vdiq, kishte veshur një rrobë të shtrenjtë. (Gjoni 19:23, 24) Por Jezui nuk lejoi që gjërat materiale të bëheshin boshti i jetës së tij. Jezui mësoi se po të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë, Jehovai do të sigurohet të kemi çdo gjë të nevojshme. (Mat. 6:31-33) Plot veta kanë nxjerrë dobi kur kanë zbatuar këshillat e mençura të Jehovait për paratë. Të shohim shembullin e një vëllai beqar që quhet Daniel. Ai thotë: «Kur isha adoleshent, vendosa që shërbimi i Jehovait do të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën time.» Ngaqë ka mbajtur një jetë të thjeshtë, Danieli ka mundur t’i përdorë kohën dhe aftësitë e tij në shumë projekte teokratike. Ai shton: «Asnjë shumë parash nuk mund të barazohet me bekimet që më ka derdhur Jehovai.» w22.05 21-22 ¶6-7

E mërkurë, 3 korrik

[Jehovai] ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.—1 Pjet. 2:9.

Tregojmë se e duam të vërtetën duke studiuar rregullisht Biblën dhe botimet që bazohen në të. Tekefundit do të kemi gjithmonë gjëra të reja për të mësuar, pavarësisht sa kohë kemi në të vërtetën. Studimi kërkon shumë mund, ama ia vlen çdo përpjekje. Edhe pse jo të gjithë vdesim të lexojmë e të studiojmë, Jehovai na fton ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ dhe ‘të rrëmojmë’ për ta kuptuar më qartë të vërtetën. (Prov. 2:4-6) Këto lloj përpjekjesh sjellin gjithmonë shpërblime. Ndërsa flet për leximin personal të Biblës, një vëlla që quhet Kori thotë se çdo herë përqendrohet në një varg të ndryshëm. Ai shpjegon: «Lexoj çdo shënim, shoh çdo referim dhe bëj kërkime të tjera. . . . Me këtë metodë, përfitoj jashtë mase nga leximi.» Pavarësisht nga metoda që përdorim, tregojmë vlerësim për të vërtetën e Biblës kur lëmë kohë dhe përpiqemi fort për ta studiuar.—Psal. 1:1-3. w22.08 17 ¶13; 18 ¶15-16

E enjte, 4 korrik

Unë isha përkrah tij si një kryemjeshtër. Ditë pas dite isha kënaqësia e tij më e madhe, dhe unë gëzohesha në prani të tij gjithë kohës.—Prov. 8:30.

Kur ishte në tokë, Jezui e përdori krijimin që t’u mësonte dishepujve për Atin e tij. Të shohim një nga mësimet që u dha. Jehovai tregon dashuri për çdo njeri. Në Predikimin në Mal, Jezui ua drejtoi vëmendjen dishepujve te dy aspekte të krijimit që shumë njerëz i shohin si gjëra të zakonshme: dielli dhe shiu. Të dyja këto janë të domosdoshme për jetën. Jehovai mund të kishte vendosur të mos ua jepte këto të mira njerëzve që nuk e meritonin. Në vend të kësaj, ai u dhuron me dashuri të gjithëve diell dhe shi. (Mat. 5:43-45) Jezui e përdori këtë fakt që t’u mësonte dishepujve se Jehovai dëshiron t’i tregojë dashuri çdo njeriu. Sa herë shohim një perëndim magjepsës ose një shi që përtërin natyrën, pse të mos meditojmë për dashurinë e paanshme të Jehovait? Shembulli i tij mund të na frymëzojë të tregojmë të njëjtën dashuri duke i predikuar çdo njeriu. w23.03 17 ¶9-10

E premte, 5 korrik

U çudita shumë.—Zbul. 17:6.

Çfarë e çuditi apostullin Gjon? Një grua që rrinte ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur. Gruaja përshkruhet si një ‘prostitutë e madhe’ dhe quhet «Babilonia e Madhe». Ajo kryen «imoralitet seksual» me «mbretërit e tokës». (Zbul. 17:1-5) Çfarë paraqet «Babilonia e Madhe»? Kjo grua nuk mund të paraqesë një organizatë politike, përderisa thuhet se kryen imoralitet me udhëheqësit politikë të botës. (Zbul. 18:9) Në fakt, ajo qëndron ulur mbi këta qeveritarë, çka tregon se bën çmos t’i ketë nën kontroll. Kjo grua nuk mund të paraqesë as elementët tregtarë lakmitarë të botës së Satanait. Zbulesa përdor një shprehje tjetër për ta dhe i quan «tregtarët e tokës». (Zbul. 18:11, 15, 16) Babilonia e lashtë ishte qendër e adhurimit të rremë. Babilonia e Madhe, pra, duhet të paraqesë të gjitha format e adhurimit të rremë. Në fakt, ajo është perandoria botërore e fesë së rreme.—Zbul. 17:5, 18. w22.05 11 ¶14-16

E shtunë, 6 korrik

Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë ndonjë.—1 Pjet. 5:8.

Është normale që me raste një nënë të pyesë veten nëse fëmijët do të zgjedhin t’i shërbejnë Jehovait. Tekefundit, prindërit e dinë mirë ç’presion ushtron bota e Satanait te fëmijët e tyre. Veç kësaj, shumë nëna po i rritin fëmijët të vetme ose me një bashkëshort që nuk adhuron Jehovain. Vështirësi të tilla nuk i hasin vetëm ato që s’e kanë bashkëshortin Dëshmitar. Edhe kur të dy prindërit janë në të vërtetën, mund të jetë sfidë për ta t’u prekin zemrën fëmijëve që t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri. Cilatdo qofshin rrethanat, mos u merakos së tepërmi. Jehovai do të të ndihmojë! Pse të mos pyesësh prindër me përvojë se si i përdorin mjetet që janë në dispozicion për adhurimin familjar? (Prov. 11:14) Jehovai mund të të ndihmojë edhe të komunikosh më mirë me fëmijët. Lutju atij që të bësh pyetjet e duhura për të ditur si mendojnë dhe si ndihen.—Prov. 20:5. w22.04 17 ¶4, 7; 18 ¶9

E diel, 7 korrik

Lutem vazhdimisht, që t’ju shtohet gjithnjë e më shumë dashuria nga njohuria e saktë dhe aftësia e plotë dalluese.—Filip. 1:9.

Mund ta thellojmë dashurinë për Jehovain duke njohur më mirë Birin e tij, i cili e pasqyron në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit. (Hebr. 1:3) Mënyra më e mirë për ta njohur Jezuin, është duke studiuar tregimet e katër ungjijve. Nëse nuk e ke bërë zakon të lexosh Biblën çdo ditë, pse të mos fillosh tani? Ndërsa lexon tregimet për Jezuin, kushtoju vëmendje cilësive të tij. Ai ishte i afrueshëm; me dashuri i merrte fëmijët e vegjël në krahë. (Mar. 10:13-16) Dishepujt ndiheshin rehat me të; nuk ngurronin t’i shprehnin atë që mendonin. (Mat. 16:22) Në këtë aspekt, Jezui imitonte Atin e tij qiellor. Edhe Jehovai është i afrueshëm. Ne mund t’i drejtohemi me anë të lutjes. Kur i lutemi, mund t’ia zbrazim zemrën, të sigurt se nuk do të na gjykojë. Ai na do dhe merakoset për ne.—1 Pjet. 5:7. w22.08 3 ¶4-5

E hënë, 8 korrik

Ti, o Jehova, je i mirë dhe mezi pret të falësh.—Psal. 86:5.

Si Krijuesi ynë, Jehovai di gjithçka për ne. Imagjino: ai di çdo hollësi për çdo njeri që jeton në tokë! (Psal. 139:15-17) Pra, ai mund të dallojë të gjitha papërsosmëritë që kemi trashëguar nga prindërit tanë. Veç kësaj, Jehovai di të gjitha përvojat që na kanë brumosur e i kanë dhënë formë personalitetit tonë. Çfarë e shtyn të bëjë kjo njohuri kaq e thellë për ne? E shtyn të na trajtojë me mëshirë. (Psal. 78:39; 103:13, 14) Jehovai ka treguar se do me gjithë shpirt të na falë. Perëndia ynë e di se ajo që bëri njeriu i parë, Adami, na vuri nën mallkimin e mëkatit e të vdekjes. (Rom. 5:12) Për ne ishte e pamundur të çlironim veten a dikë tjetër nga ai mallkim. (Psal. 49:7-9) Megjithatë, Perëndia ynë i dashur tregoi dhembshuri dhe mori masa që të çliroheshim. Siç tregon Gjoni 3:16, Jehovai dërgoi Birin e tij të vetëmlindur që të vdiste për ne.—Mat. 20:28; Rom. 5:19. w22.06 3 ¶5-6

E martë, 9 korrik

Një burrë zemërmirë i bën mirë vetes.—Prov. 11:17.

Jehovai na e bëri të qartë se i fal ata që falin, nëpërmjet shembullit të Jobit. Ai besnik ishte lënduar thellë nga fjalët therëse të tri burrave: Elifazit, Bildadit dhe Zofarit. Jehovai e udhëzoi Jobin të lutej për ta. Pasi e bëri këtë, Jehovai e bekoi. (Jobi 42:8-10) Kur ushqen mëri, dëmton veten. Jehovai dëshiron të provojmë lehtësimin që vjen kur flakim tej barrën e mërisë. (Efes. 4:31, 32) Ai na nxit ‘ta lëmë zemërimin dhe të largohemi nga tërbimi’. (Psal. 37:8) Është gjë e mençur t’ia vëmë veshin kësaj këshille. Kur ushqejmë mëri, kjo mund të na dëmtojë shëndetin fizik dhe mendor. (Prov. 14:30) Ndërkohë ai që na ka lënduar nuk do të dëmtohet aspak nga mëria që ushqejmë në zemër, ashtu siç nuk do të helmohej sikur ne të pinim helm. Prandaj kur falim të tjerët, po i bëjmë një dhuratë vetes. Ndiejmë sërish paqe në mendje e në zemër dhe jemi në gjendje të ecim përpara në shërbim të Jehovait. w22.06 10 ¶9-10

E mërkurë, 10 korrik

Të veshim parzmoren e besimit e të dashurisë dhe shpresën e shpëtimit si helmetë.—1 Sel. 5:8.

Shpresa jonë është si një helmetë që na mbron mendjen dhe na ndihmon të mos jetojmë vetëm për të kënaqur veten, e kështu të mos dëmtojmë marrëdhënien me Jehovain. (1 Kor. 15:33, 34) Helmeta e shpresës mund të na mbrojë edhe nga mendimi se nuk ia vlen as të përpiqemi ta kënaqim Jehovain. Të mos harrojmë se Elifazi, një nga ngushëlluesit e rremë të Jobit, përdori një arsyetim të ngjashëm. Ai i tha Jobit: «Ç’është vdekatari që të jetë i pastër në sytë e Perëndisë?» Pastaj tha për Jehovain: «Perëndia nuk ka besim as te engjëjt e vet, madje as qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij». (Jobi 15:14, 15) Çfarë gënjeshtrash të ulëta! Mos harro se ai që dëshiron të mendosh kështu është Satanai. Ai e di se po të bluash në mendje gjëra të tilla, shpresa jote do të venitet. Prandaj flaki tej gënjeshtra të tilla. Mos dysho kurrë se Jehovai do që ti të jetosh përgjithmonë dhe se do të të ndihmojë ta arrish këtë synim.—1 Tim. 2:3, 4. w22.10 25-26 ¶8-10

E enjte, 11 korrik

Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.—Jobi 2:10.

Satanai donte që Jobi të besonte se po vuante ngaqë kishte humbur miratimin e Jehovait. Për ta arritur këtë, Satanai përdori një erë të furishme që të shembte shtëpinë ku të dhjetë fëmijët e Jobit po shijonin një vakt së bashku. (Jobi 1:18, 19) Gjithashtu bëri të binte nga qielli një zjarr që përpiu jo vetëm kopetë e Jobit, por edhe shërbëtorët që po kujdeseshin për to. (Jobi 1:16) Meqë era dhe zjarri erdhën nga një burim i mbinatyrshëm, Jobi nxori përfundimin se ai Burim duhej të ishte Perëndia Jehova. Si pasojë, mendoi se duhej të kishte bërë ndonjë gjë që e kish zemëruar Jehovain. Prapëseprapë, Jobi nuk pranoi ta mallkonte Atin e tij qiellor. Ai e dinte mirë se gjatë gjithë jetës së tij kishte marrë plot dhurata nga Jehovai. Prandaj arsyetoi se përderisa i kishte pranuar me kënaqësi të mirat, duhej të ishte i gatshëm të pranonte edhe të këqijat. Ai tha: «Qoftë përherë i lëvduar emri i Jehovait!»—Jobi 1:20, 21. w22.06 21 ¶7

E premte, 12 korrik

Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.—Mar. 13:13.

Jezui u dha një paralajmërim të ngjashëm dishepujve të tij, që është dokumentuar te Gjoni 17:14. E kemi parë qartë përmbushjen e kësaj profecie, sidomos gjatë 100 viteve të fundit. Si? Pak pasi Jezui u bë Mbreti mesianik në vitin 1914, Satanai u flak nga qielli. Tani është i kufizuar në afërsi të tokës, në pritje të shkatërrimit. (Zbul. 12:9, 12) Por nuk po pret duarkryq. Satanai është si një egërsirë që s’di nga t’ia mbajë dhe e shfryn tërbimin kundër popullit të Perëndisë. (Zbul. 12:13, 17) Ja pse urrejtja e botës ndaj shërbëtorëve të Perëndisë është shtuar si kurrë më parë. Mirëpo s’ka pse t’i frikësohemi aspak Satanait dhe pasuesve të tij. Përkundrazi, mund të themi plot bindje si apostulli Pavël: «Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?!» (Rom. 8:31) Mund të kemi besim të patundur te Jehovai. w22.07 18 ¶14-15

E shtunë, 13 korrik

Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.—Mat. 24:14.

Jezui s’kishte merak se mos nuk do të kishte mjaft «punëtorë» gjatë përfundimit të sistemit. Ai e dinte se do të përmbusheshin këto fjalë profetike të psalmistit: «Populli yt do të ofrohet vullnetarisht ditën kur t’u prish forcave të tua ushtarake.» (Psal. 110:3) Nëse po merr pjesë në veprën e predikimit, ti po mbështet Jezuin dhe skllavin besnik e po bën pjesën tënde që të përmbushet kjo profeci. Por ndërkohë që vepra ecën para, ka edhe vështirësi. Një vështirësi që hasin lajmëtarët e Mbretërisë janë kundërshtimet. Apostatët, mjaft krerë fetarë e disa politikanë u kanë krijuar shumë vetave përshtypje të gabuar për veprën tonë. Nëse të afërmit tanë, të njohurit dhe shokët e punës janë mashtruar nga kjo propagandë, mund të na bëjnë presion të mos i shërbejmë më Jehovait dhe të mos predikojmë më. Në disa vende, armiqtë tanë i kërcënojnë, i arrestojnë e madje i burgosin vëllezërit e motrat. w22.07 8 ¶1; 9 ¶5-6

E diel, 14 korrik

Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.—Vep. 14:22.

Jehovai pret që të programojmë kohë për të studiuar rregullisht Biblën dhe për të menduar thellë rreth asaj që lexojmë. Kur i zbatojmë gjërat që mësojmë, na forcohet besimi dhe afrohemi më tepër me Atin tonë qiellor. Si rezultat, bëhemi më të fortë për të përballuar sprovat. Veç kësaj, Jehovai u jep frymë të shenjtë atyre që mbështeten te Fjala e tij. Fryma mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të qëndruar të palëkundur në çdo sprovë. (2 Kor. 4:7-10) Me mbështetjen e Jehovait, «skllavi besnik dhe i mençur» na siguron me bollëk artikuj, video dhe muzikë që na ndihmojnë të forcojmë besimin dhe të qëndrojmë vigjilentë. (Mat. 24:45) Jehovai i ka stërvitur shërbëtorët e tij që të tregojnë dashuri dhe të ngushëllojnë njëri-tjetrin në kohë të vështira. (2 Kor. 1:3, 4; 1 Sel. 4:9) Motrat e vëllezërit tanë mezi presin të na ndihmojnë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait kur hasim probleme. w22.08 12 ¶12-14

E hënë, 15 korrik

Bëni çmos të ruani njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes.—Efes. 4:3.

Kur flasim pa ngurruar për cilësitë e bukura të bashkëbesimtarëve, u japim atyre një arsye më shumë që të lidhin miqësi të ngushta me njëri-tjetrin, dhe kjo e forcon lidhjen e dashurisë në kongregacion. Ndonjëherë edhe të krishterët e pjekur mund të kenë mosmarrëveshje a të debatojnë. Kjo i ndodhi apostullit Pavël e mikut të tij të ngushtë, Barnabës. Ata nuk po binin dakord nëse duhej ta merrnin Markun në udhëtimin tjetër misionar. Mes tyre pati «një shpërthim të madh zemërimi», dhe u ndanë nga njëri-tjetri. (Vep. 15:37-39) Mirëpo Pavli, Barnaba dhe Marku e rregulluan marrëdhënien e tensionuar. Më vonë, Pavli foli mirë për Barnabën dhe Markun. (1 Kor. 9:6; Kolos. 4:10) Edhe ne duhet të zgjidhim çdo mosmarrëveshje me të tjerët në kongregacion dhe të vazhdojmë të përqendrohemi te cilësitë e tyre të mira. Në këtë mënyrë do të nxitim paqen dhe unitetin. w22.08 23 ¶10-11

E martë, 16 korrik

Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.—Mat. 7:1.

Ndërsa përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të Jehovait, nuk duhet të gjykojmë të tjerët dhe ta mbajmë veten për të drejtë. Duhet të mbajmë parasysh se Jehovai është «Gjykatësi i gjithë tokës». (Zan. 18:25) Jehovai nuk na ka caktuar ne të gjykojmë. Shqyrto shembullin e Jozefit, që ishte njeri i drejtë. Ai nuk i gjykoi të tjerët, madje as ata që e trajtuan keq. Vëllezërit e tij e sulmuan, e shitën si skllav dhe i mbushën mendjen babait se Jozefi kishte vdekur. Vite më vonë, Jozefi u bashkua me familjen. Tani, si një udhëheqës i fuqishëm, mund t’i kishte gjykuar ashpër dhe të hakmerrej kundër tyre. Këtë kishin frikë edhe vëllezërit e Jozefit, ndonëse ishin penduar sinqerisht për gabimin e tyre. Por, Jozefi i siguroi me fjalët: «Mos kini frikë. Mos jam Perëndia unë?!» (Zan. 37:18-20, 27, 28, 31-35; 50:15-21) Me përulësi, Jozefi ia la gjykimin atij që i takonte, Jehovait. w22.08 30 ¶18-19

E mërkurë, 17 korrik

Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon kur e ke në dorë ta bësh.—Prov. 3:27.

A e di se Jehovai mund të të përdorë që t’i përgjigjet lutjes së zjarrtë të dikujt? Mund të të përdorë pavarësisht nëse je plak, shërbëtor kongregacioni, pionier a lajmëtar. E mund të të përdorë pavarësisht nëse je i ri a i moshuar, vëlla a motër. Kur dikush që e do Jehovain i përgjërohet për ndihmë, Perëndia ynë shpesh përdor pleqtë ose shërbëtorë të tjerë besnikë që të bëhen «burim i madh ngushëllimi» për të. (Kolos. 4:11) Çfarë privilegji t’i shërbejmë Jehovait dhe vëllezërve tanë në këtë mënyrë! Këtë mund ta bëjmë kur ata vuajnë për shkak të një epidemie, të një katastrofe ose të përndjekjes. Mbase duam t’i ndihmojmë të tjerët, por mund të jetë sfiduese nëse edhe pjesëtarët e familjes sonë po vuajnë. Prapëseprapë, kemi dëshirë t’u bëhemi krah vëllezërve, dhe Jehovait i kënaqet zemra kur bëjmë ç’të mundemi për ta.—Prov. 19:17. w22.12 22 ¶1-2

E enjte, 18 korrik

Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.—Gjoni 15:12.

Dashuria është themeli i besimit te të tjerët. Jezui tha se dy urdhërimet më të mëdha janë të duam Jehovain dhe të duam tjetrin. (Mat. 22:37-39) Dashuria për Jehovain na motivon të imitojmë shembullin e tij të përsosur të besueshmërisë. Dashuria për vëllezërit e motrat na shtyn të mos ua tregojmë të tjerëve çështjet e tyre private. Kurrë nuk duhet të nxjerrim sheshit informacione që mund të dëmtonin, të vinin në siklet ose të lëndonin dikë. Përulësia do të na ndihmojë edhe të jemi të besueshëm. Një Dëshmitar që është i përulur, nuk përpiqet t’u bëjë përshtypje të tjerëve duke qenë i pari që nxjerr një informacion. (Filip. 2:3) Ai nuk e mban veten si tepër të rëndësishëm, duke lënë të kuptohet se di informacione që nuk i lejohet t’ua zbulojë të tjerëve. Përulësia na ndihmon edhe që të mos përhapim pikëpamje personale për çështje që nuk flitet as në Bibël, as në botimet tona. w22.09 12 ¶12-13

E premte, 19 korrik

Njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.—Dan. 12:4.

Një engjëll i tha Danielit se populli i Perëndisë do t’i kuptonte akoma më mirë profecitë e librit të tij, por ‘asnjë i lig nuk do të kuptonte’. (Dan. 12:10) Tani është koha të tregojmë me vepra se nuk jemi mes të ligjve. (Mal. 3:16-18) Jehovai po mbledh ata njerëz që për të janë ‘një pronë e veçantë’, ose ‘një zotërim i çmuar’. Pa diskutim që duam të jemi edhe ne mes tyre. Po jetojmë vërtet në kohë emocionuese. Por kemi para ngjarje shumë më të mrekullueshme. Së shpejti do të shohim me sytë tanë fundin e gjithë ligësisë. Më pas do të shohim përmbushjen e premtimit që i bëri Jehovai Danielit: «Në fund të ditëve do të ngrihesh për të marrë pjesën tënde.» (Dan. 12:13) A po e pret me zjarr ditën kur ‘do të ngrihen’, ose do të kthehen në jetë, Danieli dhe njerëzit e tu të dashur? Nëse po, bëj çmos të qëndrosh besnik sot. Kështu mund të jesh i sigurt se emri yt do të mbetet përgjithmonë në librin e jetës të Jehovait! w22.09 24 ¶17; 25 ¶19-20

E shtunë, 20 korrik

Unë po të dërgoj.—Ezek. 2:3.

Ato fjalë duhet t’i kenë dhënë forcë Ezekielit. Pse? Patjetër që ai e mbante mend se Jehovai u kishte thënë diçka të ngjashme Moisiut dhe Isaisë kur i kishte caktuar si profetë të Tij. (Eks. 3:10; Isa. 6:8) Ezekieli e dinte edhe si i kishte ndihmuar Jehovai ata dy profetë që të përballonin vështirësitë në caktime. Prandaj, kur Jehovai i tha dy herë «unë po të dërgoj», profeti Ezekiel kishte arsye të forta për të besuar se Jehovai do ta mbështeste. Veç kësaj, në librin e tij Ezekieli shkruan disa herë: «Fjala e Jehovait m’u drejtua.» (Ezek. 3:16) Ai përsërit shpesh edhe shprehjen: «Fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri.» (Ezek. 6:1) Pra Ezekieli s’kishte pikë dyshimi që ishte i dërguar nga Jehovai. Gjithashtu, si bir prifti, ka shumë mundësi që i ati t’i kishte mësuar se gjatë gjithë historisë, Jehovai i kishte siguruar profetët e Tij se do t’i mbështeste. Për shembull Isakut, Jakobit dhe Jeremisë, Jehovai u kishte thënë: «Unë jam me ty.»—Zan. 26:24; 28:15; Jer. 1:8. w22.11 2 ¶3

E diel, 21 korrik

Dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme.—Rom. 6:23.

Ndonëse me mëkatin që bënë, Adami dhe Eva u trashëguan vdekjen pasardhësve, Jehovai nuk ka ndërruar mendje në lidhje me qëllimin e tij. (Isa. 55:11) Sot e kësaj dite, qëllimi i tij është ende që njerëzit besnikë të jetojnë përgjithmonë. Mendo çfarë ka thënë e ka bërë Jehovai për të përmbushur qëllimin e tij. Jehovai ka premtuar se do t’i ringjallë të vdekurit dhe do t’u japë mundësinë të jetojnë përgjithmonë. (Vep. 24:15; Titit 1:1, 2) Besniku Job ishte i sigurt se Jehovait i digjet zemra t’i kthejë në jetë ata që kanë vdekur. (Jobi 14:14, 15) Profeti Daniel e dinte se njerëzit kanë perspektivën të ringjallen dhe mundësinë të jetojnë përgjithmonë. (Psal. 37:29; Dan. 12:2, 13) Edhe judenjtë në kohën e Jezuit e dinin se Jehovai mund t’u japë shërbëtorëve të tij besnikë «jetën e përhershme». (Luka 10:25; 18:18) Jezui foli shumë herë për këtë premtim, dhe atë vetë e ringjalli Ati i tij.—Mat. 19:29; 22:31, 32; Luka 18:30; Gjoni 11:25. w22.12 4-5 ¶8-9

E hënë, 22 korrik

Unë, o Jehova, kam besim te ti.—Psal. 31:14.

Jehovai na fton të lidhim një miqësi të ngushtë me të. (Jak. 4:8) Ai dëshiron të jetë Perëndia ynë, Ati ynë dhe Miku ynë. Jehovai u përgjigjet lutjeve tona dhe na ndihmon në kohë të vështira. Gjithashtu përdor organizatën e tij që të na mësojë dhe të na mbrojë. Afrohemi me Jehovain duke iu lutur dhe duke lexuar e medituar për Fjalën e tij. Kur i bëjmë këto, na gufon zemra nga dashuria dhe mirënjohja për të. Ndihemi të motivuar t’i bindemi dhe ta lëvdojmë, pasi ai e meriton plotësisht. (Zbul. 4:11) Sa më mirë ta njohim Jehovain, aq më shumë besim do të kemi tek Ai dhe tek organizata që përdor për të na ndihmuar. Mirëpo Djalli përpiqet të na e gërryejë pak nga pak besimin te Jehovai dhe tek organizata e Tij. Megjithatë mund të mbrohemi nga taktikat e Djallit. Nëse besimi ynë te Jehovai është i palëkundur, s’do t’i kthejmë shpinën Perëndisë tonë dhe organizatës së tij.—Psal. 31:13, 14. w22.11 14 ¶1-3

E martë, 23 korrik

Ishin gati të vdisnin, në vend që t’i shërbenin a të adhuronin ndonjë perëndi tjetër, përveç Perëndisë së tyre.—Dan. 3:28.

Shumë të krishterë të vërtetë kanë rrezikuar lirinë, e madje edhe jetën nga dashuria për Jehovain, Sovranin e tyre. Ata janë po aq të vendosur të mbajnë integritetin sa tre hebrenjtë që dolën të paprekur nga furra e zjarrtë pasi i qëndruan besnikë Tejet të Lartit. Psalmisti David tregoi sa rëndësi ka të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë, kur shkroi: «Jehovai do t’i gjykojë popujt. Më gjyko, o Jehova, sipas drejtësisë sime dhe sipas integritetit tim!» (Psal. 7:8) E theksoi prapë këtë mendim, kur tha: «Integriteti dhe drejtësia më mbrojtshin!» (Psal. 25:21) Nuk ka mënyrë më të shkëlqyer për ta jetuar jetën sesa t’i qëndrojmë besnikë Jehovait! Kështu do të ndihemi si psalmisti, që shkroi: «Lum ata që mbajnë integritetin . . . dhe ecin sipas ligjit të Jehovait!»—Psal. 119:1, shën. w22.10 17 ¶18-19

E mërkurë, 24 korrik

Cilësitë e tij të padukshme . . . dallohen nga gjërat që ka bërë.—Rom. 1:20.

Nga gjithë bisedat që bëri Jobi gjatë jetës së tij, më mbresëlënësja ishte biseda me Perëndinë Jehova. Që t’i forconte besimin se ka mençuri të pafund dhe se është i aftë t’u sigurojë çdo gjë të nevojshme shërbëtorëve të Tij, Jehovai ia drejtoi vëmendjen te disa gjëra të mrekullueshme që kishte krijuar. Për shembull, Perëndia i kujtoi Jobit se, përderisa u siguronte ushqim kafshëve, patjetër që ishte i aftë të kujdesej edhe për të. (Jobi 38:39-41; 39:1, 5, 13-16) Meditimi për veprat e jashtëzakonshme të krijimit i mësoi shumë Jobit për cilësitë e Perëndisë së tij. Edhe ne mund të mësojmë më shumë për Perëndinë tonë duke soditur gjërat që ka krijuar. Ama kjo mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Nëse jetojmë në qytet, ndoshta shohim fare pak nga krijimi i tij në jetën e përditshme. Po edhe nëse jetojmë jashtë qytetit, mbase mendojmë se nuk kemi kohë të soditim natyrën. Por ia vlen të gjejmë kohë dhe të bëjmë përpjekje për të vëzhguar krijimin. w23.03 15 ¶1-2

E enjte, 25 korrik

Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.—Prov. 22:3.

Jezui tha se, para se të vinte fundi, do të ndodhnin «tërmete të mëdha» e katastrofa të tjera. (Luka 21:11) Veç kësaj tregoi se do të kishte ‘rritje të ligësisë’, çka shihet qartë te krimet, dhuna dhe sulmet terroriste. (Mat. 24:12) Jezui nuk tha asnjëherë se kur na bien këto të këqija, kjo nënkupton se Jehovai na ka braktisur. Në fakt, shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë përjetuar katastrofa. (Isa. 57:1; 2 Kor. 11:25) Jehovai mund të mos na mbrojë me mrekulli nga të gjitha katastrofat, por do të na japë çdo gjë që na nevojitet që të ruajmë qetësinë e të kemi paqe. Do ta kemi më të lehtë nëse planifikojmë që më parë si do të veprojmë. Por, a tregon përgatitja se nuk kemi besim te Jehovai? Aspak. Në fakt, përgatitja për një katastrofë tregon se kemi besim që Jehovai është i aftë të kujdeset për ne. Pse e themi këtë? Sepse Fjala e Perëndisë na këshillon të përgatitemi për katastrofat e mundshme. w22.12 18 ¶9-10

E premte, 26 korrik

Perëndia më dërgoi përpara jush për të na ruajtur gjallë.—Zan. 45:5.

Ndërsa Jozefi ishte në burg, Jehovai bëri që mbreti i Egjiptit të shihte dy ëndrra që e turbulluan. Kur mësoi se Jozefi kishte aftësinë për të interpretuar ëndrrat, mbreti dërgoi njerëz ta sillnin. Me ndihmën e Jehovait, Jozefi i interpretoi ëndrrat, dhe këshillat e tij praktike i lanë mbresa faraonit. Ai e kuptoi se Jehovai ishte me atë të ri, prandaj e caktoi Jozefin administrues ushqimi të gjithë Egjiptit. (Zan. 41:38, 41-44) Më vonë ra një zi buke e rëndë që u shtri jo vetëm në Egjipt, por edhe në Kanan, në vendin ku jetonte familja e Jozefit. Tani Jozefi kishte mundësinë të shpëtonte familjen e tij, e kështu të mbronte trungun gjenealogjik të Mesisë. Pa diskutim, ishte Jehovai ai që ia solli mbarë Jozefit çdo gjë që bënte. Si përfundim, Jehovai e ktheu komplotin mizor të vëllezërve të Jozefit në një mjet për të plotësuar vullnetin e Tij. w23.01 17 ¶11-12

E shtunë, 27 korrik

Kushtojini vëmendje vetes.—Luka 21:34.

Një njeri që i kushton vëmendje vetes, rri syçelë për të dalluar çdo gjë që mund t’i vërë në rrezik marrëdhënien me Jehovain dhe merr masa për t’i shmangur këto rreziqe. Në këtë mënyrë, mbetet i denjë për dashurinë e Perëndisë. (Prov. 22:3; Jud. 20, 21) Edhe apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët t’i kushtonin vëmendje vetes. Për shembull, të krishterëve në Efes u tha: «Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit.» (Efes. 5:15, 16) Miqësia jonë me Jehovain është shënjestra e sulmeve të pandalshme të Satanait, prandaj Bibla na këshillon ‘të vazhdojmë të dallojmë cili është vullneti i Jehovait’, që të mbrohemi nga çdo lloj sulmi. (Efes. 5:17) Për të marrë vendime të mençura, duhet të dallojmë ose të kuptojmë cili është «vullneti i Jehovait». Këtë mund ta bëjmë duke studiuar e medituar rregullisht për Fjalën e Perëndisë. Sa më shumë të përpiqemi të kuptojmë cili është vullneti i Jehovait dhe të kemi «mendjen e Krishtit», aq më shumë gjasa ka të ecim «si të mençurit», edhe atëherë kur nuk ka ndonjë rregull specifik si të veprojmë.—1 Kor. 2:14-16. w23.02 16-17 ¶7-9

E diel, 28 korrik

Transformohuni duke përtërirë mendjen, që të siguroheni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.—Rom. 12:2.

Sa shpesh e pastron shtëpinë? Ndoshta para se të hyje në shtëpinë e re, bëre një pastrim me themel. Por ç’do të ndodhte sikur të mos e pastroje më kurrë? Shtëpia do të mbushej shpejt me papastërti dhe pisllëk. Për ta mbajtur shtëpinë dritë, është e nevojshme ta pastrosh rregullisht. Po njësoj duhen përpjekje të pareshtura për të ndrequr mënyrën si mendojmë dhe personalitetin tonë. Patjetër që para pagëzimit u përpoqëm fort të bënim ndryshimet e nevojshme në jetë, që ‘të pastroheshim nga çdo gjë që ndot trupin e mendjen’. (2 Kor. 7:1) Gjithsesi, tani duhet të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël: ‘Vazhdoni të rinoheni.’ (Efes. 4:23) Brenda nesh mund të grumbullohen shpejt papastërtitë dhe pisllëku i kësaj bote. Prandaj, që të mbetemi të pastër në sytë e Jehovait, duhet të shqyrtojmë rregullisht mënyrën si mendojmë, personalitetin dhe dëshirat tona. w23.01 8 ¶1-2

E hënë, 29 korrik

Ai pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb.—Mat. 3:16.

Imagjino të dëgjoje Jezuin ndërsa mësonte. Ai citonte shpesh përmendsh nga Shkrimet e Shenjta. Në momentin kur u pagëzua dhe u miros me frymë të shenjtë, Jezuit iu kthye në kujtesë jeta e tij para se të vinte në tokë. Fjalët e para të dokumentuara që tha pas pagëzimit dhe disa nga fjalët e tij të fundit para vdekjes, ishin pikërisht citime nga Shkrimet. (Ligj. 8:3; Psal. 31:5; Luka 4:4; 23:46) E gjatë tri viteve e gjysmë mes atyre ngjarjeve, Jezui ua lexoi, ua citoi dhe ua shpjegoi kushedi sa herë Shkrimet të tjerëve. (Mat. 5:17, 18, 21, 22, 27, 28; Luka 4:16-20) Gjatë viteve para se të fillonte shërbimin, Jezui e lexonte dhe e dëgjonte shpesh Fjalën e Perëndisë. Pa dyshim që në shtëpi dëgjonte Marinë e Jozefin të citonin Shkrimet. (Ligj. 6:6, 7) Veç kësaj, Jezui shkonte çdo Sabat në sinagogë me familjen e tij. (Luka 4:16) Atje patjetër dëgjonte tërë sy e veshë ndërsa lexoheshin Shkrimet. w23.02 8 ¶1-2

E martë, 30 korrik

Duaje Jehovain, Perëndinë tënd.—Mar. 12:30.

Ka plot arsye për ta dashur Jehovain. Për shembull, ke mësuar se ai është «burimi i jetës» e Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’. (Psal. 36:9; Jak. 1:17) Çdo gjë e mirë në jetë na vjen nga Perëndia ynë i dashur e bujar. Shpërblesa është një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai. Pse e themi këtë? Mendo pak për lidhjen e fortë mes Jehovait dhe Birit të tij. Jezui tha: «Ati më do» dhe «unë e dua Atin». (Gjoni 10:17; 14:31) Gjatë miliarda viteve që kaluan me njëri-tjetrin, lidhja e tyre u bë gjithnjë e më e ngushtë. (Prov. 8:22, 23, 30) Mendo pak sa e thellë ishte dhimbja e Perëndisë kur lejoi që Biri i tij të vuante dhe të vdiste. Jehovai e do kaq shumë njerëzimin—ku përfshihesh edhe ti—sa ishte i gatshëm të jepte Birin e vet të dashur si flijim, që ti dhe të tjerë të jetoni përgjithmonë. (Gjoni 3:16; Gal. 2:20) Nuk ka arsye më të fortë për ta dashur me gjithë zemër Perëndinë. w23.03 4-5 ¶11-13

E mërkurë, 31 korrik

Mbani fort atë që keni.—Zbul. 2:25.

Duhet t’i flakim tej mësimet e apostatëve. Jezui i qortoi disa në kongregacionin e Pergamit ngaqë nxitnin përçarje dhe sekte. (Zbul. 2:14-16) Veç kësaj, lavdëroi ata të krishterë në Tiatirë që kishin shmangur «gjërat e thella të Satanait» dhe i nxiti ‘të mbanin fort’ të vërtetën. (Zbul. 2:24-26) Në ato kongregacione kishte edhe të krishterë me besim të dobët, të cilëve ua kishin prishur mendjen mësimet e rreme. Ata duhej të pendoheshin. Cilin rrezik duhet të shmangim edhe ne sot? Duhet të flakim tej çdo mësim që nuk është në harmoni me mënyrën si mendon Jehovai. Ndoshta apostatët «duket sikur janë të përkushtuar ndaj Perëndisë», por «fuqia e këtij përkushtimi nuk ndikon në jetën e tyre». (2 Tim. 3:5) Është më e lehtë t’i dallojmë dhe t’i hedhim poshtë mësimet e rreme nëse e studiojmë me seriozitet Fjalën e Perëndisë. (2 Tim. 3:14-17; Jud. 3, 4) Duhet të sigurohemi nëse Jehovai e pranon adhurimin tonë. Në qoftë se po veprojmë në një mënyrë që mund ta bëjë të papranueshëm adhurimin tonë, duhet t’i ndreqim gjërat në çast që të kemi miratimin e Perëndisë.—Zbul. 2:5, 16; 3:3, 16. w22.05 4 ¶9; 5 ¶11

    Botimet në gjuhën shqipe të shenjave (2005-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqipe e shenjave
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo