Gusht
E enjte, 1 gusht
Një libër kujtimi u shkrua para tij për ata që e nderojnë thellësisht Jehovain dhe për ata që meditojnë për emrin e tij.—Mal. 3:16.
Si mendon, pse Jehovai i shkruan në ‘librin e tij të kujtimit’ emrat e njerëzve që, me fjalët e tyre, tregojnë se e nderojnë thellësisht dhe se meditojnë për emrin e tij? Sepse fjalët tona zbulojnë çfarë kemi në zemër. Jezui tha: «Goja flet nga bollëku i zemrës.» (Mat. 12:34) Jehovai dëshiron që ata që e duan, të gëzojnë jetën pa fund në botën e re. Mënyra si flasim mund të përcaktojë nëse Jehovai do ta pranojë adhurimin tonë. (Jak. 1:26) Disa nga ata që nuk e duan Perëndinë flasin me ton agresiv, ashpër dhe tërë krenari. (2 Tim. 3:1-5) Nuk duam të jemi si ata. Ne duam me gjithë shpirt ta kënaqim Jehovain me mënyrën si flasim. Por, a mund të jetë i kënaqur Jehovai me ne nëse flasim bukur e ëmbël në mbledhje a në shërbim, por u flasim egër dhe vrazhdë pjesëtarëve të familjes kur jemi në shtëpi?—1 Pjet. 3:7. w22.04 5 ¶4-5
E premte, 2 gusht
Do ta urrejnë prostitutën; do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq; do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr.—Zbul. 17:16.
Perëndia do t’u shtijë në zemër dhjetë brirëve dhe bishës të përmbushin mendimin e tij për të shkatërruar Babiloninë e Madhe. Pra, Jehovai do t’i shtyjë kombet të përdorin bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, domethënë Kombet e Bashkuara, që ta sulmojnë perandorinë botërore të fesë së rreme e ta shfarosin krejt. (Zbul. 18:21-24) Çfarë nënkupton kjo për ne? Duhet të bëjmë kujdes që adhurimi ynë të jetë përherë «i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë». (Jak. 1:27) Kurrë të mos lejojmë të ndikohemi nga mësimet e rreme, festimet pagane, normat e ulëta morale dhe zakonet spiritiste të Babilonisë së Madhe! Gjithashtu duhet të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje njerëzve ‘të dalin prej saj’, që të mos jenë fajtorë bashkë me të në sy të Perëndisë.—Zbul. 18:4. w22.05 11 ¶17; 14 ¶18
E shtunë, 3 gusht
Do të përmend veprat e dashurisë besnike të Jehovait.—Isa. 63:7.
Nëse je prind, krijo mundësi që t’u mësosh fëmijëve për Jehovain dhe për gjithë të mirat që ka bërë për ty. (Ligj. 6:6, 7) Kjo është e rëndësishme sidomos kur nuk studion dot me fëmijët rregullisht në shtëpi, ngaqë nuk e ke bashkëshortin Dëshmitar. Një motër që quhet Kristina, thotë: «I kisha me pikatore rastet për t’u folur fëmijëve për Jehovain, ndaj nuk lija të më ikte kot asnjë prej tyre.» Gjithashtu fol pozitivisht për organizatën e Jehovait dhe për vëllezërit e motrat. Mos i kritiko pleqtë, sepse gjërat që thua për ta mund të përcaktojnë nëse fëmijët do të shkojnë te pleqtë kur të kenë nevojë për ndihmë. Nxit paqen në familje. Shprehua rregullisht dashurinë burrit dhe fëmijëve. Fol me përzemërsi e respekt për bashkëshortin dhe mësoji fëmijët të bëjnë po njësoj. Kur vepron kështu, atmosfera në shtëpi do të jetë paqësore, e fëmijët mund ta kenë më të lehtë të mësojnë për Jehovain.—Jak. 3:18. w22.04 18 ¶10-11
E diel, 4 gusht
I di veprat e tua.—Zbul. 3:1.
Mesazhi që u drejtoi Jezui pjesëtarëve të kongregacionit të Efesit, nxori në pah se ata kishin treguar qëndrueshmëri dhe nuk ishin dorëzuar në shërbim të Jehovait, ndonëse kishin hequr lloj-lloj vështirësish. Gjithsesi e kishin humbur dashurinë e fillimit. Ishte jetësore ta ndiznin sërish atë dashuri, përndryshe Jehovai nuk do ta pranonte adhurimin e tyre. Edhe sot, nuk mjafton të tregojmë qëndrueshmëri—duhet të tregojmë qëndrueshmëri me motivet e duhura. Për Perëndinë tonë ka vlerë jo vetëm çfarë bëjmë, por edhe pse e bëjmë. Motivet tona janë të rëndësishme për Jehovain, sepse ai dëshiron që adhurimi ynë t’i ketë rrënjët te dashuria dhe mirënjohja e thellë për të. (Prov. 16:2; Mar. 12:29, 30) Duhet të vazhdojmë të rrimë zgjuar e të jemi syçelë. Pjesëtarët e kongregacionit të Sardës kishin një problem të ndryshëm. Ndonëse në të kaluarën i kishin shërbyer Perëndisë, tani ishin plogështuar në shërbim. Prandaj Jezui i urdhëroi ‘të zgjoheshin’. (Zbul. 3:1-3) Pa dyshim, Jehovai s’ka për t’i harruar veprat tona.—Hebr. 6:10. w22.05 3 ¶6-7
E hënë, 5 gusht
Çdo punë e palodhur sjell dobi.—Prov. 14:23.
Kur foli për kënaqësinë që sjell puna e palodhur, Solomoni e quajti «dhuratë nga Perëndia». (Ekl. 5:18, 19) Solomoni e dinte këtë nga përvoja. Ai ishte punëtor i papërtuar! Ndërtoi shtëpi, mbolli vreshta dhe bëri kopshte e rezervuarë. Ndërtoi edhe qytete. (1 Mbret. 9:19; Ekl. 2:4-6) Pra punoi fort, e pa dyshim që kjo i dha kënaqësi. Ama e dinte se lumturia nuk varej vetëm nga aktivitete të tilla. Ai bëri edhe shumë gjëra për Jehovain. Për shembull, Solomoni mbikëqyri ndërtimin e tempullit të lavdishëm për të adhuruar Jehovain—një projekt ndërtimi shtatëvjeçar! (1 Mbret. 6:38; 9:1) Pasi kishte marrë pjesë në një larmi aktivitetesh, ai e kuptoi se aktivitetet që lidhen me adhurimin e Jehovait janë ku e ku më të rëndësishme. Ai shkroi: «Pas gjithë gjërave që u thanë, ky është përfundimi: ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë dhe zbatoji urdhërimet e tij.»—Ekl. 12:13. w22.05 22 ¶8
E martë, 6 gusht
Perëndia ju fali bujarisht nëpërmjet Krishtit.—Efes. 4:32.
Në Bibël flitet për shumë individë që Jehovai i fali bujarisht. Kush të vjen ndër mend? Ndoshta të kujtohet mbreti Manase. Ai njeri i lig bëri mëkate të tmerrshme kundër Jehovait. Adhuroi perëndi të rreme, si edhe nxiti të tjerët ta imitonin. Vrau fëmijët e vet, duke i sakrifikuar për perëndi pagane. Madje arriti deri aty sa vuri shëmbëlltyrën e gdhendur të një perëndie të rreme në tempullin e shenjtë të Jehovait. Bibla thotë për të: «Bëri në një shkallë të paparë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë.» (2 Kron. 33:2-7) Megjithatë, kur Manaseu tregoi se ishte penduar thellë në zemër, Jehovai e fali bujarisht. (2 Kron. 33:12, 13) Mbase të vjen ndër mend edhe mbreti David, që bëri mëkate të rënda kundër Jehovait, si kurorëshkelje dhe vrasje. Gjithsesi, kur Davidi u pendua sinqerisht dhe e pranoi se kishte gabuar, Jehovai e fali edhe atë. (2 Sam. 12:9, 10, 13, 14) E pra, mund të jemi të sigurt se Jehovai mezi pret të falë. w22.06 3 ¶7
E mërkurë, 7 gusht
Prisni me durim dhe forcojini zemrat.—Jak. 5:8.
Nuk është gjithnjë e lehtë ta mbajmë të fortë shpresën. Mund ta humbim durimin ndërsa presim që Perëndia t’i mbajë premtimet. Ama Jehovai është i përjetshëm, dhe pikëpamja e tij për kohën ndryshon nga e jona. (2 Pjet. 3:8, 9) Ai do ta plotësojë qëllimin e tij në mënyrën më të mirë që ekziston, por mbase nuk do të veprojë atëherë kur mendojmë ne. Ç’mund të na ndihmojë ta mbajmë të fortë shpresën ndërsa presim me durim që Perëndia t’i përmbushë premtimet? (Jak. 5:7) Ruajtja e një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain—me atë që do ta bëjë realitet këtë shpresë. Në fakt, Bibla tregon që shpresa lidhet fort me besimin se Jehovai ekziston dhe se është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebr. 11:1, 6) Sa më real të jetë Jehovai për ne, aq më të bindur do të jemi se ai do të përmbushë një më një çdo premtim që ka bërë. Që ta mbajmë të fortë shpresën tonë duhet t’i lutemi Jehovait dhe të lexojmë Fjalën e tij. Ndonëse është e pamundur ta shohim Jehovain, mund të afrohemi me të. Mund të flasim me të në lutje, të sigurt se do të na dëgjojë.—Jer. 29:11, 12. w22.10 26-27 ¶11-13
E enjte, 8 gusht
Jobi filloi të fliste e të mallkonte ditën që kishte lindur.—Jobi 3:1.
Imagjino pak: Jobi është ulur në hi e dhimbjet nuk i pushojnë asnjë çast. (Jobi 2:8) Shokët e tij e sulmojnë mizorisht me fjalë duke e paraqitur si njeri të pavlerë dhe përpiqen t’i shkatërrojnë reputacionin. Sprovat i rëndojnë si gur në zemër, ndërsa vdekja e fëmijëve ia ka bërë shpirtin copë e çikë. Në fillim, Jobi rri i heshtur. (Jobi 2:13) Nëse shokët e Jobit e interpretojnë heshtjen e tij si një shenjë se do t’i kthejë shpinën Krijuesit, gabohen rëndë. Në një moment—ndoshta pasi ngre kokën dhe i sheh drejt e në sy ata shokë të rremë—Jobi thotë: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!» (Jobi 27:5) Çfarë i dha Jobit aq shumë guxim e forcë përballë gjithë atyre vuajtjeve? Edhe në momentet më të rënda të jetës, ai nuk e humbi kurrë shpresën se Perëndia i tij i dashur do t’i sillte lehtësim. E dinte se, edhe sikur të vdiste, Jehovai do ta kthente sërish në jetë.—Jobi 14:13-15. w22.06 22 ¶9
E premte, 9 gusht
Ju lutuni në këtë mënyrë: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt!»—Mat. 6:9, 10.
Çfarë privilegji të mrekullueshëm kemi—të flasim në lutje me Bërësin e qiellit e të tokës! Imagjino: ne mund t’i hapim zemrën Jehovait në çdo moment e në çdo gjuhë. Mund t’i lutemi madje edhe nga shtrati i spitalit ose nga qelia e burgut, të sigurt se Ati ynë i dashur do të na dëgjojë. I jemi pafundësisht mirënjohës për këtë privilegj. Mbreti David e çmonte si thesar privilegjin e lutjes. Ai i këndoi Jehovait: «Qoftë lutja ime si temjan i përgatitur mirë para teje!» (Psal. 141:1, 2) Në kohën e Davidit, temjani i shenjtë që përdornin priftërinjtë për adhurimin e pastër përgatitej me merak. (Eks. 30:34, 35) Duke përmendur temjanin, Davidi po tregonte se donte ta bluante mirë në mendje atë që do t’i thoshte në lutje Atit të tij qiellor. Edhe ne duam me gjithë shpirt që lutjet tona ta kënaqin Jehovain. w22.07 20 ¶1-2; 21 ¶4
E shtunë, 10 gusht
«Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj»,—thotë Jehovai.—Rom. 12:19.
Hakmarrja i përket Jehovait. Nëse dikush mëkaton ndaj nesh, Jehovai nuk na ka autorizuar të hakmerremi. (Rom. 12:20, 21) Me këndvështrimin tonë të kufizuar e të papërsosur, nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë gjërat drejt ashtu si Perëndia. (Hebr. 4:13) E hera-herës lejojmë që ndjenjat të na e turbullojnë gjykimin. Jehovai e frymëzoi Jakovin të shkruante: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» (Jak. 1:20) Mund të kemi besim absolut se Jehovai do të bëjë gjënë e duhur dhe do të sigurohet që drejtësia të vihet në vend. Kur falim, tregojmë se kemi besim te drejtësia e Jehovait. Kur i lëmë gjërat në duart e Jehovait, tregojmë se kemi besim që ai do të fshijë gjithë dëmin e shkaktuar nga mëkati. Në botën e tij të re, plagët e dhimbshme emocionale «nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër», kurrë më!—Isa. 65:17. w22.06 10-11 ¶11-12
E diel, 11 gusht
Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.—Mat. 24:9.
Vetë fakti që përballemi me një urrejtje të tillë është provë se kemi miratimin e Jehovait. (Mat. 5:11, 12) Pas këtij kundërshtimi qëndron Satana Djalli. Megjithatë, ai nuk mund të matet kurrsesi me Jezuin. Falë mbështetjes së Jezuit, lajmi i mirë po u predikohet njerëzve nga të gjitha kombet. Si lajmëtarë të Mbretërisë, hasim edhe një vështirësi tjetër: barriera e gjuhëve. Në zbulesën që i dha apostullit Gjon, Jezui paratha se në ditët tona, lajmi i mirë do ta kapërcente këtë pengesë. (Zbul. 14:6, 7) Si po plotësohet kjo profeci? Sot po përpiqemi t’u japim sa më shumë njerëzve mundësinë të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë. Në sitin tonë jw.org mund të lexojnë materiale të bazuara në Bibël njerëz kudo përreth botës, sepse ky sit përmban informacione në më shumë se 1.000 gjuhë. U dha miratimi të përkthehej në mbi 700 gjuhë libri Gëzoje jetën përgjithmonë—mjeti ynë kryesor për të bërë dishepuj. w22.07 9 ¶6-7
E hënë, 12 gusht
Kur ka shumë këshilltarë, ka sukses.—Prov. 11:14.
Jezuit i dhimbseshin njerëzit. Një prej apostujve, Mateu, shkroi: «Kur pa turmat, ai u prek thellë, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» (Mat. 9:36) Po Jehovai, si ndihet? Jezui tha: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.» (Mat. 18:14) Sa fjalë zemërdhënëse! Ndërsa njohim më mirë Jezuin, na thellohet dashuria për Jehovain. Një mënyrë tjetër si ta thellosh dashurinë për Jehovain dhe të përparosh në të vërtetën, është duke kaluar kohë me motra e vëllezër të pjekur në kongregacion. Ndërsa vëren gëzimin e tyre, do të kuptosh se nuk janë bërë fare pishman që kanë vendosur t’i shërbejnë Jehovait. Pyeti për përvojat që kanë pasur në shërbim të Jehovait. Dhe kur je para një vendimi të rëndësishëm, kërkoju këshilla. Fundja, «kur ka shumë këshilltarë, ka sukses». w22.08 3 ¶6-7
E martë, 13 gusht
Jehovai i mban sytë mbi të drejtët.—1 Pjet. 3:12.
Të gjithë do të hasim sprova. Mirëpo nuk do të jemi kurrë vetëm përballë tyre. Si një atë i dashur, Jehovai i mban gjithmonë sytë mbi ne. Ai është përkrah nesh, gati të na i dëgjojë përgjërimet për ndihmë dhe mezi pret të na mbështetë. (Isa. 43:2) Jemi krejtësisht të bindur se mund t’ia dalim mbanë përballë vështirësive sepse ai na ka siguruar me bujari çdo gjë që na nevojitet për të treguar qëndrueshmëri. Na ka dhënë dhuratën e lutjes, Biblën, ushqim besimforcues me bollëk dhe një familje të dashur me vëllezër e motra që të na ndihmojë në ditë të vështira. Sa mirënjohës jemi për Atin tonë qiellor, i cili i mban sytë mbi ne! «Zemra jonë gëzon falë tij.» (Psal. 33:21) Tregojmë se e çmojmë merakun e dashur të Jehovait duke i shfrytëzuar sa më mirë masat që ka marrë për të na ndihmuar. Gjithashtu duhet të veprojmë në atë mënyrë që të kemi ndihmën e Perëndisë. Me fjalë të tjera, nëse vazhdojmë të bëjmë çmos t’i bindemi Jehovait dhe të bëjmë atë që është e drejtë, ai do t’i mbajë sytë përgjithmonë mbi ne! w22.08 13 ¶15-16
E mërkurë, 14 gusht
Esenca e fjalës sate është e vërteta.—Psal. 119:160.
Bota sot vuan nga një mungesë besimi. Shumë veta nuk dinë kujt t’i zënë besë dhe dyshojnë nëse njerëzit te të cilët varin shpresat—politikanët, shkencëtarët e biznesmenët—ua duan vërtet të mirën. Veç kësaj, nuk kanë shumë respekt ose vlerësim për klerin e krishterimit. Prandaj nuk është çudi që e shohin me skepticizëm librin që këta udhëheqës fetarë pohojnë se e respektojnë, Biblën. Si shërbëtorë të Jehovait, jemi të bindur se ai është «Perëndi i së vërtetës» dhe se na do gjithmonë të mirën. (Psal. 31:5; Isa. 48:17) Jemi të sigurt se mund t’i besojmë asaj që thotë Bibla. Jemi plotësisht dakord me atë që shkroi një studiues i Biblës: «Çdo gjë që ka thënë Perëndia nuk ka as edhe një grimë falsiteti dhe asnjë rrezik se mos nuk realizohet. Shërbëtorët e Perëndisë mund të kenë besim te fjalët e tij, sepse kanë besim te Perëndia që i ka thënë.» w23.01 2 ¶1-2
E enjte, 15 gusht
Le të interesohemi për njëri-tjetrin.—Hebr. 10:24.
I forcojmë vëllezërit e motrat duke i ndihmuar të kenë më tepër besim te Jehovai. Disa të krishterë tallen nga ata që s’janë Dëshmitarë. Të tjerë vuajnë nga probleme shëndetësore serioze ose luftojnë me ndjenjat e lënduara. Të tjerë akoma kanë pritur gjatë që ky sistem të marrë fund. Situata të tilla mund t’ua sprovojnë besimin Dëshmitarëve sot. Edhe të krishterët në shekullin e parë hasën sfida të ngjashme. Apostulli Pavël përdori Shkrimet për t’u forcuar besimin bashkëbesimtarëve. Për shembull, mbase të krishterët judenj s’dinin çfarë t’u thoshin familjarëve që nuk ishin të krishterë, të cilët pretendonin se judaizmi ishte më superior se krishterimi. Ndaj pa diskutim morën shumë zemër nga letra që u drejtoi Pavli hebrenjve. (Hebr. 1:5, 6; 2:2, 3; 9:24, 25) Ata mund të përdornin arsyetimin e fuqishëm të Pavlit që t’iu përgjigjeshin familjarëve. w22.08 23-24 ¶12-14
E premte, 16 gusht
I bekuar është ai që ka besim te Jehovai.—Jer. 17:7.
Njerëzit në botën e Satanait nuk dinë kujt mund t’i besojnë. Ata zhgënjehen dita-ditës nga sjellja e biznesmenëve dhe e udhëheqësve politikë e fetarë. Ndodh që t’i zhgënjejnë edhe miqtë, komshinjtë, madje edhe pjesëtarët e familjes. Kjo s’duhet të na çuditë. Bibla kishte parathënë: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë . . . të pabesë, . . . shpifës, . . . tradhtarë.» Me fjalë të tjera, njerëzit do të pasqyronin personalitetin e perëndisë së këtij sistemi, të cilit nuk mund t’i zësh fare besë. (2 Tim. 3:1-4; 2 Kor. 4:4) Megjithatë, si adhurues të Jehovait e dimë se mund të kemi besim absolut te Perëndia ynë. Jemi të bindur se ai na do dhe se ‘nuk do t’i braktisë kurrë’ miqtë e tij. (Psal. 9:10) Mund të kemi besim edhe te Krishti Jezu, sepse dha jetën për ne. (1 Pjet. 3:18) Gjithashtu e kemi provuar vetë se udhëheqja që jep Bibla është e besueshme.—2 Tim. 3:16, 17. w22.09 2 ¶1-2
E shtunë, 17 gusht
Lum kush nderon thellësisht Jehovain dhe ecën në udhët e tij!—Psal. 128:1.
Lumturia e vërtetë nuk është thjesht një ndjenjë hareje kalimtare. Ajo mund ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës. Po si arrihet kjo? Jezui e shpjegoi në Predikimin në Mal, kur tha: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë!» (Mat. 5:3) Me fjalë të tjera, Jezui e dinte se njerëzit janë krijuar me dëshirën e zjarrtë që të njohin dhe të adhurojnë Krijuesin e tyre, Perëndinë Jehova. E përderisa Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’, edhe ata që e adhurojnë mund të jenë të lumtur. (1 Tim. 1:11) A duhet ta kemi jetën fushë me lule për të qenë të lumtur? Jo. Në Predikimin në Mal, Jezui tha se edhe «ata që vajtojnë» mund të jenë të lumtur. Ai shtoi se edhe «ata që përndiqen për hir të drejtësisë» mund të jenë të lumtur. (Mat. 5:4, 10, 11) Jezui po mësonte se lumturia nuk vjen kur kemi rrethanat ideale, por kur e kuptojmë se kemi nevojë për Perëndinë dhe afrohemi me Të.—Jak. 4:8. w22.10 6 ¶1-3
E diel, 18 gusht
Njeriu me aftësi të vërtetë dalluese e mban gjuhën nën fre.—Prov. 11:12.
Aftësia dalluese do ta ndihmojë një vëlla ose motër të kuptojë kur është ‘koha për të heshtur dhe koha për të folur’. (Ekl. 3:7) Një fjalë e urtë thotë: «Fjala është argjend, heshtja është flori.» E thënë ndryshe, ka raste kur është më mirë të heshtim, se të flasim. Mendo për këtë rast. Një plaku me përvojë shpesh i kërkojnë të ndihmojë kongregacione të tjera kur kanë çështje të vështira për të trajtuar. Një plak tjetër që bashkëpunon me të, tha: «Ai është gjithmonë shumë i kujdesshëm që të mos tregojë informacione konfidenciale për kongregacionet e tjera.» Ngaqë tregon aftësi dalluese, ky vëlla ka fituar respektin e pleqve të tjerë në kongregacionin e tij. Ata janë të sigurt se ai nuk do të zbulojë asnjë informacion konfidencial të kongregacionit të tyre. Ndershmëria, po ashtu, është e nevojshme që të jemi të besueshëm. I zëmë besë një njeriu të ndershëm, sepse e dimë që do të thotë gjithmonë të vërtetën.—Efes. 4:25; Hebr. 13:18. w22.09 12 ¶14-15
E hënë, 19 gusht
Nuk ka as mençuri, as aftësi dalluese, as plan që të mund të dalë kundër Jehovait.—Prov. 21:30.
Shumë veta i mbyllin veshët kur mençuria e vërtetë «thërret rrugës». (Prov. 1:20) Bibla flet për tri grupe që e hedhin poshtë mençurinë: ‘të papërvojët’, ‘tallësit’ dhe ‘të marrët’. (Prov. 1:22-25) «Të papërvojët» janë njerëz naivë që besojnë ose mashtrohen kollaj. (Prov. 14:15, shën.) Për shembull, mendo për miliona njerëz që mashtrohen nga udhëheqësit fetarë dhe politikë. Disa prej tyre tronditen kur mësojnë se këta udhëheqës u kanë hedhur hi syve. Mirëpo, Proverbat 1:22 flet për ata që zgjedhin të mbeten të papërvojë sepse ashtu u pëlqen. (Jer. 5:31) Ata nuk duan të mësojnë çfarë thotë Bibla ose të jetojnë sipas standardeve të saj. Nuk duam kurrsesi të imitojmë ata që preferojnë të mbeten në padije!—Prov. 1:32; 27:12. w22.10 19 ¶5-7
E martë, 20 gusht
Nënshtrojuni çdo autoriteti njerëzor.—1 Pjet. 2:13.
Organizata e Perëndisë na jep udhëzime për të na mbrojtur. Ajo na kujton rregullisht t’i përditësojmë pleqtë me informacionet e kontaktit, që të kenë mundësi të komunikojnë me ne gjatë një emergjence. Mund të marrim edhe udhëzime për t’u evakuar, për të mos dalë nga shtëpia, për t’u furnizuar me gjërat e nevojshme ose si dhe kur t’i ndihmojmë të tjerët. Nëse nuk bindemi, mund të vëmë në rrezik jetën tonë dhe atë të pleqve që vigjilojnë për ne. (Hebr. 13:17) Shumë vëllezër e motra që iu desh të largoheshin nga shtëpitë për shkak të një katastrofe a trazire civile, kanë bërë çmos të përshtaten me rrethanat e reja dhe të përfshihen menjëherë në aktivitetet teokratike. Ata vazhdojnë ‘të shpallin lajmin e mirë të fjalës së Perëndisë’, njësoj si të krishterët e hershëm që u shpërndanë për shkak të përndjekjes. (Vep. 8:4) Predikimi i ndihmon të përqendrohen te Mbretëria, jo te rrethanat e vështira. Si rezultat, kanë ruajtur gëzimin dhe paqen në zemër. w22.12 19 ¶12-13
E mërkurë, 21 gusht
Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë.—Psal. 118:6.
Jehovai na çmon si individë. Para se t’i dërgonte apostujt të predikonin, Jezui i ndihmoi të mposhtnin frikën nga kundërshtimi. (Mat. 10:29-31) Këtë e bëri duke folur për një nga zogjtë më të përhapur në Izrael: harabelin. Ai zog kishte fare pak vlerë në atë kohë. Megjithatë, Jezui u tha dishepujve: «Asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.» Pastaj shtoi: «Ju vleni më tepër se shumë harabela.» Kështu Jezui i siguroi se Jehovai i vlerësonte si individë, ndaj s’kishte pse t’i trembeshin përndjekjes. Kur shihnin harabela ndërsa predikonin në qytete e fshatra, patjetër që dishepujve u vinin në mendje fjalët e Jezuit. Sa herë të shohësh një zog të vogël, kujto se Jehovai të çmon si individ, sepse edhe ti ‘vlen më tepër se shumë harabela’. Falë mbështetjes së Perëndisë, mund ta përballosh me kurajë çdo kundërshtim. w23.03 18 ¶12
E enjte, 22 gusht
Për fajin tuaj faraoni dhe shërbëtorët e tij na urrejnë, dhe ju u keni vënë shpatën në dorë që të na vrasin.—Eks. 5:21.
Hera-herës kalojmë sprova, si kundërshtimi nga familja ose humbja e punës. Kur heqim sprova për një kohë të gjatë, mund të ndihemi të pashpresë e të shkurajuar. Satanai i shfrytëzon këto raste dhe përpiqet të na futë dyshimin se Jehovai nuk na do. Djalli do që të mendojmë se fajin për vuajtjet tona e ka Jehovai ose organizata e Tij. Diçka e ngjashme u ndodhi disa izraelitëve në Egjipt. Në fillim, ata e besuan se Jehovai kishte caktuar Moisiun dhe Aronin për t’i çliruar nga skllavëria. (Eks. 4:29-31) Por më vonë, kur faraoni ua nxiu më shumë jetën, ia hodhën fajin Moisiut dhe Aronit për problemet e tyre. (Eks. 5:19, 20) Sa gjë e trishtueshme që bënë me faj shërbëtorët besnikë të Perëndisë! Nëse ke kohë që po lufton me sprova, zbrazja zemrën Jehovait në lutje dhe mbështetu me besim tek ai. w22.11 15 ¶5-6
E premte, 23 gusht
Me të vërtetë po ju them: po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që ia kanë vënë veshin, do të jetojnë.—Gjoni 5:25.
Jehovai është Jetëdhënësi dhe ka fuqi t’i kthejë në jetë njerëzit. Ai i dha fuqi profetit Elija të ringjallte djalin e vejushës së Zarefatit. (1 Mbret. 17:21-23) Kohë më vonë, me ndihmën e Perëndisë, profeti Elise ktheu në jetë djalin e një gruaje nga Shunemi. (2 Mbret. 4:18-20, 34-37) Këto dhe ringjallje të tjera provojnë se Jehovai ka fuqinë t’i kthejë në jetë njerëzit. Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se Ati i kishte dhënë edhe atij fuqi të bënte ringjallje. (Gjoni 11:23-25, 43, 44) Tani Jezui është në qiell dhe i është dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». Prandaj është në gjendje ta përmbushë premtimin se «të gjithë ata që janë në varre» do të kthehen në jetë e do të kenë perspektivën të rrojnë përgjithmonë.—Mat. 28:18; Gjoni 5:26-29. w22.12 5 ¶10
E shtunë, 24 gusht
Shtëpia e Izraelit nuk do të pranojë të të dëgjojë, ngaqë nuk duan të më dëgjojnë mua.—Ezek. 3:7.
Duke hedhur poshtë Ezekielin, populli do të hidhte poshtë Jehovain. Fjalët e shkrimit të sotëm e siguruan Ezekielin se kur populli ta hidhte poshtë, kjo s’do të tregonte se nuk e kishte kryer mirë caktimin si profet. Po ashtu, Jehovai e siguroi Ezekielin se kur të përmbusheshin mesazhet e gjykimit që do të shpallte, populli ‘kishte për ta marrë vesh se mes tyre kish qenë një profet’. (Ezek. 2:5; 33:33) Pa dyshim, ato mendime inkurajuese i dhanë Ezekielit forcën e nevojshme për ta çuar deri në fund caktimin e tij. Edhe neve na jep forcë siguria se jemi dërguar nga Jehovai për të kryer caktimin tonë. Ai na ka nderuar duke na quajtur «dëshmitarët» e tij. (Isa. 43:10) Çfarë privilegji i pakrahasueshëm! Ashtu siç nxiti Ezekielin «mos ki frikë», Jehovai na nxit edhe ne: «Mos u tmerroni.» (Ezek. 2:6) Pse nuk ka arsye t’u frikësohemi kundërshtarëve tanë? Sepse, njësoj si Ezekieli, jemi dërguar nga Jehovai dhe kemi mbështetjen e Tij.—Isa. 44:8. w22.11 3-4 ¶4-5
E diel, 25 gusht
Njeriu i besueshëm nuk i tregon çështjet konfidenciale.—Prov. 11:13.
Sot i çmojmë tej mase pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit që janë të besueshëm. Këta vëllezër besnikë kujdesen me gjithë shpirt për ne. E falënderojmë Perëndinë për ta! Po ne, në cilat mënyra mund të tregojmë se jemi të besueshëm? I duam vëllezërit dhe motrat, dhe na intereson mirëqenia e tyre. Megjithatë duhet të jemi të ekuilibruar dhe të respektojmë privatësinë e tyre. Disa në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë ‘merreshin me thashetheme e i futnin hundët në punët e të tjerëve, duke folur për gjëra që nuk u takonin’. (1 Tim. 5:13) Pa diskutim, nuk dëshirojmë të jemi si ata. Por ta zëmë se dikush na tregon diçka për veten e kërkon që mos t’ia themi dikujt tjetër. Për shembull, një motër mund të na hapet për një problem shëndetësor që po kalon ose për një sprovë tjetër që po has dhe na thotë ta mbajmë për vete këtë informacion. Patjetër, duhet ta respektojmë dëshirën e saj. w22.09 10 ¶7-8
E hënë, 26 gusht
Transformohuni duke përtërirë mendjen.—Rom. 12:2.
Shprehja greke e përkthyer «të përtërish mendjen» mund të përkthehet edhe «rinovim i mendjes». Pra, nuk mjafton thjesht ta zbukurojmë jetën duke bërë ca vepra të mira. Përkundrazi, duhet të shqyrtojmë si jemi thellë përbrenda dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme, që jeta jonë të përputhet sa më shumë me standardet e Jehovait. Këtë duhet ta bëjmë jo vetëm një herë, por vazhdimisht. Kur të bëhemi të përsosur, do ta kënaqim gjithmonë Jehovain në çdo gjë që bëjmë. Ndërkohë duhet të vazhdojmë të përpiqemi fort për t’ia gëzuar zemrën. Te Romakëve 12:2 Pavli tregon se, për t’u siguruar çfarë dëshiron Perëndia nga ne, duhet të përtërijmë mendjen. Prandaj nuk duhet të lejojmë të modelohemi nga kjo botë. Përkundrazi, duhet të shqyrtojmë veten për të kuptuar deri në ç’pikë po lejojmë që synimet dhe vendimet tona të ndikohen nga mënyra si mendon Perëndia, jo nga mentaliteti i botës. w23.01 8-9 ¶3-4
E martë, 27 gusht
Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai do të të mbështetë. Ai s’do të lejojë kurrë që i drejti të bjerë.—Psal. 55:22.
A ndërhyn Jehovai në çdo situatë në jetën tonë? A manovron çdo ngjarje, në mënyrë që çdo gjë e keqe të ndodhë për një arsye të mirë? Jo, Bibla nuk e mëson këtë. (Ekl. 8:9; 9:11) Ama një gjë është e sigurt: kur përballojmë një sprovë, Jehovai e di mirë ç’po kalojmë dhe i dëgjon thirrjet tona për ndihmë. (Psal. 34:15; Isa. 59:1) Jo vetëm kaq, por Jehovai mund të na ndihmojë edhe t’i përballojmë me sukses sprovat. Si? Një mënyrë si na ndihmon Jehovai është duke na dhënë ngushëllim e inkurajim, e shpesh fiks në kohën e duhur. (2 Kor. 1:3, 4) Po ty a të vjen ndër mend një periudhë në jetën tënde kur Jehovai të mbështeti duke të ngushëlluar e inkurajuar tamam kur kishe më shumë nevojë? Shpesh e kuptojmë vetëm pasi një sprovë ka mbaruar se si na ndihmoi Jehovai ta përballonim. w23.01 17-18 ¶13-15
E mërkurë, 28 gusht
Bisha që ishte, por që nuk është, . . . shkon drejt shkatërrimit.—Zbul. 17:11.
Kjo bishë duket thuajse njësoj si bisha me shtatë kokë, përveç faktit që ka ngjyrë të kuqe të ndezur. Shkrimet e quajnë ‘shëmbëlltyra e bishës’ dhe thonë se është një ‘mbret i tetë’. (Zbul. 13:14, 15; 17:3, 8) Gjithashtu thonë se ky ‘mbret’ shfaqet, pastaj zhduket, e më vonë shfaqet sërish. Çfarë përshkrimi i goditur për Organizatën e Kombeve të Bashkuara që përkrah interesat e sistemit politik botëror! Ajo erdhi në ekzistencë si Lidhja e Kombeve. Pastaj, gjatë Luftës II Botërore, u zhduk. Më vonë u rishfaq si Organizata e Kombeve të Bashkuara. Me anë të propagandës së tyre, bishat, pra fuqitë politike, i nxitin njerëzit t’i kundërvihen Jehovait dhe popullit të tij. Në kuptimin e figurshëm, ato i mbledhin «mbretërit e mbarë tokës së banuar» për luftën e Armagedonit, që është ‘dita e madhe e Perëndisë së Plotfuqishëm’.—Zbul. 16:13, 14, 16. w22.05 10 ¶10-11
E enjte, 29 gusht
Ç’ke kuptuar nga ajo që ke lexuar?—Luka 10:26.
Kur Jezui mësoi t’i lexonte vetë Shkrimet e Shenjta, jo vetëm e njohu mirë Fjalën e Perëndisë, por edhe e donte dhe lejoi që ajo të ndikonte te mënyra si vepronte. Për shembull, të kujtojmë ç’ndodhi në tempull kur Jezui ishte vetëm 12 vjeç. Mësuesit që e njihnin në majë të gishtave Ligjin e Moisiut «mahniteshin me aftësinë [e Jezuit] për të kuptuar dhe me përgjigjet që jepte». (Luka 2:46, 47, 52) Kur i lexojmë rregullisht Shkrimet, edhe ne mund ta njohim mirë Fjalën e Perëndisë e ta duam. Për këtë mund të na ndihmojnë fjalët që u tha Jezui atyre që e njihnin Ligjin, ku përfshiheshin skribët, farisenjtë dhe saducenjtë. Ata udhëheqës fetarë i lexonin shpesh Shkrimet, por nuk nxirrnin dobi nga ajo që lexonin. Jezui nxori në pah tri gjëra që i pengonin të përfitonin më shumë nga Shkrimet. Fjalët që u tha Jezui do të na ndihmojnë të bëhemi më të aftë (1) për ta kuptuar atë që lexojmë, (2) për të gjetur margaritarë brenda Shkrimeve dhe (3) për ta lejuar Fjalën e Perëndisë të na modelojë. w23.02 8-9 ¶2-3
E premte, 30 gusht
Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet.—Prov. 22:3.
Disa rreziqe nga të cilat duhet të ruhemi janë flirtimi, të hamë ose të pimë me tepri, të flasim në një mënyrë që i lëndon të tjerët dhe të zbavitemi duke parë dhunë, pornografi a gjëra të ngjashme. (Psal. 101:3) Djalli, kërkon pareshtur ndonjë mundësi për të na dëmtuar miqësinë me Jehovain. (1 Pjet. 5:8) Po të mos jemi syçelë, Satanai mund të mbjellë në mendjen e në zemrën tonë farat e zilisë, pandershmërisë, lakmisë, urrejtjes, fodullëkut dhe inatit. (Gal. 5:19-21) Nëse nuk veprojmë menjëherë për t’i shkulur me rrënjë, do të rriten si një bimë helmuese e do të na hapin telashe. (Jak. 1:14, 15) Një nga rreziqet tinëzare është shoqëria e keqe. Duhet të mbajmë parasysh se njerëzit me të cilët zgjedhim të kalojmë kohë, do të kenë ndikim të fuqishëm te ne. (1 Kor. 15:33) Nëse i kushtojmë vëmendje vetes, siç na nxiti Jezui, do ta shmangim shoqërimin e panevojshëm me ata që nuk jetojnë sipas normave të Jehovait. (Luka 21:34; 2 Kor. 6:15) Do ta dallojmë rrezikun dhe do t’i largohemi. w23.02 16 ¶7; 17 ¶10-11
E shtunë, 31 gusht
Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.—1 Gjon. 5:3.
Ndërsa ke mësuar më shumë për Jehovain, dashuria jote për të është bërë gjithnjë e më e thellë. E natyrisht që dëshiron të afrohesh me Jehovain sot e gjatë gjithë përjetësisë. Kjo është e mundur. Me dashuri, ai të fton t’ia gëzosh zemrën. (Prov. 23:15, 16) Këtë mund ta bësh jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Me mënyrën si jeton, do të tregosh se e do vërtet Jehovain. Ky është synimi më i shkëlqyer që mund të ndjekësh në jetë. Si mund ta shfaqësh dashurinë për Jehovain? Së pari, duke bërë një lutje të veçantë ku ia kushton jetën të vetmit Perëndi të vërtetë. (Psal. 40:8) Së dyti, duke e bërë publik kushtimin tënd me anë të pagëzimit. Kjo është një pikë kthese në jetën tënde. Në atë moment të lumtur nis një jetë të re, pasi nuk jeton më për veten, por për Jehovain. (Rom. 14:8; 1 Pjet. 4:1, 2) Mbase ky të duket një hap vendimtar, dhe ashtu është. Ama të hap rrugën drejt jetës më fantastike që ekziston. w23.03 5-6 ¶14-15