E mërkurë, 29 tetor
Lëvdo Jehovain, o shpirti im! Emrin e tij të shenjtë gjithë qenia ime e lëvdoftë!—Psal. 103:1.
Dashuria për Perëndinë i nxit besnikët ta lëvdojnë me gjithë shpirt emrin e tij. Mbreti David e dinte se kur lëvdonte emrin e Jehovait, lëvdonte vetë Jehovain. Kur dëgjojmë emrin Jehova, menjëherë na shkon mendja te personaliteti i tij. Mendojmë për cilësitë e tij të bukura dhe për veprat e mrekullueshme. Davidi e konsideronte të shenjtë emrin e Atit të tij dhe dëshironte ta lëvdonte. Donte t’i thurte lavde me ‘gjithë qenien e tij’—pra, me gjithë zemër. Po njësoj, levitët merrnin iniciativën për të lëvduar Jehovain mes kombit të Izraelit. Ata pranonin plot përulësi se fjalët e tyre s’do ta shprehnin dot kurrë plotësisht lëvdimin që meritonte emri i shenjtë i Jehovait. (Neh. 9:5) S’ka pikë dyshimi se këto lëvdime të bëra me gjithë zemër dhe plot përulësi, ia gëzonin zemrën Jehovait. w24.02 9 ¶6
E enjte, 30 tetor
Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.—Filip. 3:16.
Jehovai nuk të konsideron dështak, nëse nuk arrin një synim të paarritshëm për ty. (2 Kor. 8:12) Përpiqu të mësosh nga një rrëzim. Mbaj parasysh çfarë ke arritur deri tani. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja.» (Hebr. 6:10) Prandaj, as ti nuk duhet t’i harrosh. Medito sa shumë ke arritur deri tani—ndoshta ke zhvilluar një miqësi me Jehovain, po u flet të tjerëve për të ose je pagëzuar. Ashtu siç ke bërë përparim dhe ke arritur synime teokratike në të shkuarën, mund të vazhdosh të përparosh e t’i arrish edhe synimet që ke sot. Me ndihmën e Jehovait, ti mund ta arrish synimin që ke. Ndërsa vazhdon të punosh për një synim teokratik, përpiqu të shohësh si po të ndihmon e po të bekon Jehovai—kështu do ta shijosh udhëtimin. (2 Kor. 4:7) Nëse nuk dorëzohesh, do të marrësh bekime akoma më të mëdha.—Gal. 6:9. w23.05 31 ¶16-18
E premte, 31 tetor
Vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.—Gjoni 16:27.
Jehovait i pëlqen shumë t’u shprehë miratimin dhe dashurinë atyre që i ka për zemër. Në Shkrime tregohen dy raste kur i tha Jezuit se ishte Biri i Tij i dashur, që e miratonte. (Mat. 3:17; 17:5) A do të të pëlqente ta dëgjoje Jehovain tek të siguron se ke miratimin e tij? Sot Jehovai nuk na flet nga qielli, por përmes faqeve të Fjalës së tij. Mund «ta dëgjojmë» Jehovain që na thotë se na miraton kur lexojmë fjalët e Jezuit tek ungjijtë. Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij. Ndaj kur lexojmë se Jezui u shprehte miratimin e tij dishepujve të papërsosur por besnikë, mund të përfytyrojmë që Jehovai po na i thotë neve ato fjalë. (Gjoni 15:9, 15) Nëse hasim sprova, nuk do të thotë se kemi humbur miratimin e Perëndisë. Përkundrazi, ato na japin mundësi për të provuar sa fort e duam dhe sa shumë i besojmë Jehovait.—Jak. 1:12. w24.03 28 ¶10-11